Të burgosur me dëshirë
Torovicë, në kampin që s’u mbyll kurrë
Në ish kampin e të burgosurve, mjerimi është ulur këmbëkryq. 70 familjet që banojnë aty i janë dorëzuar ferrit, ku ata zgjodhën të jetojnë vetë. Histori absurde njerëzish u zunë në kurth, në gulagun e Shqipërisë së 2008-ës.
Nga Anduela Nika
Ferri ka zbritur në tokë. 70 familjet e fshatit Malecaj e shohin përditë. Duket paradoks, por të gjithë kanë zgjedhur me vetëdije të jetojnë aty, duke u bërë vullnetarisht të “burgosurit e rinj” të ish kampit të Torovicës. Shumë kanë ardhur aty nga malësitë e veriut për t’i shpëtuar mizerjes, të tjerë për të bërë ca para në fushë e për t’u shpërngulur përsëri. Pak ja kanë dalë. Malecaj, si batak kënete i ka thithur e i mban aty, në ferrin që ish diktatori ndërtoi në vitin 1975 për ata që nuk i bindeshin atij dhe ligjit.
“Jam i burgosur në kampin e të burgosurve. Doni arsyen, nuk kam para moj vajzë që të largohem, prandaj jam këtu”, thotë i dorëzuar Ndue Vela, i zbritur në kampin e Torovicës 16 vjet më parë nga Puka. Eshtë 54 vjeç, por duket si 70. Tiparet i kanë humbur fare dhe rrudhat kanë marrë tatëpjetën në fytyrën e tij të rreshkur, ku spikasin dy sy të thellë por të fikur blu, që konturohen nga flokë gri, ku krehëri ka kohë që s’ka bërë vizitë. Nduja është i vetmi ndër banorët e kampit, që mallkon veten për mjerimin e jo shtetin apo këdo që i bie rruga në atë pjesë të harruar të botës. “A ma thua pse duhet të shaj shtetin, kur jam vetë i pazoti”. Ai jeton në katin e parë të një prej 4 ndërtesave të kampit me çati të batuara e mure të plasaritura, ku xhamat e dritarave janë thyer dhe arnuar me qese plastike apo dërrasa të nguluara me gozhdë. Boja e godinave, dikur një e bardhë e ndritshme, është venitur në një gri varresh, ku mund të numërosh fare mirë tullat, të dala tamam si rruazat e shtyllës kurrizore. Dhe nëse pamja e jashtme është si gri varri, brenda është tamam varr. Mure të rrjepura, dyer që nuk kanë…dyer. Vetëm në dhomën e ndenjes, të gatimit dhe të gjumit (e cila është gjithmonë një) funksionin e derës e kryen një batanije e leshtë. Muret dhe tavani janë të nxirrosura nga tymi, madje dhe llamba elektrike është ndryshkur. “Ngaqë kemi shumë drita prandaj është bërë ashtu”, shpotit Nduja ndërsa pikas vështrimin e hedhur nga tavani. Energjia elektrike në lagjen Kamp të fshatit Malecaj është me pakicë, po ashtu dhe uji. Enët e lara përzihen me të palarat dhe është e vështirë të dallosh njërën nga tjetra. Në këtë mjerim nuk njihet elementi higjienë. Një banjo që nuk është banjo, por një birucë e përshtatur për nderjen e rrobave e ku herë pas here kryhen dhe nevojat personale. Dhe një autoironi therrëse. “Kur s’ke ç’të hash, s’ke ç’të nxjerrësh”, thotë ndërsa kontrollon tenxheren me fasule që ka vënë mbi sobë për t’u zier. Ky është vakti i tij prej vitesh. “Aq shumë kam ngrënë sa nuk është çudi që ndonjë ditë të më mbijnë në bark këto fasulet”, të thotë duke buzëqeshur me gojën e tij të madhe, ku mezi dallon dy a tre dhëmbë. Edhe këto shenja të varfërisë së këtij njeriu që zbriti nga Puka për një jetë më të mirë e që tani mezi mban frymën me disa fije sherebelë. Për të jetuar, Nduja së bashku me gruan mbledhin sherebelë, e thajnë në një prej birucave të shtëpisë së tyre burg dhe e shesin. Edhe kaq mjafton për të bërë mrekullinë: “Kjo është e vetmja gjë me të cilën mund të mbaj veten. Dhe djalin që kam në universitet”, thotë, ndërsa i çelet fytyra. “Unë vërtet jam i varfër, por për tim bir jam milioner. Kam arritur ta çoj në shkollë”, shprehet me krenarinë jo më të një malësori të vuajtur, por të një prindi që ka arritur ta nxjerrë fëmijën e tij nga ferri, ku ai vetë jeton prej 16 vjetësh pa ditur si të ikë prej tij. Sepse thjesht ai është dorëzuar.
