Login



Register

Si u fut Delijorgji në paketimin e fishekëve të AEY

Afrim Imaj
Gazeta Panorama
11/05/2008

Hetimet për aferën MEICO-SAC, në trafikun e municioneve, zbulojnë misterin e pezullimit të Trebickës nga kontrata me Diverolin, për ripaketimin e fishekëve që eksportoheshin në Afganistan.

Ekspertët e organit të akuzës kanë siguruar më në fund, provat e para për qëllimin e përjashtimit të biznesmenit nga procesi i paketimit të municioneve, sipas kontratës me AEY, dhe zëvendësimin e tij me nënkontraktorin e SAC, Delijorgjin. Kjo manovër, sipas tyre, nuk kishte lidhje me përfitimet nga riambalazhimi i municioneve, që bëheshin në depot e bazës së Rinasit. Futja e Delijorgjit, forcërisht në proces, kishte për qëllim fshehjen e transaksioneve abuzive dhe trafikut të fishekëve të destinuar për demontim, të cilët rishiteshin tek AEY-ja për t’u eksportuar si municion luftarak për ushtrinë afgane. Sipas ekspertëve, prania e një kompanie tjetër, si ajo e Trebickës në këtë marrëveshje, linte të ekspozuar rrezikun për zbulimin e skemës dhe aferave, me procedurat e eksportit të municioneve luftarake. Mirëbesimi MEICO-SAC, ngjizur në manovra korruptive, do të bëhej një lloj aliazhi për të prodhuar zgjidhjen e procesit delikat të ripaketimit, për të cilin ishte kontraktuar biznesmeni Trebicka. I dëmtuari në këtë rast, pasi provoi pa rezultat tentativat për t’u rikthyer te fitimi i llogaritur nga kontrata me AEY, filloi të operojë me mjetet e detektivit, duke bërë presion për të konturuar mënyrën e abuzimit dhe pistën e trafikut me municionet e destinuara për t’u demontuar. Pavarësisht se Trebicka nuk e pohoi asnjëherë identitetin e zëvendësuesit të tij në procesin e ambalazhimit të fishekëve, me prononcimet publike dhe dëshmitë në prokurori ka synuar të bëjë një lloj orientimi për atë që kishte ndodhur në fakt, pas eliminimit të tij dhe qëllimin mafioz që fshihej pas këtij veprimi. Gazeta “Panorama” ka mundur të zbulojë emrin e operatorit misterioz që u fut në procesin e paketimit, por edhe skemën e aferës me praninë e tij në kontratën me Devirolin.

Fantazma EVD
Marrëdhëniet MEICO-AEY do të kishin shkuar “kreshendo”, po të mos ishte shfaqur në raportet mes tyre një operator i tretë. I servirur nga MEICO, EVD një kompani e panjohur më parë, do të kushtëzonte tërë transaksionet e kontratës së AEY-së për blerjen e fishekëve nga Shqipëria. Ekspertët e Krimit Ekonomik, që kanë hetuar këto ditë në Ministrinë e Mbrojtjes, kanë ngritur më në fund skemën e aferës të realizuar nëpërmjet kontraktonit të tretë, EVD që flitej se ishte me rezidencë në Qipro. Sipas tyre, EVD është shfaqur që ditën e parë, kur zyrtarët e AEY janë paraqitur te MEICO për të lidhur kontratën e blerjes së 100 milionë fishekëve për ushtrinë e Afganistanit. Që në kontaktin e parë, MEICO i ka kushtëzuar AEY-së tërheqjen e mallit nëpërmjet kompanisë EVD, e cila posedonte sipas saj, autorizimin zyrtar për eksportin e municioneve luftarake. Ndonëse kanë hezituar fillimisht, përfaqësuesit e Devirolit, janë detyruar të pranojnë ofertën dyshuese që nënkuptonte tërheqjen e fishekëve nëpërmjet EVD. AEY-ja dhe presidenti i saj Deviroli, do të njiheshin në vijim me çmimin që EVD kishte siguruar sasinë e fishekëve, i cili shkonte në 22 dollarë për 1000 copë. Pas miratimit në parim në zyrën e Pinarit, do të hidhej edhe hapi i parë i procesit. Deviroli i kushtëzuar në lojë do të bindej për t’i marrë fishekët me vlerën e 26 dollarëve. Ndërkaq loja nuk do të mbaronte këtu. MEICO, që dirigjonte procesin, do të shfaqte në marrëveshje një operator tjetër, Delijorgjin, i cili sipas saj, do të përgjigjej për ripaketimin e fishekëve para transportit të tyre për në destinacion, madje ky lloj shërbimi do t’i shtonte procesit një kosto tjetër të barasvlefshme me 14 dollarë për 1000 copë. Futja e të privilegjuarit të MEICO-s si nënkontraktor i marrëveshjes me AEY, do të mënjanonte biznesmenin Trebicka, të kontraktuar më parë nga Deviroli. Përfundimisht, Devirolit do t’i duhej të paguante shumën 40 dollarë për 1000 copë për sasinë e fishekëve të kontraktuar nga Pentagoni në interes të ushtrisë së Afganistanit. Gjithsesi, prania e Delijorgjit në proces, do të garantonte palët në marrëveshje më shumë se për ripaketimin e municioneve.

