Të jetosh “nën ujë”
Shekulli
Është 40 vjeç. Shumë energjik dhe ndoshta sporti i detit ka meritë për këtë, por kur e pyet, Pajtim Shpata thjesht buzëqesh. Është i diplomuar në fakultetin e Navigacionit dhe Peshkimit të Universitetit Ismail Qemali dhe prej 9 vjetësh shërben në forcat e drejtorisë rajonale të kufirit dhe migracionit në Vlorë me mjetet lundruese. Prej vitit 95, kur krijuan me një grup të tjerë zhytësish të Ekspeditës Blu, është në drejtimin e saj. Së fundmi, së bashku me një shokun e tij nga Vlora, kanë marrë diplomën e zhytjeve të thella, INTD, që realizohen për zhytjet deri në thellësitë 140 metra.
Ka nisur të zhytet që në vitet 90, pas ndryshimeve, pasi siç thotë dhe vetë, para 90-ës ishte e ndaluar. “Gjithçka nisi për qejf nga kurioziteti. Ishte një dëshirë që në fëmijëri, por që mori trajtë konkrete vetëm në moshën 23-vjeç. Pasi na bie në dorë një bombol dhe një aerokator, në provën e parë nuk dinim se sa metra futeshim, por mbaj mend se ishte në brigjet e Karaburunit, të cilat i kisha shumë qejf t’i eksploroja. Bashkë me një shokun tim Genci Kapllanin, filluam të ëndërronim për botën e nënujshme. Pa pasur asnjë lloj informacioni se çfarë ishte zhytja, por duke ndjekur dhe dokumentarët që kishim parë shpesh te kanalet italiane, përkthenim termat teknikë të zhytjes, të cilët ende nuk arrinim t’i konceptonim. Mësuam që duhet të jetë një rregull fiks që të zhytesh. Kërkuam informacion në Shqipëri, ishte shumë e vështirë. Dhe falë njohjes me një mikun tonë të vjetër, Xhemal Mato, arritëm të merrnim leksionet e para të zhytjes”,- tregon Pajtim Shpata për fillimet e tij si zhytës amator.
Për të zhytja tani nuk është thjesht një sport apo pasion, por një mënyrë jetese. “Çfarë ndjesish ka njeriu kur është nën ujë? Kjo është një pyetje që ma bëjnë shpesh. Dhe unë gjithmonë them se të eksplorosh në ujë është maksimumi që mund të bëjë një njeri. Zhytja është sport, art, pasion, është gjithçka. Ajo që është kryesorja për shkak të disa fenomeneve fizike që lidhen me presionin dhe një peizazh spektakolar siç është nën uji, mund të të heqin stresin…..”,- tregon zhytësi. Ai është i bindur se zhytja nuk njeh moshë, siç nuk njeh edhe maksimumin e të mësuarit. Eksperienca i ka treguar se kur njeriu është nën ujë nuk di asgjë pasi jeton në një tjetër botë. Por në anën tjetër duhet kujdes, shumë kujdes pasi është një sport ku gabimi më i vogël, të kushton deri jetën.