Ka ngritur duart lart, si të gjithë banorët e tjerë të kampit. Ata të gjithë kanë pranuar të jetojnë në poshtërsinë që shtrihet përballë fshatit Torovizë, nga ana tjetër e fushës. Por kjo nuk i pengon të thumbojnë shtetin duke thënë se ai nuk është kujdesur për ta, se i ka lënë pa rrugë, pa drita e me shtëpitë që po u bien mbi kokë. E megjithatë ata e kanë fort të qartë se ajo godinë ku ata janë burgosur vullnetarisht, vazhdon të jetë pronë e shtetit. Për arsyen e thjeshtë se ai në letra cilësohet ende si burg. Shumë prej banorëve shprehen se e kanë të legalizuar banesën që në fillim të viteve ’90, që e kanë blerë apo shitur për fare pak lekë. Stefa, një tjetër banor i kampit e ka shitur banesën për 2 mijë lekë të reja. Me ato para nuk ka ikur larg. Tek ndërtesa përballë, e cila paskësh kushte më të mira. Sipas kryetarit të komunës Balldren, Gjekë Cali, ndërtesat e ish kampit vazhdojnë të jenë në inventarin e Ministrisë së Drejtësisë. Pra janë pronë shtetërore. Dhe si e tillë shteti nuk e ka për detyrë të lyejë shtëpinë apo të të rregullojë çatinë, ku ke hyrë vetë me dëshirë.
“Ky është problem serioz, pasi banorët e kanë të vështirë të jetojnë në komunitet”, sqaron kryetari Cali. Ai na shoqëron gjatë rrugës dhe pak para se të mbërrijmë në ish kampin e burgut, e sheh të udhës të na bëjë një “parapërgatitje”. Çka nuk e shmangu fatin e keq të makinës, që në atë imitacion rruge çau sotokartin dhe na la shëndenë. “Sa mirë që u prish makina. Kështu ta kuptoni se ç’rrugë kemi”, zgërdhihet Gëzimi, një 25 vjeçar, i cili nxiton i pari të na japë dorën sapo sheh ekipin e “Klan”. Ai nuk punon, por di t’i japë gojës dhe mirë madje. “Shih ti shoqe, se ne këtu s’na ka parë njeri dhe na i kanë lan plehnat ke dera. Unë jam malcor, kam le këtu dhe i kam provuar të gjitha, komunizmin, demokracinë e në këtë kohë”, thotë 25 vjeçari, duke trashur zërin dhe duke fituar vështrimet admiruese të fëmijëve, të vetmit që deri në atë çast gjallonin lagjen e shkretë. Por u deshën fare pak sekonda që fjalimi i zjarrtë i djaloshit nga malësia të ngatërrohej me ato të dhjetra malsorëve të tjerë, që ia behën nga shtëpitë e tyre si nga hiçi. Secili e ka nganjë hall, dikush flet me zë të lartë, një tjetër të tërheq nga mënga që ti dëgjosh historinë e një tjetër ulëret duke sharë qeveritarët, që duan vetëm vota e që nuk mendojnë për kushtet në të cilat ata jetojnë. Që në fakt, i kanë zgjedhur me dëshirë. “Me dëshirë, po, me dëshirë kena ardh. Për ma mirë, po ma zi kena gjet”, thotë Prenga 54 vjeç, që ka ardhur nga Fushë Arrëzi e që mburret se të paktën në shtëpinë e tij, ka dy saksi lule. Femrat janë të pakta në lagje dhe ato rrinë të strukura pas dritave, duke shkëmbyer të qeshura me njëra-tjetrën. E vetmja shenjë “bereqeti” në këtë lagje është dhëmbi i florinjtë dhe flokët e lyer me bojë të kuqe të Davës. Ajo ka fytyrë të bardhë pa shumë rrudha edhe pse është tek fundi i të 40-ave, dhe një fizik të kolmë që stonon dukshëm me ambjentin prej gulagu dhe banorët me fytyra të rreshkuara e pa dhëmbë në gojë. Ajo ka tokë e lopë, që e bëjnë të jetojë më mirë dhe të futet ndër të privilegjuarit e kampit. Të gjithë e shohin me njëfarë zilie “latifondisten”, sepse e dinë që ajo një ditë do t’ia dalë të ikë që aty.
