“Shtypi botëror” izolon Shqipërinë

 

I shkruajnë Presidentit Topi: Mos e dekreto ligjin, prek edhe librat

gazeta Shqip

Nga këtej e tutje, për të lexuar gazetat dhe revistat prestigjioze ndërkombëtare në Shqipëri në variantin e printuar do të jetë një gjë e pamundur. Botuesit ndërkombëtarë kanë reaguar menjëherë pas vendimit të Parlamentit shqiptar për të futur në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe produktet e shtypit që vijnë nga importi. Dje, shpërndarësit e shtypit botëror njoftuan se e kanë pezulluar dërgimin e gazetave të huaja në Shqipëri, për shkak se Parlamenti shqiptar aprovoi muajin e kaluar vendosjen e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar mbi to. Kjo, sipas Peter Emond, menaxher i përgjithshëm i agjencisë “Distripress”, me qendër në Zvicër, ka rritur dukshëm kostot e dërgimit të shtypit ndërkombëtar në Shqipëri. Për pasojë, “Financial Times”, “La Repubblica”, “The Economist”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” apo “Le Monde” do t‘i mungojnë lexuesit shqiptar, duke rikthyer historinë e përpara 17 viteve, ku regjimi totalitar e kishte ndaluar tregtimin e këtyre gazetave apo revistave në vendin tonë. Për pasojë, këtej e tutje rruga e vetme që u mbetet shqiptarëve për të mësuar se çfarë shkruajnë gazetat më në zë të botës, do të jetë interneti. “Distripress” i është drejtuar për këtë problem madje edhe Presidentit shqiptar, Bamir Topi, duke i kërkuar atij të mos e dekretojë ligjin që aprovoi Parlamenti muajin e kaluar. Ligji në fjalë takson me 20 për qind të gjitha produktet e shtypit, të cilat hyjnë në Shqipëri. Një kopje e letrës i është dërguar dhe agjencisë amerikane të lajmeve “Associated Press”. “Ligji i ri do të detyrojë shoqëritë e shpërndarjes të ndalojnë aktivitetin e tyre. Kjo do të thotë fundi i prezencës së shtypit ndërkombëtar në Shqipëri. Por ligji mund të prekë edhe importet e librave të huaj.

Letra tjetër

Por, ajo e shpërndarësve të shtypit të huaj, nuk është letra e parë që ka mbërritur në tryezën e Presidentit të Republikës së Shqipërisë. Më parë, Bamir Topit i ishin drejtuar edhe botuesit shqiptarë. “Ne kërkojmë nga Presidenti Topi që të mos e dekretojë këtë ligj, i cili nuk ka logjikë ekonomike dhe është i dëmshëm për kulturën dhe reformën në arsim”, thuhej në letrën që ata i kanë drejtuar Presidentit Topi. Në këtë letër, botuesit shqiptarë kanë argumentuar se ligji favorizon interesa të ngushta të disa personave në pushtet, të lidhur me shtypshkronja të caktuara dhe diskriminon grupe të tilla interesi, si: botuesit, autorët e teksteve shkollore dhe drejtpërdrejtë mësuesit e nxënësit që i përdorin këto tekste. Në letër, ata kanë shpjeguar se vendosja e TVSH-së për librat vetëm në import, i vendos shtypshkronjat e vendit në pozita favorizuese përkundrejt shtypshkronjave jashtë vendit dhe cenon parimin bazë të barazisë në konkurrencë, duke i shmangur shtypshkronjat e vendit nga konkurrenca dhe nxitja për të rinovuar teknologjitë e tyre të vjetruara. “Në këto kushte, edhe çmimet e shtypjes nuk ka gjasa të bien në nivelet e çmimeve në të cilat punojnë shumë shtypshkronja të rajonit, por përkundrazi, të rriten”, pohojnë botuesit, duke shtuar se sipas këtij ligji, detyrohen t‘u drejtohen vetëm shtypshkronjave të vendit, por paradoksi është se as kapaciteti, as cilësia e shtypjes dhe as afatet e shtypjes nuk do të mund ta bëjnë të realizueshme këtë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

