Login



Register

Si vdiq një vit

Në të ftohtin e acartë të këtij dimri të egër, një fëmijë i vogël shtrëngonte në dorë një tufë lulesh që po ngrinin akull.  Lotët e tij dilnin pa e ditur se nuk e kthenin dot babanë as nga 1600 metrat thellësi, as nga përcjellja që po i bënin për aty ku i ftohti do t’i priste shpresën brisk.  Minatori i shtatë në Bulqizë për këtë vit ishte kurbani i skamjes, brava ku futet çelësi kopil i nënshtrimit, vrima nga duket përtej derës skena e lakuriqtë e vizitave politike, dhimbja e trazuar, e pa-lënë për të dhembur deri në fund. Bulqiza përcjell duke e ndierë që nuk është kjo hera e fundit.  Dimri ngrin të drejtën e tyre për të shpresuar, politika flirton pa turp me muzikën funebër mbi trutë e këtyre të harruarve, dhe kushtet teknike flenë në sirtarët që mbyllen njëlloj si masivet e mineraleve që nuk ngopen me jetë. . . . . . në Tiranë duhet të ndjehet fund-viti.

Zvarritet dyqaneve të lodhur, të zbehtë, bosh, me kamaren hapur në kërkim të shkëmbimeve paradoksale.  Prag-festa është fshehur aty, mbytur nga zhurma shurdhuese e gjeneratorëve, e vetmja shenjë enegjie (jo elektrike) që kërcet rrugëve të pista, të vrazhda, pa kthim.  Bulevardit i varen sipër ca drita të kuqe të përdala, të përsëritshme, të padukshme, të paqëna për t’u vendosur aty.  Semaforët mund të ishin dekorimi i vetëm me R-L, por Genc Ruli ka thënë se u mësuam pak si keq me energjinë.  Mungesa e saj na duket “tabu”, pas luksit që zbriti nga Gjirokastra!

Në ekran një përmbledhje vjetore sjell sërish Janarin, Shkurtin, Nanon, Berishën dhe shtrëngimin e duarve të tyre.  Të “kriminelit” me të “vrasësit”, të “atij që nuk mund t’i mohohen meritat”, me të atij që “është figurë e padiskutueshme e kombit”.  Ai që mban aktualisht post zyrtar kujtohet të paktën të përmendë se “për fushatë thuhen edhe gjëra që nuk duhen vënë re”.  Por kjo është përmbledhje.  Dy vajza pothuajse siç i ka bërë nëna natyrë, duartrokasin për akuzat dhe dorë-shtrëngimet e tyre.  Tre fëmijë struken pas derës së carë dhe tavanit që pikon borë në Bulqizë. Një zë gazmor shpall dashurinë që të sotmen ditë priti deri sa mbiu; epidemisë së gripit i qepen shtirjet për të mos u parë; deklaratat zyrtare dhe personale vazhdojnë të valojnë egër mes sarkazmash pa kripë; një pasagjer ngërtheshet në gjumin e tij të pafaj në orët e vona, teksa autobusi e çon tek vizitat në spital që nuk lejohen më.  Mandarinat sot kushtojnë 50% më shumë se dje.  Bode duket shumë bindës në pretendimin e tij se që nga Janari i ardhshëm, biznesi i vogël do të paguajë më pak taksa nën skemën e re.  Përkrah tij është ulur energjia, energjetika, ekonomia, përgjegjësia, mungesa e saj.  “Për festa furnizim pa ndërprerje”!!! Kanë ngelur më dekorata në presidencë? Topi s’ka filluar ende ritin e shpërndarjes së tyre.

Në Tiranë bën ftohtë.  Është errët.  Është shtrenjtë.  Festivali u akuzua për konspiraci.  Mëritë dhe intrigat nuk u fashitën dot as pas shqipes italiane apo tolerancës frënge në njohje kufijsh.  Dy vajza kosovare nuk shkokan dot të përfaqësojnë Shqipërinë në Serbi.  Më shumë se kaq, vështrimi i tyre ishte frikshëm identifikues me ruset T. A. T. U. dhe ushqente teori të pa-duartrokitshme orientimi. Një diskutim mes miqsh ka përfunduar në sulme personale.  Tema shkelet prej valles së rëndë shqiptare të hakmarrjes, shfryrjes apo injorimit.  Pa asnjë gabim në përsëritjen e saj të pandërprerë.

