Identifikohu



Regjistrohu

Të ndalohet pirja e duhanit në vende publike

Sipas AENews qeveria po përgatit një ligj për ndalimin e pirjes së duhanit në vende publike. Gjobat për pronarët e lokaleve do të arrijnë deri në 500 dollarë. Ligji shpreson të uli pirjen e duhanit  nga shqiptarët të cilët janë një nga konsumatorët më të mëdhenj të duhanit në Europë.
Për vete s’kam pirë ndonjëherë duhan, dhe zakonisht nuk do dëshiroja të ketë ligje të tilla për pronarët privat. Ata duhet të jenë të lirë të bëjnë ç’të duan në pronën e tyre ashtu si klientët janë të lirë të mos shkojnë aty. Gjithashtu mendoj se njerëzit tani i dinë rreziqet e duhanit dhe nëse duan të tymosen duhet të lihen të lirë. Problemi është se në Shqipëri ka një epidemi duhani. Kur hyn në çdo bar duket një tym blu që përmbush tërë lokalin. S’e kuptoj se si mund të qendrojnë aty edhe duhan-pirësit. S’është vetëm problem mjeksor, por edhe rehati. Ndoshta ndonjë duhan-pirës i peshkut mund të ma shpjegojë se si e pranojnë atë lloj atmosfere.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

27 Komente »

  1. Bona thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:06 pm

    Dori, ligji eshte miratuar me VKM, ne daten 26 Korrik 2006. Nese Llukani e boton ketu tek Peshku, lexoje atehere vendimin se e postova une ketu tek Peshku, por duhet miratimi i Llukanit.

  2. Gjergji C thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:11 pm

    Me mire ta kishe postuar ketu ne forme komenti, n’ate menyre edhe temat koncentrohen me mire se sa te shperhapen. Ca tituj interesante nga shtypi i sotshem kaluan ne arkiv per tu zevendesuar nga vendimi i qeverise per duhanin. :(

  3. LlTako Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:20 pm

    VKM i sjelle tek Peshku nga Bona

    Vendim i Keshillit te Ministrave per ndalimin e duhanit
    26/7/2006
    Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme mori në shqyrtim dhe miratoi disa projektligje dhe vendime.

    1- V E N D I M

    PËR

    PROPOZIMIN E PROJEKTLIGJIT “PËR MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT”

    Në mbështetje të neneve 81, pika 1, dhe 100 të Kushtetutës, me propozimin e ministrit të Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave

    V E N D O S I :

    Propozimin e projektligjit “Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit”, për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

    Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.

    K R Y E M I N I S T R I

    SALI BERISHA

    P R O J E K T L I GJ

    PËR

    MBROJTJEN E SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT

    Në mbështetje të neneve 78 dhe 83, pika 1, të Kushtetutës, me propozimin e Këshillit të Ministrave, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë

    V E N D O S I :

    KREU I

    DISPOZITA TË PËRGJITHSHME

    Neni 1
    Qëllimi

    Qëllimi i këtij ligji është mbrojtja e shëndetit publik nga përdorimi i produkteve të duhanit dhe ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre.

    Neni 2
    Objekti

    Objekt i këtij ligji janë:

    a) përcaktimi i masave për kufizimin e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e publikut nga dëmet nga ekspozimi i pavullnetshëm ndaj tymit të tyre;
    b) përcaktimi i masave, që krijojnë premisa për ndërgjegjësimin e publikut për dëmet e duhanit dhe garantimin e një informimi efektiv dhe të vazhdueshëm të përdoruesve të produkteve të duhanit, për këto dëme;
    c) përcaktimi i masave për të parandaluar fillimin, për të nxitur dhe mbështetur ndërprerjen e përdorimit dhe për të ulur konsumin e prodhimeve të duhanit.

    Neni 3
    Përkufizime

    Për qëllim të këtij ligji termat e mëposhtme kanë këtë kuptim:

    1.“Produkte duhani” nënkupton produkte të prodhuara, tërësisht apo pjesërisht, nga gjethja e duhanit si lëndë e parë dhe që përdoren për t’u tymosur, thithur, përtypur ose nuhatur.