Një fat që duket se nuk do t’i takojë Maries, 75 vjeçares nga Puka. Ajo jeton ditët e pleqërisë së saj të zymtë së bashku me të birin Nikollën. E veshur me të zeza dhe një kryq katolik të varur në qafë, Maria lutet për të birin, i cili ka probleme shëndetësore. Eshtë e heshtur dhe pothujase nuk ndjehet fare teksa kalon mes banorëve zhurmëmëdhenj. Tamam si një hije. Ajo është kështu, që kur shkeli këmbë për herë të parë në këtë kamp, këtu e gjashtë vjet më parë. “O Zot, ta kisha dit se kishte qenë kampi i të burgosurve kisha nejt ma mirë n’Pukë. Aty kisha tokën teme, bagëtinë. Këtu s’kam asgjë, asgjë”, thotë me një zë të mekur, ndërsa është gati t’ja shkrehë vajit. Por nuk e jep veten, i afrohet dritares duke tretur vështrimin anës malit. “Si mund të jetojë njeriu kështu a më thu. Nuk mund të punoj, kam vetëm një pension të vogël”, thotë ndërsa përpiqet të marrë frymë thellë. “Këtu dhe ajri mungon, shqetësohem vetëm për djalin”. I biri, me probleme shëndetësore nuk flet asnjë fjalë vetëm ndjek pas të ëmën, e cila na tregon mjerimin e saj. Shtrati me dy batanije, një sobë ku drutë tymojnë lirshëm e nxijnë gjithçka përreth, bufeja e NISH Drurit të para 20 vjetëve, ca rroba të dhuruara nga CARITAS dhe dhimbja e kokës për të siguruar ushqimin e përditshëm, përbëjnë gjithë pasurinë e Maries.
“Djali s’mund të punojë. Ai është i sëmurë, ndërsa dy djemtë e tjerë i kam të martuar, janë me nuset e tyre”, shfajësohet në çdo moment duke iu dorëzuar fatit të saj, të nxirrosur ashtu si dhoma e saj e fjetjes, ku qëndron dhe soba e cila të gjithë tymin e kthen në banesë. “E kam lyer në gusht e shih si është bërë”, thotë ndërsa tregon nga muret, të cilat duan një dozë të shfrenuar fantazie për të imagjinuar se mund të kenë qenë ndonjëherë të bardha. Mbi sobë, zien një tenxhere me… fasule. Ky duket se është gatimi tradicional i kësaj lagje, që nuk i njeh zarzavatet e as mishin. “Shyqyr që kam dhe atë se ka ditë që mund të jem dhe pa”, thotë ndërsa merr një lugë alumini për të përzier fasulet. I biri vijon të mbajë prej një ore në buzë cigaren e pandezur. Thjesht sepse nuk ka një tjetër. Por aparati fotografik e ka tërhequr aq shumë, saqë arrin të kuptojë se tymi i cigares do të kishte më efekt në foto, ndaj dhe e bën këtë sakrificë. Me duar që i dridhen nxjerr çakmakun nga xhepi dhe nis të tymosë cigaren e tij të fundit. Brenda atyre mureve që duken se nga një çast në tjetrin do ta zënë brenda, duket se gjithçka është për herë të fundit. Edhe frymëmarrja që bëhet gjithnjë e më e vështirë nga ajri i rëndë. “Njeriu mësohet me të gjitha. Kam 6 vjet që jetoj këtu, por Zot sa e vështirë qenka”. Ndryshe nga banorët e tjerë që tregojnë më shumë nga mosha që kanë realisht, Maria i mban shumë mirë vitet e saj. Sepse në pleqëri, edhe vuajteve u vjen zor të stampohen pa mëshirë në tiparet e saj. Ka një pamje të trishtë në fytyrë, por lëkurë të ruajtur dhe një zë të butë, që i vjen i mekur si të kishte frikë se mos shqetëson dikë me të.
Por aty në mes të asaj humbëtire, të atij kampi-burg, Maria nuk ka kë të shqetësojë. Nuk ka miq dhe as ndokënd me të cilin të bisedojë. Aty gjithkush ka hallin e vet. Dhe ajo ka të sajin. Të një gruaje, së cilës i shkon shumë për shtat poema migjeniane e mjerimit edhe pse në një diferencë prej gati 70 vjetësh, e që gati përlotet kur i jep dorën për ta përshëndetur. Ndoshta ne ishim vizitorët e vetëm të shtëpisë së saj e ndoshta dhe të gjithë lagjes Kamp.