21 Komente

  1. Penar Musaraj thotë:

    13 January 2008 @ 1:35 pm

    Titulli origjinal i artikullit ishte Shtypi botëror izolon Shqipërinë. Thonjezat i shtova une sepse titulli eshte gabim (ne disa nivele). E para, nuk eshte shtypi i huaj qe po na izolon, por jane ligjet tona qe po e bejne me te veshtire importin e shtypit te huaj ne leter ne Shqiperi. Pra aktiv jemi ne, jo te huajt. Gjithashtu, nentitulli le te mendosh se shtypi i huaj i shkruajti Presidentit. As kjo s’eshte e vertete… ja disa gabime te tjera ne permbajtje.

    Nga këtej e tutje, për të lexuar gazetat dhe revistat prestigjioze ndërkombëtare në Shqipëri në variantin e printuar do të jetë një gjë e pamundur.

    E verteta eshte qe leximi i shtypit te huaj do kushtoje 20% me shume. Pra nuk do jete i pamundur.

    Botuesit ndërkombëtarë kanë reaguar menjëherë pas vendimit të Parlamentit shqiptar për të futur në skemën e Tatimit mbi Vlerën e Shtuar edhe produktet e shtypit që vijnë nga importi.

    Artikulli shkruan se reagimi vjen nga Peter Emond, menaxher i përgjithshëm i agjencisë “Distripress”, qe vetem shperndan gazetat, nuk i boton ato. Pra nuk jane botuesit nderkombetare, por thjesht shperndaresi per Shqiperine, i cili normalisht humb biznes nga rritja e kostos se botimeve te huaja ne Shqiperi. Botuesit e gazetave nuk preken fare, sepse ato 10 “Financial Times” qe vijne ne Tirane as nuk llogariten.

    Për pasojë, “Financial Times”, “La Repubblica”, “The Economist”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” apo “Le Monde” do t‘i mungojnë lexuesit shqiptar, duke rikthyer historinë e përpara 17 viteve, ku regjimi totalitar e kishte ndaluar tregtimin e këtyre gazetave apo revistave në vendin tonë.

    Edhe nje here, gabim: nuk do mungojne gazetat, por do jene 20% me shtrenjte.

    Për pasojë, këtej e tutje rruga e vetme që u mbetet shqiptarëve për të mësuar se çfarë shkruajnë gazetat më në zë të botës, do të jetë interneti.

    Lind pyetja: shumica e gazetareve shqiptare sot nga i marrin lajmet e huaja? Nga gazetat qe i blejne ne leter, apo nga Interneti? Pa shifra reale, ma do mendja qe shumica, ne mos te gjithe, i marrin nga Interneti. Qe do te thote se “de facto” gazetaret shqiptare nuk i blejne gazetat e huaja (qe skane si ti blejne me ato cmime qe kane)…

  2. ados thotë:

    13 January 2008 @ 1:49 pm

    …e drejte, nese mediat do “hajne” nje harac 20%, atehere cmimi i tyre do te rritet anasjelltas 20-30%..Nuk shikoj ndonje problem ketu.Por gazetaret tane qe e bejne qimen tra me sensacione te tilla…