Dyshimi për trafik
Ekspertët e Prokurorisë së Përgjithshme, të cilët janë duke kaluar në sitë tërë dokumentacionin e marrëveshjes MEICO-AEY, kanë hedhur dyshimin për trafik me fishekët, që eksportoheshin në drejtim të Kabulit. Më herët, ka qenë mediat të cilat dhanë sinjalet e para për ndryshimin e destinacionit të municioneve të kontraktuar për t’u demontuar nga kompania SAC, të cilët më vonë përfundonin në Kabul. Burime nga organi i akuzës shprehen se, kanë siguruar provat e para për qëllimin e vërtetë të futjes në procesin e ripaketimit të fishekëve, të presidentit të kompanisë “Alba Demil”, i cili nuk ka bërë thjesht këtë proces të rëndomtë, por dyshohet se i ka imponuar Devirolit pjesë nga sasia e fishekëve të marra nga MEICO për demontim. Gjatë kontrollit në librin e llogarisë dhe atë të kontabilitetit financiar të ndërmarrjes, ata kanë konstatuar një sërë shkeljesh lidhur me afatin dhe saktësinë e shlyerjeve që Deviroli detyrohej sipas kontratës. Pavarësisht manovrave abuzive, ekspertët kanë vërejtur se ndërhyrja e Delijorgjit në procesin e eksportit të fishekëve, nuk ka kaluar pa lënë gjurmë në balancimin e veprimeve kontraktuese. Nga verifikimi që ata i kanë bërë mënyrës së shlyerjes që AEY bënte për MEICO gjatë kohës kur ishte në lojë Trebicka dhe asaj pas largimit të tij, kanë konstatuar një sërë mospërputhjesh. Sipas tyre, futja forcërisht në proces e nënkontraktorit misterioz ka ndryshuar edhe skemën e shlyerjeve financiare ndërmjet palëve. Kontrolli i mëtejshëm i faturave ka përforcuar dyshimin për trafik dhe ka siguruar provat e para për protagonistët e aferës. Sipas të njëjtit burim, Trebicka është detyruar ta lërë kontratën në mes, pas një manovre të MEICO-s me Delijorgjin, i cili dyshohet se i ka rishitur AEY-së fishekët që kishte blerë nga MEICO për demontim. Diferenca e çmimeve të fishekëve për skrap dhe atyre për municion luftarak, ka qenë thelbi i kësaj afere.  Siç pohojnë burime të besueshme nga MEICO, Delijorgji ka futur në linjën e AEY-së kryesisht fishekë më gëzhojë çeliku, skrapi i të cilëve kishte një vlerë të papërfillshme në treg në krahasim me ata me gëzhojë tunxhi. Njerëz që kanë punuar pranë Delijorgjit dëshmojnë në konfidencë se, ndër të tjera ai ka futur në kontratën që AEY-ja kishte me MEICO fishekë të mitralozit të rëndë, të cilët kanë qenë të destinuar për t’u demontuar.