    2.“Paketë ose pako” nënkupton çdo kuti ose qese të mbyllur, që përmban produkte duhani e që shiten me pakicë.

    3.“Katran” nënkupton kondensimin, e thatë e të paholluar, pa nikotinë, të tymit që çlirohet gjatë duhanpirjes.

    4.“Nikotinë” nënkupton alkaloide nikotinike helmuese, që gjenden në tymin e duhanit e që veprojnë në sistemin nervor.

    5.“Monoksidi i karbonit” nënkupton një lëndë kimike, që prodhohet gjatë djegies e çlirohet me tymin e duhanit.

    6.“Tregtim i produkteve të duhanit” nënkupton importin dhe eksportin e produkteve të duhanit, depozitimin për qëllime shitjeje dhe blerjeje.

    7.“Pirje duhani” nënkupton ndezjen, thithjen dhe mbajtjen në dorë të ndezur të çdo produkti duhani, që digjet.

    8.“Reklamë e produkteve të duhanit” nënkupton çdo formë komunikimi, rekomandimi ose veprimi tregtar, që ndikon në promovimin e një produkti duhani ose në nxitjen e përdorimit të duhanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë a të tërthortë, përfshirë edhe sponsorizimin ose imazhin e një produkti duhani, duke përmendur emrin apo markën, etj.

    9.“Markë” nënkupton shenjën dalluese, që u vihet produkteve të duhanit për të treguar llojin, cilësinë dhe prodhuesin e tyre, ku përfshihen emrat, shkronjat, numrat, shenjat figurative, kombinimet e ngjyrave apo të nuancave të tyre, si dhe ndërthurja e tyre.

    10.“Sponsorizim duhani” nënkupton çdo formë kontributi për një ngjarje, veprimtari kulturore ose sportive, apo për një individ, që çon ose mund të çojë në promovimin ose përdorimin e produkteve të duhanit, në mënyrë të drejtpërdrejtë ose jo.

    11. “Promovimi i duhanit” nënkupton çdo lloj veprimtarie, ngjarje apo veprim, që ka për qëllim njohjen e publikut me produkte të reja të duhanit, që janë hedhur apo do të hidhen në treg.

    12.“Mjedis publik” nënkupton një mjedis të mbyllur, i caktuar për qëndrime kolektive, si dhoma në ndërtesa, ku parashikohet të zhvillohen veprimtari në fushën e shëndetit, mirëqenies shoqërore, edukimit dhe trajnimit, tregtisë, sportit, ushqimit, artit dhe kulturës, si dhe salla pritjeje, dhoma konferencash, holle për mbledhjen e publikut, salla leksionesh, mjete të transportit publik, ashensorë, etj.

    13.“Mjedis pune” nënkupton çdo hapësirë të mbyllur, ku punonjësit ushtrojnë veprimtarinë dhe detyrat, për të cilat janë punësuar, si dhe salla mbledhjesh, korridore, shkallë, ashensorë, dhoma tualeti dhe çdo mjedis tjetër të mbyllur, që frekuentohet gjatë orarit të punës.

    14. ”Tavllë duhani/taketuke cigaresh” nënkupton një enë të vogël, ku shkundet hiri i produktit të duhanit që po digjet, dhe ku lihen bishtat e cigareve.

    15.“Masat parandaluese të duhanpirjes” nënkupton veprimtaritë sistematike, që synojnë të sigurojnë mbrojtjen e shëndetit të popullsisë, duke zgjatur jetën dhe përmirësuar cilësinë e saj.

    16.“KNMSHPD” është Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit.

    17. “ISO”(Organizata Ndërkombëtare e Standardeve) – nënkupton një sistem referencash , sipas së cilave vendosen specifikimet dhe kriteret, që duhet të zbatohen, në mënyrë të vazhdueshme, gjatë klasifikimit të materialeve në industri, dhe furnizimin e prodhimeve, testimin dhe analizën, terminologjinë dhe ofrimin e shërbimeve.