AVENTURA
Turistët kanë mundësinë të shijojnë mrekullitë nënujore, por edhe të eksplorojnë vetë anijet deri në 30 metra thellësi
Në kërkim të anijeve të mbytura dhjetëra vite më parë
“Jemi zhytur pothuajse në të gjithë ujërat e Shqipërisë. Në liqene, lumenj, apo në det. Zhytjet janë kryer për arsye të ndryshme pune, studime dhe eksplorime me interesa të ndryshme. Por më interesante ka qenë zhytja për eksplorimin e anijeve të mbytura në ujërat e gjirit të Vlorës. Gjithçka ka nisur këto pesë vitet e fundit duke bashkëpunuar me shoqëri të huaja, ekspertë në këto fusha. Për marrjen e informacionit për këto anije të mbytura, pasi në arshivat tona nuk ekziston asgjë”, rrëfen Pajtim Shpata. Ai tregon se në gjirin e Vlorës janë rreth 13 anije të Luftës së Parë dhe Luftës së Dytë Botërore, nga të cilat katër janë gjetje të reja. “Jemi duke punuar dhe mbledhur informacionin për çfarë anije bëhet fjalë. Dy vitet e fundit e kemi shtrirë bashkëpunimin me Ministrinë e Turizmit, kryesisht me departamentin e arkeologjisë nënujore dhe jemi në përfundimin e një harte të këtyre objekteve nënujore, që janë një nga resurset kryesore të turizmit nënujor. Posedojmë të gjitha informacionet filmike të bëra nga ne, fotografike dhe historike të kohës kur janë mbytur këto anije. Të gjitha këto materiale në përfundim do të realizojnë një pavijon të muzeut të arkeologjisë nënujore”,- thotë zhytësi. Kjo ide është mbështetur edhe nga ministri i Turizmit dhe shumë ekspertë të tjerë të histografisë shqiptare, por duke qenë se shumica e anijeve i përkasin Luftës së Parë e të Dytë Botërore dhe shumica italiane, bashkëpunimi me RAIUNO dhe kryesisht emisionin LINEA BLU, realizuar muajin e fundit në Shqipëri, i ka garantuar zhytësve vlonjatë bashkëpunimin dhe mbështetjen në këtë plan. Por kjo ka tërhequr edhe vëmendjen e shumë njerëzve që janë të interesuar të dinë sa më shumë për historikun e këtyre anijeve.
“Këto anije ndahen në dy kategori në varësi të thellësisë. Për zhytës profesionistë dhe për zhytës turistikë. Anijet që janë deri në thellësinë 30 metra, mund të vizitohen nga zhytës joprofesionistë. Ato që i kalojnë mbi 40 metra, deri në 70, kërkojnë një kualifikim tjetër dhe një sistem zhytjeje, quajtur “mishell”. Anijet që kam eksploruar janë maksimumi, në thellësinë 69 metra. Anija më interesante është “Regina Margharita”, e mbytur në dhjetor të vitit 1915, në kohën e Luftës së Parë Botërore. Më e vjetra është “Intrepido”, mbytur në vitin 1910”,- tregon me pasion Shpata. Ajo që u ka bërë më shumë përshtypje zhytësve është gjendja shumë e mirë që kanë këto anije. Kushdo që ka arritur të shohë këto anije është mrekulluar, pasi ka arritur të prekë me dorë një pjesë historie, e cila ka mbetur pa lëvizur prej dhjetëra vitesh. “Gjithçka që ka qenë në anije është atje, të gjithë objektet, që nga detaje të vogla silavamanët, ndërsa dallohen bukur të gjithë dhomat që kanë fjetur marinarët, dhomat e motorëve, vendi i komandimit. Në anijet e Luftës së Parë, dallohen kaldajat, disa anije kanë akoma armatime, si topa dhe mitraloz”,- thotë Pajtim Shpata.
Rreziqet e zhytjes në thellësi
Teksa e pyet për momentet e rrezikut që ka kaluar Shpata, thotë se gabimi më i vogël që mund të ndodhë gjatë një zhytjeje mund të të rrezikojë jetën. “Është një rregull, ose diagram se si zhytesh, ritmet e shpejtësisë, sa minuta duhet të zhytemi deri në fund dhe si duhet të dalim për t’u rikthyer në sipërfaqe. Kjo fitohet nëpërmjet kurseve të caktuara, apo ato qërealizojmë tani, dhe nuk mund të flitet për rrezik. Nëse mund të flisja për një të tillë, do t’u referohesha vetëm viteve të fillimit, që janë shumë kohë më parë.Më kujtohet atëherë gjatë një aventure në Karaburun, tek Shpella e Haxhi Aliut, u zhytëm 30 metra dhe dalim pa ditur kohët e pushimeve. Por këtë gjë e realizuam thuajse pa dashje, duke u mahnitur nga bukuritë në thellësira të ndryshme. Në mënyrë të pandërgjegjshme ne kishim bërë atë që quhet dekompresion (rregullimi i raportit të oksigjenit dhe azotit në gjak)”,- tregon Shpata.