“Delijorgji na jepte 20 mijë lekë në ditë për paketimin e fishekëve”
Mban mend se pas vizitës së Bushit në Shqipëri, është gjendur në magazinat e Rinasit dhe ka punuar disa ditë me radhë për ambalazhimin e municioneve që merrnin avionët amerikanë. E ka thirrur aty një miku i tij nga Nikla e Fushë-Krujës, i cili ka pasur njohje me njërin nga administratorët e Delijorgjit.  “Paketonim fishekë në kuti kartoni dhe merrnim 20 mijë lekë në ditë”, shprehet ish-punëtori sezonal i kompanisë “Alba-Demil”. Ai kujton se në fund të ditës, njëri prej zyrtarëve të Delijorgjit, që e thërrisnin Tani, u jepte shumën e lekëve dhe i njihte me punën që do të bënin të nesërmen. Bashkë me të, siç shprehet, kanë qenë rreth 25 veta që bënin këtë proces, ndërkohë që një pjesë e tyre merrej me hapjen e arkave prej druri, në të cilat ishte municioni që ripaketohej në ambalazh kartoni. Në kujtesën e njeriut që ka punuar për llogari të Delijorgjit, ka mbetur interesimi i veçantë i inspektorëve për të humbur çdo gjurmë të hieroglifëve kinezë nga arkat metalike të fishekëve luftarakë. Kutia e kartonit në të cilën riambalazhohej municioni, sipas tij   merrte 2200 fishekë kallashnikovi, ndërkohë që në rastin e municioneve të mitralozave të rëndë, kjo sasi bëhej më e vogël për vet përmasat më të mëdha që kishin këta fishekë. Ai kujton se futeshin në bazë me një listë që MEICO e kishte miratuar tek autoritetet ushtarake dhe çdo ditë kur linin punën i kontrollonte te postblloku njëri nga rojet e bazës së MIG-ve. Ata porositeshin për mos ta bërë publike punën që bënin, ndërkohë që për shkeljen më të vogël gjatë procesit, përjashtoheshin menjëherë nga puna.

“Kontratën me AEY e ndërpreu Pinari”

Pavarësisht dëshmisë së rezervuar për denoncimin e aferës me fishekët e destinuar për t’u eksportuar për në Kabul, biznesmeni Kosta Trebicka që ishte kontraktuar nga kompania AEY për paketimin e tyre, gjatë komunikimit me mediat ka zbuluar tërthorazi thelbin e saj.