    KREU II

    PARALAJMËRIMET E DETYRUARA SHËNDETËSORE NË PRODUKTET E DUHANIT

    Neni 4

    Në çdo njësi pakete apo paketimi, të produkteve të duhanit, duhet të figurojnë mesazhe paralajmëruese për dëmet që shkakton në shëndet, përdorimi i duhanit. Këto mesazhe duhet të jenë të shkruara në gjuhën shqipe, qartë, dukshëm dhe lexueshëm. Ato duhet të zënë 50 për qind ose më shumë, të sipërfaqes së shfaqur, por jo më pak se 30 për qind të faqes kryesore.

    Forma dhe teksti i mesazheve përcaktohen nga KNMSHPD-ja dhe riformulohen periodikisht.

    Neni 5

    1. Në paketat dhe pakot, që përmbajnë produkte duhani, duhet të figurojnë, gjithashtu, të shkruara në gjuhën shqipe:

    a) Emri i produktit;
    b) Emri dhe adresa e prodhuesit;
    c) Numri i pjesëve të produktit të duhanit në pako apo paketë;
    ç) Sasia e nikotinës në tym;
    d) Sasia e katranit në tym;
    dh)Sasia e monoksidit të karbonit në tym.

    2. Nëse produkti nuk është paketuar nga prodhuesi i tij, paketa duhet të përmbajë edhe emrin e paketuesit. Të dhënat e përmendura në pikat 1 e 2, të këtij neni, duhet të zënë 10 për qind të sipërfaqes së jashtme të paketës dhe vendosen në faqet anësore të saj.

    3. Ndalohen prodhimi në vend, importimi dhe tregtimi i produkteve të duhanit, që përmbajnë më shumë se:

    - 10 mg katran për cigare;
    - 1 mg nikotinë për cigare;
    - 10 mg monoksid karboni.
    Testet për sasinë e katranit, nikotinës dhe monoksidit të karbonit duhet të kryhen në laboratorë të akredituar nga autoritetet përkatëse, duke u bazuar në standardet ISO.
    Neni 6

    Ndalohet shënimi mbi paketa ose pakot e produkteve të duhanit i shprehjeve, si: “me përmbajtje të ulët katrani”, “e lehtë”, “ultra e lehtë”, “e butë” apo terma, shenja, foto, vizatime dhe elemente të tjera të ngjashme, që kanë qëllim të krijojnë përshtypje të gabuar se një produkt duhani është më pak i dëmshëm për shëndetin se produktet e tjera.

    Neni 7

    Ministria e Shëndetësisë ka për detyrë të njoftojë publikun për nivelet e katranit, nikotinës dhe monoksidit të karbonit në prodhimin e produkteve të duhanit, për ndikimin e tyre në shëndet, si dhe për çdo efekt, që shkakton ose mendohet se mund të shkaktojë varësi të përdoruesit ndaj produktit të duhanit.

    Neni 8

    Prodhuesit dhe/ose importuesit e produkteve të duhanit janë të detyruar të paraqesin në Ministrinë e Shëndetësisë, për produktet e duhanit që qarkullojnë në tregun vendas, si dhe për çdo rast kur prej tyre hidhet në treg një produkt i ri i duhanit, një listë të të gjithë përbërësve, të përdorur në fabrikimin e produktit të duhanit dhe sasitë e tyre, arsyen apo qëllimin e përdorimit të këtyre përbërësve, si dhe të përcaktojnë funksionimin dhe kategorinë e përbërësve. Kjo listë duhet të shoqërohet me të dhëna toksikologjike, të disponueshme prej fabrikuesit apo importuesit, në lidhje me këta përbërës, në formë të djegur apo të padjegur, duke u shprehur në mënyrë të veçantë, për efektet e tyre mbi shëndetin dhe duke vlerësuar çdo efekt që shkakton ose mendohet se mund të shkaktojë varësi të përdoruesit ndaj produktit të duhanit.