  3. Peshku Fluturues thotë:

    13 January 2008 @ 4:07 pm

    Pamvaresisht nga shkrimi si prej analfabeti i punonjesit te gazetes, e gjithe kjo histori ka nje ironi te medhe ne vetvete. E njoh personalisht personin qe ben biznesin e shperndarjes se shtypit. Eshte nga ato cuna qe per shoqerine tone ka qene si nje fare idhulli per shkak te bemave te tij e dashnoreve qe kishte ( paksa tipi i Xhon Travolta tek “Greese” pa halabakllikun). Pas demokracise kur te gjithe filluan biznesin me shitblerje rrobash te vjetra e tv te perdorur, ai filloi biznesin e librit dhe gazetave te huaja. Aresyeja, sic me ka thene, ishte sepse endrra me e madhe e tij dhe e shokeve te tij kishte qene qe te kishte mundesi te blinte me leket e tyre, ne Shqiperi, cdo liber apo gazete qe i pelqente, e jo vetem “Zerin e Popullit” dhe listen e librave qe kishte aprovuar Enveri.
    Me veshtiresi ja doli mbane dhe po bente gjithmone e me mire, megjithese libri i huaj nuk shitet ne Shqiperi si kafja apo breket me tantella.
    Ironia eshte qe tani nje ish-komunist tjeter qe udheq nje parti demokratike, i ben bllokade ekonomike dhe pas 15 vjetesh ja con biznesin drejt falimentimit.
    Eh more Sali me shoke, qe jua ka ngrene jo dhia, po gomari librat.

  4. Idris thotë:

    13 January 2008 @ 6:41 pm

    Sistemi i Enverit siguronte pa dallim literature ne te gjitha institucionet SHKOLLORE te nivelit INSTITUT dhe UNIVERSITAR.Ne te gjitha BIBLOTEKAT QYTETESE mund te gjeje qe nga MAIN-KAMPF i Hito mavrise
    ________dhe te gjitha keto …..pa PARA.Ketu ndoshta ka DESHMITARE te NIVELEVE te ndryshme qe mund ta provojne kete qofshin edhe antikomuniste…
    Ishte nje kohe qe po zhdukej ANALFABETIZMI dhe nuk mund te dergohej literature PORNOGRAFIKE ne LABERI ,ku femrat ishin me citjane as edhe ne MALESI ku femrat rrinin me ‘benevreke” e vriteshe per nje zbulim duvaku.
    Mendjet e mykura sipas pervojes vetiake mund te perfytyrojne krahasime me djem “guximtare”dhe me “vizon ” si ata qe biznesin fitimprures e mbeshteten mbi revista e vidio PORNOGRAFIKE,duke i krahasuar me nivelin kulturor politik e servil por edhe si paaftesi per te LEXUAR me tej.
    Doemos duhej te levizje neper biblioteka dhe duhej te njihje pergjegjsat e tyre jo “don zhuane” te llojit te madhesise …per here tjeter.
    Ketu tek prurja kuptoj thjesht nje gje …
    Biznesi i tregut te Gazetave dhe te tjera te shtypit u HOQI mundesine MATRAPAZEVE,sepse duhet ti nenshtrohet LIGJIT.

  5. anonymus thotë:

    13 January 2008 @ 7:37 pm

    …MAIN-KAMPF i Hito mavrise
    :) :)

  6. M O Z A thotë:

    13 January 2008 @ 9:23 pm

    Idris,
    Ke marre nai doze te nai gjaje qe ta rrit, adrenalinen ? :-) Je kurdis shume keq keto dite.
    Shume asht ka po te merr malli per kohen e xhaxhit Enver mor burre :-)

  7. Ll thotë:

    13 January 2008 @ 10:36 pm

    “…Sistemi i Enverit siguronte pa dallim literature ne te gjitha institucionet SHKOLLORE te nivelit INSTITUT dhe UNIVERSITAR.Ne te gjitha BIBLOTEKAT QYTETESE mund te gjeje qe nga MAIN-KAMPF i Hito mavrise
    ________dhe te gjitha keto …..pa PARA…”

    AMAN Idris, aman mos e tepro se behesh krejtesisht i pabesueshem. E ben diskutimin pleh me keto perla. E mos permend luften kundra analfabetizmit se nuk zgjati 45 vjet ta marre dreqi. Le qe diskutimi s’ka te beje fare me ‘45-’90-en, mos e nxirr kot nga tema.

    *************

    Sa per diskutimin, uh, stuhi ne nje gote uji. Persa kohe qe nje takse idiote si TVSh vazhdon te perdoret, pse te mos perdoret per te gjitha produktet?

