Teliti: Prokuroria më akuzon politikisht
Gazmend Janku
Gazeta Shqiptare
TIRANE -Armand Teliti, ish-zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, e ka cilësuar akuzën e ngritur ndaj tij si akuzë politike. Këtë fakt ai mësohet ta ketë shprehur në zyrën e prokurorit, që po drejton hetimet e tenderit të rrugës Rrëshen-Kalimash dhe që i ka komunikuar dje Telitit marrjen e tij si të pandehur, për veprën penale të shpërdorimit të detyrës. “Po më akuzoni politikisht dhe unë do të flas në një kohë të dytë”, - ka qenë deklarata e Telitit në zyrën e prokurorit të çështjes. Dhe në fakt, Teliti nuk është vonuar më shumë se 20 minuta në Prokurorinë e Tiranës, ku përveç faktit që është njohur me akuzën, nuk ka pranuar të bëjë asnjë deklaratë në lidhje me veprën penale të shpërdorimit të detyrës për të cilën akuzohet se ka kryer. Gjatë kësaj procedure, Teliti shoqërohej edhe nga avokati i tij mbrojtës, Genc Gjokutaj, i cili është i njëjti avokat që mbron edhe ish-drejtorin e Aviacionit Civil, Gazmend Dibra, i cili po gjykohet për skandalin e përgjimit të dosjes “Albatros”, ku kërkohej si kusht shkarkimi i kryeprokurorit Theodhori Sollaku. Ndërkohë, në deklaratën e dhënë para mediave, Armand Telit nuk ka kursyer sulmet dhe akuzat edhe ndaj kryeprokurorit të vendit, Theodhori Sollaku.
Deklarta
Mëngjesin e djeshëm, Teliti ka qenë i përpiktë, duke u paraqitur në dyert e Prokurorisë së Tiranës në orën 09:00, siç ishte parashikuar në fletë-thirrjen që i kishin dërguar. Pasi ka dalë nga prokuroria me një akuzë zyrtare mbi supe për tenderin e rrugës Rrëshen-Kalimash, Teliti ka dhënë edhe një deklaratë përpara gazetarëve që e prisnin në dyert e prokurorisë. Me një ton të qetë, ai është shprehur se ishte paraqitur në prokurori në respekt të qytetarëve që kishin votuar maxhorancën qeverisëse, pjesë e së cilës ishte edhe ai, si dhe në respekt të ligjit dhe transparencës për publikun. “Nuk kam kryer asnjë shkelje të ligjit dhe detyrën nuk e kam shpërdoruar, por e kam përdorur për të zbatuar ligjin”, - është shprehur Teliti. Sipas tij, të gjitha procedurat e tenderit të rrugës Rrëshen-Kalimash janë kryer konform ligjeve dhe të asistuara edhe nga ekspertë ndërkombëtarë, të cilët kanë qenë në të njëjtën mendje me vendimet që janë marrë për këtë tender. “Unë nuk kam probleme me ligjin. Problemet i kam me Theodhori Sollaku dhe drejtuesin e Prokurorisë së Tiranës. Sollaku është keqbërësi i këtij vendi”, - është shprehur Teliti, në vazhdim të deklaratës së tij. Por pyetjes së gazetarëve se ku i bazonte akuzat e tij ndaj Sollakut në një kohë që ishte i akuzuar për një vepër penale, Teliti nuk ka preferuar t’i përgjigjet, duke deklaruar se gazetarët duhet ta dinë më mirë këtë. Në fund ai është shprehur se nuk ishte njohur me provat e organit të akuzës në lidhje me veprën penale për të cilën ai akuzohet, duke deklaruar se këto janë veprime që do të kryhen në të ardhmen.
Të tjerët
Ish-zëvendësministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Armand Teliti nuk do të jetë personi i vetëm që do të mbajë përgjegjësi penale për shkeljet e konstatuara në tenderin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Së bashku me të është marrë i pandehur edhe drejtori juridik i Ministrisë së Transporteve, Edi Toma. Ndërkohë, burime pranë Prokurorisë së Përgjithshme janë shprehur se çdokush që do të rezultojë se ka firmosur dokumente në kundërshtim me ligjin, do të mbajë përgjegjësi penale. Madje, dosja e rrugës Rrëshen-Kalimash pritet të ndahet në dy pjesë. Një pjesë që do të hetohet nga Prokuroria e Tiranës, ku do të hetohen zyrtarët që nuk gëzojnë imunitet politik. Dhe një pjesë që do të hetohet nga Prokuroria e Përgjithshme, e cila do të hetojë personat që kanë imunitet politik. Kjo tregon që nuk përjashtohet mundësia që në ditët në vazhdim, Prokuroria e Përgjithshme t’i kërkojë Kuvendit heqjen e imunitetit të ndonjë deputeti, për shkak të hetimeve të tenderit për ndërtimin e rrugës Rrëshen-Kalimash. Një prej këtyre politikanëve, që pritet të merret në pyetje për këtë çështje, është edhe ish-ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit dhe aktualisht ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha. Ky i fundit, së bashku me Kryeministrin Sali Berisha janë firmëtarët kryesorë që i kanë hapur dritën jeshile konsumimit të shkeljeve të shumta të konstatuara në tenderin e rrugës Rrëshen-Kalimash.


8 September 2007 @ 12:20 pm
I forte Teliti!
Koke turku do te te beje komandanti o telit
8 September 2007 @ 12:28 pm
Si Ilir Hoti !
9 September 2007 @ 8:22 pm
Cfaredo politizimi i ceshtjes nuk eshte shume produktiv. Edhe ata qe mendojne se kjo eshte nje perpjekje e Sollakut per te mbajtur maxhorancen nen presionin e kesaj dosje, mendoj se nuk jane teresisht te sakte. Nese vertet ne ato procedura dhe perllogaritje si dhe ne ato pagesa tmerresisht te larta per buxhetin e rrenuar te ketij vendi nuk ka asnje shkelje, atehere edhe Prokuroria nuk do te kishte ku te bazohej ne akuzat qe deri me tani ka ngritur zyrtarisht ndaj tre zyrtareve te larte te Ministrise se Transporteve. Gjithsesi edhe pse ne kete vend besimi tek drejtesia eshte pertoke, une them se duhet pritur fundi i ketij procedi hetimor per te mesuar dicka me teper dhe per te pretenduar se ajo eshte e vertete…
9 September 2007 @ 9:44 pm
Ky Sollaku nuk qenka aq budalla. Cdo shkarkim i tij pa mbaruar ky hetim do shikohet nga “nderkombetaret” si menyre per te mbyllur hetimet.
Sollaku-1 Saliu -1