    KREU III
    MASAT KUFIZUESE PËR PËRDORIMIN E PRODUKTEVE TË DUHANIT

    Neni 9

    Ndalohet shitja ose furnizimi, për qëllime tregtimi, i produkteve të duhanit, personave nën moshën 18 vjeç.

    Të gjitha pikat e shitjes duhet të pajisen me tabelë, të dukshme dhe të lexueshme, ku të shkruhet “Ndalohet shitja e produkteve të duhanit, personave nën 18 vjeç ”.

    Neni 10

    Ndalohet shitja e produkteve të duhanit:

    a) në institucionet shëndetësore;
    b) në institucionet arsimore;
    c) në institucionet sportive;
    ç) në makinat shitëse automatike;
    d) me anë të vetëshërbimit;
    dh)në rrugë nga shitësat ambulantë;
    e) nëpërmjet shërbimit postar.

    Neni 11

    Ndalohet shitja me pakicë e produkteve të duhanit të papaketuara ose me paketim të dëmtuar.

    Neni 12

    Ndalohet ofrimi falas i produkteve të duhanit nga subjektet, që i prodhojnë, importojnë ose i tregtojnë ato.

    KREU IV

    REKLAMA, PROMOVIMI DHE SPONSORIZIMI

    Neni 13

    Ndalohen reklama dhe promovimi i produkteve të duhanit, nëpërmjet medias së shkruar, transmetimeve, televizive dhe radiofonike, e shërbimeve të shoqërive të informacionit. Ndalohen reklama dhe promovimi i çdo lloji dhe forme tjetër të produkteve të duhanit.

    Ndalohet, për qëllime reklame apo promovimi, botimi i fotografive, vizatimeve, etj, në të cilat shfaqen persona, që pijnë duhan, dhe i imazheve, që krijojnë përshtypje të gabuar te publiku, për karakteristikat e produkteve të duhanit, efektet e përdorimit të tyre në shëndet, rreziqet dhe/ose dëmet.

    Nuk përbëjnë reklamë dhe promovim të produkteve të duhanit librat teknikë, revistat dhe botimet e tjera profesionale për duhanin.

    Neni 14

    Ndalohet sponsorizimi i programeve radiofonike, televizive dhe i çdo veprimtarie tjetër nga shoqëri që kanë për objekt të veprimtarisë të tyre, prodhimin, importimin apo tregtimin e produkteve të duhanit dhe kur ky sponsorizim ka për qëllim promovimin apo reklamën e produkteve të duhanit.

    KREU V

    MBROJTJA PREJ EKSPOZIMIT TË PAVULLNETSHËM NDAJ TYMIT TË DUHANIT

    Neni 15

    Ndalohet pirja e duhanit në:

    a) mjediset e punës;
    b) institucionet shëndetësore, me përjashtim të institucioneve të shëndetit mendor (vetëm për pacientët);
    c) institucionet arsimore;
    ç) mjetet e transportit publik;
    d) mjedise tregtare, bare, restorante, diskoteka dhe klubet e natës;
    dh) mjedise të tjera publike.

    Në mjediset/institucionet e mësipërme nxirret një rregullore e brendshme, ku theksohet ndalimi i pirjes së duhanit në këto mjedise dhe përcaktohet qartë personi, i cili do të jetë përgjegjës për rastet e shkeljes së këtij ndalimi nga çdo person.

    Neni 16

    Pronari ose administratori i mjediseve, të përcaktuara në nenin 15 të këtij ligji, ose personi i caktuar prej tyre është përgjegjës për vendosjen e shenjave të dukshme, që tregojnë se pirja e duhanit në këto mjedise është e ndaluar, si dhe të heqë e të mos lejojë vendosjen e tavllave të duhanit, në këto mjedise.

