Turizëm, kapriço, jetë
Lilian Dankërk nuk ndjente asnjë pikë turpi apo hezitimi të më merrte me vete në shëtitjet e saj përkrah para-vdekjes dhe lodhjen që i shkaktonte pritëses së saj të deklaruar. Klerfaiti i saj më çon sërish në rrugëtimet pa të ardhme të Remarkut, që shkelin, e shkelin, e shkelin ngërdheshur në greminën që shohim vetëm sot. Dhe s’pyes as për detyrimin tim fjalosës, as për mërzinë e të shkelurit Krujën, ku përbri muzeut që më tregon lavdinë anti-turke për të mbrojtur krishterimin, qëndron me gjithë madhështinë e tij po aq artificiale muzeu etnografik i lavdisë së jetesës së myslimanizuar shqiptare.
E diela me diellin mashtrues tipik të fund-dimrit më mbërthen pas marrëzisë së braktisjes nga sanatoriumi të Dankërkut. Kurse udhë-rrëfyesi babaxhan i jetës së lartësuar me mund në muzeun etnografik, vazhdon të përsërisë për të n-tën herë historinë e memorizuar në anglishten e tij personale.
Çartja e të sëmurës në pritje të fundit të saj duke qepur fustane të shtrenjtë nuk më lë hiç të përpiqem mbase gjej ndonjë copëz të mbetur skutave të durimit të sosur e të munguar shqiptar e të shpjegoj historinë artificialë për të 400 herë nën të njëjtin skepticizëm stoik të të gjithë huajve që më kanë sjellë këtu.
“Po, është errët. Kështu janë të gjitha ndërtesat e ngjashme edhe tjetërkund. Jo, nuk po të shan. Zotëria kërkon t’i blesh librin e tij të fundit mbi Krujën. Lëre zotëri, nuk e do atë librin tënd me përralla.”
As për tolerancën time në përkitje të mezi-fituara nuk kam ndjesi. Njëlloj si për detyrimin e ushqyer me tepricë për të zbukuruar qëndrimin jo-vlerësues dhe me kureshtje të çjerrë që sjellin e marrin me vete “turistët mendje-masë”.
Teleferiku është nën mbikëqyrje teknike. Ngjitja e Dajtit me makinë është e bukur po aq sa është e lodhshme në kohë dreke. Restorantet përgjatë gjithë saj janë tipike në ushqim, çmim dhe shërbim. Ashtu siç ishin në Krujë, në Petrelë, në Durrës, në Berat.
Lilian ka rënë në ujdi me ditët e saj të fundit… Mesnata më prishet nga shqetësimet paranojake të turistes që po shqetësohet nga “vandalët” shqiptarë në Berat. “ Po jo moj zonjë, nuk ka klientë shqiptarë në hotel sonte. Kam vetëm tre kanadezë dhe një italian. A mund t’i shpjegoni kësaj zonjës këtu se nuk ndodhin gjëra të tilla në hotelin tim familjar?! Aman, se e kam me merak. Po kjo nuk qenka as e bukur qe t’i qepen cunat qe po pretendoka!”. Ok, por po të mos ndodhin “trokitjet e paftuara”, duhen shpikur, për të qetësuar imagjinatën e përgatitur për Shqipërinë e egër, të përulur, të rrezikshme, dhe ndjellëse për aventura të palejuara, dhe fare të pa-pranueshme nëse nuk ndodhin vërtet.
Turistja më në fund bie në gjumë, por zgjohet “pa fjetur hiç. Macja nuk ndenji rehat gjithë natën mbi tavan”. Patjetër, duhet të dështojë PATJETER Shqipëria.
Qendra tregtare nuk kishte asgjë interesante, në party kërcehet muzikë e çuditshme, hareja është me tepricë në këtë karaoke, por oh, “sa qesharak theksi shqiptar i anglishtes”. Frëngjisht-folësja Dankërk zgërdhihet në dorën time teksa përpiqet të thotë “help fresh air” në shpërthimin para-vdekësor të 1945-ës; pikërisht ndërsa turistja ime angleze mendon se këndimi i hareshëm shqiptar në anglishten e “Fly over the rainbow” tingëlloka shumë jashtë mode në 2008-ën.
Gota e verës prej rrushi trokitet me filxhanin e çajit kokrrizor me qumësht, dhe me rrudhjen prej mos-aprovimit për cilësinë e ujit të Qafë-Shtamës. Tavolinës i shtohen të afërmit e sapoardhur rishtas, pa pasur nevojë të lajmërojnë një shekull përpara nëse ka vend për të shijuar ushqimin dhe bisedën spontane sot. Bashkë me ta, shtohet edhe mos-aprovimi për shmangien e vëmendjes nga pikëvështrimi që mundohet të përforcojë imazhin e të paqenëve bukuri shqiptare. Por ato janë aty, të zymta në prekje, por kokëforta në shkëlqim dhe në ndriçim nëse shihen poshtë syzeve të errëta të nënvleftësimit.
