Skandali i lirimeve, 3 gjyqtarë nën hetim
Flamur Vezaj
30-09-2007
SHEKULLI
Lirimi i të dënuarve gjoja të sëmurë, 3 gjyqtarë nën hetim
TIRANË- Ministria e Drejtësisë bën gati raportin e hetimit dhe verifikimit për 10 gjyqtarë të Gjykatave të ndryshme, që bashkëpunuan me ekspertët e mjekësisë-ligjore për lirimin e të dënuarve nga qelia, me pretekstin e gjendjes së tyre të rënduar shëndetësore. Ky raport që tashmë ka përfunduar e ndodhet në duart e Ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali, pritet që në ditët në vazhdim të bëhet publik për mediat, si dhe një kopje e këtij relacioni do t’i dërgohet anëtarëve të Këshillit të Lartë të Drejtësisë në mbledhjen e radhës. Këtu pritet që Ministri Rusmali të bëjë edhe propozimet përkatëse për masat ndaj “bashkëpunëtorëve” të ekspertëve të mjekësisë-ligjore, këta të fundit të liruar nga detyra.
Sipas burimeve zyrtare pranë kabinetit të Ministrit Rusmali, mësohet se nuk do të përfundojnë në KLD, të 10 gjyqtarët e verifikuar me shkelje, por vetëm tre prej tyre; Gjyqtarja e Gjykatës së Rrethit Lezhë, Parashqevi Ademi, e cila sipas relacionit ka liruar pas ekspertimit mjeko-ligjor katër të dënuar, të cilët rezultojnë se janë jashtë vendit ose merren me biznese private, duke gëzuar shëndet të plotë; Gjyqtarja e Krujës, Dhurata Balla e cila kishte liruar dy të dënuar, të cilët rezultojnë se janë jashtë shtetit dhe gëzojnë shëndet të plotë. Gjyqtari i tretë, çështja e të cilit do të shkojë për shqyrtim në KLD sipas burimeve është një ndër tre emrat e mëposhtëm: gjyqtari i Gjykatës së Kavajës, Luan Lusha, gjyqtari i Shkallës së Parë në Tiranë, Artur Gaxhiose Sokol Tona. Të tre këta sipas dokumentit të Ministrisë së Drejtësisë kanë dhënë vendime për ngady lirime. “Pas relacionit që i është dorëzuar Ministrit Rusmali me emrat e 10 gjyqtarëve, ku tre prej tyre janë veçuar, ministri pritet të bëjë gati për në mbledhjen e ardhshme të KLD-së, propozimet për masa disiplinore”,-thanë burimet.
Mësohet se këta gjyqtarë kanë vendosur për rreth 20 vendime për lirimin e të dënuarve, që nga ekspertët janë deklaruar me probleme të rënda shëndetësore. Sipas mjekëve eksperto-ligjorë qëndrimi në qeli i këtyre të dënuarve përbënte rrezik për jetën e tyre , pasi në më të shumtën e rasteve ato mund të vrisnin dhe veten.Por nga verifikimi i Ministrisë së Brendshme dhe raporti që pritet të shkojë në KLDrezulton se një pjesë e të liruarve, jo vetëm që gëzon shëndet të plotë, por ka ikur edhe jashtë shtetit,ose punon në biznese të ndryshme private. Ndërkohë, relacioni përshkruan se sipas ekspertëve mjeko-ligjorëkëta të dënuar gjatë kohës që ishin në qeli duke vuajtur vitet e dënimit për krimet e ndryshme, rrezikonin jetën e tyre, për shkak të mendimeve pesimiste dhe vetëvrasëse. “Pas bërjes së këtyre ekspertimeve mjekësore dhe paraqitjen e tyre para gjyqtarëve të Gjykatave të ndryshme, afër vendit të vuajtjes së dënimit, gjyqtarët kanë mbyllur një sy dhe një vesh dhe kanë vendosur lirimin e tyre”,-thuhet nga njëri nga ekspertët e punës së këtij relacioni për lirimet 20 të dënuarve në mënyrë të turpshme sipas tyre. Ky kontroll i imtësishëm nga ekspertët juridikë të Ministrisë së Drejtësisë, filloi menjëherë pas denoncimit të bërë nga vetë ministri Rusmali në fillim të muajt maj, ku denoncoi publikisht praktikat korruptive dhe proceset gjyqësore të manipuluara, me anë të të cilave individë të dënuar për vepra penale të rënda liroheshin nga burgu me arsyetimin se “vazhdimi i qëndrimit në burg rrezikonte jetën e tyre”. Për këto raste, Ministri Rusmali urdhëroi fillimin e hetimit administrativ të praktikave pranë Institutit të Mjekësisë Ligjore, ku me shqyrtimin e dosjeve gjyqësore, si dhe në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë së Brendshme siguroi informacionet e nevojshme për vendndodhjen e të gjithë individëve të liruar me këtë motivacion gjatë periudhës që mbulon dy vitet e fundit. Informacione të hollësishme janë marrë edhe në strukturat e sistemit të burgjeve dhe spitalet në të gjithë vendin, ku rezultojnë se shumica prej tyre janë jashtë shtetit ose punojnë në biznese private duke gëzuar shëndet të plotë. Tashmë pas përpilimit të relacionit të shkeljeve të gjyqtarëve i mbetet KLD-së të vendosë për masat ndaj gjyqtarëve që sipas ministrisë kanë bashkëpunuar me ekspertët e mjekësisë ligjore. Më poshtë, publikojmë disa raste më flagrante të hetimit.
