Tigra prej letre
Gjurullditë nga Kina më janë dukur gjithnjë të afërta, sikur po ndodhnin veç një vrap pele larg. Kjo është vulosur herët fare, në trurin ende veshtullor prej fëmije, kur në një kuzhinë alidemse, me sobën standarte pellazge me tuba llamarine lyer me varak argjendi, nga ku patjetër diku do dilte pak tym (bllokimi me brumë mielli kurrë nuk ishte qindpërqindësh), që nxinte pjesë të caktuara të murit me të murrmen e Onufrit, po qe se kjo do ekzistonte - pra është vulosur si apostil qysh atëhere, kur dikush hapi derën dhe në vend të mirëmbrëma, tha: e morët vesh, Ten Hsiao Pini tradhëtoi. Sikur po flitej për shitësin e mishit që vërtet kish tradhtuar të shoqen. Veç e veç, as Teni dhe as tradhëtia nuk marrin (ende) kuptim për një fëmijë, por së bashku ato bëheshin diçka e prekshme. Ngaqë ravijëzoheshin në fytyrat e merakosura të të rriturve në dhomë, profile labërie dhe Skrapari, hundë kërrute ose ashpërsisht të drejta e të shkurtra mbi mustaqe, qime mjekrash të zeza e të thinjura, të krijuara origjinalisht për nofulla barinjsh ose kaçakësh, por që përdhunshëm përshtateshin në kornizat e meraqet e politikës së gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, me gjeopolitikë të fandaksur, e cila sillte rrethinat e Shanghait në afërsi të fshatit Shkozë në periferi të Tiranës. Si u gdhive Rrem? Qysh u ngryse, Rrapo? Hi hao? Ho! Ishte diçka e keqe, pra. E ngjashme me thonjtë e paprerë të hënën në kontroll të pastërtisë te Kushtrimi i Lirisë. Apo me hirin e sobës, të harruar në shtëpi, në ditën e caktuar të grumbullimit të këtij plehu mineral potasik, aq të domosdoshëm për mbarëvajtjen e bujqësisë socialiste. Sipas përvojës së përparuar të komunës Gong-gung-something-like-that në Kinën Juglindore ose Veriperëndimore, diku në një galaxy far, far away…. Vajza që thinjeshin brenda natës. Grumbullime të detyrueshme shkollore për të ndjekur ndeshje futbolli midis shkollës së bashkuar të ushtarakëve Enver Hoxha dhe ekipit X nga Kina Popullore. Një film tejet i mërzitshëm me hieroglife shfaqur në Pallatin e Kulturës, në të cilin s’merrej vesh kur po vinte fundi i pritur me aq padurim dhe shoqëruar me duartrokitje të gëzueshme bash për atë çlirim të “The End”-it që s’vinte për qamet, zhgënjim, ulje përsëri me mllefin “uf, ç’mbetëm këtu sot”. Ndonjë lajm i agjencisë HSINHUA mbi suksesin e filmit që u shoqërua gjithë kohën me duartrokitje të ngrohta nga shikuesit, nxënës të shkollës fillore “The Congress of Lushnja”…. Dhe meqë jemi te filmat, meqë jemi te filmat, si mund të harrohet anektoda e kinezkës specialiste në Shqipëri, që ra në dashuri me shqiptarin shoqërues, i cili nuk ushqente simetrikisht të njëjtën ndjenjë, por që korrektësia e shoqërimit e detyronte për kortezi të gjithëhershme, edhe kur ishareti nga kinezja vinte i qartë fare, si atëhere, në atë kinemanë e errët, kur dora e saj në fillim e ngadalësisht kapi të tijën, pastaj si padashje gjurin e ngrirë skulpturë të shqiptarit në mëdyshje të tmerrshme hamletiane, ku gabimi politik dhe erosi mandarin fqinjëronin si dy re të ngarkuara elektrikisht me shenja të kundërta, pastaj dora e saj që pafajësisht nga gjuri po zhvendosej lart, kofsha e shqipos që sidoqoftë, sidoqoftë, sidoqoftë, me gjithë mësimet udhërrëfyese dhe porositë e vyera të shokut N në plenumin e fundit, mbaronte diku, edhe fundi i kofshës e jo i filmit po afronte kërcënueshëm… o prapësi, o dreq… dhe shkëndija gjeniale, shpëtimtare, prej Aleksandri që pret nyjen gordiane, dora e tij që rrëmben të sajën, e ngre lart me pathos, (lart, pra, dmth edhe larg “fundit të kofshës”, edhe aty ku duhej të ishte niveli i mardhënieve të dy popujve vëllezër), lart si fryma revolucionare! dhe ashtu, grusht me të sajen, në unitet internacionalist, duke thirrur me sa kish në kokë: “Rroftë miqësia shqiptaro-kineze!”, që nuk tingëllonte aspak e çuditshme dhe jashtë konteksti… eh ç’kinema që qenë ato, kinema mjeshtrash të shprehjes dhe politikës dhe artit universal! Raxh Kapur & Rita Inc.