Një tjetër tragjedi.  Natë e ftohtë në Tiranë.  Një furnelë elektrike nuk ngroh vetëm dhomën, por kur terri i acartë është mbret, rrëmben me vete frymët që gjen përpara.  Një grua 30 vjeçare dhe tre vajzat e saj nuk e panë dot premtimin e Rulit për më shumë energji dhe ngrohje për festa.  Festa e tyre mori fund. Stinë koncertore në Tiranë.  Jo tingujsh, por vajrash, ngashërimesh të futura në zgavrat e syve të rënë, të pacipë, të pajetë.  Një grup miqsh gris mjerimin e maskuar të këtij qyqani kryevend.  Rama me spatë në dorë, pret pemët që s’duhen; pastaj viziton varfërinë shqiptare në cdo cep.  Gju më gju me popullin.  Në Bulqizë delegoi Rucin.  Artistët nuk kanë shkojnë me vdekjen.  Brace duket se e ka kuptuar se mos-kafshimi i tij ka rënë në sy.  LRI-ja pasqyron me “zoom out” vizitat e politikave të reja.  Veliaj heq velin tek shpall një platformë në formëzim e sipër.  Ngjela kërkon që 500 firma të shohin me sytë e tij. Në rrugën “Komuna e Parisit” zjarri mori katër jetë, dogji një shtëpi, nxiu një pallat.  Drita dhe ngrohja vazhdojnë të kenë frikë prej furisë.  Një shtesë pallati në bllok bllokoi zjarrfikëset të shuanin zjarrin e rënë mbi Budën në bar.  Meditimi paqë-kërkues u përqendrua në gjeneratorët masivë buzë rruge dhe tek pritja e ankthshme e shpërthimit që u lodh e nuk ndodhi. Berisha fle me NATO-n.  Topi dha goxha shpërblime emërimesh për vitin që po ikën vjedhurazi nga këtu, edhe pse ishte i pari vit në pallatin që ka drita.

Kurse në Bulqizë vazhdon të mos ketë.  I dëshpëruari Santa nuk duket se do të ketë rrugë këtej pari për këtë fund-vit.  Një kamera amatore filmon varrosjen e 2007-ës në Bulqizë!

nga t_red

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

16 Komente

  1. Parrulla Armiqesore Shkruaji mesazh privat thotë:

    23 December 2007 @ 10:12 pm

    Sikur te ishte raporti vjetror i Mjafit ky…

    Bulqiza eshte shume e vogel ta kete degjuar Santa .. provo Babagjyshin e Vitit te Ri .

  2. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    23 December 2007 @ 10:22 pm

    Sure Parrulle. Dhe do t’i kisha hyre padrejtesisht ne pjese plakut me te kuqe.

  3. Selfmaderadio thotë:

    23 December 2007 @ 10:33 pm

    T_red,

    i dhimbshem realiteti. Migjenian. Si gjithmone, shkruar me dell. Keep on!

    Gezuar festat!

  4. losttext Shkruaji mesazh privat thotë:

    23 December 2007 @ 11:18 pm

    “Një kamera amatore filmon varrosjen e 2007-ës në Bulqizë!”

    Toni i kesaj shprehjeje te fundit, t_red, me la pershtypjen e atij deshmitarit te pafuqi, qe regjistron ate c`ka ndodh pothuaj hutueshem, i mpire qekuri prej dhimbjes… dhe pastaj u identifikova me te.

  5. artian thotë:

    23 December 2007 @ 11:48 pm


    Në Tiranë bën ftohtë. Është errët. Është shtrenjtë

    Mendo sa paradoks i madh eshte kur kerkojme te hyjme ne Europ ..Kryeqytet me zhurme gjeneratoresh ,sikur nje i semure qe eshte ne prakun e vdekjes dhe mbahet me oksigjen

  6. ados thotë:

    23 December 2007 @ 11:59 pm

    You mother f***er( friendly) just made upside down my stomach..lexon te tilla,dhe nuk di c’te besh me pare, te qash apo ti biesh murit me koke!!

  7. Leon thotë:

    24 December 2007 @ 12:06 am

    t_red,
    Nuk ka fatkeqesi pa dhimbje.. Nuk ka trishtim pa zemerim..
    Shkrimi jot i nderthur bukur tragjiken e Bulqizes me komiken e Tiranes..
    Nuk e di se c’moshe ke, por nuk ka ngele asnje shenje optimizmi tek ty?
    Viti i ri paraqitet gjithmone si nje femije i vogel ne mendjen e njerezve..
    A nuk duhet pakes optimizem per “femijen” e ri?

  8. belle_fleur Shkruaji mesazh privat thotë:

    24 December 2007 @ 1:13 am

    Realitet qe vret! Te dhemb ne shpirt kur lexon qe ne kete prag festash shqiptaret ndjehen tamam si peshku pa uje! Fatkeqesi!

  9. minator thotë:

    24 December 2007 @ 1:46 am

    t-red: Super. Sidomos ajo pjesa me veshtrimin e kengetareve kosovare ishte llahtar fare. Ishte si te thuash kulmi emocional ku varferia materiale arrin edhe caqe te shemtuara etike. Nuk ke c’ti shtosh; puna e mire mjaftohet me veten, te carmatos.