Inspektimi në Institutin e mjekësisë Ligjore solli shkarkimin e tetë mjekëve. Shkaqe qesharake për lirimin e tyre
Raporti i Ministrisë: Të dënuarit e liruar gëzojnë shëndet të plotë
TIRANË- Vdekja e disa të dënuarve në Qendrën Spitalore të Burgut në Tiranë, e ka detyruar Ministrin e Drejtësisë Ilir Rusmali, të urdhërojë kryerjen e një kontrolli në zyrat e Institutit të Mjekësisë Ligjorë për verifikimin e rasteve të lirimit për shkak të gjendjes së tyre shëndetësore. Kontrolli i dosjeve të këtyre tre viteve të fundit, për inspektorët e dikasterit të peshores ka qenë alarmant, pasi rezultoi se janë liruar nga burgu persona që gëzonin shëndet të plotë dhe me akt-ekspertime të falsifikuara. “Informacionet e grumbulluara janë shqetësuese jo vetëm për institucionin e Ministrisë së Drejtësisë, por edhe për mbarë opinionin publik sepse ato dëshmojnë ekzistencën e një mekanizmi të instaluar institucional të korrupsionit”,-thuhet nga burimet. Nga raporti i inspektoratit të ministrisë del qartë se në shumicën e tyre ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mënyrë të veçantë ekspertët psikiatër, kanë falsifikuar haptazi aktet e ekspertimit duke kryer masivisht ekspertiza joreale për personat që ose nuk janë ekzaminuar ndonjëherë ose janë ekzaminuar në një seancë të vetme në kushtet ambulatore apo për persona të deklaruar recidivë në tentativën e tyre për të vrarë veten, ndërkohë që nga dosjet e tyre personale nuk rezulton të kenë pasur ndonjëherë tentativë për vetëvrasje. “Siç mund të konstatohet nga raporti investigues, shumica e të dënuarve të liruar gëzojnë shëndet të plotë, janë aktivë në jetë dhe në shoqëri edhe shumë kohë pas daljes nga burgu, apo jetojnë të qetë dhe të patrazuar nga dora e drejtësisë, pasi kanë ikur jashtë shtetit. Nënjë rast rezulton se 6 muaj pas lirimit personiështë arrestuar sërish për akuzën e “prodhimit, mbajtjes dhe shitjes së lëndëve narkotike”,-thuhet në relacionin e inspektimit. Nga kontrolli në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) u verifikuan 22 akte të ekspertimit mjeko-ligjor, të përpiluara me shkelje të rënda. “Për këto lloje aktesh mungon edhe argumentimi i “fakteve” të përshkruar në akt si dhe i dokumentacioni i nevojshëm në mbështetje të konkluzioneve të shprehura. Konkretisht vërehet se, duke qenë se në pjesën më të madhe të akteve psikiatrike-ligjore mungon anamneza e sëmundjes, ekspertët bazohen në thëniet e të dënuarve për të përcaktuar rrethana të ndryshme si dhe trashëgiminë familjare mjekësore të pacientëve. Këto thënie paraqiten në akte si fakte të provuara dhe ndikojnë në gjykimin final dhe në konkluzionet e ekspertëve. Në shumë raste thëniet e të dënuarve dhe përshkrimi i gjendjes së tyre është qesharak”,-thuhet në përfundim të raportit të kontrollit ndaj 22 akt- ekspertimeve mjeko-ligjore. Rezultatet e raportit tregojnë se për 18 të burgosur aktet e ekspertimit ishin jo reale. Ata ishin dënuar për vepra penale të rënda si vjedhje, përdhunim, trafikim lëndësh narkotike, vrasje me paramendim. Mekanizmi i përdorur për lirimin e këtyre të dënuarve me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe rifutja e tyre në shoqëri, pa përmbushur dënimi misionin dhe funksionin e tij, që është risocializimi dhe riedukimi i tyre, është bërë jo në zbatim të ligjeve në fuqi. Në përfundim të përpilimit të këtij raporti, Ministria e Drejtësisë, i rekomandoi Drejtorisë së Institutit të Mjekësisë Ligjore, shkarkimin nga puna dhe dërgimin për ndjekje penale për 8 ekspertët e këtij instituti të cilët kanë kontribuar në lirimin e 18 të dënuarve, duke i paraqitursi persona me probleme të mëdha shëndetësore për lirimin e tyre nga qelia. Ndër ata janë: Arben Lloja, Zana Likaj, Mira Kurti, Gramoz Ylli, Asqeri Xhani, Anesti Vako dhe Besim Ymaj. Gjithashtu, në fund të këtij raporti rekomandohet hartimi i një ligji specifik për ekspertimin ligjor, i cili do të plotësojë kuadrin ligjor në këtë fushë, me qëllim përcaktimin e kritereve të sakta mbi bazën e të cilëve duhet të hartohen aktet e ekspertimit me të dënuar si dhe përcaktimin e procedurave dhe kritereve rigoroze, për marrjen e titullit “ekspert mjeko-ligjor”. Njëkohësisht, u rekomandua hartimi i një udhëzimi të hollësishëm nga ana e Ministrisë së Drejtësisë lidhur me aktet e ekspertimit, të kryera nga ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, me objekt vlerësimin e rrezikshmërisë për jetën e të dënuarve në institutet e vuajtjes së dënimit.
