Identifikohu



Regjistrohu

Si liroheshin të burgosurit e rrezikshëm nga gjykatat dhe prokuroria

Armand Maho
Tema

Ministria e Drejtësisë ka publikuar dje raportin e ekspertimit për punën e bërë nga gjykatat dhe prokuroria në lidhje me lirimin e të burgosurve, të cilëve iu rrezikohet jeta brenda qelive. Pak kohë më parë, kjo ministri kishte publikuar një raport kontrolli në Institutin e Mjekësisë Ligjore, nga i cili dilte qartë se ekspertët e Institutit të Mjekësisë Ligjore, në mënyrë të veçantë ekspertët psikiatër, kishin falsifikuar haptazi aktet e ekspertimit, duke bërë të mundur lirimin nga burgu të disa personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në bashkëpunim me gjykatësit dhe prokurorët. Ndërkohë, raporti i djeshëm hedh dritë mbi punën e këtyre të fundit. Raporti i parë përfundoi me shkarkimin e të gjithë ekspertëve mjeko-ligjorë që kishin falsifikuar, si dhe u bë kallëzimi penal për disa prej tyre. Raporti për gjyqtarët dhe prokurorët arrin në përfundime tronditëse sesi të dënuar për vepra penale të rënda si vjedhje, përdhunim, trafikim lëndësh narkotike, vrasje me paramendim janë liruar nga burgu në kundërshtim me ligjin, procedurat ligjore dhe në bashkëpunim të hapur me subjektet e këtyre procedimeve.

Në rastet e publikuara shihet sesi persona të dënuar për trafik lëndësh narkotike janë liruar nga burgu me arsyetime banale, se jeta e tyre rrezikohej në burg nga një gjendje e keqe e humorit, por nga raportet hetimore të bëra në bashkëpunim me strukturat e Ministrisë së Brendshme, të dënuarit e liruar i janë rikthyer trafikut të lëndëve narkotike. Sot, disa prej tyre ndodhen në burg me të njëjtën akuzë që ishin dënuar më parë. Nga raporti, del qartë se janë ndjekur praktika korruptive dhe shumë prej proceseve gjyqësore janë manipuluar.

Raporti

Hetimet e Ministrisë së Drejtësisë kanë përfshirë gjykatat e rretheve, ku dhe ndodhen burgje. Kështu, nga të dhënat statistikore rezulton, se në gjykatat e rretheve gjyqësore Tiranë, Krujë, Lezhë, Elbasan, Kavajë, Mat janë gjykuar gjithsej 55 çështje me objekt lirimi i të burgosurit, parashikuar nga neni 478 K.Pr.Penale (që parashikon lirimin e të burgosurve, kur atyre iu rrezikohet jeta në institucionet e mbajtjes), nga të cilat janë rrëzuar ose pushuar 28 prej tyre. Faktet lidhur me këtë çështje, të konfirmuara nga statistikat dhe verifikimet e Ministrisë se Brendshme, provojnë se: gjykatat kanë pranuar 27 kërkesa të të dënuarve; të paktën 22 prej tyre, gjatë kohës që kanë qenë në institucionet e ekzekutimit të dënimeve penale nuk janë shtruar ndonjëherë në spitalin e burgut ose nuk janë konstatuar prej personelit edukator apo atij mjekësor, si persona me probleme psikiatrike ose mjekësore, vetëm 4 prej tyre kanë gjetur vdekjen (1 rast gjatë gjykimit dhe 3 raste disa kohë pas lirimit [të dënuar-pacientë në stad terminal të sëmundjeve malinje]); vetëm në një rast personi i liruar është nën kujdesin shëndetësor; jo më pak se 22 të tjerë jetojnë të qetë brenda ose jashtë vendit, duke u marrë me biznes dhe pa asnjë problem me shëndetin e tyre, sipas konfirmimeve edhe nga shërbimi shëndetësor. Madje, sipas konfirmimeve nga gjendja civile, disa prej tyre dhe janë martuar; vetëm në 7 raste, prokurori i çështjes apo prokurori i rrethit ka bërë ankim kundër vendimit të shkallës së parë; Gjykata e Apelit në 5 raste ka lënë në fuqi vendimin gjyqësor të gjykatave të shkallës së parë Tiranë (1 çështje) dhe Krujë (4 çështje), në një rast ka ndryshuar vendimin gjyqësor të gjykatës së shkallës së parë, ndërsa në një rast është në gjykim.