Ndërhyrja brutale e MEICO-s, për ta larguar nga procesi i paketimit, ndërkohë që e ka zëvendësuar me një operator tjetër, e ka shtyrë Trebickën për të hetuar në mënyrë të pavarur, jo thjesht në interes të biznesit personal. Shfaqja e tij në media pas tragjedisë së Gërdecit, ka zbuluar për herë të parë pjesën e dukshme të aferës me municionet luftarake, që eksportoheshin në drejtim të Kabulit. Teksa rrëfen për mënyrën se si është shmangur nga procesi i paketimit të fishekëve, biznesmeni Trebicka hedh dritë në mjaft shkelje që ka bërë MEICO gjatë zbatimit të kontratës së AEY…
Ç’mund të na thoni për tregtinë e armëve nga Shqipëria?
Unë nuk kam qenë asnjëherë i përzier në këtë lloj tregtie, por di të them se, u thërrita nga kompania amerikane AEY me president zotin Efraim Diverol, dhe në bazë të gjithë dokumentacionit që kërkova, dokumentacion ky që përfshinte në radhë të parë, prokurën e përfaqësimit, u paraqita te MEICO. Për herë të parë, unë takova zotin Pinari diku nga muaji prill 2007, duke vajtur me prokurë në dorë dhe me kontratën që kisha me AEY, për të paketuar municionet, që ishin fishekë kallashnikovi për t’i çuar në Afganistan.
Çfarë biseduat me Pinarin?
Zoti Pinari më paraqiti një kontratë, ku unë duhet të firmosja për dy kompani për AEY dhe EVD-in. Në atë moment unë i them se, nuk e njihja kompaninë me qendër në Qipro, dhe nuk mund të firmosja për këtë… Atëherë me këmbënguljen time, zoti Pinari e hoqi emrin e EVD nga kontrata dhe unë firmosa vetëm në emër të AEY. Që nga ai moment, unë paraqita të gjithë dokumentacionin përkatës në lidhje me fuqinë punëtore, pra, paraqita të gjitha certifikatat e lindjes të gjithë punonjësve, të cilët do të hynin me leje të posaçme në Aeroportin e Rinasit dhe kërkova që brenda një dite ose dy ditësh të pajisja me leje të gjithë punonjësit e mi, të cilët përbënin një kapacitet prej rreth 80 personash. Pastaj filloi puna dhe filluan paketimet. Më fal se, dua të shtoj diçka. Në momentin që unë dhe Pinari po diskutonim për EVD, Pinari më paraqiti një dokument ku EVD-ja i sillte MEICO-s një sasi municioni prej 100 milionë fishekësh kallashnikovi me një vlerë prej 22 USD për 1000 copë. Ndërsa, për shitjen nga EVD-ja te AEY-ja, unë nuk dija absolutisht asnjë lloj detaji. Atëherë pas një jave, pasi trajnova punonjësit e mi duke kërkuar edhe ndihmën e zotit Pinari, i cili duhet të më pajiste me dy ose tre specialistë për të trajnuar punonjësit e mi, si dhe me ndihmën e përfaqësuesit amerikan të AEY-së, që qëndronte në Shqipëri gjatë asaj kohe, ne trajnuam punonjësit dhe filluam punën. Në momentin që filluam punën, pas një periudhe 4–5 ditore, apo një jave maksimumi, zoti Pinari filloi të na pengonte në furnizimin me materiale përkatëse. Për tre muaj duhet të çonim afërsisht 100 milionë fishekë kallashnikovi në Afganistan. Atëherë, unë hyra në kontakt me presidentin, zoti Diveroli, dhe i tregova atij për kontratën midis MEICO-s dhe EVD-së, e cila përmbante edhe çmimin 22 USD për 1000 copë fishekë. Në këto momente zoti Diveroli u agravua jashtëzakonisht dhe më tregon që EVD ia shiste Diverolit me një çmim prej 40 USD për 1000 copë. Pra, dyfishonte çmimin në moment. E merrte materialin, që në fakt ai nuk e prekte me dorë, por kishte një kontratë për blerje me 22 USD dhe një kontratë për shitje me 40 dollarë. Kjo e detyroi zotin Diveroli që të më kërkonte mua ndihmë që të vija në kontakt me zotin Pinari dhe zotin Mediu për të sqaruar situatën e krijuar, sepse po krijoheshin shumë pengesa në sektorin e furnizimit me armë. Atëherë, unë kontaktova zotin Pinari, të cilin e pyeta si është problemi që zoti Diveroli është tepër i pakënaqur nga mënyra se si ju i kryeni transaksionet. Përgjigja e zotit Pinari ishte që t’i nuk duhet të ngatërrohesh me këto gjëra, sepse janë forcë madhore. Unë duke besuar te ndërgjegjja e zotit Pinari dhe pastërtia e tij, kërkova që të takohem me zotin Fatmir Mediu. E takoj dhe ia shpjegoj të gjithë situatën. I them, jam një përfaqësues i një kompanie, i jap të gjitha letrat, natyrisht, dhe kërkoj të sqarohet situata, përsa i përket furnizimit me municione për ushtritë aleate në Afganistan. Për sa fola me, të vura në dijeni edhe zotin Pinari. Përgjigjja e tij ishte e prerë dhe agresive. “Që sot e tutje unë nuk do të të furnizoj më, pa një urdhër të dytë nga ministri”. U habita me thënë të drejtën. Kjo ishte habi e madhe për mua. Sepse këtu diskutohej furnizimi me material ushtarak i një fuqie aleate, siç është NATO në Afganistan. Dhe momentet ishin tepër deçizive. Atëherë zoti Pinari e ndërpreu kontratën dhe nuk na furnizonte më.
Kur u ndërpre kontrata?
Kontrata është ndërprerë rreth datës 10-15 maj. Nuk e mbaj mend me saktësi. Por faktikisht, ai nuk e ndërpreu kontratën ligjërisht. Ai nuk furnizonte më. Ndali së furnizuari. Pas kësaj periudhe, me sa mora vesh, zoti Pinari kërkoi që zoti Diveroli të vinte urgjentisht në Shqipëri dhe të krijonte një takim me zotin Pinari dhe me shefat e zotit Pinari për të diskutuar për një kontratë direkte mes MEICO-s dhe AEY-së. Më lajmëroi zoti Diveroli për bisedën në fjalë dhe unë i them nisu pa problem.
Çfarë u vendos gjatë takimeve të Diverolit në Tiranë?
…Njerëzit që e pritën duke u hequr si shefat e Pinarit i kërkuan që të firmosë një kontratë me zotin Pinari, d.m.th., me MEICO, që të gjitha materialet do të shiteshin për një çmim prej 26 USD për 1000 copë fishekë. Dhe çmimi tjetër prej 14 USD do i paguhej Delijorgjit, kompanisë së Delijorgjit, në mënyrë që të plotësohej totali i 40 USD-ve…