Gjurullditë nga Kina vijnë aq lehtësisht të përkthyeshme për shqiptarin hipotetik, çjetinçi, lozha kocertesh me fytyra të parafinta politbyroje, Lindja është e Kuqe, kemi miq në këtë botë, që ndonëse larg i kemi, porsi komshinj të mirë jemi, “made in China” që e njohëm aq kohë para Wal Mart-it, të jemi krenarë, shokë, për parashikimin më gjenial ekonometrik që do shtangte çdo Wall Street e NYSE, fytyra tejet të çuditura kinezësh që bëjnë Mastera e PhD në universitete amerikane, apo projekte në korporatat e nëmura, ku e njeh ti Çu En Lain, Lin Biaon, Lej Fenin, 100 lulet, eh po ti s’e di, i nderuar Wensui, e nderuara Shihong - pragmatikisht “Linda Li nga Kina kontinentale”, që kur ishim fëmijë, diku larg, në një përplasje rastësore të një meridiani dhe paraleli ballkanik, që formonte një njësi gjeografike, një “shprehje gjeografike” populluar nga delirantë, dikush hapte derën dhe pa të keq thoshte jo “si u ngrysët”, por “e morët vesh, Ten Hsiao Pini tradhëtoi”.
Prandaj edhe gërr-mërri i fundit nga Kina, me protagonist fshatarin Zhou Zhenglong, i cili ka bërë një hile të tmershme, ka botuar në gazetë dhe internet foton e rreme të një tigri të egër të Kinës Jugore gjoja marrë në gjendje të lirë, nuk më befasoi aspak (s’kisha dëgjuar kurrë për këtë tigër, dija tigrin e Bengalit, por jo këtë, dhe kjo jo për fajin tim: veç nja 30 krerë të këtij lloji mendohet që gjallojnë të egër, si dhe ndonja 60 që janë zbutur, kandidatë për mace, pas kafazesh, asete fitimprurës kopshtesh zoologjike apo cirqesh). Tigri i famshëm nuk është parë e “ndjerë gjallë” qysh nga vitet 60-të, koha e ashpër e Altamontit dhe e çarjes së bllokut komunist, paraprirës i tradhëtive të përsëritura të Tenit, të Linit, apo grupit katërsh, Fab Four-it sektarian të demaskuar keqas. Zhou duhet të ketë patur zgjuarsi katunare, e cila asnjëherë nuk është teknologjikisht e sofistikuar. Kish gjetur një foto-poster tigri, e kish prerë, e kish futur mes gjetheve në pyll, kish marrë borxh një kamera dixhitale, e kish shkrepur, dhe vualà, marifeti mbaroi, çdo gjë gjeniale është kaq e thjeshtë, sa të habit me thjeshtësinë e vet. E shihni pra, se përkundër çdo akuze sikur gjoja industrializimi marramendës i Kinës se Re po shkatërron mjedisin, ne jemi në fakt një parajsë për gjallesat e egra, për gjithë paramecët dhe flagjelatët, për unionin e myshqeve, kullotni mi dele, shumohuni ju dhi të egra, të lira, shaplosuni të lavdishëm ju luanë e tigra, krenari ekologjike, success story, Xhurasik Park, Central Park, lavdi e ekosistemit të provincës zulmëmadhe Shaanksi. Turistë të të gjitha vendeve, bashkohuni! Zhou u mahnit nga suksesi, 2900 dollarë amerikanë shpërblim nuk gjenden aq lehtë, le që pastaj “të pasurohesh është e mrekullueshme”, ë-hëm (kollitje