Ndërkohë, prokurorët e seancës gjyqësore ose drejtuesit e prokurorive të rretheve gjyqësore nuk kanë ankimuar 15 vendime gjyqësore të gjykatave të rretheve gjyqësore Lezhë, (4 çështje), Tiranë, (6 çështje), Kavajë, (4 çështje) dhe Krujë, (1 çështje), duke lejuar shkelje të ligjit material dhe procedurial penal, si dhe duke iu dhënë mundësinë personave të dënuar të përfitojnë pa të drejtë lirimin nga burgimi.

Të dënuarit

Të dënuarit e liruar me vendime gjyqësore në bazë të nenit 478 K.Pr.Penale, ishin deklaruar fajtorë me vendime gjyqësore të formës së prerë për kryerjen e veprave penale me rrezikshmëri të theksuar shoqërore si: 10 raste, për vepra penale lidhur me trafikimin e lëndëve narkotike, parashikuar nga nenet 283, 285 të KP; 12 raste, për veprat penale të vrasjes me dashje ose me paramendim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake, parashikuar nga nenet 76, 78 dhe 278/2 të KP; 4 raste, për veprat penale të vjedhjes me armë, grabitjes së pasurisë së tjetrit, parashikuar nga nenet 134, 139, 102 të KP, rrëmbimit të personit.

Shkeljet

Sipas raportit të Ministrisë së Drejtësisë, rezulton se një pjesë e madhe e të dënuarve, në momentin kur gjykata ka vendosur lirimin në bazë të nenit 478 të K.Pr.Penale, kishin vuajtur shumë pak burgim nga dënimi i dhënë. Me vendimet gjyqësore të dhëna nga gjykatat në bazë të nenit 478 K.Pr.Penale, të dënuarit kanë përfituar lirinë, duke shmangur vuajtjen e plotë të dënimit.

Nga ana e gjyqtarëve, të cilët kanë shqyrtuar kërkesat e të dënuarve për lirim, për shkak se mund t’i rrezikohet jeta nga vuajtja e mëtejshme e burgimit, parashikuar nga neni 478 K.Pr.Penale, dhe prokurorëve, të cilët kanë përfaqësuar akuzën në gjyq, nuk është kuptuar drejt përmbajtja e dispozitës proceduriale penale. Në mënyrë të gabuar, gjyqtarët dhe prokurorët e kanë shqyrtuar kërkesën, vetëm duke konstatuar ekzistencën e një diagnoze dhe duke u mjaftuar me konkluzionet e dhëna nga ekspertët mjeko-ligjorë, lidhur me faktin se sëmundja i rrezikon jetën të dënuarit nga vazhdimi i burgimit.

Arsyet e ngritura për lirimin e të burgosurve:

- “… në mëngjes humori i tij në përgjithësi ishte mjaft i keq dhe i mbushur me ide e mendime pesimiste, jeta e tij është e mbushur me ankth, frikë, gjumë i çrregullt.”

- “… të dënuarit … i kanë humbur aktualisht dëshirat, iniciativat, dashuria për njerëzit dhe kjo e detyron të mbushë sytë me lot…”

- “… i dënuari ka probleme “të rënda shëndetësore” me “retinën e syrit, si dhe komplikacionet e rënda mund të shkaktojnë deri humbjen e jetës!!”

- “i dënuari vuan nga një sëmundje ngjitëse tuberkulare, e rrezikshme për jetën dhe duhet të kurohet jashtë shtetit” !!

- “i dënuari vuan nga çrregullime depresive dhe idete pesimiste për jetën… dhe qëndrimi në burg e acaron, e shqetësojnë dritat dhe zhurmat natën, zgjohet pas orës 1 të natës…!!

- “i dënuari paraqet rënie peshe, moskujdesje për veten… dyshime për ambientin dhe mendime depresive, ndaj rrezikohet jeta e tij në burg…!!”

- “i dënuari paraqitet i ngathët… me gjendje paniku, e quan veten të pavlerë…”

- “… i rrezikohet jeta nga diabeti i sheqerit dhe hipertensioni!! (në jo më pak se 4 raste) etj.

Rastet më tipike

1.

I dënuari A. L

Gjykata e Lezhës

- Rezulton se i dënuari A.L është deklaruar fajtor nga gjykata penale e Milanos, Itali, për veprën penale të “Mbajtjes me qëllim shpërndarje në bashkëpunim të një sasie substance narkotike”, parashikuar nga neni 110 i K. Penal italian dhe është dënuar me 12 vjet e 6 muaj heqje lirie dhe 80 milionë Lira gjobë.

Prej më shumë se dy vjetësh për këtë shtetas ka qenë një urdhër-arresti ndërkombëtar, i lëshuar nga autoritetet italiane, urdhër ky i pazbatuar nga prokuroria shqiptare deri në vitin 2006.