    KREU VI

    ORGANIZIMI I STRUKTURAVE TË MBROJTJES SË SHËNDETIT NGA PRODUKTET E DUHANIT

    Neni 17

    Pranë Ministrisë së Shëndetësisë ngrihet Komiteti Ndërsektorial për Mbrojtjen e Shëndetit nga Produktet e Duhanit (KNMSHPD). Kryetar i KNMSHPD-së është ministri i Shëndetësisë.

    Mënyra e organizimit, funksionimit, përbërjes si dhe masa e shpërblimit të anëtarëve të komitetit, përcaktohen me vendim të Këshillit të Ministrave.

    Neni 18

    KNMSHPD-ja përgjigjet për:

    a) orientimin e politikave dhe strategjisë për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet e duhanit.

    b) rishikimin e akteve në fuqi për mbrojtjen e shëndetit të publikut nga produktet e duhanit dhe propozimin për përmirësimin e ligjit.

    c) propozimin e programeve dhe të projekteve, për të siguruar uljen e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve, monitorimin dhe vlerësimin e këtyre programeve e projekteve.

    ç) orientimin e burimeve drejt programeve dhe projekteve, që synojnë uljen e përdorimit të produkteve të duhanit dhe mbrojtjen e shëndetit prej tyre.

    d) sigurimin e bashkëpunimit me institucione, qeveritare dhe joqeveritare, brenda dhe jashtë vendit, për politikat e kontrollit të duhanit.

    dh)paraqitjen e raporteve vjetore pranë komisionit parlamentar të shëndetësisë.

    Marre nga faqja e internetit te Keshillit te Ministrave

  4. blete thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:38 pm

    Mos!
    Do te shkoj ne TIrane dhe nuk do te kollitem me! Si do t’ia bejme hallit pa tere ate tym trulloses? Do te bej si do te bej me avujt e alkolit per te nxjerre mallin e kujtimeve te adoleshences.

  5. LlTako Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:41 pm

    Haha, duhani eshte tamam i lidhur me adoleshencen ne Shqiperi. Me kujtohen shoke te mi ne ore te fiskultures kur loznim futboll qe duhet te ndalonin per nja dy minuta te ndiznin ndonje cigare se s’vraponin dot me; “mu cane hundet thoshin” e merrnin fryme si pleq :) Mu tek dera e shkolles shiteshin cigaret, se bashku me cemcakizat etj, 50L per nje cope.

  6. blete thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:44 pm

    50 lek cigare t’hapme! O kohera, o kujtime!

  7. Bona thotë:

    1 Gusht 2006 @ 3:50 pm

    Hej, tani se di po vjet qe isha shitej nje marlboro light, pa pulle 1500 leke mo, po keni te drejte duhani i perket adoleshences. Shyqyr qe e vendosen. Tani njerezit do “taposen” duke pire alkol se duhan ska me. :)

  8. tomi korca thotë:

    1 Gusht 2006 @ 4:14 pm

    Llukan,
    Ben mire qe fut nga nje teme te tille pasi u lodhem dhe u cmendem me te rejat nga Shqiperia.
    Une mbase jam me i moshuari ketu por kujtoj kur nje pakete ishte 1.8 leke te reja ( Partizani pa filter) dhe 2.5 leke me filter ( porti)

  9. LlTako Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 Gusht 2006 @ 4:18 pm

    Jo, jo, merita eshte e Dorit se artikullin ai e pergatiti :)

    Sa per duhanin, mua me kujtohet kur kaloja prane fabrikes se cigareve ne Durres dhe e gjithe zona vinte era duhan. Megjithate, kujtimet menjane, kjo eshte nje nisme shume e mire. Duhani eshte i demshem per ata qe jane ne mjedise rreth e rrotull duhanpiresve si dhe per shoqerine ne pergjithsi sepse rrit shpenzimet shendetsore. Ne kete drejtim mua me pelqejne nismat e ketyre diteve per rritjen e takses se duhanit si dhe rrallimin e perdorimit te tij, biles une do te isha dakort nqs tregtia e duhanit do te behej monopol shteteror.