Këtë e vë re mjaft mirë nga kurioziteti që kanë dhe dëshira për të pyetur, biseduar, shfryrë e ulëritur. Dhe kur e bëjnë këtë para një gazetareje, rrezatojnë një shpresë të çuditshme e naïve se të paktën diçka nga ato që kanë thënë, do lexohet nga dikush e mbase do të venë dorën në zemër për ta. Thënë ndryshe, do t’u shtrojnë rrugën, t’i furnizojnë rregullisht me drita e ujë e t’u rregullojnë banesat. E janë që janë, dhe ndonjë vend pune nuk do të ishte keq. Për më tepër që pas hapjes së rrugës së re nacionale Lezhë-Shkodër, zona e Torovicës është harruar tërësisht dhe të gjesh një punë është si të të bjerë llotaria. Fëmijët ngazëllehen si para ’90-tës, kur shohin që nëpër fshat kalon një makinë tjetër nga furgoni i fshatit. Për lagjen Kamp të Malecajt, kjo dozë dhjetëfishohet për vetë pozitën gjeografike ku ndodhet, mes malit e kënetës. Jo më kot ish diktatori Enver Hoxha kishte zgjedhur këtë vend në mes të hiçit për të ndërtuar kampin e të burgosurve. Por vështirë se do të mund të parashikohej se 15 vjet pas ndërtimit të këtyre katër godinave varrezë, aty nuk do të jetonin më të burgosur për krime ordinere apo të dënuar politikë, por njerëz që me dëshirën e tyre do të zgjidhnin për të jetuar e rritur fëmijët e tyre në këtë humbëtirë. Ku nuk ka tv, as valët e telefonisë së lëvizshme nuk mbërrijnë, nuk ka rrugë, energjia mungon dhe e vetmja gjë që gjen me bollëk, është mungesa.
“Vetëm një polic dhe një rrethim me tela, dhe merr kuptimin e plotë të fjalës burg. Por e bukura është që ne të gjithë këtu jemi vullnetarisht këtu”, thotë duke qeshur me ironi Ndue Vela, ndërsa në heshtje merr dhe miratimet e banorëve të tjerë, që nuk guxojnë t’ja thonë vetes këtë realitet, por ankohen e ankohen për fatin që ata zgjodhën vetë. Disa të shtyrë nga skamja që i kishte pllakosur në zonat e thella veriore nga ku dhe kanë ardhur, dhe të tjerë për të punuar tokën e Torovicës. Por nuk u doli siç e pritën. Sepse jeta në ambjentet e një ish burgu nuk mund të jetë veçse një ferr, edhe pse i kërkuar.
Botuar ne Revisten KLAN


11 February 2008 @ 11:16 pm
Mjere, mjere… eshte e tmerrshme se sa me fat jemi, e tmerrshme te mendosh se kemi lindur ne te njejtin vend…
12 February 2008 @ 1:42 pm
uau me ngjethi mishin. E shkruar bukur. te ben shume te mendosh dhe te jehs mirenjohese per ate qe ke
12 February 2008 @ 5:23 pm
Lum Torovica turistike!! Ky do jet kampi i pushimeve…
Edhe nje fabrike me 1500 vende pune qe duan te hapin atje…edhe per ate do dalim ne proteste! Nuk e di…do dalin kta te mjeret ne proteste kundra fabrikes…apo do dalin vetem flok-gjatet e MJAFT-it?
Ja pse duhen VENDE PUNE per kta njerez…dhe jo perralla turistike e ambientaliste…
12 February 2008 @ 7:51 pm
Pershkrimi i jetes se atyre te “vetburgosurve” , me mbushi me nje urrejtje per klasen politike shqiptare, drejtuesit e qeverise se sotme. Ne kohen kur urrejtja ndaj qeveritarve pisa shqiptare na zbutet , nga disa arritje e investime, keto pershkrime te realitetit shqiptar na mbushin perseri me urrejtje ndaj ketyre pisave qe jetojne me makina e sekretare, me tere te mirat, nderkoh qe mijra shqiptare mendojne se ç’do hane sot e neser.
Ky eshte turpi i politikes shqiptare, shtetit e qeverise shqiptare.