Ekspertë të Pentagonit te MEICO për trafikun e fishekëve
Afera me AEY dhe dyshimi për trafikun me fishekët e blerë nga Pentagoni për ushtrinë e Afganistanit, ka qenë objekti i “vizitës” së ekspertëve të Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-ve në zyrat e MEICO. Burime nga Prokuroria e Përgjithshme që hetojnë çështjen e katastrofës së Gërdecit, pohuan për gazetën “Panorama” se njëherazi me ekspertët e organit të akuzës, ditët e fundit kanë hetuar në administratën e MEICO-s edhe specialistë të Pentagonit. Objekti i tyre nuk ka qenë tragjedia e 15 marsit, por zbardhja e aferës me fishekët e blerë për llogari të ushtrisë afgane. Të njëjtat burime konfirmojnë se, ata kanë kontrolluar  dokumentacionin e marrëveshjes dhe kontratës që MEICO ka pasur me kompaninë amerikane AEY për eksportin e municioneve luftarake.
Ndërkaq, janë interesuar pranë zyrtarëve të ndërmarrjes së eksportit të Ministrisë së Mbrojtjes, për origjinën e mallit që tërhiqte kontraktori i tyre Deviroli dhe mënyrën e shlyerjes që aplikonte me financën e MEICO-s. Misteri i ripaketimit të fishekëve dhe sasia e avionëve që kanë transportuar municionet nga Rinasi në drejtim të Kabulit, ka qenë një tjetër çështje për të cilën, ekspertët e Pentagonit kanë hetuar gjatë investigimit të tyre në administratën e MEICO.

Shpërthimi në Gërdec, ATF amerikane sjell dosjen e dytë

Mbërrin në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, raporti i Byrosë Amerikane ATF, për tragjedinë e Gërdecit.

Trazhgim Sokolaj

Një material voluminoz i hartuar nga gjashtë agjentët amerikanë të Byrosë së Alkoolit, Duhanit, Armëve të Zjarrit dhe Eksplozivëve (ATF) u është vënë në dispozicion prokurorëve shqiptarë që po punojnë me dosjen penale të shpërthimit, në punishten e demontimit të municioneve luftarake. Agjentët amerikanë, autorë të raportit që ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme, qëndruan për një javë në Tiranë nga 7 deri më 14 prill 2008 dhe morën pjesë në verifikimin e kratereve të shpërthimit në Gërdec bashkë me prokurorët shqiptarë. Para largimit të tyre nga Shqipëria, agjentët amerikanë dorëzuan në Prokurorinë e Përgjithshme një raport paraprak të dalë nga verifikimi i vendit ku ndodhi tragjedia. Ata theksuan në këtë raport, se mesditën e 15 marsit, në fabrikën e demontimit në Gërdec ndodheshin rreth 15 mijë predha dhe 500-600 tonë barut i vendosur në 34 kontenjerë. Sipas raportit paraprak të agjentëve të ATF-së, origjina e shpërthimit ka qenë diku rreth dhjetë metra larg portës hyrëse të fabrikës në vendin, ku ditën e tragjedisë po saldohej një nga karrocat që përdoreshin për transportin e barutit të dalë nga demontimi.
Dosja e dytë e ATF-së
Por ndërsa prokurorët shqiptarë që po hetojnë tragjedinë e Gërdecit, e kishin marrë këtë raport që më 16 prill 2008, një dosje e dytë ka mbërritur në Prokurorinë e Përgjithshme së fundi nga Byroja Amerikane ATF. Burimet që konfirmuan për gazetën “Panorama” se, dosja e ATF-së ka mbërritur dhe është dorëzuar zyrtarisht në Prokurorinë e Përgjithshme në Tiranë, thanë se grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, ende nuk është njohur me hollësitë e materialit të mbërritur nga SHBA. Ai mësohet se është hartuar në bazë të ekspertizave dhe përllogaritjeve që agjentët amerikanë kanë bërë pas kthimit në SHBA mbi bazën e provave e të dhënave, që morën me vete në momentin që u larguan nga Tirana. Sipas Prokurorisë, dosja e mbërritur së fundi nga SHBA-ja është paralajmëruar se përmban përllogaritje dhe argumentime të hollësishme dhe të faktuara lidhur me shpërthimin në fabrikën e çmontimit të municioneve në Gërdec. Prokuroria e Përgjithshme deklaroi gjithashtu se, versioni hetimor i mbështetur edhe nga agjentët amerikanë është ai se, shpërthimi ka ndodhur si pasojë e shkëndijave që u krijuan gjatë saldimit të karrocës në brendësitë e fabrikës pranë grumbujve të barutit, të cilët morën flakë menjëherë e më pas aktivizuan predhat.
Imuniteti i Mediut
Prokuroria e Përgjithshme bëri me dije se ka përgatitur materialet shtesë që do t’i dërgojë Kuvendit të Shqipërisë, në mbështetje të kërkesës për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Burimet zyrtare nga organi i akuzës konfirmuan dje për gazetën “Panorama” se, pas një konsultimi disa ditor, grupi hetimor i tragjedisë së Gërdecit, bazuar edhe në kërkesën e Kuvendit për dokumente shtesë, ka përcaktuar tashmë materialet e dosjes që do t’u bëhen të ditura deputetëve. Më 5 maj 2008, në Prokurorinë e Përgjithshme mbërriti një shkresë nga Kuvendi i Shqipërisë. Në këtë dokument kërkoheshin prova shtesë në mbështetje të kërkesës që kishte depozituar më parë Prokurorja e Përgjithshme Ina Rama, për heqjen e imunitetit të ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për t’i hapur rrugë hetimit ndaj tij për shpërdorim detyre lidhur me ngjarjen e Gërdecit.