Ndërkohë që shtetasi ushtronte prej më shumë se dy vjetësh biznese në qytetin e Durrësit, është dashur një operacion i Ministrisë së Brendshme shqiptare dhe Interpolit të Tiranës dhe Romës, në bashkëpunim me Ministritë e Drejtësisë respektive që të bëhej zbatimi i urdhër-arrestit ndërkombëtar për këtë shtetas.

Për këtë të dënuar, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Durrës, me vendimin penal Nr. 17, datë 23.01.2007, ka vendosur njohjen e vendimit penal të huaj, duke e dënuar përfundimisht A.N.L me 5 vjet burgim.

Më datë 07.03.2007, me urdhër te Drejtorit të Pëgjithshëm te Burgjeve, është bërë transferimi i të dënuarit nga dhomat e institucionit të paraburgimit të komisariatit të policisë, Durrës në Institutin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale, Shënkoll, Lezhë.

Ndërsa kryheshin këto veprime lidhur me transferimin e të dënuarit A.L, nga ana e këtij të fundit, që më datë 20.12.2006, rezulton të jetë depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor, Lezhë kërkesa me objekt “Lirim nga burgu për shkak se mund t’i rrezikohet jeta nga gjendja shëndetësore, sipas nenit 478 të K. Pr. Penale.” Në kërkesën e depozituar, i dënuari ka deklaruar se vuan dënimin në IEVP, Shënkoll, Lezhë.

Me Vendimin Nr. 145, datë 02.04.2007, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Lezhë ka vendosur lirimin e të dënuarit A.L nga vuajtja e mëtejshme e dënimit të dhënë.

Mbi kërkesen e prokurorit dhe kërkuesit, gjykata me vendimin e datës 26.03.2007 ka pranuar të thërrasë dy ekspertë mjeko-ligjorë për të përcaktuar gjendjen shëndetësore dhe mendore të të dënuarit A.L. Në përfundim të aktit të ekspertimit psikiatriko-ligjor, ekspertët kanë konkluduar se: “i dënuari A.L vuan nga sëmundja psikike, çrregullime afektive depresive, me mendime pesimiste dhe ide suicidale (vetëvrasëse). Simptomat e sëmundjes janë gjumë i çrregullt, ankth, frikë, takikardi, djersë, mendime pesimiste, deluzione depresive, delir i nënvlerësimit. I dënuari nuk mund të kurohet në institucionin e burgut të Shënkollit. Vazhdimi i vuajtjes së dënimit i rrezikon jetën.”

Gjykata nuk ka patur parasysh përmbajtjen e neneve 16, 29 dhe 33 të ligjit nr.8328, dt.16.04.1998, “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”. Gjykatës duhej t’i tërhiqte vëmendjen rrethana se kartela klinike e të dënuarit A.L ishte çelur më 07.03.2007 dhe se i dënuari nuk ishte shtruar asnjëherë për mjekim në qendrën spitalore të burgjeve, Tiranë dhe në asnjë institucion tjetër të veçantë për kurimin e sëmundjes së tij.

Gjykata nuk ka hetuar, nëse i dënuari ka patur raste të suicidit.

Prokurori nuk ka evidentuar gjatë gjykimit dhe nuk ka kërkuar vendosjen e të dënuarit të sëmurë në institucionet për të sëmurët.

2.

Të dënuarit P.M (P.K)

Gjykata e Tiranës

I dënuari P.M është dënuar me vendimin penal nr.125, dt.17.03.2000, të Gjykatës së Apelit, Janinë për shitje të narkotikëve me 15 vjet burgim dhe me vendimin penal nr. 46, dt.19.04.2000, të Gjykatës së Apelit, Janinë, Greqi, me 25 vjet burgim.

Me kërkesën e prokurorisë së rrethit Sarandë, gjykata e rrethit ka vendosur: “Njohjen e vendimit penal nr.125, dt.17.03.2000, të Gjykatës së Apelit, Janinë, duke konvertuar dënimin prej 15 vjetësh në 5 vjet burgim.

Njohjen e vendimit penal nr.46, dt.19.04.2000, të Gjykatës së Apelit, Janinë prej 25 vjetësh burgim të rëndë, të dhënë në bashkim të dënimeve, sipas vendimeve nr.97, dt.03.12.1997, të Gjykatës së Apelit, Janinë dhe nr.125, dt.17.03.2000, të Gjykatës së Apelit, Janinë, duke e konvertuar me dënimin përfundimtar prej 20 vjetësh burgim.”