domethënë), sipas Tenit kjo, kontroversialit shkurtabiq, të debatueshmit që ka diçka nga Master Joda kur u plak, pavarësisht se portreti i Timonierit të Madh, thjesht udhëheqës honorifik tashmë, tek sheshi Tien An Men, kumton tjetër gjë. Zhou nuk e di që krimi i tij nuk është i ri, që etiketa e tij u është ngjitur sa e sa mashtruesve të tjerë, ndër ta plot të sofistikuar, që fotografonin dhe krijonin legjenda e mite, si “këmbëmadhin”, Jetin, operacionin kirurgjikal të kryer mbi një jashtëtokësor, apo sidozot, “Përbindshin e Loh Nesit” me muze e vizitorë. Zhou ndodhet në qendër të vatrës fokale djegëse të zemërimit popullor të kinezëve të iluminuar që kanë hyrë në “moshën” e internetit të kontrolluar nga shteti, që mllefosen ndaj çdo teorije të konspiracionit, përbetimeve qeveritare, të mbulimit të së vërtetës, të shoqërive të fshehta që kontrollojnë gjithçka, të padukshëm si faktorët latentë përcaktues të statistikës. Në këtë zemërim ka edhe diçka prej turmave të irrituara që bënë revolucionin kulturor dhe godisnin me kërbaç në qendër të fshatit kulakun e rrezikshëm që po të lihej, do infektonte gjithë gjindjen si virus pandemik. Në fakt ka diçka edhe nga zemërimi i fëmijëve të shtresave pro-regjim, të mirëtrajtuara në monizëm, të cilët një ditë të bukur kuptuan që atdheu socialist, i reklamuar si parajsa e vetme mbi tokë, nuk ishte ashtu, dhe se ato fytyrat e murosura të politbyrosë kishin gënjyer që ç’ke me të gjithë kohën! Zemërimi i sinqertë është më i hidhti. Uji vjen i kulluar nga lart, nga Pekini, nga Tirana, por e turbullojnë rrugës këta langot e qarqeve, provincave, autoritetet lokale të Shaanksisë, të Hubeit, të Patosit apo Kamzës. Robër, të burgosur të paradigmës “perceptimi është realitet”, e cila ka kushtëzuar jetët njerëzore qyshse fjala fitoi aftësinë e fshehjes së të vërtetës. U bë mjet. Makiavelike. “Në fillim ishte Qëllimi”. Pastaj erdhi ajo. Se a nuk më thoni, ju kam rixhà, seks simboli i sotëm amerikan, Pamela Anderson, a nuk e ka gjoksin prej silikoni. Gjoks inorganik! Kur ne bëjmë çmos të kemi organike deri edhe domatet e qepujkat! (kjo e fundit, perimorja, përbën një kulm të oksimoronizmit, por nejse, e lemë të kalojë, si fleksibël që jemi, siç lemë dhe aq shumë gjëra të tjera në këtë jetë jallane). E dimë, ai gjoks që ja bën “muuu”, bëhet për ne gjoks sinfonik për piano dhe orkestër, pranuar kolektivisht si i vërtetë, super-bio, infra-green, brokoli dhe sojë në la minor. Po flokët e Britnit? Fama e P. Hilton? Deri për Jezusin (na fal, Zot!) thonë që është në vetvete kulti pagan i diellit, i përkthyer në kushte të reja! Derisa formulat e Ajnshtajnit dëftejnë ekzistencën e realiteteve paralele, pse habitemi (në mënyrë përzgjedhëse!) nga prania e tyre? Pse nuk bëjmë kështu