  8. Liri thotë:

    13 January 2008 @ 10:37 pm

    E verteta eshte e thjeshte.
    Muri i Berlin ka rene me kohe, por jo per Shqiperine. Ne vazhdojme te vuajme rregullisht nga nje izolim kulturor dhe shkencor i pashoq. Kjo eshte evidente, nese lexojme nje gazete shqiptare ky lajmet nga Bota jane ne raportin cerek faqe/24faqe, ku ne tv, kemi nje seri lajmesh te perkthyera nga gazetare injorante e te paafte qe nuk e dine akoma se Beijing i thone anglisht kryeqytetit te Kines, apo se Kryeqyteti i Etiopise nuk quhet Adidas Abebi. Ata dine vetem se ngjarja duhet thene me dy fjali se cfare ndodhi ate dite, por pa ditur te japin kurre nje permbledhje, nje historik, nje analize te ngjarjeve ne ate vend te globit, pra nuk japin kurre nje informacion te nevojshem, ku te kuptohet perseja e asaj qe ka ndodhur.
    Ne informacionin tone nuk trametohet asnjehere, se si eshte niveli me furnizim i energjise elektrike, uje, gaz, infrastrukture, turizem, ne Maqedoni, Malin e Zi, Kroaci, Bosnje Hercegovine etj, vende me te cilat do ishte mire te krahasoheshim per cdo gje.
    E rendesishme eshte qe njerezit te dine te informohen per batutat idiote te politikaneve tane acarues, per cdo ngjarje banale qe ka ndodhur gjate komunizmit, per cdo rresht te shkruar ne arkivat pa fund te ish Komitetit Qendror te PPSH.
    Cfare eshte e perparuar nga ana kulturore apo shkencore duhet te mbetet sa me larg opinionit publik ne Shqiperi.
    Mbetet vetem interneti, nese linja juaj punon, keni te ardhura te mira, dhe kuptohet nese nderkohe ju kane ardhur dritat.

  9. Ina thotë:

    13 January 2008 @ 10:53 pm

    po se mar vesh cfare te mire shikon qeveria qe e ka kaluar kete ligjin per tatimin? cfare perfiton? se per te humbur e morem vesh …very dissapointing

  10. toko thotë:

    13 January 2008 @ 11:05 pm

    Une nuk e di si do te jete sakte, sakte ky ligj. Por mendoj
    Probelmi i shtypit te huaj qe hyn ne shqiperi ka dy funksione.
    Se pari funksionin edukativ-studiues dhe funksionin e njohjes se popullates si individit me ngjarjet ne bote, nepermjet lirise se shtypit.
    Ndersa funksioni i pare ka interes kombetar dhe lidhet me insititucionet qofshin keto private apo shtetrore ( do te mesoj gazetaret e shtypit tone privat si mund te shkruhet ne nje shtyp te perparuar qe te os botojne me artikuj si ky :), ndihmon ministrite dhe institucionet e tjera zyrtate shtetrore apo dhe private ne njohjen e problemeve te botes dhe ne studimet e tyre) mendoj se kjo kategori duhet ta mare kete shtyp pa taksen e tatimit te shtuar. Kjo s’eshte normale, pasi ne fund te fundit shtypi boteror eshte nje mall me te cilin tregetaret bejne biznes njesoj si ai qe shet mish apo qumesht tek dyqani i markatos.
    Por duke ditur rendesine e ketij shtypi dhe ndihmen qe ai jep ne keto insitucione te shihet si nje invenstim apo sumbvecionim i shtetit ndaj ketyre insititucioneve. Per individet private qe duan te lexojne kete shtyp, mendoj se vendoja e takses eshte normale, njesoj si do ti vihet takse kalemave, bojes, apo fletoreve, perse ky lloj bisnesi duhet perjashtuar? Ku eshte pozicioni i shtetit qe vendose bisneset si te barabarte midis te barabarteve. Artikulli me sa lexoj eshte thjesht nje egzagjerim qe i behet ceshtjes nga klane apo grupe qe preken nga ky tatim. Nuk kuptoj jane shtypi i huaj qe nuk sjell me gazeta ne shqiperi apo keta bizensmene qe nuk blejne me gazeta per shitje apo furnizim te konsumatorit. Me sa di une dhe me korigjoni per kete ne se jam gabim nuk eshte “Financial Times”, “La Repubblica”, “The Economist”, “Frankfurter Allgemeine Zeitung” apo “Le Monde” qe shesin direkt ne shqiperi, jane komisjoneret e tyre ne shqiper ata qe kane shkurar kete artukull qe porosisin dhe shesin ne shqiperi. Dhe merzitja e tyre eshte e justifikushme preket xhepi i tyre dhe kushdo qe te ishte do te protestonte, por eshte papjekuria e gazetave tona qe botojn edhe titullojne keto artikuj ne kete fare feje