GJYQTARËT E PËRFSHIRË NË RAPORT
1. Gjyqtarja e Lezhës, Parashqevi Ademi, 4 raste
2. Gjyqtarja e Krujës, Dhurata Balla, 2 raste
3. Gjyqtari i Tiranë, Artur Gaxhi, 2 raste
4. Gjyqtari e Tiranës, Sokol Tona, 2 raste
5. Gjyqtari i Kavajës, Luan Lusha, 2 raste
6. Gjyqtari e Tiranës, Altin Abdiu, 1 rast
7. Gjyqtari i Kavajës, Osman Aliu, 1 rast
8. Gjyqtarja e Krujës, Ariana Lico, 1 rast
9. Gjyqtari i Tiranës, Martin Deda, 1 rast
10. Gjyqtari i Tiranës, Bledar Abdullai, 1 rast
RASTET MË FLAGRANTE SIPAS MINISTRISË SË DREJTËSISË
DOSJA NR. 1
A. M – i datëlindjes 1972, lindur në Fushë-Krujë, i dënuar në vitin 2002 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Krujë, për veprën penale të “vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje” dhe në bazë të neneve 76 dhe 278/2 është dënuar me 8 vjet heqje lirie. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 45 dt.14.04.2006, ka vendosur lirimin e të burgosurit pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 41 të dt. 20.03.2006 “ I dënuari vuan nga depresioni endogjen unipolar në formë kronike”. I mbetej për të vuajtur edhe 4 vjet nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr. Z.L dhe Dr. E.K,
GJYQTARI I CËSHTJES: Sokol TONA
PROKURORI I CËSHTJES: R.K -Ështe shprehur për pranimin e kërkesës.
PËRFAQËSUES TË BURGUT: S.O, G.A, F.H-Janë shprehur për pranimin e kërkesës.
AKTI I EKSPERTIMIT:Sipas raportit për të dënuarin në fjalë është gjetur vetëm një akt-ekspertimi i dytë ndërsa i pari nuk figuron fare në dosje. Në akt-ekspertim thuhet se i dënuari “…në kushtet e burgut jeta e tij rrezikohet për shkak të mendimeve dhe tendencave suicidale (vetëvrasëse)..” . Në asnjë pjesë të raportit nuk përshkruhet me hollësi mjekimi i nevojshëm për trajtimin e sëmundjes së të burgosurit, si dhe nuk arsyetohet në asnjë mënyrë përse kushtet e burgut e bëjnë të pamundur trajtimin mjekësor të të burgosurit. Ndërsa një informacion që disponon Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve në vlerësimin e sjelljes thuhet se sipas bisedave të bëra me të, ndihet pak i dobët nga ana shëndetësore, dhe se flet pak por saktë si dhe nuk merret me biseda të kota. Ndërkohë që nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se i dënuari ndodhet në banesën e tij në Fushë Krujë, ku ka një aktivitet privat servis makinash. Ashtu si edhe vërehet nga informacionet e mësipërme akti i ekspertimit rezulton joreal pasi i dënuari, në gjendje të lirë gëzon shëndet të mirë
DOSJA NR. 2.
Z.D- i datëlindjes 1953, lindur e banues në Krumë, Kukës, i dënuar në vitin 1995 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Kukës për veprën penale të “vrasjes për hakmarrje”me 15 vjet heqje lirie. Me vendimin nr. 15 dt.28.06.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 97 dt. 20.06.2006 “… i dënuari vuan nga skizofrenia reziduale (kronike).” I mbetej për të vuajtur edhe 4 vjet nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr.Z.L, Dr.E.K Dr.N.Sh
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Ariana Lico
PROKURORI I ÇËSHTJES: B.C-Kërkon mospranimin e kërkesës.
PËRFAQËSUES TË BURGUT: Nuk ka.
AKTI I EKSPERTIMIT: Edhe në këtë rast akti i ekspertimit, prej 2 (dy) faqe, paraqitet si një akt i pabazuar shkencërisht. Pasi përshkruan gjendjen e të dënuarit , ashtu si paraqitej në momentin e ekzaminimit prej ekspertëve( nga përmbajtja e aktit kuptohet se ekzaminimi nga ekspertët është bërë vetëm një herë) , raporti del menjëherë në konkluzionin se “…Vuajtja e mëtejshme e dënimit rrezikon jetën për shkak të dëmtimeve instiktive , sidomos të instikteve mbrojtëse…” . Në asnjë pjesë të raportit nuk përshkruhet me hollësi mjekimi i nevojshëm për trajtimin e sëmundjes së të burgosurit. Gjithashtu bashkëlidhur raportit, në arkivin e I.M.L, nuk gjendej asnjë lloj dokumentacioni mbështetës përveç vendimit të gjykatës mbi kryerjen e ekspertimit psikiatrik-ligjor. Ndërsa në raportin e Spitalit të Burgjeve gjenden fraza tip … “Ai nuk jeton kohën e tanishme dhe në qendër të bisedës trajton tema nga jeta shumëvjeçare që ai ka kaluar. Lavdëron në mënyrë patollogjike e pompoze kohën e diktaturës komuniste, kryesisht liderin e saj…Nuk mendon fare për kohën e burgimit të tij dhe mendon se mund të flijohet…”
Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, përcjellë me shkresën nr.1526/12 dt.06.06.2007 rezulton se:-Z. D, lindur në Krumë dhe banues në Bathore-Kamzë, rezulton se është i sëmurë mendor në banesën e tij në Bathore.
DOSJA NR.3
A. A- i datëlindjes 1974, lindur në Shijak, i dënuar në vitin 1997, me vendimin Nr. 82 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale të “vrasjes dhe armëmbajtjes pa leje”dhe në bazë të neneve 78 dhe 278/2 të K.Penal është dënuar me 16 vjet heqje lirie. Me vendimin nr. 253 dt. 30.10.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 134 dt. 11.09.2006 “… i dënuari vuan nga Depresioni Endogjen me tentativa suicidale dhe mendime pesimiste.” I mbetej për të vuajtur edhe 13 vjet nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr. Sh.K dhe Dr. L.F,
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Parashqevi Ademi
PROKURORI I ÇËSHTJES: E. K -Kërkon rrëzimin e kërkesës.
PËRFAQËSUES TË BURGUT: Nuk ka.
