Skenari pikë për pikë, Besa fiton Kupën
Adi Metaliu
Sporti Shqiptar
Besa-Teuta 3-2
Besa: Dura, Grizha, Krasniqi, Dragusha, Arapi, Veliaj (Hoxha 79′), Nana, Belisha, Elokan, Binogol (Ebanda 74′), Xhihani (Nuhiju 69′).
Trajner: Y.Teliti
Teuta: Kapllani, Tetova, Vrapi, Fagu (Pashaj 57′), Buna (Kote 69′), Shkëmbi, Kapaj, D.Xhafa, Kuli (Hodo 57′), Mancaku, Vila.
Trajner: S.Starova
Shënues: Xhihani 3′, D.Xhafa 9′, Belisha 42′, Veliaj 70′, Grizha 88′ (aut)
Kartonë të verdhë: Mancaku, Vrapi, Arapi, Buna, Grizha
Gjyqtarë: A.Janku, A.Pregja, D.Rexha (Tiranë)
Radiografia
3′ Besa fiton një goditje këndi, të cilën e ekzekuton Veliaj. Topi kalon te Grizha, që pason me kokë për Xhihanin. Kapiteni kavajas, brenda zonës kundërshtare gjuan fort me kokë, duke shënuar golin e parë dhe të epërsisë për Besën.
9′- Teuta barazon 1-1. Shkëmbi ekzekuton një goditje dënimi, topi gjen Vilën që kroson në zonën kavajase, ku Daniel Xhafaj gjuan fluturimthi me kokë, duke baraspeshuar gjithçka.
14 Arapi i Besës gjuan nga distanca, por pret në pozicion portieri Kapllani.
16′- Elokan shmang disa lojtarë durrsakë, pason për Xhihanin, që gjuan fort, por jashtë kuadratit.
26′- Bledar Mancaku ekzekuton një goditje dënimi me mjeshtëri, por topi nuk i bindet plotësisht atij, duke përfunduar në traversë.
42′ Belisha lëshon një “predhë” nga rreth 30 m distancë, duke shënuar një gol spektakolar. Besa e mbyll pjesën e parë në avantazh 2-1.
50′- Mancaku gjuan fort nga një pozicion ballor, topi përfundon ngjitur me shtyllën e majtë pingule të Durës.
52′- Elokan gjuan fort në portën durrsake, por reagon mjaft mirë Kapllani.
68′- Shkëmbi shmang një lojtar kavajas dhe, në hyrje të zonës mike, gjuan, por topi përfundon jashtë kuadratit.
70′- Nuhiu pason bukur për Elokan, i cili shërben po kaq mirë për Veliajn. Ky i fundit, përballë me portierin Kapllani, nuk e ka të vështirë të shënojë golin e tretë. 3-1 për Besën.
89′- Mancaku gjuan drejt portës kavajase dhe topi, pas një karamboli midis lojtarëve të Besës, përfundon në rrjetë. Ky është rezultati final i kësaj ndeshjeje. 3-2.
Komenti
Teuta “hap krahun”, Besa në Europë. Besa fiton Kupën, ashtu siç pritej. Presidenti Moisiu bëhet ndoshta pa vetëdije “bekuesi” i një trofeu të shumëdiskutuar të skuadrës së qytetit të tij. Presidenti Bizhdili, në kulmin e gëzimit, lëshon batutën-objektiv: “Trofeun e titullit kampion e dua nga duart e Berishës”. Këto mund të jenë gjërat më “pikante” të finales së djeshme, pas së cilës Besa e Kavajës ka shënuar trofeun e parë në historinë e saj si klub. Ka pritur plot 85 vjet për të ngritur trofeun e Kupës së Shqipërisë, gjë që e ka bërë pikërisht dje. Nuk ka pasur asnjë surprizë në fakt, sepse skuadra kavajase, edhe pse pa trajnerin e saj, Vasil Bici, i shkarkuar para katër ditësh, ka bërë atë që pothuajse të gjithë prisnin, ka fituar ndaj Teutës, trajneri i së cilës, Sulejman Starova, çuditërisht nuk është parë asnjëherë të ngrihet nga stoli dhe të udhëzojë lojtarët e tij. Kësisoj, veç trofeut të parë që arkivon si klub, Besa do të luajë edhe në kupat e Europës. Tej paragjykimeve dhe kontestimeve të shumta për “skenare”, “sisteme” etj., ky është një sukses i madh për verdhezinjtë kavajas, për tifozërinë e këtij qyteti dhe pa dyshim për presidentin Nexhat Bizhdili. Po çfarë ka dhuruar ndeshja e djeshme finale e Kupës së Shqipërisë. Tapeti i blertë i “Qemal Stafës” ka pritur dy skuadrat e qyteteve fqinje, Teutën dhe Besën, njëra me një këmbë në Europë tashmë, si nënkampione e vendit dhe finaliste e Kupës, ndërsa tjetra, Besa, që i kishte mbështetur të gjitha shpresat te ky trofe. Dhe ia ka dalë mbanë, duke fituar ndaj skuadrës së Starovës 3-2, e cila, ç’është e vërteta, veç humbjes 5-0 ndaj Tiranës, nuk ka pësuar në këtë sezon “zbatica” të tilla. Megjithatë, që në fillim të ndeshjes u pa qartë karikimi maksimal i kavajasve për ta bërë të tyrin trofeun e kupës, ndërsa në anën tjetër, durrsakët dukeshin më të shpenguar. Si