I dënuari P. M ka paraqitur kërkesë përpara gjykatës së rrethit gjyqësor, Tiranë, duke kërkuar lirimin, për shkak se nga sëmundja mund t’i rrezikohet jeta nga vazhdimi i burgimit.

Gjykata e rrethit gjyqësor, Tiranë, me kryesues gjyqtarin e vetëm, S.T., ka vendosur: “Pranimin e kërkesës së shtetasit P. M., (P.K.) dhe lirimin e tij nga burgu.”

Gjykata nuk ka patur parasysh përmbajtjen e neneve 16, 29 dhe 33 te ligjit nr. 8328 dt. 16.04.1998 “Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim”.

Në dhënien e vendimit gjyqësor të mësipërm, gjykata është bazuar në akt-ekspertimin mjeko-ligjor, ku ekspertët kanë konkluduar se: “… i dënuari P. M. vuan prej 10 vjetësh nga diabeti i sheqerit, i varur prej insulinës. Kjo sëmundje kronike ka shfaqur disa ndërklikime, si sëmundje e muskulit të zemrës, e shoqëruar me çrregullime të zemres dhe kavitetit të saj, sëmundje e retinës së syrit. Për sëmundjen, nga e cila vuan P. M., si dhe ndërlikimet që ai ka shfaqur, qëndrimi në kushtet e burgimit mund t’i rrezikojë seriozisht jetën.”

Vetëm rrethana që kërkuesi i dënuar P. M. vuante prej 10 vjetësh nga sëmundja e diabetit dhe se nuk kishte patur asnjë pasojë, duhej të tërhiqte vëmendjen e gjyqtarit për të kryer një hetim gjyqësor të thellë dhe objektiv dhe jo të pranonte a priori mendimet e ekspertëve. Gjyqtari S. T. nuk ka evidentuar në asnjë paragraf të vendimit gjyqësor, se cili është shkaku mjekësor real dhe serioz që mund të përbëjë rrezik për jetën e të dënuarit, në rast se vazhdon vuajtja e burgimit.

Pas lirimit nga burgu për shkak se i rrezikohej jeta, shtetasi P. M. është përfshirë përsëri në veprimtari kriminale me rrezikshmeri të theksuar shoqërore, duke trafikuar lëndë narkotike në bashkëpunim edhe me 2 shtetas të tjerë..

Nga verifikimet pranë gjykatës së rrethit gjyqësor, Tiranë, rezulton se shtetasi P. M. në datën 09.06.2006, është arrestuar në flagrancë për prodhim, shitje lëndësh narkotike në bashkëpunim dhe me 2 persona të tjerë, parashikuar nga neni 283/2 KP dhe dënohet nga 7 vjet deri në 15 vjet burgim. Pas përfundimit të hetimeve paraprake, prokuroria e rrethit gjyqësor, Tiranë ka kërkuar gjykimin e procedimit penal përpara gjykatës së rrethit gjyqësor Tiranë.

Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Rrethit Gjyqësor, Tiranë ka vendosur: “Deklarimin fajtor të të pandehurit P. M., për veprën penale të prodhimit, shitjes së lëndëve narkotike në bashkëpunim dhe në bazë të nenit 283/2 KP, e dënon me 9 vjet e 6 muaj burgim.”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

4 Komente »

  1. Odysseus thotë:

    30 Tetor 2007 @ 5:30 pm

    Nder te tjera vecojme:

    “i dënuari vuan nga çrregullime depresive dhe idete pesimiste për jetën… dhe qëndrimi në burg e acaron, e shqetësojnë dritat dhe zhurmat natën, zgjohet pas orës 1 të natës…!!
    E ACARON:) Nuk e mban burgun dot i shkreti, aman nxirreni.

    - “i dënuari paraqet rënie peshe, moskujdesje për veten… dyshime për ambientin dhe mendime depresive, ndaj rrezikohet jeta e tij në burg…!!”

    RENIE PESHE :D Mendime depresive ndaj i rrezikohet jeta ne burg.

    - “i dënuari paraqitet i ngathët… me gjendje paniku, e quan veten të pavlerë…”
    I NGATHET, E QUAN VETEN TE PAVLERE:) ca te shtoj aman, gjynah…

    Te pikon shpirti, sikur s’i kane futur ne burg por sikur shkuar turiste edhe s’u pelqen hoteli e duan ta nderrojne.