AKTI I EKSPERTIMIT: Ekspertëve iu janë dashur vetëm gjashtë ditë për të kthyer përgjigje nga 20 ditë që parashikon ligji. Edhe në këtë rast nuk është përshkruar mjekimi i nevojshëm apo medikamentet që duhet të përdorë i dënuari që nuk i plotëson dot kushtet burgu. Ndërkohë i dënuari rezulton se nuk ka qenë asnjëherë i shtruar në Spitalin e Burgut. Ndërkaq ekspertët kanë ngulmuar përpara gjykatës se i dënuari mund të shpëtonte vetëm nëse lirohej dhe mjekohej periodikisht kur të ishte i lirë. Nga vlerësimi i sjelljes, nga burgu i Rrogozhinës, vërehet se i dënuari ka qëndrim dhe sjellje mjaft të mirë dhe të qetë , është i komunikueshëm dhe i punësuar në burg. Gjithashtu edhe nga vlerësimi i burgut Burrel shihet se nuk ka shënime për probleme shëndetësore. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se A.A, nuk ndodhet në qendrën e banimit, pasi është larguar jashtë shtetit.
DOSJA NR. 4.
A. GJ- i datëlindjes 1971, lindur në Elbasan, i dënuar në vitin 1998 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale të “vrasjes nga pakujdesia”, “vrasjes në kushtet e tronditjes së thellë psiqike” dhe “mbajtjes pa leje të armëve luftarake” me 8 vjet heqje lirie. Me vendimin nr.116 dt.09.12.2003 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr.163 dt. 24.11.2003 “… i dënuari vuan nga Depresioni Psikotik dhe Çrregullime Skizofreniforme.”
I mbetej për të vuajtur edhe 8 muaj nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr.Z.L dhe Dr.E.K
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Dhurata Balla
PROKURORI I ÇËSHTJES:-
PERFAQESUES TE BURGUT: -
AKTI I EKSPERTIMIT: Është kryer rreth 15 ditë jashtë afateve kohore limit të përcaktuara për këtë lloj akti. Edhe në këtë rast nuk përshkruhet mjekimi i nevojshëm i trajtimit të këtij rasti si dhe nuk arsyetohet në asnjë mënyrë përse kushtet e burgut e bëjnë të pamundur trajtimin mjekësor të të burgosurit.
Nga përmbajtja e aktit të ekspertimit vërehet se i dënuari paraqet një gjendje psikike shumë të rënduar dhe gjithashtu citohet kartela e tij klinike. Ai rezulton sipas tyre të jetë shtruar në vitin 1998 (rreth 4 muaj), 1999 ( 2 here) si dhe vitin 2001. Por pas hetimeve ka rezultuar se ai nuk është shtruar asnjëherë në Spital vetëm në maj të këtij viti. Veçoria e këtij akti-ekspertimi qëndron në faktin se ky akt është akti i tretë i ekspertimit që është kryer për të dënuarin në zbatim të vendimeve të dy Gjykatave të ndryshme. Të tre aktet e ekspertimit janë krejtësisht identikë, dhe kjo jo vetëm duke ju referuar përmbajtjes por janë identikë në çdo formë ( mënyra e shprehjes, frazat e përdorura,radhitja e tyre, etj..). Është i pabesueshëm fakti që dy gjykata të ndryshme i kanë përcaktuar ekspertëve të njëjtat detyra (dhe jo pak por 9 detyra për çdo akt).
Në të dy aktet e parë të ekspertimit ekspertët i janë përgjigjur me shkrim të nëntë detyrave të gjykatës, ndërsa në aktin e tretë kanë qenë më evaziv duke lënë pa përgjigje me shkrim pikërisht pyetjen që ka të bëjë me rrezikshmërinë e vazhdimit të burgimit për jetën e të dënuarit. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se: A. Gj, aktualisht është banor i lagjes “Partizani” në qytetin e Elbasanit. Më datë 08.01.2004 ka bërë ndërrimin e emrit, nga A në D, si dhe prej dy vjetësh rezulton se është larguar për në Itali.
DOSJA NR.5
SH- i datëlindjes 1972, lindur në Kukës e banues në Durrës, i dënuar për veprën penale të “Vrasjes me dashje të mbetur në tentativë” dhe “ Armëmbajtjes pa leje” me 10 vjet heqje lirie. Me vendimin nr.1014 dt.16.06.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr.88 dt. 06.06.2006 “… i dënuari vuan nga sëmundja e Depresionit të maskuar endogjen.” I mbetej për të vuajtur edhe 2 vjet e 8 muaj nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr.Sh.K dhe Dr.L.F
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Martin Deda
PROKURORI I ÇËSHTJES: R.K
PËRFAQËSUES TË BURGUT: Nuk ka
AKTI I EKSPERTIMIT: Përshkruan përciptas gjendjen e të dënuarit, ashtu si paraqitej në momentin e ekzaminimit prej ekspertëve ( nga përmbajtja e aktit kuptohet se ekzaminimi nga ekspertët është bërë vetëm një herë) , raporti del menjëherë në konkluzionin se “…Vazhdimi i vuajtjes së dënimit i rrezikon jetën të dënuarit..”.
Nga informacionet rezulton se i dënuari është shtruar në spital në dt.15.11.2005 nga burgu Vaqarr, me kartelë klinike nr.406, me diagnozë “Hemoroide interne et gastrit chronoc”. Pacienti del nga spitali në dt. 24.11.2005 . Sipas ekspertëve të dënuarit i janë krijuar shqetësimet mendore pasi nuk mori pjesë në varrimit e të atit. Nga vlerësimet e sjelljes së burgut të Vaqarrit rezulton se i dënuari ka sjellje shembullore, respekton shokët dhe rregulloren, merr pjesë në aktivitete sportivo-kulturore, luan futboll, volejboll, shah… etj. Nuk bëhet fjalë për probleme shëndetësore. Vërehet qartë në këtë rast kontradikta midis aktit të ekspertimit dhe sjelljes dhe gjendjes së të dënuarit në burg.
Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se: A. Sh, banues në qytetin e Durrësit, rezulton se ndodhet në qytetin e Durrësit, dhe merret me aktivitet privat.
DOSJA NR.6
K.K- i datëlindjes 1954, lindur e banues në Llakatund ,Vlorë, i dënuar në vitin 2003 nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Vlorë me vendimin nr. 120 dt. 11.06.2003 për veprën penale të “vrasjes me dashje mbetur në tentativë” me 6 vjet heqje lirie. Me vendimin nr.1009 dt.14.07.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr.106 dt. 30.06.2006 “… i dënuari vuan nga çrregullimi afektiv bipolar (maniako-depresiv).”I mbetej për të vuajtur edhe 3 vjet nga dënimi. EKSPERTËT-Dr.Z.L dhe Dr.E.K,
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Artur Gaxhi
PROKURORI I ÇËSHTJES:R.K-Është shprehur për pranimin e kërkesës.
PËRFAQËSUES TË BURGUT:H.C -Është shprehur për pranimin e kërkesës.
AKTI I EKSPERTIMIT: Është 12 ditë jashtë afateve ligjore. Akti i ekspertimit, përmban 2 (dy) faqe, paraqitet si një akt me mangësi të theksuara. I dënuari nuk rezulton të jetë shtruar më parë pranë këtij institucioni përveçse për ekzaminimin psikiatrik-ligjor. Edhe në këtë rast për të dënuarin, pranë I.M.L, gjenden dy akte ekspertimi. Akti i parë i ekspertimit është urdhëruar me vendimin datë 21.10.2005 të gjyqtarit A.K të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe është kryer prej ekspertëve në datë 02.12.2005. Ky akt ekspertimi , gjendet i paplotë në arkivin e I.M.L, në kuptimin që mungojnë emrat edhe firmat e ekspertëve që e kanë hartuar atë. Akti merr për bazë ekzaminimin e të dënuarit , i cili është kryer në kushtet e shtrimit të tij pranë Qendrës Spitalore të Burgjeve. Gjykata urdhëron përgatitjen e një akti të dytë ekspertimi, akt i cili është pikërisht akti me objekt i kontrollit tonë. Në lidhje me këtë akt –ekspertimi nuk rezulton nga kartela përkatëse e të dënuarit pranë QSB që të jetë ekzaminuar nga ekspertët.
Nga vlerësimi i sjelljes së të dënuarit në burgun e Rrogozhinës rezulton se i dënuari ka sjellje të mirë dhe është tip i qetë. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se:K.K, i vitlindjes 1954, lindur dhe banues në fshatin Mekat Vlorë, rezulton se ka disa ditë që është kthyer nga Greqia dhe aktualisht ndodhet në banesën e tij.
DOSJA NR. 7
A.A - i datëlindjes 1975, lindur e banues në Shijak, i dënuar me vendimin Nr. 327 dt.11.10.2002 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale të “Marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur të moshës 14-18 vjeç ” dhe “Rrëmbim personi në rrethana lehtësuese” me 11 vjet heqje lirie. Me vendimin nr.1439 dt.13.11.2006 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr.180 dt. 08.11.2006 “… i dënuari vuan nga sëmundja Çrregullim depresiv madhor kronik me tipare melankonike-me mendime dhe tentativa suicidale ”. I mbetej për të vuajtur edhe 7 vjet nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr.Sh.K dhe Dr.F.M
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Bledar Abdullai
PROKURORI I ÇËSHTJES: R.K
PËRFAQËSUES TË BURGUT: Nuk ka
AKTI I EKSPERTIMIT: Paraqitet si një akt i pabazuar shkencërisht. Pasi përshkruan përciptas gjendjen e të dënuarit, ashtu si paraqitej në momentin e ekzaminimit prej ekspertëve, dilet menjëherë në konkluzione për diagnozën si dhe bëhen rekomandimet përkatëse. Nga informacioni i kërkuar zyrtarisht nga ana jonë pranë Qendrës Spitalore të Burgjeve, rezulton se “I dënuari A. A është shtruar në spital në dt. 27.07.2006 nga burgu Vaqarr, me kartelë klinike nr.312, me diagnozë “Status post stenoze uretrale sinistra”.Pacienti del nga spitali në dt. 28.07.2006 .
Nuk gjenden informacione në lidhje me shtrimin e të dënuarit në spitalin e burgut me qëllim ekspertimin psikiatriko-ligjor të tij.Nga informacioni i Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve , rezulton se: I dënuari A. A është transferuar në dhjetor 2003 nga paraburgimi për në burgun e Rrogozhinës, në shkurt 2006 nga ky burg në burgun e Vaqarrit. Nga vlerësimi i sjelljes së burgut të Vaqarrit rezulton se i dënuari ka një sjellje korrekte, respekton personelin dhe bashkëvuajtësit, merr pjesë në aktivitetet kulturore dhe sportive. I punësuar dhe korrekt, frekuenton bibliotekën. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se: A.A, i vitlindjes 1975, lindur dhe banues në Shijak Durrës, rezulton se ndodhet në banesën e tij në Shijak dhe gëzon shëndet të mirë.