edhe me Vrimat e Zeza apo me Materien e Errët? Që janë rrjedhime të të njëjtave formula. Përkundrazi, ne ato i kërkojmë me qiri dhe nuk i gjejmë dot. Zhou ka bërë Faj të ndëshkueshëm. Por vetëm kaq. Ndërkryerja që vjen si “thelë mbi bisht” është e tepërt. Është hipokrizi, pasi nuk vjen nga një botë qelibar e llagar. Është, në fakt, një variacion bash i asaj për të cilën Zhou po dënohet. Sepse, po t’ju kujtohet, pikërisht këtë që bëri zavalli Zho, bënë para pak dekadash (sekondash historike, domethënë) në nivele supershtetërore, makineritë gjigande të propagandës. Me sofistikim, dhe jo alà katunaresque. Thanë pikërisht këtë: imperializmi është “tigër prej letre”! Tigër prej letre! Fjalëpërfjalshëm! Përqeshën hungërrimat e vërteta, pothuaj motorike të imperializmit. Thanë ky është karton, lodër, Tom and Jerry. No tiger! Edhe Zho mavriu në të njëjtën linjë, mori një tigër prej letre, nga faqe kalendarësh apo ekspozite fotografike, e preu, e vuri mes barit, lëndinës, pyllit, dhe tha që ky është i vërtetë! Në rastin e shtetit, qeverisë, kjo quhet ideologji. Për Zho derëzinë, quhet mashtrim.
Mekanizmi i prestigjatorit, magjistarit siç i thonë në anglisht, është zhvendosja e fokusit nga kryengjarja tek disa gjoja-ngjarje. Safi shpërqendrim. Fokusimi te Zhou, qëndrimi kinse i rreptë zyrtar ndaj mashtrimit fshataresk, është thjesht një mënyrë për të treguar që gjoja mashtrime të tilla nuk durohen, nuk tolerohen nga “hyqymeti”. S’di pse kam bindjen që për qeveritë, Zhou është aq i dashur, aq i mezipritur, aq aleat në nevojë, sa që brenda, në thellësi, ai jo vetëm nuk stigmatizohet, por i thuhet me mirënjohje falemnderit. Madje, një Zhou krijohet. Punishtja është gati. Makineritë janë prore të vajosura. Ready to go!
Prandaj kur zhaurima e largët aziatike mbërriti deri te veshët e mi, u ndjeva si në një vazhdim telenovele, episodet e së cilës e kanë fundin e hapur, vazhdojnë sipas miratimit e parapëlqimit të publikut. Si “radioposta” e dikurshme me muzikë të kërkuar, “sipas kërkesave të dëgjuesve”, e vetmja tentative kërkesë-ofertë në kohët e flamosura me miqësi interkontinentale. Tingëllon pak si hotel luksi, nukë? InterContinental Hotels Group Inc.
Në një cep truri, ku disa neurone të marinuara konservojnë kujtime të kuruara, krejt i paftuar erdh’ e u ul dikush, me rroba popullore shajaku, një barì me kërrabë, i cili, në një letër private që shpejt u bë e hapur fletë më fletë e kanat më kanat, sapo i kish dhënë një “porosi” Enver Hoxhës: “mbaje drejt timonin, siç e ke mbajtur gjer më tani”. Ai filloi të këndonte një këngë të vjetër me iso, që jepte zemër, krijonte besim, mos u tutni, sepse: “Neve kemi shokët tanë/ more Mao Ce Duuuunë/ dhe Çu En Lanë… eeeeee o!” Të lumtë, Demir! Si goja, zemra! Të paçim!