  10. Bona thotë:

    1 Gusht 2006 @ 4:21 pm

    Une mendoj se eshte e pamundur ajo qe thua ti Llukan. Nuk mund tu ndalosh njerezve te pine duhan. Eshte e drejta e tyre. Mund tu ndalosh ne vende publike e ku di une, por jo tu heqesh te drejten total. Ne cilin vend te botes ekziston qe ty nuk te lejohet nga shteti hic te pish duhan?

  11. tomi korca thotë:

    1 Gusht 2006 @ 4:22 pm

    Mendon keshtu pasi nuk pi duhan. Po une i shkreti :)
    Kjo me humor, por si ty mendoj duhani eshte i demshem dhe mire bjeme qe e dalojme ne ambjentet publike. dhe ritim taksen. Te shohim sa do te zbatohet, dhe sa taksa do te paguhen

  12. blete thotë:

    1 Gusht 2006 @ 4:34 pm

    No worries. Gjysma e miqve te mi pine duhan, edhe eshte qejf i madh se mund te thyesh akullin dhe te flasesh me duhanpiresit e tjere ne trotuar.
    Sikur te mos kishte vlera kaq te mira sociale, ndoshta duhani do te kishte vajtur teposhte, me ritualet e tjera te fiseve indiane. (megjithese shiko se c’beri mbllacitja e gjetheve te kokes)
    Mendoj qe qeveria mire ben qe e ndalon, por edhe ky vendim do te mbetet ne leter, perderisa shteti nuk ka fytyre zerioze, dhe kur dikush gjobitet per thyerje ligji, kujton (shpesh me te drejte) se pushtetari do te gerricet.
    Fat me kete vendim gjithesesi

  13. ABI thotë:

    1 Gusht 2006 @ 5:35 pm

    Mendoj se eshte nje ide shume shume e mire qe po ndalojne pirjen e duhanit neper lokale apo vende publike.. eshte bere shqiperia gjithe tym. pak makinat, pak rruget, pak ndertimet… i vetmi vend ku mund te biesh pak rehat eshte ndonje lokal dhe aty kane filluar qe te gjithe njerezit pune duhan si te cmendur…. as edhe nje nuk kujdeset per shendetin e tyre dhe te tjereve…

    Shteti ben mire dhe qe ta zbatoj kete ligj… sepse jo per gje por do ti uli dhe koston e kujdesit qe do ti duhet te beje ne vitet e ardhshme ndaj kancerit qe do te kene shume njerez…Sikur ta 10 fishonin taksat do te ishte akoma me mire… se eshte bere duahin si nje gje COOL dhe jo si nje helm qe eshte…
    Gjithashtu mendoj se dhe per alkolin duhet te 10 fishohen taksat sepse dhe ai eshte nje gje luks … ulen neper lokale te rinjt dhe ia fillojne jo kampari jo duhan….duhet te vihen disa rregulla…

    Pergezime qeverise per kete nisme…
    Abi

  14. anonimati thotë:

    1 Gusht 2006 @ 6:06 pm

    Abi,
    ke te drejte, taksat duhet te trefishohen edhe per coca colen, ujin e gazuar, per te gjitha llojet e pjatave te gatuara, sepse fundja fundit jane lluks..jemi qe jemi fillojme rrisim taksat edhe per produktet e tualetit pasi lekura lahet edhe me sapun rrobash…etj etj
    Kjo puna e duhanit eshte nje nisme e mire po te shohim sa do mbeshtetet..se kam problem ta pi puron duke hecur ne shetitore.. :D

  15. Blendi thotë:

    1 Gusht 2006 @ 6:50 pm

    Une kam vene pullen sot, per ta lene, dita 1. Ju po me luani mendsh!! :D

  16. Blete thotë:

    1 Gusht 2006 @ 7:56 pm

    Blendi, ben shume mire qe i ke vene pulle muhabetit. ne jemi krenare per ty.
    Nje pyetje nga salla, Do te hyje edhe puroja ne ndalimet e cigareve? se kam nje mik qe ka lene cigaret por pi purot per qejf dhe pastaj nuk i thote vetes duhanxhi.
    Pastaj do te rritet cmimi i purove kur te vdese Kastro?