Mesazhi i gjeneralit të shkarkuar për komandon

TIRANE – Efektivi shqiptar i repartit komando që shërben në misionin paqeruajtës në Herat të Afganistanit, i cili humbi pesë anëtarë të familjes së tij nga shpërthimi i fabrikës së çmontimit në Gërdec, ka marrë edhe një mesazh ngushëllues nga gjeneral-majori Shpëtim Spahiu, ish-komandant i Forcës së Bashkuar në Shtabin e Përgjithshëm. Gjeneral Shpëtim Spahiu është shkarkuar nga detyra tri ditë më parë me dekret të Presidentit të Republikës dhe me propozim nga ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa. “Afrim, bëhu i fortë…Që ditën e parë mora vesh për fatkeqësinë e madhe të familjes suaj. Nuk gjej fjalë për t’ju ngushëlluar. Bëhu i fortë. Me keqardhje dhe respekt, Shpëtim Spahiu”. Ky ka qenë mesazhi që Komandanti i Forcës së Bashkuar ka dërguar në adresë të efektivit shqiptar të repartit komando, i cili për shkak të shërbimit në misionin paqeruajtës në Herat nuk mundi të merrte pjesë në përcjelljen e të afërmve të tij për në banesën e fundit. Mesazhi i dërguar për efektivin komando nga gjenerali Shpëtim Spahiu, është publikuar në numrin e fundit të gazetës “Ushtria”. Tri ditë më parë ministri i Mbrojtjes deklaroi publikisht se i kishte propozuar presidentit shkarkimin për gjeneralët Shpëtim Spahiu dhe Zija Bahja pas një analize të hollësishme për nxjerrjen e përgjegjësive lidhur me tragjedinë e Gërdecit. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, ushtarakët me veprimet ose mosveprimet e tyre janë bërë shkak që ngjarja e parandalueshme e Gërdecit të ndodhte duke shkaktuar numrin e lartë të viktimave, 26 të vdekur, mbi 300 të plagosur dhe disa milionë euro dëme materiale.

Komando që humbi familjen në Gërdec: Çastet e makthit

Afrim Deliu është një nga komandot shqiptarë që shërben në misionin paqeruajtës në Herat të Afganistanit.