Tmerri i 13 trupave nën ujë
Zhytja nën ujë nuk ka qenë gjithmonë një aventurë e bukur për Pajtim Shpatën. Ka pasur edhe momente kur zhytja është bërë për një qëllim të caktuar, i cili jo gjithmonë ka qenë i bukur. “Duke qenë se kemi një kohë të gjatë që merremi me nënujin, kemi marrë pjesë në kërkimet e njerëzve që kanë humbur jetën në ujë, në lumenj, liqene apo dete. Dhe në shumë raste ku kemi gjetur fëmijë apo të rinj, mallkojmë veten pse kemi mësuar të zhytemi. Rasti më i rëndë ka qenë kur ne si grup në 97-ën kemi nxjerrë brenda ditës 13 persona të vdekur, të cilët ishin mbytur me skaf. Operacionet më të vështira për këto janë në lumenj, ku shikimi është zero dhe rrjedha e lumit të pengon lëvizjen”,- tregon me një farë tronditjeje Pajtim Shpata. Ai shpjegon se për këto ndërhyrje kanë pasur bashkëpunim me zhytësit e RENEA-s dhe të bazës së Pashalimanit, pasi janë dy njësi që janë në shërbim të komunitetit.
Të veçanta të botës nënujore
Kohët e fundit zhytësit shqiptarë kanë arritur që të pikasin disa lloj speciesh të veçanta të botës nënujore. Peshqish tropikalë, në brigjet e Karaburunit, si peshku papagall, amja, sira, që u përkasin ujërave tropikale, apo hyrjeve të peshkaqenëve të ndryshëm, jo të rrezikshëm, kjo si shkak i ndryshimit të korenteve dhe nivelit të pastërtisë së ujërave tona. “Ne nuk jemi ndeshur realisht me ndonjë peshkaqen dhe për mendimin tonë, paniku i kohëve të fundit apo histori që kalojnë deri në gojëdhëna, nuk kanë ndonjë vlerë reale”,- tregon zhytësi. I pyetur për frikë nga ndonjë peshkaqen gjatë zhytjes, Shpata thotë se frika e detit nuk zgjat shumë. Sipas tij, kur ndodhesh nën ujë nuk e koncepton dot se çfarë do të thotë frikë. Ata gjithmonë zhyten në grup, asnjëherë vetëm dhe nën masa të rrepta sigurie.
Miniguida
Vendet që duhen vizituar nga zhytës e turistë
Zhytësi i vjetër tregon se tashmë mund të thuhet që bota nënujore e Vlorës ka një hartë të caktuar ku janë shënuar të gjitha pikat “strategjike”. “Ne kemi arritur të caktojmë disa zona zhytjeje, që janë më me interes. Përveç anijeve janë edhe disa shpella nënujore që ndodhen gjatë pjesës së jashtme të Karaburunit e Sazanit, në zonën e Dhërmiut dhe Jalës. Këto ofrojnë një florë dhe faunë shumë të pasur. Kjo falë mungesës së industrisë në vendin tonë, por fatkeqësisht është duke u dëmtuar nga politikat e gabuara ndërtuese në bregdetet tona. Shumë elemente që përdorën në ndërtim si çimento, gëlqere, etj., precipitojnë në fundin e detit duke krijuar shtresa të dëmshme për rritjen e vezëve të specieve, apo bimësisë”,- tregon Shpata. Kjo pasi shumimi i këtyre specieve, bëhet kryesisht nëpër gjire, ku edhe korentet nënujore janë të pakta. Në Vlorë, në Dhërmi, në Himarë,ka zona të tilla, ku vërehet kjo dukuri, e cila së fundmi ka qenë edhe pjesë e studimeve të ndryshme. I pyetur për botën nënujore më të bukur, Shpata tregon se zonat më të bukura janë ato të detit Jon, duke filluar nga kodrat e Zvërnecit, deri në gjithë vijën bregdetare në kufi me Greqinë, zonë të cilën ne njohim, pasi brigjet shkëmbore ofrojnë një spektakël natyror, ku flora dhe fauna është më e pasur.

21 July 2008 @ 1:30 am
Ke te drejte o mik, sport e art me te lezecem se zhytja/peshkimi me shtize/fotografimi nen ujor (edhe ka
) nuk KA!!
vec 2 jave..
21 July 2008 @ 5:30 pm
Mesa di une , ekziston dhe nje shoqate e zhytesave ne Durres, por qe autori nuk thote gje per kete.