  17. Bona thotë:

    1 Gusht 2006 @ 8:04 pm

    Blete, do te rritet si jo. Nese Kastro vdes, cmimet do te shkojne fiu fiu.

  18. ABI thotë:

    1 Gusht 2006 @ 8:16 pm

    Anonimati,

    ha ha ha po sa te holle ma ke ate ironine….

    Nqs e ke fjalen qe nuk duhet te vihen taksa per duhanin dhe alkolin aq te larta se nuk jane te demshme atehere lexo pakez ne faqet ne internet ose kaloi njehere nga doktorri dhe pyet…

    Mos ngatarro lirine e fjales me lirine e pa pergjejgesise te dehurit apo te pirit duhan …. duke shkaktuar semundje vdekjeprurese per njerezit e tjere….

    Abi

  19. Dori Shkruaji mesazh privat thotë:

    2 Gusht 2006 @ 12:51 am

    Bona faleminderit për sjelljen a ligjit. S’e kisha idenë që ishtë aq i gjithanshëm. S’e di nëse e ka lexuar njeri tjetër se ishte i gjatë por disa pika kryesore që kapa unë nga një lexim i shpejtë:
    1) Të tëra paketat e cigares duhet të kenë shkrime në shqip që tregojnë sasinë e nikotinës, katramit, dhe CO që prodhojne; këto janë edhe të kufizuara. Gjithashtu duhet të kenë në shqip një mesazh paralajmërues për dëmin ndaj shëndedit. Kjo do të thotë se s’duhen lejuar më prodhimet e huaja të cigares (s’ma ha mendja se do të ketë shumë kompani të bëjnë produkte enkas për Shqipërinë).

    2) Ndalohet reklamimi i produkteve të duhanit.

    3) Ndalohet pirja e duhanit në mjediset e punës, institucionet shëndetësore, me përjashtim të institucioneve të shëndetit mendor (vetëm për pacientët), institucionet arsimore, mjetet e transportit publik, mjedise tregtare, bare, restorante, diskoteka dhe klubet e natës, mjedise të tjera publike.

    Të shohim se sa do të zbatohet.

  20. Alban Bytyqi thotë:

    2 Gusht 2006 @ 1:16 pm

    Duhani duhet ndalur ne cdo vend publik ku njerez qe nuk pine duhan frkuentojne.

  21. Bona thotë:

    2 Gusht 2006 @ 1:20 pm

    Dori, vendimi eshte dhe me i gjate se nuk u ka miratuar vetem ai vendim ate dite. Sa per kompanite, ato nuk do te prodhojne enkas per Shqiperine jo, por duhet cilesuar cili eshte vendi i prodhimit, p.sh. Italia, Zvicra a ku di une. Paralajmerimi shqip per duhani p.sh. mund te jete: Duhani eshte i rrezikshem per shendetin, ose shkakton kete e ate, ku di une se nuk jam specialiste ne kete fushe, por mire qe e kane bere vendim (VKM), tani presim te zbatohet. Dashte Zoti e sa me shpejt madje.

  22. anonimati thotë:

    2 Gusht 2006 @ 2:47 pm

    Abi,
    Llogjika jote mbi paperjgshmerin i ngjan ati ligjit te sales mbi skafet..
    Njeriu ka te drejte te dehet kudo e si e sa i do qefi; Ne te njejten kohe njeriu eshte edhe pergjegjes per sjelljen e tij!! ti nuk mund te me biesh mua ne qafe( mua & vetes tende qe nuk dehemi dit per dite) sepse dikush te lagjja jote dehet qe ne 5 te mengjesit e ju prish qetsine..Gomari; Samari etj kjo pune..