Mesditën e 15 marsit ai humbi pesë anëtarë të familjes së tij nga shpërthimi i ndodhur në fabrikën e çmontimit në Gërdec. Gazeta “Ushtria” ka zhvilluar një bisedë telefonike me komandon shqiptar përmes Qendrës Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, të cilën po e publikojmë të plotë më poshtë.

Prej javësh gazeta “Ushtria” ka qenë në dilemë për të kontaktuar me Afrim Deliun. Ngjarja tragjike e 15 marsit, që çoi drejt vdekjes 5 nga pjesëtarët e familjes së tij, për një kohë të gjatë ka qenë mes nesh dhe nëntetarit paqeruajtës Afrim Deliu. Dhimbja e pazakontë dhe qenia e tij larg, për të respektuar fizikisht këtë dhimbje, për ne gazetarët e gazetës “Ushtria” ka qenë një motiv i fortë për të mbajtur të dyzuar dëshirën e komunikimit. E ndërsa ditët e javët rrodhën të zhurmshme e plot shpejtësi, përfundimisht vendosëm: Afrimi duhet ta pjesëtojë edhe me ne dhimbjen e tij, duhet ta përjetojë edhe me ne respektin që ushtarakët e Forcave të Armatosura rezervojnë për paqeruajtësin që shërben për ta shumëfishuar atë…

Komunikimi ynë me Afrimin, i realizuar përmes Qendrës Operacionale të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave tona të Armatosura, ndonëse nuk mungoi dëshira e mirë, ishte disi i kontraktuar. Matanë linjës telefonike, në Heratin e largët, ishte dikush që do të “detyrohej” të fliste për një ngjarje që, do t’i gërvishte paksa lëvoren plagës së rëndë të 15 marsit.

-Afrim, stafi i gazetës të shpreh ngushëllimet më të thella e më të sinqerta… Matanë telefonit ra heshtja. Një dihatje e mbetur në fyt nga ngërçi ishte më shumë se një prezantim. Por kjo gjendje qëndroi mes nesh vetëm për një kohë fare të shkurtër.
-Ju faleminderit…

Një heshtje tjetër dhe Afrimi nis të flasë: Më 15 mars, pasdite, isha në palestër me shokun tim Erjonin. Pasi kisha mbaruar stërvitjen, rreth orës 17.00, më merr në telefon një shoku im i punës. Linja atë ditë kishte një lloj zhurme, por arrita të marr vesh se në familjen që banonte vëllai im në Gërdec, kishte ndodhur një shpërthim i fuqishëm. Nuk dua të them se nuk u shqetësova. Zemra më ndjeu se ai shpërthim do më sillte një dhimbje të madhe. Kur më panë shokët të prerë në fytyrë më rrethuan dhe ndonëse nuk dinin saktësisht çfarë kishte ndodhur, më krijuan menjëherë një atmosferë që, për ta ndjerë plotësisht duhet të jesh ushtarak dhe të jesh në një mision jashtë vendit…

Pasi mora në telefon familjen time, ata më thanë se kishin marrë vesh për shpërthimin, por se nuk kishin informacione të tjera. Shokët dhe eprorët e mi në bazë, që nga telefonata e parë me Shqipërinë, nuk më lanë për asnjë çast vetëm. Nuk do të dëshiroja që, atë ç’ka përjetova unë ta përjetojë dikush tjetër. E panjohura e deklaruar dhe zemra që më trokiste gjithnjë e më me vrull po ma kthenin gjithçka në një makth. Në orët e vona të mbrëmjes më morën në telefon njerëzit e mi dhe më thanë se në spital kishin shkuar të plagosur vëllai dhe familja e tij. Nuk mbaj mend sesa telefonata kam bërë. Sa herë telefonoja, aq herë me vinin nga Shqipëria lajmë konfuze…

Përsëri heshtje matanë linjës telefonike. Afrimi përcillet me zor, por gjen forca të tregojë për atë ditë tragjike.

