Identifikohu



Regjistrohu

Pavarsia e Kosovës, akoma jo

Kryeministri Thaçi rikonfirmon në këtë intervistë me BBC që nuk ka më asnjë pengesë ndaj Pavarsisë së Kosovës, por ndoshta ua pret disi hovin atyre që Pavarsinë e presin të shpallet nga çasti në çast kur thotë se ditën e shpalljes së Pavarësisë Kosova duhet të ketë përfunduar së përgatituri Kushtetutën e saj, dhe simbolet. E kjo patjetër do të marrë ca kohë.

Shënim i Peshkut

Thaçi: Asnjë pengesë drejt pavarësisë
BBC

Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka thënë BBC-së se Kosova ka hyrë në fazën përfundimtare të përgatitjeve për shpalljen e pavarësisë.
Ai ka thënë se zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës nuk mund ta ndalojë asnjë vështirësi apo pengesë. Kryeministri Thaçi ka deklaruar se Prishtina është gati që ta njohë pavarësinë e Serbisë dhe se do të kërkojë që edhe Beogradi ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo, sipas tij, do të ishte në të mirën e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon dhe të të sigurisë globale edhe të SHBA-së, BE-së dhe të NATO-s.

Arbër Vllahiu zhvilloi një bisedë me kryeministrin Thaçi.

BBC: Në ç’fazë ndodhet procesi i shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
Zoti Thaçi: Vlerësoj se nuk është e domosdoshme që të merremi me diskutimin për çështje orësh, ditësh ose minutash. Se a do të ndodh këtë të diel, këtë të martë apo të enjte. Me rëndësi është se Kosova është në fazën përfundimtare të përgatitjeve zyrtare për organizimin e shpalljes së pavarësisë, për fillimin funksional të shtetit tonë të ri, të një shteti të mundësive të barabarta dhe affirmative për minoritarët. Tanimë ka filluar debati publik për Kushtetutën. Kosova në ditën e shpalljes së pavarësisë do të ketë të përfunduar së përgatituri edhe Kushtetutën, edhe simbolet dhe do të veprojmë në mënyrë unike si politikë, si institucione edhe si qytetarë.

BBC: Ju keni thënë me një rast se i keni bashkërenduar të gjitha punët me Washingtonin dhe Brukselin për shpalljen e pavarësisë?
Zoti Thaçi: Vendimi për shpalljen e pavarësisë nga institucionet e Kosovës do të merret në bashkërendim të plotë me Washingtonin dhe Brukselin. Edhe vizita ime javën e kaluar në Bruksel ka qenë në shërbim të këtij përkushtimi të përbashkët dhe Washingtoni dhe Brukseli tani do të marrin vendimin e njohjes së përbashkët në kohë të njëjtë.

BBC: Dhe ju thoni se asnjë zhvillim tjetër nuk mund ta pengoj zgjidhjen e statusit të Kosovës në këtë periudhë?
Zoti Thaçi: Zyrtarizimin e pavarësisë së Kosovës nuk mund ta pengojë asnjë vështirësi apo pengesë. Pavarësia e Kosovës është në axhendën e gjithë botës demokratike.

BBC: Zoti kryeministër a do t’i bëni ftesë BE-së që të vendosë misionin e tij në Kosovë në kohën kur do ta shpallni pavarësinë e saj?
Zoti Thaçi: Të gjitha aktivitetet e Institucioneve të Kosovës dhe e punës së tyre do të jenë të bashkërenduara me partnerët tanë ndërkombëtarë. Ne do të vazhdojmë që të punojmë ngusht me misionin e ri ndërkombëtar që ka qenë i ftuar dhe i mirëpritur nga ana kosovare. Ne kemi marrë zotime për zbatimin e dokumentit Ahtisaari, për Kosovën e pavarur nën mbikëqyrje civile ndërkombëtare dhe me prani të NATO-s. Prandaj misioni i ri ndërkombëtar që nuk do të jetë vetëm i BE-së është i mirëpritur, është i ftuar dhe do të kemi bashkëpunim të ngusht mes institucioneve të Kosovës dhe misionit të ri ndërkombëtar, i cili do të ketë një rol më tepër mbështetës e të udhëhequrit të vendit nga institucionet legjitime të Kosovës.

BBC: Por cila do të jetë marrëdhënia mes Prishtinës dhe Beogradit pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës?
Zoti Thaçi: Qeveria e Kosovës dhe unë do të ndërtojmë raporte të mira me të gjithë fqinjët. Tani kemi raporte të mira edhe me Maqedoninë, edhe me Shqipërinë dhe me Malin e Zi. Pas shpalljes së pavarësisë shpresoj dhe do të investojë që të kemi marrëdhënie sa më normale të komunikimit ndërshtetëror edhe me Serbinë.

