Login



Register

Të jetosh në Itali dhe të sigurohesh në Shqipëri, një mundësi më shumë

Rilindja Demokratike
11 Maj 2008

ISSH firmos protokollin e bashkëpunimit për pagesat e kontributeve vullnetare të emigrantëve

Tashmë, të jetosh në Itali dhe të sigurohesh në Shqipëri s’është gjë tjetër, veçse një mundësi më shumë për t’u ardhur në ndihmë emigrantëve tanë. Kësaj mundësie i paraprin dhe firmosja një ditë më parë e Protokollit të Bashkëpunimit për Konsulencën ndaj Emigrantëve lidhur me pagesat e kontributeve vullnetare në Shqipëri për sigurimet shoqërore. Në bazë të këtij protokolli, Instituti i Mbrojtjes në Romë (INAS) merr përsipër që të asistojë falas në dhënien e informacionit për 420 mijë emigrantë legalë që ndodhen sot në territorin italian, përmes 800 zyrave të saj në të gjithë vendin. Instituti i Mbrojtjes (Patronati) i CISL-it (INAS) dhe ISSH kanë promovuar në Romë Protokollin e Bashkëpunimit për Konsulencën ndaj Emigrantëve lidhur me pagesat e kontributeve vullnetare në Shqipëri për sigurimet shoqërore. Protokolli u promovua nga Presidenti i INAS-CISL, Antonio Sorgi, dhe drejtoresha e Institutit të Sigurimeve Shoqërore, Evelina Koldashi. Në nisje të këtij promovimi ka folur ambasadori i Shqipërisë në Romë, Llesh Kola, i cili e konsideroi arritjen e këtij protokolli si një hap të rëndësishëm në informimin e shtetasve shqiptarë lidhur me të drejtat e tyre në Sigurimet Shoqërore në Shqipëri. Është vetëm një fletëpalosje e përgatitur në dy gjuhë, italisht dhe shqip, e cila përmban të dhënat thelbësore të pagesave në mënyrë vullnetare. “Dua të garantoj se çdokush që ka patur një historik marrëdhëniesh kontributive në Shqipëri, mund të konfirmojë zyrtarisht informacionin mbi këtë periudhë si dhe mund të bëjë plotësimet e nevojshme, të kërkuara nga ligji, nëpërmjet derdhjes së kontributeve, për të përfituar mbrojtje sociale në moshën e tretë. Dëshiroj të siguroj gjithë shqiptarët që punojnë dhe jetojnë në Itali, se është në detyrën tonë jo vetëm administrative dhe ligjore, por edhe sociale, për të garantuar çdo qindarkë të derdhur gjatë viteve të punës në Shqipëri, dhe se përmes plotësimit të viteve të munguara do t’u bëhet e mundur plotësimi i kontributeve të nevojshme për të patur një garanci sociale në çdo kohë, edhe në vendlindjen e tyre”, tha drejtoresha e ISSH-së në fjalën e saj, e cila ka shpjeguar edhe formën në të cilën do të vijojë njohja e emigrantëve me këto pagesa.

Emigrantët shqiptarë, njohje me të drejtat e tyre kontributive

Ky bashkëpunim u jep mundësinë qytetarëve dhe punonjësve shqiptarë që t’i njohin, integrojnë e t’i gëzojnë sa më mirë të drejtat e tyre për pension në atdhe. Ligji shqiptar, nëpërmjet ISSH-së, u ofron emigrantëve mundësinë e rindërtimit të historikut kontributiv në Shqipëri, përmes sigurimit shoqëror vullnetar, si një mundësi më shumë për të përfituar pension pleqërie, invaliditeti dhe familjar. Kjo do të thotë se nëse një shtetas shqiptar ka derdhur kontributet e sigurimeve shoqërore për një periudhë të caktuar kohore, ai mund të informohet pranë zonës ku jeton në Itali për periudhën tjetër kohore që i nevojitet për të plotësuar vitet e nevojshme që të përfitojë pension. Ndërkohë, nëndrejtori i ISSH-së, Astrit Hado, dhe drejtori i Drejtorisë së Kontributeve në ISSH, Naim Balluku, kanë shpjeguar mënyrën e pagesës së kontributit vullnetar. “Ne do t’u ofrojmë mundësinë emigrantëve që brenda një afati 5-mujor, të mund të informohen për çdo kërkesë që ka të bëjë me historikun e tyre të kontributeve në Shqipëri, me qëllim që çdokush të përcaktojë edhe interesat në pagesën e këtyre kontributeve”, tha Hado. Një panoramë të situatës së emigrantëve shqiptarë në Itali e dhanë edhe ekspertja e emigracionit në Ministrinë e Punës dhe Solidaritetit Social në Itali, Anila Husha, dhe koordinatori INAS CISL-FAI CISL, sociologu Rando Devole. Për zv/Presidentin e INAS CISL-it, Sante Marzotto, dhe Përgjegjësin e Politikës së Emigracionit në CISL, Oberdan Ciuci, ky protokoll është një hap i rëndësishëm për t’u ofruar emigrantëve shqiptarë të dhënat e nevojshme për mbrojtjen sociale në vendin e tyre.

Detyrat që rrjedhin nga ky bashkëpunim

Në protokoll, INAS dhe ISSH kanë rënë dakord që: veprimtaritë institucionale përkatëse në fushën e emigracionit të kryhen në bashkëpunim, duke shkëmbyer informacione, dije, njohje teknike dhe ekspertë; që të realizohen fushata mbi mbrojtjet dhe asistencën shoqërore, të parashikuara nga kuadri ligjor italian dhe shqiptar, në favor të shtetasve shqiptarë në Itali dhe shtetasve italianë në Shqipëri, edhe nëpërmjet organizimit të veprimtarive specifike midis shtetasve emigrantë dhe familjeve të tyre, për njohjen dhe përdorimin e enteve dhe shërbimeve që jep CISL dhe ISSH. Për këto qëllime, të programohet bashkarisht dhe çdo vit një plan për formimin e operatorëve të sporteleve të INAS dhe të ISSH-së, që ka si qëllim njohjen e procedurave lidhur me praninë e ligjshme, me ushtrimin e të drejtave civile dhe sociale, me njohjen dhe përdorimin e shërbimeve të mbrojtjes, duke respektuar gjithë sa parashikohet nga kuadri ligjor në fuqi për këto çështje; që të krijohen bashkërisht materiale informuese dhe mbështetje formuese specifike.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.