-Gjendja ime, as në qiell e as në tokë, ka vazhduar për afro dy ditë rresht. Kisha marrë vesh për shpërthimin e madh dhe dija edhe faktin se njerëzit e mi ishin në shtëpi, brenda zonës së shpërthimit. E mendoja se viktimat nuk do ishin të pakta, por saktësisht nuk kisha asnjë informacion. Ditën e dytë më thanë në telefon se janë gjendur të vdekur njerëzit e familjes së Uranit dhe djali i vëllait, Flavio. Ai ishte duke luajtur në oborrin e shtëpisë. Ishte vetëm 5 vjeç… Përsëri heshtje, përsëri ngërç. Tashmë biseda po bëhej e vështirë edhe për ne. Afrimi merr përsëri frymë thellë dhe vazhdon: “Shokët i kisha gjithnjë pranë. Qoftë edhe një shok i vetëm të bëhet vëlla e prind dhe jo më një efektiv i tërë. Një mesazh ngushëllimi në telefonin tim nga komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneralmajor Shpëtim Spahiu ishte një qetësues jo i vogël për mua. E përshëndes përzemërsisht përmes gazetës suaj. Për ditë e javë kontaktova në telefon me njerëzit e mi dhe gjithnjë ata më thoshin se pjesëtarë të tjerë të familjes kuroheshin jashtë vendit. Më datën 10 prill më thanë se, edhe vëllai me familjen e tij kishin humbur jetën. Gjithë ato ditë kam pritur mbrëmjen dhe mëngjesin me dhimbje të jashtëzakonshme. Po të mos kisha pranë shokët nuk di se si do të kisha përfunduar. Kam qenë shumë i mërzitur, por shokët, oficerët, komandanti i misionit dhe kolegët e huaj me të cilët ndodhemi në mision, më kanë qëndruar pranë dhe ma kanë lehtësuar dhimbjen”.

Bisedës me të po i vinte fundi. Ne nuk kishim më dëshirë për ta “ngacmuar” plagën e tij dhe vetë ai nuk donte që të jetonte ende me peshën e madhe të dhimbjes. Ndërkohë, matanë telefonit Afrimi shqipton me një zë të tjetërsuar: “Mezi pres t’u hedh një dorë dhè te varri…”

Ndërkohë që Afrimi shkëputet nga telefoni, një tjetër zë bëhet i afërt për ne. Në linjë del komandanti i misionit, kapiten Kastriot Cera. Gjatë gjithë kohës së bisedës sonë me Afrimin, komandant Kastrioti ka qenë pranë këtij të fundit.

“Ndonëse me dhimbje të madhe në shpirt, Afrimi ka treguar gjatë gjithë këtyre ditëve pas ngjarjes se, është me të vërtetë një njeri me karakter të fortë. Dhimbja nuk e ka penguar për asnjë moment që të shkëputet nga detyra. Eshtë vërtetë një ushtarak model, i disiplinuar dhe tepër korrekt në realizimin e detyrave”.

Komandant Kastrioti flet për Afrimin me peshën e eprorit, por edhe të njeriut. Nuk e ka të lehtë të qëndrojë “indiferent” ndaj një ngjarje që tronditi shpirtërisht një efektiv të misionit që ai drejton në Herat të Afganistanit. Në Herat është zonë e nxehtë. Ngjarje dhe tragjedi të rënda kanë ndodhur edhe atje. Dhimbja për humbjen e njerëzve të afërt është prezent edhe atje. Ndërkohë, detyra dhe dhimbja bashkëjetojnë në kufijtë e një dinjiteti që ushtarakët shqiptarë kanë ditur ta administrojnë me shumë, shumë dinjitet. Gjatë gjithë kohës, thotë Kastrioti, ne i kemi ndenjur pranë Afrimit. Veçanërisht Erjoni, me të cilin njihen nga afër për shkak se kanë punuar së bashku në batalionin e Policisë Ushtarake në Sauk. “Edhe pas tragjedisë, Afrimi ka qenë plotësisht i angazhuar në detyrë. Më duhet të pohoj, jo pa krenari se, nëntetar Afrim Deliu nuk ka pranuar për asnjë çast që të shkëputej nga misionet ditore. Nuk pranoi as të pushonte më shumë se shokët e tij”.

Komandanti i misionit, kapiten Cera pohon për gazetën “Ushtria” se, efektivi paqeruajtës që vepron aktualisht në Herat vazhdon të kryejë plot seriozitet dhe profesionalizëm detyrat e ngarkuara nga komanda eprore. Mbështetja që shokët i kanë dhënë Afrimit konsiderohet nga komandanti Cera, si një tjetër vlerë ushtarake dhe shoqërore në CV-në e gjithsecilit.

Marrë nga gazeta “Ushtria”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.