pasojë e kësaj mënyre loje, janë kavajasit që e gjejnë të parët golin e epërsisë, shumë shpejt, çka tregon se Kupa do të “udhëtonte” drejt Kavajës. Megjithatë, durrsakët kanë reaguar shpejt, duke barazuar brenda pak minutash. Në vazhdim loja duket e fortë, me nerv, por bie në sy lirshmëria në veprime e të dyja skuadrave, a thua nuk bëhej fjalë për një ndeshje finale, ku çdo gabim është i ndaluar. Skuadra e Besës ka në krahë edhe tifozerinë kavajase, e cila kishte udhëtuar drejt ndërkombëtarit tonë të vetëm për të festuar fitimin e Kupës së Shqipërisë. Madje, festa ishte përgatitur që në Kavajë. Nga ana tjetër, tifozeria durrsake ishte më e paktë në numër. Minutat kalojnë dhe verdhezinjtë shtojnë “dozat” e manovrës sulmuese, ndërsa “djemtë e detit” mundohen të qarkullojnë topin në mesfushë. “Paqja” nuk zgjat shumë, sepse skuadra kavajase arrin të kalojë sërish në avantazh. Që këtu “fjalëkryqi” i kupës merr zgjidhjen e hamendësuar nga shumëkush. Reagimi i skuadrës së drejtuar nga Starova është jo në lartësinë e duhur. Teksa “djemve të detit” duket se u janë shterur forcat për të reaguar, verdhezinjtë nuk ndalen së sulmuari në portën e Teutës. Si pasojë e kësaj, vjen edhe goli i tretë, i cili e çon në delir tifozërinë kavajase, që tashmë beson vërtet që Kupa është e saj. Pas këtij momenti kemi njëfarë reagimi të durrsakëve, duke parë që Besa tërhiqet në mbrojtje të rezultatit. Nuk vonon shumë dhe vjen edhe goli i dytë për Teutën, i cili i vë kapak rezultatit 3-2 të finales së Kupës së 55-të të Shqipërisë. Pra, ashtu sikurse parashikonin pothuajse të gjithë, Besa bëhet “pronare” e Kupës së Shqipërisë, duke fituar të vetmin trofe në historinë e saj si klub, pas 85 vitesh. Pas dështimit në 6 finale të tjera të mëparshme të Kupës së Shqipërisë, skuadra kavajase arrin ta fitojë këtë trofe. Me meritë apo jo, kjo nuk ka shumë rëndësi, pasi tashmë Kupa e 55-të e Shqipërisë i përket Besës, tifozerisë kavajase. Trofe i cili u është dorëzuar verdhezinjve nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Alfred Moisiu, duke “bekuar” në njëfarë mënyre edhe suksesin e shumëpërfolur të Besës, Kupën e Shqipërisë.
Thanë pas ndeshjes:
Sulejman Starova, trajner i Teutës: “Besa e meritoi kupën dhe, meqë e ka për herë të parë këtë gjë, i uroj suksese. Ç’është e vërteta, edhe ne e donim atë, sepse ishte një trofe, por tani do të mendojmë për ndeshjen e radhës, me Shkumbinin në kampionat.”
Nexhat Bizhdili, president i Besës: “Ky është trofeu i parë për Besën. Kam një gëzim të papërshkrueshëm. Eshtë një gëzim i paparë. Kupën ua dedikoj të gjithë tifozëve kavajas. Presidenti Moisiu na nderoi shumë me praninë e tij, por herën tjetër, kur të dalim kampionë, do të doja të na nderonte kryeminstri Berisha.”
Ylli Teliti, trajner i Besës: “Ua dedikoj këtë trofe të gjithë tifozëve të Besës, stafit teknik, presidentit Bizhdili.”
Parid Xhihani, kapiten i Besës: “Jam shumë i lumtur për fitimin e Kupës, për më tepër që hyra edhe unë në historinë e Besës, si kapiteni i parë që fiton kupën e parë.”
Të veçanta:
- Presidenti Moisiu është ekzaltuar shumë pas golit të parë të Besës. Pas përfundimit të ndeshjes ai ka vënë në qafë shallin e Besës, gjë që s’e ka bërë presidenti i FSHF-së, Duka. Moisiu ka zbritur edhe në fushën e blertë, ku ka festuar e bërë foto me skuadrën kavajase.
- Për herë të parë trofeu i Kupës është dorëzuar në tribunën VIP të “Qemal Stafës”, gjë që herë të tjera kryhej në fushën e lojës tek ne.
- Në stadium ishin rreth 2 mijë tifozë kavajas, ndërsa ata durrsakë nuk e kalonin numrin 20.
- Tifozët kavajas kanë thirrur në kor gjatë ndeshjes emrin e ish-trajnerit të tyre, Vasil Bici.
- Trajneri Teliti i Besës mund të futet në librin e rekordeve “Gines”, sepse vetëm 3 ditë në këtë profesion i kanë mjaftuar për të fituar një trofe, Kupën e Shqipërisë.
- Trajneri i Teutës nuk është ngritur asnjëherë nga stoli.


Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.