Dankërk po jeton madhërishëm ditët e fundit të 24 vjetëve të saj. Xhaxhai i saj plak mallkon shpenzimin e parave dhe energjive të mbesës për të zbukuruar kufijtë që ai nuk i di. As nuk i kupton.
Dhe teksa BA merr me vete përtacinë time të pacipë për të kënaqur kapricot zhvlerësuese të hapësirës ku unë marr frymë, vetë ndalem në tavolinën ku lëngut të rrushit i ndryshon vetëm ngjyra; ku buzëqeshja, edhe kur keqkuptohet shoqërohet sërish me një të tillë; ku fjala i ngjan gjendjes; ku mundem ta zgjedh, deshifroj, shpërfill apo përforcoj atë pa u menduar fare.
Dhe ulem qetë, paqshëm, gjithë kënaqësi e gati për luftë fjalësh nëse e ngucin kapricon time. Të lënduarën, në ndikuarën, luftaraken, të hidhurën, uniken, lodhësen, të bukurën kaprico shqiptare.
Dankërk sfidon kufirin jetik, lodron e magjeps në gojën e fundit të saj jetësor; unë humbas nën muzikën e spontanitetit kapricoz, po fare të pagdhendur të etikës së shtirjes, për atë që geni im shqiptar nuk më lë të jem.
Moskokëçarje e njëjtë në gojë fundesh; Lilian karshi vdekjes, unë në kapricot shqiptare të një jete, të cilën vizitorja kalimtare refuzoi të përjetojë.
t_red


12 Shkurt 2008 @ 4:34 pm
Dhe unë që mendoja se shprehja “i ka ardhur vdekja” cilëson një gjendje më të hapur, më të butë dhe më të etur për jetë sesa ajo e shumicës së njerëzve…
Më pëlqeu, t_red.
Përshëndetje!
12 Shkurt 2008 @ 7:34 pm
Nuk qe keq , pooor seç qe pakez si tregim i lodhshem dhe pa subjekt.
12 Shkurt 2008 @ 7:57 pm
Ashtu eshte, Pjer.
I lodhshem, si java qe me ngjiti ne shpine ajo turistja angleze.
Kapricoz, si reagimi im ndaj komenteve te saj te pabaza per Shqiperine. Plot jetë, si ditet e fundit te Dankërk, qe me treguan se as perceptimet e saj te gabuara, as lodhjet e mia per t’i rrezuar ato, nuk jane me te rendesishme sesa shijimi i pranive te thjeshta qe nuk i lejojme dot.
13 Shkurt 2008 @ 6:14 pm
Vertet t red, po lexuesit shohin qe dikush ma ka hequr komentin, se perse , kjo nuk kuptohet.
13 Shkurt 2008 @ 7:06 pm
hi t_red.
per mua ishte pak i turbullt e i paqarte si shkrim, ndonese i kam perjetuar ndjenjat e shprehura.
p.sh.: “As për tolerancën time në përkitje të mezi-fituara nuk kam ndjesi”. ndoshta e ka fajin gjuha ime e prapambetur, por cfare kuptimi ka kjo fjali?
ka pjese interesante, sidomos ajo nata e kaluar ne Berat. (pergjigjia ime ndaj dikujt tjeter po kaq paranojak ishte: “perdhunimi kushton ekstra”)
gjithesesi, lexim interesant.
14 Shkurt 2008 @ 11:16 am
E vendosen serish, Pjer
(faleminderit admin. Nuk me shqetesoi komenti i Pjerit, perkundrazi. Ishte reagim qe e prisja)
E di pse ka reflektuar klasa administruese, Pjer? Se eshte dakord me ty
(njelloj si edhe une vete).
Blete….Ku ke shkruar e ke kapur fjaline qe une dua te fsheh me shume se gjithe te tjerat?!
Ne raste te tjera do te isha fanatike per c’ka me perket dhe qe mezi e kam fituar; por nen lodhjen e asaj turistes dhe me kapricon e lindur kot ate te diele, as qe kisha pike ndjesie ndaj tolerances qe po shkonte vaj me mua ate dite.
Tolerance i thencin. Lëshim peri mund ta quash po te duash. Gjendje, thjesht gjendje qe me erdhi t’i pershkruaj ashtu….