Identifikohu



Regjistrohu

Tre shokët lypsarë, ku mund të jenë nesër…!

Nga Isuf KURTAJ

“Ndryshe”

Janë tre shokë. I takoj pothuajse çdo ditë duke ecur në rrugë, herë të përqafuar, por më shpesh të “ndarë”. Nuk ndryshojnë, janë po ata, të veshur me rroba prej lypësi që lëshojnë erë papastërtie që nga koka deri tek këmbët. Me mëngë ashtu të lagura enden pa adresë, por mua më ndodh që t’i takojë gjithmonë për(m)ballë “Tajvanit”. Vetëm se sot më shumë se çdo ditë tjetër më duken të uritur. “Nuk ngopet barku i fukarait, duke i folur për bukën”, prandaj pa prit dhe menduar i copëtova ca lekë për t’i blerë byrek. T’ia jepja në dorë lekët e imta kisha hall se mund t’ia merrte padroni, prandaj byrekun se kanë për qejf padronët tutorët e tyre, pasi hanë mish me lekët që fitojnë “skllavët” e tyre. Në media të ndryshme, në ambiente të ndryshme personash, me pushtet pa pushtet, të pasur apo të varfër, intelektualë apo të zakonshëm dëgjon tek flasin për filan lypësi, ndërsa pak më vonë për fistek lypësin. Më ka rënë të dëgjoj, dhe jo rrallë kam pyetur vetën pse gjithë ky diskutim për lypsarët. Pse gjithë kjo zallamahi? Se ç’hyjnë dhe dalin në bisedat e tyre lypësit një zot e di. Në fakt, mund ta dinë edhe lypësit, por ç’e do që nuk i njohin se kush janë tutorët e tyre. Po t’ia thonë emrin e sigurt, me siguri ia kanë dëgjuar. Por duke qenë se s’kanë televizor, ata s’ia dinë bëmat. A sikur të kishin televizor në barakat e tyre të vogla ku kuturu rrinë, flenë dhe ushqehen lypsarët e shkretë. I shtyrë dhe nga kureshtja s’di ç’më ka shkrepur në mendje për të parë se ç’punë bëjnë tutorët e lypsarët, ndoshta ngase kam një fije dyshimi se padronët e tyre mund të jenë dhe tanët. Ca nga kolegët e mi më të vjetër dhe më përvojë më thonë se si lypësit dhe tutorët e tyre i gjen në televizor, por një kronika të ndryshme. Të parët i gjen në fund, ndërsa të dytët në fillim që na hipnotizojnë me dogmat e tyre. Të parët fshihen para kamerave, ndërsa të “tutorët”(pra të dytën) ziejnë monologje, batutat, ide si të minimizojnë shkallën e lypsarëve rrugës, (duke i çuar gjetiu), por kurrsesi s’bëjnë debate për t’i “shporrur” nga rruga dhe për t’i strehuar dhe trajnuar diku. Kronikat e lypsarëve flasin për vuajtjet e tyre; pagjumësinë, të ftohtin, urinë, ndërsa Tirana duron, mendon, punon ashtu si çifutët në Evropë dikur. Sapo ecën ca në rrugët e Tiranës të dalin para gradaçelat e mëdha moderne dhe këtu s’ka kohë të mendosh, por konstato pa hezitim se po zhvillohet Tirana. Dhe kjo ndjesi e mirë të ikën kur sheh të shtrirë një fëmijë dy- tri vjetësh anash dyerve të TWIN TOWER. Kishte vetëm 5 lekë në qilimin e leckosur. Dhe ashtu spontanisht domosdo robi i shkretë spazmohet dhe fërkon dhëmbët që s’di si t’ia vë emrin Tiranës. Hapen dyert elektronike të Kullave Binjake, aroma e këndshme të kaplon direkt dhe madje të bën për veti. Përderisa shkallët të ngjisin në katin përdhes nga mbrapa të ndjek imazhi i fëmijës së gjorë. Sa keq që s’kisha lekë të imta që t’i lija ca. Në të hyrë të lokalit “Bulevard” përpara më dalin ca nga prijësit tanë të veshur e të krehur duke u gajasur. Akoma pa u rehatuar mirë në kolltuqet prej “filingeni” mendja tek i ziu fëmijë më rri. Sa mirë do të ishte sikur “kodoshët” që i takova në të hyrë ta shihnin, ndoshta mund ta ndihmonin. Tani më jam i hutuar. Dhe fajin ia vë kolegut që më solli tek Tëin Toëer. Nuk ndenjëm shumë. Vetëm pas gjysmë ore u ngritëm dhe me vrap i zbrita shkallët për të shuar kureshtjen nëse i kishin lënë figurat që takova në të hyrë ndonjë qindarkë. Sa keq fëmija më nuk ishte më aty, por nga ana tjetër më mirë që s’ishte se bënte ftohtë dhe tani më ai zog edhe mund të ishte duke fjetur. Ndërkohë që më vonë po mendoja se padroni i fëmijës edhe mund të ja kishte ndërruar vendin lypësit të vogël. Pak më tutje
Më del përpara njëri nga tre lypësit që i takojë për ditë tek “Tajvani” dhe më tutje disa të tjerë rrotull dhe bie heshtja. Në kësi-lloj situatash lufton e keqja me të mirën, përfiton e dyta nga e para dhe këtu duhet mbyllur kapitulli se për ndryshe mund të skllavërohesh. Po kthehemi tek tre miqtë e mijë që i takojë çdo ditë tek Tajvani herë bashkë e herë veç e veç. Ata kanë një ëndërr, që një ditë të pasurohen, dhe idolët e tyre janë patronët që s’lënë punë pa bërë. Ata i lënë të (mos)kulturohet, të (mos) arsimohet, të (mos)rritet, të (mos)fuqizohet. Edhe pse pengohet nga disa tutor mediokër, injorantë, kapriçoz, fodull që hiqen si perëndimorë e veprojnë si revolucionare lindore. Ata shtirren si patriotë e veprojnë si pushtues të huaj që nuk lejnë gjë pa marrë dhe rast pa shfrytëzuar për të shtuar pasurinë dhe këtë shpesh e bëjnë në kurriz të fëmijëve të vegjël që sytë na zënë përditë. Ndryshe nga idolët e tyre fëmijët skamnor pa shumë zhurmë, rrëmujë aspirojnë që nesër të bëhen të fortë. Leksioni i vetëm që kanë marr nga tutorët është se robi asnjëherë s’mund të bëhesh i pasur me djersë, dhe kjo në fakt është rruga të cilën ata pretendojnë ta ndjekin. Në mendjen e tyre njësoj si të padronëve pisllëku është kryefjala. Disa nga kolegët e tyre lypsarë më të rritur edhe pse të skamur lypin gjithë ditën e lum vetëm për të hëngër, por jo kafshatën e gojës, por për të blerë hashash dhe droga të tjera për të pirë. S’kanë faj kanë rënë pre jo të provokimeve të padronëve por e dhunës së tyre. Kam frikë se edhe tre shokët e mi që i takoj çdo ditë tek “Tajvani” mos bëhen të varur nga droga, ose, edhe më keq, të transportohen gjetiu. Dhe para se vija në redaksi e shoh Tiranën dhe njëherë dhe me bërtas nga “gëzimi” përbrenda duke thënë se sa mirë ka ditur kryeqyteti ynë t`i japë gjithsecilit vendin përpos tre miqve të mi lypsarë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment »

  1. Pjer Thomas thotë:

    12 Mars 2008 @ 8:30 pm

    E bukur :-) por dhe e dhimbeshme.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.