DOSJA NR. 8
S.P i datëlindjes 1975, lindur e banues në Katund i Ri, Elbasan, i dënuar me vendimin Nr. 261 dt. 26.12.1996 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale të “Vrasjes me paramendim”, me 20 vjet heqje lirie. Me vendimin Nr. 6/69 dt. 21.02.2007 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Krujë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 11 dt. 08.01.2007 “… i dënuari vuan nga tumor malinj i kockës së kofshës së majtë me një ecuri jo të mirë”. I mbetej për të vuajtur edhe 9 vjet nga dënimi. EKSPERTET- Dr.G.Y, Dr.A.Xh dhe Dr.B.C,
GJYQTARI I ÇËHSTJES: Dhurata Balla
PROKURORI I ÇËSHTJES: S. D- Ka kërkuar rrëzimin e kërkesës.
PËRFAQËSUESI I BURGUT: Nuk ka
AKTI I EKSPERTIMIT: Raporti i eksperteve del ne konkluzionin se “Sëmundja nga e cila vuan i dënuari mund të kurohet edhe në kushtet e spitalit të burgut Tiranë. Rreziku i jetës nga kjo sëmundje , që do të ishte i njëjtë si gjatë qëndrimit në institucion dhe jashtë tij, në mungesë të shfaqjes së metastazave nuk është afirmuar ende….” Në datë 12.02.2007 gjyqtarja Dh. B urdhëron ekspertët të përgatisin një shtesë të aktit të ekspertimit në të cilin ti përgjigjen pyetjes nëse sëmundja nga e cila vuan i dënuari është e shërueshme apo jo. Gjithashtu ekspertët duhet të ekzaminonin edhe një provë mjekësore shtesë të paraqitur nga avokati i të dënuarit, Shintigrafinë kockore MDP-Tc 99m-.Ekspertët përgatisin si shtesë të aktit të ekspertimit mjeko-ligjor në të cilën shprehen se “Sëmundja nga e cila vuan i dënuari është sëmundje e pashërueshme. Nga informacioni i Drejtorisë së Burgjeve thuhet se i dënuari kishte sjellë të mirë dhe korrekte me të dënuarit e tjerë. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se: S.P është banor i fshatit Katund i Ri në rrethin e Elbasanit.
DOSJA NR. 9
P. M (P.K)-i datëlindjes 1961, lindur në Slavicë Kukës,i dënuar me vendimin Nr. 8 dt. 14.02.2001 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, për veprën penale të “Shitjes së lëndëve narkotike dhe armëmbajtjes pa leje” , me 20 vjet heqje lirie (njohje e vendimit të huaj). Me vendimin Nr. 79 dt. 23.05.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 42 dt. 27.02.2003 “… i dënuari vuan prej më se 10 vjetësh nga diabeti i sheqerit i varur prej insulinës, persisetent.” I mbetej për të vuajtur edhe 12 vjet nga dënimi.
EKSPERTËT- Dr.G.Y, Dr. A. L dhe Dr.F.H
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Sokol Tona
PROKURORI I ÇËSHTJES: G.Q- Ka kërkuar rrëzimin e kërkesës.
PËRFAQËSUES TË BURGUT: S.O.-Lidhur me kërkesën për lirim është shprehur se e lë në çmin të gjykatës.
AKTI I EKSPERTIMIT: Raporti i eksperteve del ne konkluzionin se “I dënuari vuan prej me se 10 vjetësh nga diabeti i sheqerit, i varur prej insulinës, persistent….. Për sëmundjen nga i cili vuan i dënuari, si edhe ndërlikimet që ka shfaqur, qëndrimi në kushtet e burgut mund të rrezikojë seriozisht jetën e tij.”
Akti i ekspertimit, megjithëse mjaft i plotë dhe i shoqëruar me një dokumentacion të bollshëm, nuk i jep përgjigje pyetjes së përse pacienti nuk mund të vazhdonte të mjekohej në kushtet e Q.S.B duke konsideruar faktin që pacienti vuan prej 10 vjetësh nga kjo sëmundje dhe për këtë shkak ka vazhduar të marrë trajtim mjekësor edhe gjatë viteve në të cilat pacienti ka qëndruar në burg. Nga vlerësimi i sjelljes së burgut të Vaqarit rezulton se i dënuari është i rregullt, i komunikueshëm dhe i ekuilibruar në sjellje. Luan futboll, volejboll etj.. Nuk raportohen probleme shëndetësore. Nga informacioni i mësipërm vërehet qartë kontradikta midis aktit të ekspertimit dhe gjendjes së raportuar të të dënuarit në burg, ku i përkushtohej intensivisht aktiviteteve sportive. Nga verifikimet rezulton se Shtetasi P.M në datë 09.06.2006, është arrestuar në flagrancë për prodhim dhe shitje lëndësh narkotike në bashkëpunim. Në datën 30.05.2007, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, me vendimin nr. 688, ka vendosur dënimin me 9 vjet e 6 muaj heqje lirie të këtij shtetasi në bazë të nenit 283/2 të Kodit Penal.
DOSJA NR. 10
E.R- i datëlindjes 1974, i dënuar me vendimin Nr29 dt. 06.02.2001 të Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprën penale të “Trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim”, me 10 vjet heqje lirie. Me vendimin Nr. 1142 dt. 19.12.2003 të Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 163 dt. 04.12.2003 “… i dënuari vuan nga sëmundja e diabetit sheqeror, tipi i rëndë, i ndërlikuar me dëmtim të nervave dhe të syve …”I mbetej për të vuajtur edhe 7 vjet nga dënimi. EKSPERTËT- Dr.A.V, Dr.A.L dhe Dr.F.H
GJYQTARI I ÇËSHTJES: Altin Abdiu
PROKURORI I ÇËSHTJES: R.K.- Ka kërkuar rrëzimin e kërkesës.
PËRFAQËSUES TË BURGUT: B. P
AKTI I EKSPERTIMIT: Raporti i ekspertëve del në konkluzionin së “I dënuari vuan nga sëmundja e diabetit sheqeror , tipi i rëndë, i ndërlikuar me dëmtim të nervave…Përsa më sipër , vazhdimi i vuajtjes së dënimit në burg , rrezikon seriozisht jetën e tij.”