6 July 2008 @ 8:18 am
bukur Çimi !
ps:shumë
6 July 2008 @ 10:18 am
Pak i gjate, por me nenkuptime
6 July 2008 @ 11:11 am
JO romane ju lutem se nuk kemi nerva shume te lexojme gjithe diten, jemi emigrante te vjeter ok? !!!
6 July 2008 @ 11:22 am
Po pra,
Megjithe respektin per Cimin, Mozes i dhamin syte ene koka po ta lexoje gjith ket.
Ene po te mundsha une me lexu kaq gjate, kisha vajt m’shkolle, kisha msu ene i kisha xane venin Cimit atje ke kapitalisti vet.
Jo me kot vegjetoj m’shqipni une
6 July 2008 @ 12:53 pm
Askush nuk mund te shkruaj kaq bukur.Dhe besoj qe nuk po ekzagjeroj.
Ka ne shkrim jo vetem nje erudicion ku asnje fjale s’bie per toke,por edhe nje pershkrim brilant me nje humor(”qesh e ngjesh!”) te nje kohe te njohur dhe kesaj aktuale.
6 July 2008 @ 1:18 pm
Cim gjthmone shkrun gjana te vecanta,bravo
Ps.Moza edhe te filloje ta lexoje, kur e mbaron e harron se si filloi
6 July 2008 @ 1:33 pm
Po vallai,
Kur mbaroj, smbaj mend asigja fare
6 July 2008 @ 1:36 pm
aty asht stili,mbarimi te ban me harru fillimin
6 July 2008 @ 1:40 pm
thuhet eee??!!
6 July 2008 @ 4:31 pm
Kot,me qe erdhi fjala tek kinezet me te cilet kemi bere nje cope rruge sebashku me ta.Kinezi Lu me ka thene se morali i tyre qendronte me larte se i amerikaneve;psh ne Kine vjedhja nuk njihej fare.Po sipas Lu edhe zgjuarsia e tyre qendronte ku e ku me larte se e amerikaneve.Ja ç’me ka treguar kinezi Lu nga vitet 77-te:
-Kishte ardhur ne Kine nje grup turistash amerikane per turizem.Duke shetitur neper vendet historike qe ne Kine jane te shumta(sipas Lu-s sepse une akoma nuk kam qene ne Kine) nje amerikane vodhi dhe futi ne çanten e tij nje vazo shume te vjeter e me vlera historike kineze. Natyrisht ,me ka thene Lu-ja,shoqeruesit tane e vune re kete gje,por nuk donin qe ti fyenin miqte ne shtepine e tyre(se ata jane shume mikeprites) per ta rikuperuar vazon organizuan nje çfaqje artistike ku nje prestixhator zhduku nga skena nje vazo te tille nga pamja e jashteme.Te gjithe spektatoret kishin mbetur te habitur se ku vajti vazua.Atehere prestixhiatori i lutet njerit prej spektatoreve pikerisht “amerikanit hajdut” qe te hap çanten !?Gjithe salla shpertheu ne duartrokitje …duartrokitnin edhe amerikanet..
Radhen tjeter mund tu tregoj edhe nja dy historira te tjera kinezçe ne se u pelqejne…
7 July 2008 @ 4:58 am
U ke treguar vendin KINEZEVE ..Ja keshtu duhet ..Me te lumte pena…
:P
…do jeshe me te vertet Kapitalist i nderuar.
Ta keshe myllur me ate shprehjen qe kerryem per mitingje ne 90 …
Li PEN-Turi qen….
AlisaT ! Ti nuk ke te drejte te biesh te tilla nga CIMI !!!!
Keto mbase jane edhe sprova.
11 July 2008 @ 5:49 pm
shkruaj gjat se nuk kam kohe te shkruaj shkur ka thene AI dikur