  11. vl thotë:

    14 January 2008 @ 12:05 am

    PO MIRE KJO QEVERIA JON ZGJDHI TE GJITHA PROBLEMET QE KA SHQIPERIA. DHE PO MERET ME GAZETAT, MJERE PER NE SHQITARET ME KETA QE NA QEVERISIN……..

  12. Peshku Fluturues thotë:

    14 January 2008 @ 1:21 am

    Llukan
    Eshte e vertete qe libri eshte biznes, por eshte nje biznes qe ndryshe nga te tjeret, ndihmon ne perparimin shoqeror. Ti e di fare mire se c’behet kudo ne perendim, por edhe ne Indi e ne Kine per te promovuar librin dhe leximin. Ndaj dhe taksat e librit nese ka (ka vende qe kane 0 tatim per shitjen dhe shperndarjen) jane me te vogla se cdo mall tjeter, ashtu si cigarja dhe pijet jane me te tatuarat. E di qe ne Shqiperi Ali Pashe Tepelena ka qene i pari qe ka hequr cdo lloj taksimi mbi librin ne Shqiperi. Nuk jam i sigurte per Zogun, por nese nuk gaboj edhe ai ka patur nje politike mjaft liberale karshi librit. Kurse Enveri i ra me shkurt, hoqi edhe tatimin edhe librat e huaj dhe rame rehat. Me sa duket edhe Saliu atje po shkon, se edhe teserat njesoj i kane pasur

  13. Idris thotë:

    14 January 2008 @ 8:02 am

    Llukan i nderuaruar!
    Po te pergjigjem para MOZES se helbete ,megjithse Moza mburret se nuk pyet per admin:( :( ,prap se c’kini nje hije te rende ,jo shume autoritare por gjithsesi me shenja te njeanshmerise…..
    Thjesht fare .E di ate historine e atij fshatarit qe rrahu BEUN.Ne gjyq perdori nje taktike te tille:
    Z.Gjyqtar ______pauz__Z.Gjyqtar____pauz___ Z.Gjyqtar…..dhe keshtu rreth 15 minuta dhe pas cdo” z.Gjyqtar “,k/tari trupit gjykues i thoshte …HE…
    Dhe perseri pas 30 minutash fshatari ______z.Gjyqtar_
    -Digjo ketu ti more .Mos luaj me nervat tona.Do flasesh apo si e ke hallin-ju drejtua kercenushem K/gjyqtari.
    -E z. Gjyqtar.Ti u merzite per 30 minuta me mua qe as te perbuz e as te poshteroj…Po ky qe ka dhjete vjet qe vetem me ofendon…C’te beja une???????????
    N.qse ti me tregon se ku hyn Enveri dhe sistemi socializmit tek vendimi Berishes dhe une do te tregoj__Z.gjyqtar____:D :D :D
    Per te qene i sinqerte me Ju dhe ndonje qe nuk i besohet MOS KUJTO se JA FUTA KOT per LITERATUREN.Eshte tjeter mesele se kujt i lejohej ta shfrytezonte.Dhe aq me teper tjeter mesele se si eshte e verteta…..
    Te jesh i bindur qe une I HEQ MAJAT hipokrizise qe vend e pa vend cdo mendim do ta ngjyej me pak “antikomunizem” duke i shndruar diskutimet ne BAJATIZEM.
    Dhe shembulli me konkret eshte Tregimi i Lostit ,ndoshta nga prurjet me cilesore te kohes dhe pa asnje rresht kundra “Fantazmes se Dankos”