BBC: Dhe më lejoni zoti kryeministër. A do të kërkoni nga Beogradi që të njohë pavarësinë e Kosovës?
Zoti Thaçi: Prishtina është gati ta njoh pavarësinë e Serbisë ndërsa natyrisht se do të kërkohet një gjë e tillë që edhe Beogradi ta njoh shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. Kjo në të mirën e të dy vendeve, në të mirën e paqes dhe qëndrueshmërisë në rajon si dhe në të mirën e investimeve për qëndrueshmërinë afatgjatë dhe të sigurisë globale edhe të SHBA-së, BE-së dhe të NATO-s.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

12 Komente »

  1. adriatik Shkruaji mesazh privat thotë:

    31 Janar 2008 @ 5:19 pm

    Me habit ky Thaci, si arrin ky qe te mos flase per ndihmem qe i jep Bamir Topi nepermjet udhezimeve te vyera per politiken kosovare?
    Kesaj i thone mosmirenjohje!

  2. Gjergji thotë:

    31 Janar 2008 @ 7:14 pm

    Sfida e pare e Hashim Thacit do jete Mitrovica! Kur Serbet e Mitrovices do shpallin menjeher pavarsine dhe do ti bashkohen Serbise sa te shpallet Kosova pavarsine. Ky do ishte kompromisi me i dhimbshem per te gjithe Rrugaceve dhe Gandistave te LDK’s!

  3. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Shkurt 2008 @ 1:29 am

    E lexova edhe artikullin e BBC-se ne anglisht me fragmente nga intervista, qe plote besoj se gjendet ne variantin shqip, - ata ne titull theksojne qe shpallja e pavaresise nuk eshte ‘ja sot ja neser’ (imminent). Ajo qe nuk permendet ne intervisten me siper eshte qe BE-ja i ka kerkuar autoriteteve kosovare ta shpallin pavaresine pasi te kete marre misioni i BE-se persiper kompetencat e UNMIK-ut. Nuk eshte kerkese e paarsyeshme, por kjo transferte ka te pakten 2 vjet qe planifikohet dhe nese Kosova kronometron levizjet e saj me zvarritjet e burokracise eurookbjane pavaresia do te shtyhet, e shtyhet. Sa per ilustrim te ritmit te tyre: te faqja e misionit evropian i listuar si kryeminister i Kosoves eshte akoma Ceku. Kjo eshte loje per njerez te duruar, por 40% te popullsise se Kosoves qe eshte e papune i ka sosur durimi.

    Intervista e Thacit ishte shfryrje e tullumbaces. Ne cdo fjali permendej bashkerendimi, institucionet nderkombetare dukeshin si fantazma mbi koken e tij. E kuptoj, jane te rendesishem nderkombetaret. Po jepi pak energji bre burre kombit tend, trego nje shkendije shprese dhe gezimi. Apo je lodhur fort me pazaret ministrore, se e mesuat mire nga UNMIK-u te zvarriteni, te mos leshoni pe, te flini pernate me endrra per pushtet?

    Lere pastaj kushtetuten dhe flamurin. 9 vjet kohe keni pasur, zoti Thaci, 9 vjet! E madje ca me shume, se qe ne filizat e levizjes per pavaresi mendimtaret dhe artistet tuaj i kane bluar ne mendje me dashuri dokumentat dhe simbolet e shtetit te enderruar. Por juve akoma jo… duhet marre edhe nje firme akoma ne Bruksel.

    Prandaj me iken zhgenjimi qe kjo teme, ne mengjes vendosur ne ballin e peshkut pa uje, u zhvendos nga fotografia e madhe e nje ish-deputeti te parlamentit shqiptar. Me mire po merremi me pazaret tona, se sa te psheretijme me tuajat.

  4. tropizma Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Shkurt 2008 @ 1:35 am

    Artikulli i BBC-se gjendet ketu (se me pelqen shume kontrasti i titullit te ketushem ‘asnje pengese’ me titullin e atjeshem ‘not imminent’).

  5. Blendi Salaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Shkurt 2008 @ 1:58 am

    Ne fakt tropizme une e mendoj njesoj si ty, kjo interviste eshte pezmatuese, ndaj kisha vene dhe ate shenimin ne krye, por me duket se do ndryshuar dhe titulli. BBC ne shqip i ka vene nje titull “generic” nga ata qe kane 2-3 vjete qe mbushin shtypin e Kosoves, disi palidhje me permbajtjen e trishte.

    “Na duhet Kushtetuta, na duhen simbolet”, duken si blerje kohe. Megjithate nuk dua asesi te ve ne dyshim perkushtimin e Thacit. Por si thote Shakespeare “Something’s rotten in the state of Danmark”. Syte dhe veshet…dhe hunden, ketu.