  2. Danieli Shkruaji mesazh privat thotë:

    30 Tetor 2007 @ 8:40 pm

    Kur lexon keto arsyet e mjekeve ligjore te keputet shpirti fare per ata te burgosur qe kane renie peshe, nuk flene naten, paraqiten te ngathet……. apo nuk ju behet per gje :) cjane keto more njerez ca behet keshtu….. u dashka nje mik i forte per tu futur ne burg me duket…… Epo kjo eshte e pabesueshme…..

  3. qoftelargu thotë:

    31 Tetor 2007 @ 2:16 am

    Amanere,sa paskan vuajtur te burgosurit tane,humorin ne mengjes nuk e kan patur te mire.Shyqyr te shkreteve qe nuk i ka vazhduar edhe ne dreke

  4. Qafir Arnaut Shkruaji mesazh privat thotë:

    31 Tetor 2007 @ 4:39 pm

    Interesant se ky raport qe ka te beje me GJYKATESIT po perdoret kunder PROKURORIT. Lexoni sa ushtar i TRASHE i mire eshte Ferdi Jaffar-i
    O Jaffar-ziu! te denuarit nuk i liron Prokurori po gjykatesi!!

    Komisioni Hetimor “Sollaku” lexoi raportin e Ministrisë së Drejtësisë për të liruarit nga burgu me raporte falso

    Xhaferri: Fakte të mjaftueshme për shkarkimin e Sollakut

    Kryetari i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Ferdinand Xhaferri, deklaroi dje se komisioni ka prova të mjaftueshme për hartimin e raportit përfundimtar për shkarkimin e Sollakut. Pas leximit të dy raporteve të Ministrisë së Drejtësisë, Xhaferri është shprehur se tashmë komisioni i ka provat e nevojshme për raportin përfundimtar të këtij komisioni, që do të dërgohet në Kuvend, ku do kërkohet dhe shkarkimi i Prokurorit të Përgjithshëm. “Nga këto dy raporte kanë dalë fakte të mjaftueshme dhe prova të mjaftueshme për të përgatitur raportin përfundimtar në këtë frymë, që legjislatvi të kontrollojë se si ka dështuar sistemi”, është shprehur Xhaferri, duke bërë të ditur se në shumë qytete të vendit janë evidentuar një numër të liruarish me rrezikshmëri të lartë, me raporte mjekësore falso. Po ashtu, Xhaferri ka bërë të ditur se Prokuroria, gjatë vitit të kaluar, nuk i ka zbatuar të gjithë urdhrat e arrestit. “Në Shkodër, Durrës, Tiranë kemi një numër të liruarish me rrezikshmëri shumë të lartë, me anë të raporteve mjekësore të falsifikuara apo dhe me moszbatim të urdhrave të arrestit”, nënvizoi Xhaferri, duke shtuar se legjislativi ka për detyrë të kontrollojë sistemin qendror të Prokurorisë së Përgjithshme, për veprimet apo mosveprimet e saj. Më tej, ai theksoi se gjatë vitit 2006, sistemi i Prokurorisë së Përgjithshme ka patur defekte të shumta që, kanë ardhur për shkak të punës së kryeprokurorit, i cili nuk ka zhvilluar asnjë kontroll dhe nuk ka zbatuar ligjin. “Ne kontrollojmë se si funksionon sistemi dhe sikurse e patë, sistemi u pa në gjithë biografinë e tij, nga veriu në jug, dhe ky sistem që kontrollohet nga pushteti legjislativ si i tërë, eksportoi në biografinë e Shqipërisë prokurorët si pasojë e mosveprimit apo veprimit të Prokurorit të Përgjithshëm, si pasojë e mungesës së kontrollit të Prokurorit të Përgjithshëm dhe moszbatimit të ligjit nga ana e Prokurorit të Përgjithshëm sistemi kishte ekspozuar defekte të rënda, ku diku prokurorë të caktuar në Shkodër, Vlorë, Durrës, Tiranë falën dhe liruan të dënuar për arsye banale apo diku prokurori bashkëpunonte me të dënuarit dhe të dënuarit i arkivohej çështja”, nënvizoi Xhaferri, i cili theksoi se sistemi i Prokurorisë së Përgjithshme demonstron dështimin e tij në lirimin e të dënuarve me raporte mjeko-ligjore. Më pas, Xhaferri bëri të ditur se publikimi i fakteve të djeshme është një dëshmi e qartë se prokurorët janë bërë palë me të dënuarit. “Në këtë frymë, Kuvendi si institucion kontrollon pushtetet e tjera dhe nuk dublon pushtete të tjera, pasi ne nuk kontrollojmë prokurorë të veçantë, por nga këto raporte po konstatojmë se si ka dështuar sistemi i drejtësisë”, vijoi më tej kryetari i Komisionit Hetimor

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.