  14. Idris thotë:

    14 January 2008 @ 8:09 am

    Ishte nje kohe si gjithe te tjerat.Ju kini ne dore faktin qe “rezuat lisa”…..
    E si te duket ky fillim…Ata vazhdoj? :D :D :D
    Jo mi MOZa JO.
    Une e kam dhene mendimin tim perfundimtar se AI SISTEM POLITIK e mbaroi MISIONIN HISTORIK dhe si i tille NUK KA AS SHANSIN e 100 DITEVE per tu RIKTHYER.
    C’far do me qe te shprehem..
    Po aman ore durohen kacapjerdhet,qe shohin endra sikur vrasin KUCEDRA dhe pasi cbllokojne BURIMET ,rrembejne edhe te BUKUREN e DHEUT dhe na vijne kaluar duke u rene trumpetave te fitores?

  15. Idris thotë:

    14 January 2008 @ 8:18 am

    Asnjerit!
    Te tilla vendime per kohen duhen pershendetur sepse disa veprimtari ne emer te nje te drejte morale te INFORMIMIT ku hyn edhe importi i literatures,jane bere burim fitimi per shume qe operojne ne treg me botime nga me te ndyrat,duke perfituar nga rremuja e pergjitheshme.
    Dhe ne kete rast ne emer te importit te literatures ,si nje nga te drejtat themelore te individit per informim,ne MEMEDHEMBJE kane hyre ….nje zot e di se c’ka hyre.
    Une do isha partizan(Moza jo nga ata me dyfek me gjalme :D :D )qe kjo mase te shtrengohet me shume me KONTROLLIN e TREGUT.
    Dhe te shohim pastaj keta biznesmenet e “suksesshem” qe nuk lane hale te botes pa mbledhur vjetersira pornografike duke bertitur se po miratohen ligje represive si ne kohen e Enverit qe i ndalojne te “informojne publikun”.

  16. Ll thotë:

    14 January 2008 @ 9:50 am

    Liri,

    Per mendimin tim “Muri i Berlinit” ka rene edhe per ne, vecse e kemi zevendesuar me “Murin e realizmit”, me faktin qe popullsia eshte mesuar (ose e kane mesuar) tashme me nje produkt te cilesise se ulet dhe qe rrjedhimisht cdo perpjekje per ta shembur tashme ndeshet ne llogjiken e tregut (a te blej Gazeten Filan qe kushton 20 Lek dhe qe me jep nje perzierje te cilesise se dobet per te gjitha gjerat brenda dhe jashte Shqiperise, apo te blej Corriere-n qe do me kushtoje mbi 100 Lek dhe qe do te me flase per dicka ne anen tjeter te detit).

    PF,

    Jam krejtesisht dakort qe informimi/leximi eshte nje dukuri shoqerore qe duhet nxitur. MEGJITHATE pavarsisht ketij mendimi nuk mundem kurrsesi te marr seriozisht nje shkrim si ky, i cili deri diku me krijon reaksion te atille ne castin e pare sa te them “e mo mire, pune e madhe”. Gjithsesi, pas ketij reaksioni me vjen mendimi se nuk e besoj dot qe ne kushtet e Shqiperise kur nuk ka nje konkurrence te theksuar ne tregun e botimeve te huaja, te mos kete vend per ulje cmimi nga ana e importuesve ne menyre qe te mos ulet nr. i kopjeve te shitura.

    Idris,

    1) Ishte e pamundur per shtetin Shqiptar ne ate kohe te siguronte te gjitha publikimet ne treg. Ky eshte nje fakt i vertetueshem lehte.

    2) Sic e thua, edhe ato qe bliheshin nuk lejoheshin per te gjithe. Kjo s’eshte shperndarje FALAS por eshte shtresezim i popullsise ne shperndarjen e dijes. Dija, ne pergjithsi, eshte dicka e dobishme dhe per tu perhapur sa me gjere, jo per tu mbajtur vetem per grupe te caktuara, aq me teper kur keto grupe te caktuara deshtuan ne perdorimin e dijes per te zgjatur jeten e sistemit, dhe per te permirsuar jeten e popullsise. Kjo eshte fatkeqsi.