  6. Tironsi thotë:

    1 Shkurt 2008 @ 10:52 am

    Missioni i BE-se per dy jave kompleton personelin. Nuk e di a e dini por me 24 janar ishte afati i fundit per 515 vacancies te misionit. Thaci flet ashtu e BEu nuk ia jep shenjen se pret deri te henen qe te mbarojne zgjedhjet ne Serbi. Mbas asaj cdo gje do jete e qarte. Domosdo qe deri te henen Thaci do flasi ashtu mo ne pergjithesi se c’te thote, qe po presim te mbarojne punet serbet?

  7. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Shkurt 2008 @ 9:01 pm

    duket sikur pavaresia eshte e sigurt. nje sinjal te keq dha Spanja qe ka kerkuar deri ne mbajtjen e zgjedhjeve te saj ne mars. Politika e Shqiperise dhe Kosoves i kane qendruar gati tu EU’se deri tani per daten e pavaresise. Megjithate dje u vu re nje fare frustrimi nga ana e Thacit kur u shpreh per viziten e Tadic ne Kosove.

    Ne parim nuk do te ishte keq nje terheqje vemendjeje EU’se qe shiko nuk dihet sa do arrijme te ruajme stabilitetin, por nga ana tjeter javet e para pas shpalljes se statusit do te jene te mbushura me pasiguri dhe eshte e rendesishme qe ne kete periudhe te shmanget cdo lloj provokimi. Por brenda shkurtit duhet te shpallet data te pakten ndryshe do t’ju plasi ne dore…

  8. Haxhiu thotë:

    2 Shkurt 2008 @ 9:04 am

    Kryeministri Thaçi ka deklaruar se Jam gati që ta njohë pavarësinë e Serbisë dhe une do të kërkojë që edhe Beogradi ta njohë shtetin e pavarur dhe sovran të Kosovës. !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!Thaqi po pret nga serbija tja pranoi pavaresin e shpalljes,e jo nga SHBA e aq ma pakes ne ruskaja zvezda!!!Hajde hajde moj dudi keshtu i yti loz me ty!

  9. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 Shkurt 2008 @ 4:25 pm

    Nk e dija se Serbija e paska problem qe ta njohe Kosova pavaresine esaj.E kur na qenka vene ne diskutim pavaresia e Serbise apo eshte ndonje gafe e radhes.Me vjen shume keq ,vertet po shpesh vertetohet skeptiçizmi im ne lidhje me kete problem.Mungojne lideret karizmatike e te autoritetshem…..

  10. Blendi Salaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 Shkurt 2008 @ 4:45 pm

    Ah moj Zana sa kosmopolite qe je, edhe ne mbrojtje te Serbise dole si kontrapedal…uroj qe femijet e mi te jene kaq kosmopolite sa ti, se brezi im, qe vjen pas brezit tend s’eshte ne gjendje.

    Ai thote “Pavarsine e Serbise” sepse pas shperberjes se Jugosllavise, shqiptaret e Kosoves nuk kane denjuar t’i njohin as autoritetin po as egzistences mbetjeve te ish federates se pordhes…

    Se ti harron Zana, apo thjesht nuk din, qe kur ua grisnin pasaportat ne kufij 1,000,000 shqiptareve te kosoves, dhe i nisnin ne Shqiperi ne kembe si bagetite, autoritetet Serbo-Jugosllave nenshkruan kontraten e mosnjohjes.

  11. gre_wireless Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 Shkurt 2008 @ 4:59 pm

    Haxhiu dhe Zana,
    Mendoj se ju i referoheni pergjigjes se pyetjes se fundit ne interviste. Ajo, per mendimin tim, eshte thjesht ajo puna e fqinjesise se mire e artikuluar me bukur nga Sejdiu. Zgjedhja e fjaleve te Thacit nuk eshte shume e mire (dhe mendoj se do te kete shume raste te tilla se eshte njeri pa shume eksperience ne drejtim, eksperiencen me te madhe e ka ne opozite dhe do kaloje ca kohe sa te mesohet me pergjegjesine e cdo llafi qe leshon), por ideja eshte qe Serbine e njohim si shtet me vete, fqinj, paralel dhe jo si shteti nga i cili varemi…

  12. Zana Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 Shkurt 2008 @ 11:14 pm

    Blendi,flm rdhe kur thua kozmopolite e pak me pak kur thua kontrapedal.Serbia eshte nje shtet me te gjitha atributet,shume e fuqishme e kur them keshtu nuk po i bej kompliment por po them nje te vertete te pakonstetueshme.Mensdoj se jemi shume emotive dhe e nenvleftesojme shume fuqine e saj.Nuk fitohet ndaj Serbise me idene se Federata Jugosllave ishte federate e pordhes.Por duke e njohur ne menyre objektive di me mire te organizosh strategjite e mbrojjes dhe te realizimit te qellimit final Pavaresise se Kosoves.Sa shqiptareve nga Shqiperia ju jane grisur dokumentat ne kufirin grek??Kjo solli automatikisht venien ne diskutim te pavaresise se Greqise??Nuk me duket.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.