Ekspertet, në aktin e hartuar prej tyre, nuk rekomandojne asnjë trajtim mjekësor të veçante për të dënuarin, i papajtueshëm ky me kushtet e vuajtjes se denimit ne Institut.
Bashkëlidhur raportit, ne arkivin e I.M.L, nuk u gjet dokumentacion shoqërues (si kopje e kartelës klinike të të dënuarit, etj..) përveç disa shënimeve në formë procesverbali të mbajtura nga ekspertë gjate ekzaminimit të të dënuarit, si edhe vendimi i gjykatës për kryerjen e ekspertimit mjeko-ligjor.
Nga informacioni i kërkuar zyrtarisht nga ana jonë pranë Qendrës Spitalore të Burgjeve, rezulton se “I dënuari E. R është shtruar në spital nga komisariati Fier, me kartelë klinike nr. 60, me diagnozë “Diabet mellitus, Polineuropathia diabetike”.
DOSJA NR. 11
S.T - i datëlindjes 1972, lindur dhe banues ne Durrës, i dënuar me vendimin Nr. 5 dt. 13.01.2000 të Gjykatës se Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të “Transportimit të lëndëve narkotike” , me 12 vjet heqje lirie. Me vendimin Nr.266 dt. 13.10.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 120 dt. 21.09.2005 “… i dënuari vuan nga astma bronkiale, me kriza të shpeshta , e ndërlikuar me bronkit kronik”.I mbetej për të vuajtur edhe 6 ½ vite nga dënimi. EKSPERTET- Dr. A.V, Dr. A.Xh dhe Dr.F.H
GJYQTARI I ÇESHTJES: Osman Aliu
PROKURORI I CESHTJES: S.T- Ka kërkuar pranimin e kërkesës.
PERFAQESUES TE BURGUT: Nuk ka.
AKTI I EKSPERTIMIT: Raporti i eksperteve del ne konkluzionin se “I dënuari vuan nga astma bronkiale me kriza të shpeshta, ndërlikuar me bronkit kronik… I dënuari është mjekuar prej gati tridhjetë vjetësh por dihet qe mjekimi i astmës bronkiale nuk është shërues por vetëm simptomatik…Qëndrimi i mëtejshëm ne kushtet e burgimit mund të rrezikojë jetën e tij.”I dënuari rezulton se nuk është shtruar më parë pranë QSB përveçse për ekzaminimin mjeko-ligjor. Vërehet se ka pasur një sjellje të mirë, gjendje shëndetësore përgjithësisht të mirë dhe pjesëmarrje ne aktivitete sportive (kryesisht futboll).Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se: S.T, është banor në Shijak dhe aktualisht ndodhet në këtë qendër banimi.
DOSJA NR. 12
N.SH- i datëlindjes 1958, lindur dhe banues ne Shijak, i dënuar me vendimin Nr. 143 dt. 25.04.2002 të Gjykatës se Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale te “Prodhim dhe shitje te lendeve narkotike” , me 5 vjet heqje lirie. Me vendimin Nr. 382 dt. 07.12.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 158 dt. 05.12.2005 “… i dënuari vuan nga diabeti i sheqerit në fazën e tij të avancuar (insulinovartes)..”.I mbetej për të vuajtur edhe 3 vjet nga dënimi, EKSPERTET- Dr. A.V, Dr. A.Xh dhe Dr. A.Ll
GJYQTARI I ÇESHTJES: Luan Lusha
PROKURORI I ÇESHTJES: M. M.- Ka kërkuar pranimin e kërkesës.
PERFAQESUES TE BURGUT: Nuk ka.
AKTI I EKSPERTIMIT: Raporti i eksperteve del në konkluzionin se “I dënuari vuan nga diabeti i sheqerit në fazën e tij të avancuar (insulinovartes)…Mosrespektimi me rigorozitet i rekomandimeve ( në lidhje me trajtimin mjekësor të mëtejshëm) të mësipërme mund të rrezikojë jetën e tij.”
Akti i ekspertimit, megjithëse mjaft i plotë dhe i shoqëruar me një dokumentacion të bollshëm, nuk i jep përgjigje të qartë pyetjes se përse pacienti nuk mund të vazhdojë të kurohet pranë Qendres Spitalore te Burgjeve. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se: N.Sh, nuk ndodhet në qendrën e banimit , pasi është larguar jashtë shtetit.
DOSJA NR. 13
B.B-i datëlindjes 1971, lindur dhe banues në Shijak, i dënuar me vendimin Nr. 199 dt. 15.06.2004 të Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale të “Prodhim dhe shitje të lendeve narkotike” , me 5 vjet e 4 muaj heqje lirie. Me vendimin Nr. 260 dt. 20.07.2005 të Gjykatës së Shkallës së Parë Kavajë është vendosur lirimi i tij pasi në bazë të aktit të ekspertimit nr. 89 dt. 14.07.2005 “… i dënuari vuan nga stenoze mitrale (ngushtimi i valvulës së majtë të zemrës) me ndërlikime…”.I mbetej për të vuajtur edhe 4 vjet nga dënimi.
EKSPERTET- Dr. A.V, Dr. G.Y dhe Dr. F.H,
GJYQTARI I ÇESHTJES: Luan Lusha
PROKURORI I ÇESHTJES: S.T. - Ka kërkuar pranimin e kërkesës.
PERFAQESUES Të BURGUT: Nuk ka.
AKTI I EKSPERTIMIT: Akti i ekspertimit, megjithëse mjaft i plotë në përshkrimin e sëmundjes dhe te gjendjes aktuale te te dënuarit, nuk i jep përgjigje pyetjes se përse pacienti nuk mund të vazhdojë te kurohet pranë Qendrës Spitalore të Burgjeve.