  10. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    24 December 2007 @ 10:52 am

    Me vjen mire qe depertoi ai ton, lost. Identifikimi per te cilin ti flet m’u perplas fare pa meshire ne fytyre teksa shihja vertet ate kamera qe perjetesonte dhimbjen e ngrire. Deshmitarë te pertejmë mbetëm, se eshte kafshate qe s’kaperdihet nga gjithkush.
    Leon, te mos me kishte ngelur më optimizem, sot do te shkruaja vetem per politike, shoqata dhe parti. Jashte shkrimeve eshte e veshtire te me shuhet buzeqeshja prej fytyres qe edhe per pak kohe, do te mbaje 2-sh perpara ne moshe.
    Minator, me trembe me vezhgimin tend. Ate pasazh e shkrova si friken time te pacipe, pa qene e sigurte nese do te vihej re. :) S’paskam qene e vetme ne skepticizmin T.A.T.U!

  11. Koth thotë:

    24 December 2007 @ 12:34 pm

    O sa shume e zymte je t_red !

    E kam fjalen qe po te ishte piktore nuk do beje asnjehere pejsazh optimist! :)

    E kam fjalen qe shkrimi si gjithmone eshte shume realist, dhe duket sikur inspitohesh nga e njejta filozofi si ajo e Migjenit shpesh, por e dashur provo te gjesh edhe ndonje gje te bukur nga e perditeshmja jone poshter .

    Duket sikur jemi mbledhur ketu nje tufe pesimishtesh dhe nuk na pelqen fare jeta fare. ( nuk a e vertete mer jo ;) )

  12. Annisel thotë:

    24 December 2007 @ 12:55 pm

    t_red, shume shkrim i bukur per shijen time, por realiteti shqiptar eshte i hidhur dhe monotonia te mbyt.

  13. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    24 December 2007 @ 2:35 pm

    KOTH, përse i thua TRed-it që të shkruajë diçka optimiste???
    Edhe ti ke një të shkruar që ‘ta heq petllën’… asgjë s’të mungon që të harxhosh 15′ për një shkrim që të na ngrohë zemrën :) .

  14. t_red Shkruaji mesazh privat thotë:

    24 December 2007 @ 2:49 pm

    U tha, u be koth. Heren tjeter do te flas patjeter per buzeqeshjen e panderprere qe me sjell nipi im, per belbezimet e tij dygjuheshe dhe asnjehere te sakta ne asnjeren, per shijen e pazevendesueshme te ekspresit qe nuk ta le diten rehat nese nuk behet pjese e jotja qe ne mengjes, per shkelqimin e forte qe ra mbi Dajt te nesermen e debores se pare ne Tirane, per konfiguracionin lodërtar te reve te asaj dite teksa benin gare territoriale me blune, per buken e shijshme, te fresket dhe te shendetshme qe gjen tek cdo bukepjekes, per atmosferen e ngrohte familjare qe nuk trazohet hic nga ajo qe mbyll pas deres, per momentet e paperseritshme me miqte qe nuk pyesin per barriera etike, por dine te njohin kufirin e tyre; per embelsine e te kenduarit shqip ne nje karaoke, feste familjare, dasem, ditelindje apo c’faredo rasti qe ka mbledhur rreth vetes njerez plot jete, dashuri dhe embelsi ne fytyre.
    Thnx for reminding me, koth. Vëth ne vesh e kam tani! :)

  15. Blendi Shkruaji mesazh privat thotë:

    24 December 2007 @ 2:58 pm

    Nuk mendoj se eshte fare ceshtje optimizmi, as ceshtje erresimi. Autori shkruan per te percjelle revolten tek lexuesi, ka nje qellim. Ashtu sikunder kishin nje qellim “Vargjet e Lira” apo “Kanget e Mjerimit”…E ne vetevete ky qellim eshte katerciperisht optimist…dhe ben te duken pesimizma kerkesat per pudrosjen e shkrimeve me sheqer pluhur.

    Them keshtu se nga shkrimet marr pershtypjen e forte qe t-red eshte person pozitiv. E pse ky evidenton mjeruesen tek ne si shoqeri nuk po pohon se e mira, e bukura, njerezorja nuk egizistojne. S’me duket. As Migjeni nuk i nakatosi ndonjehere bashke vargjet nga “Poema e Mjerimit” me ato nga “Ekstaze pranverore”.

  16. Pjer Thomas thotë:

    24 December 2007 @ 9:27 pm

    Shkrimi apo pershkrimi i Bulqizes aty ishte bere me nota trishtuese, ndoshta e vetja e vertete e hidhur ne ate qytet.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.