  23. ABI thotë:

    2 Gusht 2006 @ 4:27 pm

    Anonimati,

    Njeriu nuk ka te drejte te dehet kudo dhe sa here qe do apo te pi duhan kudo dhe sa here qe do sepse pervec pergjejgesise qe ka per sjelljen e vet ka dhe pergjegjesi per shoqerine duke qene se eshte pjese e saj….. ketu futet shteti me ligjet dhe rregullat…ashtu sic ai vellai ka te drejte te pi duhan ku i teket ashtu dhe une kam te drejte ti them jo i dashur mos pi duhan ketu ku ulem une sepse une nuk dua te vdes nga kanceri sepse ti je aq i papergjegjshem sa te mos e cash koken per shendetin tend….. c do gje ka kosto per individin dhe shoqerine… Mos na dil me ca idera adoleshentesh ku thone kam te drejten time, apo lirine time ashtu sic shume shqipetare kuptojne demokracine…..

    Abi

  24. anonimati thotë:

    2 Gusht 2006 @ 5:38 pm

    Abi nuk e di nese i ngaterron gjerat kastile apo thjesht humb rrjedhen e bisedes..Ti ngaterrove te pirit e cigares me te pirit e alkolit, dhe ishte kjo pike qe me terhoqi vemendjen. Persa i perket duhanit, si me lart thash qe ndalimi i duhanit ne prona publike eshte nje nisme e mire..(fatkeqsisht, lokalet private jane PRIVATE, dhe per kete arsye ligji nuk nuhet ti perfshije ne kete pike; nese nuk te pelqen ai ambjen rri jashte tij, nuk je e detyruar te vesh ne ate lokal…Nese kjo do te ndodhte vet pronaret do te kishin zona duhani dhe duhan-free per te te terhequr edhe ty si kliente)
    Gjithsesi, persa i perket alkolit, nese nje nejri pi alkol, biologjikisht ky akt mund te kete efekt ne te dashuren/te dashurin e personit qe pi alkol..e jo ne ata qe i ulen anash..Persa i perket te dehurit, nje term pa percaktim real ky i fundit, por spo i futemi as kesaj; Ama GJITHSECILI ka te drejte te dehet kudo, mjafton qe mos te mezdisi te tjeret gjate ketij procesi!! Nese e ben te tille kemi akuza te ndryshme me te cilat shteti pagezon here pas here njerzit qe e bejne nje gje te tille, prishje rendi e qetsie etj..
    Pra dua te te them se nuk eshte kjo menyra per te zgjidhur kete problem, jo vetem se nuk eshte realisht e realizueshme por sepse i hyn ne hak nje pale tjeter..

  25. Bona thotë:

    2 Gusht 2006 @ 5:54 pm

    Anonimat, lokalet private marrin licenca nga shteti per ushtrim aktiviteti ndaj dhe nuk mund te bejne me koken e tyre. Abi ka te drejte. Nuk mund te pihet duhan ne nje ambjent qe demton te tjeret. Ne te gjithe boten ka vende te caktuara per kete pune. P.sh. as ne Itali nuk mund te pish duhan ne restorante sepse e ndalon ligji. E perse ligji nuk duhet te jete i tille edhe per Shqiperine, apo se quhet Shqiperi e jo Itali apo ku di une? Mesa di une, as ne Amerike nuk lejohet te pish duhan ne vende publike, keshtu qe c’ke? Sa per te dehuret, njeriu ka karakter dhe dehja nuk i shkon per shtat nje njeriu me karakter ne nje ambjent publik. Ne do pi ne shtepi, dehu e bej ca te duash se nuk te ndalon njeri. Te tjerat jane llafe kot.

  26. Bona thotë:

    5 Gusht 2006 @ 5:24 pm

    Hmm, kete web www.albania.de nuk e njihja me pare, por ishte interesante, ndonese duhet te kaloj me shume kohe per ta njohur cike me mire si website.

  27. Pal Lufaj thotë:

    6 Prill 2007 @ 8:15 am

    Pali thotë: Gjoba âsht tepër e madhe! por ndalimi i duhanit në disá vende publike âsht shumë i nevojshim. Bile edhe kû jetojnë fëmijt’ e vogjël.!

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.