Pranë spitalit të burgut nuk mund të rezultonte asnjë kartelë klinike në emër të B. B, i cili nuk ka qenë i shtruar pranë këtij institucioni. Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, rezulton se:-B.B, nuk ndodhet në qendrën e banimit pasi është larguar jashtë shtetit dhe gjithashtu merret me aktivitet privat.
DOSJA NR. 14
B.XH- i datëlindjes 1959, lindur e banues ne Mustafe, Dibër, i dënuar me vendimin nr. 23 date. 03.03.1995 te Gjykatës se Shkalles se Pare Dibër, për veprën penale te “Grabitjes se pasurisë se tjetrit ne bashkëpunim” me 12 vjet heqje lirie. Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhe me vendimin nr. 449 dt.26.12.2006 ka vendosur lirimin e te burgosurit pasi ne baze te aktit te ekspertimit nr.391 te dt. 15.12.2006 “ I dënuari vuan nga sëmundja psikike çrregullime depresive me mendime pesimiste dhe ide suicidale(vetëvrasëse)”. I mbetej për të vuajtur edhe 7 vjet e 8 muaj nga dënimi.
EKSPERTET- Dr.Sh.K, Dr.L.F
GJYQTARI I ÇESHTJES: Parashqevi Ademi
PROKURORI I ÇESHTJES: Xh.B- Është shprehur për pranimin e kërkesës.
PERFAQESUES TE BURGUT: Nuk ka.
AKTI I EKSPERTIMIT: Pasi përshkruan gjendjen e te dënuarit , ashtu si paraqitej ne momentin e ekzaminimit prej eksperteve , raporti del menjëherë ne konkluzionin se “…ne kushtet e burgut jeta e tij rrezikohet per shkak te mendimeve dhe tendencave suicidale (vetëvrasëse)..”. Nuk rezulton gjithashtu qe i dënuari te jete shtruar për mjekim pranë Q.S.Burgjeve.
Ne pjesën përshkruese te raportit gjenden fraza tip … “ Nuk sheh asgjë optimiste lidhur me te ardhmen…Referon se është i ftohur dhe zemra i është bere akull… mbrëmë ne dhome ka thyer një manjetofon dhe as qe e mban mend një gjë te tille….Nuk harron te shprehet se sipas tij eshte e vështirë te zgjasë shume ne kushtet ne te cilat ndodhet….
Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, përcjellë me shkresën nr.1526/12 dt.06.06.2007 rezulton se:
-B. Xh, i vitlindjes 1959, lindur dhe banues në fshatin Mustafë të rrethit Dibër, aktualisht ndodhet në vendbanimin e tij fshati Mustafë.
DOSJA NR. 15
A.L - i dënuar me vendimin nr.17 date 23.01.2007 te Gjykatës se Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale te “Mbajtjes me qellim shpërndarjen te lendeve narkotike ne bashkëpunim” me 5 vjet heqje lirie (njohje vendimi te huaj).Gjykata e Rrethit Gjyqësor Lezhe me vendimin e nr.145 dt. 02.04.2007 ka vendosur lirimin e te burgosurit pasi ne baze te aktit te ekspertimit nr.21 te dt. 30.03.2007 “ I dënuari vuan nga sëmundja psikike çrregullime afektive depresive me mendime pesimiste dhe ide suicidale(vetëvrasëse)”.I mbetej për të vuajtur edhe 5 vjet nga dënimi.
EKSPERTET- Dr.Sh.K, Dr. L.F,
PROKURORI I ÇESHTJES: E.K- Është shprehur për pranimin e kërkesës.
GJYQTARI I ÇESHTJES: Parashqevi Ademi
AKTI I EKSPERTIMIT: Pasi përshkruan gjendjen e te dënuarit , ashtu si paraqitej ne momentin e ekzaminimit prej eksperteve ,del menjehere ne konkluzionin se “…ne kushtet e burgut jeta e tij rrezikohet per shkak te mendimeve dhe tendencave suicidale (vetëvrasëse)..” . Vërehet se edhe ne kete rast , ne pjesën përshkruese te aktit janë përdorur te njëjtat fraza shabllon te përdorura edhe ne shume akte te tjera ekspertimi te kryera nga po kjo dyshe ekspertesh, si psh. B.Xh, etj..
Nga informacioni i Ministrisë së Brendshme, përcjellë me shkresën nr.1526/12 dt.06.06.2007, si dhe me shkresën nr. 2/392/4 prot, datë 13.06.2007, rezulton se:
-A. L, i vitlindjes 1967, lindur e banues në Durrës, rezulton se ndodhet në këtë qendër banimi dhe merret me aktivitet privat në fushën e ndërtimeve


30 Shtator 2007 @ 2:12 pm
Shkrim si njoftim per tender :
Jane dhjete vende per gjyqtare.
Jane te ftuar te konkurojne te gjithe perfshire gjyqtaret e siperpermendur.
Tenderi eshte i hapur. Perdorni mencurine dhe kuleten !
Triskat e partive nuk pine uje, perparesi ka kuleta.
Man Kukaleshet jane aty. Fatlum do te jete ai qe gjen ndonje emer te palakum !
Ju faleminderit !
P.S. Prokuroret per momentin nuk ka rrezik, sidomos per ata qe kane aprovuar kerkesen dhe per ta do te kete nje njoftim te dyte simbas direktivave qe do te dalin nga PP.
30 Shtator 2007 @ 3:40 pm
Mua me duket si dicka e mire hetimi i ketyre 10 gjyqtareve. Sic duket BE po ia shtrengon lakun ne fyt administrates Berisha.