12 February 2008 @ 8:45 pm
Po kte? Pse e paska fajin qeveria? Jetojme akoma ne komunizem ku qeveria te jepte shtepi e pune e per te ngrene? A duam kapitalizem? Ne kapitalizem duhet te jesh i afte vet per te care…perndryshe…
Shume llogjike e mire…shaj qeverine…se kta njerez shiten tokat e tyre dhe vajten ne kamp se kujtonin se do shkonin ne qytet…u futen ne nje ndertese qe eshte akoma prone shteti…dhe pastaj shajne qeverine dhe kerkojne nga qeveria kte dhe ate. Ju duket normale nje gje e tille?
Pa provo te besh nje gje te tille ne nje shtet perendimor…Pse ka pak njerez rrugve ne Amerike? bej nje xhiro ne Manhattan…shiko turmat perreth cdo kishe. E kush e ka fajin? E kush e ka pergjegjsine?
Ore Shqiptar…merni vesh…eshte puna jote se si jeton e ku jeton e si punon e si ha…qeveria ka per detyre gjera te tjera…jo te te ushqej ty me luge. Kur ta marrin vesh Shqiptaret kte gje…atehere mund te ndertohet kapitalizmi ne Shqiperi.
Nuk do te gjej puna ty…do ta gjesh ti punen.
Kur je i pazoti dhe kur je budalla…nuk ta ka fajin njeri ty. Kto jane si ato historite qe dalin cdo dite neper gazeta…familja e varfer jeton ne barrake pa buke!!…dhe pastaj meson…nje familje me prinder te rinj…qe kan bere nga 27 kalamaj…dhe pastaj thone “s’kemi cte hame” No shi*t!! Po 27 kalamajt kush te that ti beje?
Veji fajin qeverise atje ku e ka fajin…jo per CDO GJE. Kjo eshte nje nga resyet KRYESORE pse Shqiperia ka mbetur mbrapa…pervec gjith te tjerave…mentaliteti i popullit ka mbetur akoma si ne komunizem…pergjegjsite per te gjitha i ka qeveria, prandaj kur s’shkon dicka, fajin e ka qeveria!! S’kam une pune…qeveria e ka fajin! S’kam une buke…qeveria e ka fajin!!
Po ate punen e fabrikes se cimentos ne Torovice…do dalin ne proteste dhe kta bashk me MJAFT-in??
Ata qe jane te zotit…e cajne. Lerini llafet…ashtu eshte. Te pakten ju qe jeni ne perendim e keni pare “boten me sy”…duhet te kuptoni KAQ nga kapitalizmi…e jo te vazhdoni me te njetin mentalitet si ndonje pertac ne Shqiperi.
Dhe filloni pastaj me benza e me BMW…pse te mos kene? Ne jane te zotet e kane pare…ti blejne. Ka sa te duash ne Shqiperi qe kane aq pare dhe jane aq te zotet…ku qendron e kqeja ktu? Edhe une nje dite kur te kem aq pare…ate do bej. pse ja morri paret apo punen ktyre ndonjeri qe bleu Benz?? Apo duhet tja jepte paret ktyre ne vend qe te blinte Benz? C’lidhje ka kjo me faktin se mentaliteti i pertacllekut dhe injoranca Osmane vazhdon te dominoj ne zona rurale??
Llafe, sharje, kritika, fajsime…te gjithe kte pune kane…po pune?? Asnjeri…Mja o Shqiptare!!…futuni punes…se ndryshe…
Nuk u be njeri duke share te tjeret…
Trimi i botes…malcori 25 vjecar…pa pune…qe i thot te tjerve “shiko ti shoqe!”
13 February 2008 @ 2:08 pm
Shume i bukur artikulli. Por me kujtoi nje pamje qesharake qe ma zune syte sot ne mengjes diku ne Laprake.. Ne nje mur betoni qe rrethonte nje copez toke, pasi ishin vizatuar fytyra e edi rames me kafka dhe parrulla te tjera si Rrofte PD-ja etj.. ishte shkruar me germa te medha blu: TOK E ZANUN
Qesharake por dhe e dhimbshme. Njerezit vazhdojne te bejne cte duan e si te duan - dhe presin nga shteti ‘ligjor’ t’u zgjidhi hallet. Jam pjeserisht dakord me komentet e ‘Grupi’-t me siper. Me vjen keq per familjet qe jetojne akoma si ne vitet 20. Por ka ardhur koha te zbatojme dhe ne teorine e amerikaneve: Mos pyet cben shteti per ty por shiko c’mund te besh ti per shtetin..