    3) Times, Economist, Vogue, Marie Claire, Wall Street, Corriere, Le Monde, IHT etj, etj nuk jane botime pornografike. Po i shikon gjerat shume thjeshte.

  17. Idris thotë:

    14 January 2008 @ 6:50 pm

    1-Per cilet grupe e ke fjalen z.Llukan qe “deshtuan”?…:D :D :D
    Per ata qe ke ne krye ,per ata qe kane qeverisur keto 20 vjet apo per ata qe mendon virtualisht se do jene me te mire?
    Ne sapo morem mesazhin e BERISHES per vit te RI qe kemi kapur majat…
    Apo ky nuk ben pjese ne ate GRUP ?
    2-Ku eshte perdorur fjala “treg”? pervecse librari,Institute,Universitet?
    3-Ku lexove per titujt e gazetave qe permend? Perkundrazi lexove se keta MATRAPAZE nen petkun e futjese se asaj literature qe permend ti e DYNDEN,SUPERNGOPEN,tregun me NDYRESIRA PORNOGRAFIKE te grumbulluara nga HALETE e Europes dhe BOTES,duke e THYER e jo nxitur per guxim,ate pjese qe quhet E RE.Keta qene dhe jane biznesmenet e suksesshem.
    Me gjithe respektin e madh qe kam per ty ne vecanti ,ve re se je
    SHUME i NJEANSHEM…
    Kjo s’ta heq te drejten qe sa here te mos te te pelqejne prurjet e mija …TI FSHISH…:D :D :D

  18. Ll thotë:

    15 January 2008 @ 12:57 am

    Idris,

    Per hir te shume gjerave do ti bie sa me shkurt dhe do ta mbyllim kete diskutim bashke se kalojme kot nga njera dege ne tjetren.

    1) “Grupet” jane ata qe sic thashe deshtuan ne mbajtjen e sistemit ne kembe. Deshtuan ne frenimin e renies ekonomike. Deshtuan ne hapjen e ngadalte dhe te matur. “Grupet”, sic TI E DI MIRE i njoh. Mos e cojme diskutimin ne kete drejtim se s’ka vlere ketu.

    2) “Libraria” s’eshte gje tjeter vecse “shitorja” e dijes. Institutet, universitetet, jane “magazinat” e saj. “Tregu” ne teresi nuk siguronte dot gjithshka. Edhe ate qe siguronte, s’e shperndarnte dot tek te gjithe per arsye te caktuara.

    3) Nuk eshte me viti 1992 por viti 2007. Ne stendat e gazetave/librave gjenden shume me teper titujt qe permenda me siper sesa ato te cilat kujton, e te cilave ndoten tregun ne periudhen fillestare.

    Ne mbyllje: Une jam i njeanshem vetem nese me shikon nga nje “pozicioni i skajshem” :) Pergjigjet parapelqej te mos i fshij, me pelqen shume me teper kur lexoj pergjigje te ekuilibruara te mbeshtetura ne fakte, ne arsyetime te ftohta dhe jo te ndikuara vazhdimisht nga diskutime te tjera. Mbi te gjitha, me pelqen kur diskutohet ideja dhe jo personi qe e sjell.

    Gjithe te mirat,

    Ll.

  19. Fisniku thotë:

    15 January 2008 @ 8:41 am

    Ej, ku e bletë gazetën Zëri i Popullit sot?
    Uh,më fal, është gazetë komuniste. Po gazetën 55?
    Ah, keni blerë Koha jonë me sa duket. Unë i marr këtu ke qoshi i rrugës në
    Roxbury Dr, Ypsilanti, Miçigan-SHBA. Ku? the?
    Ja mo këtu ke qoshi rrugës ku shkoj e ble The New York Times dhe USA Today. Bën $1.00.
    Jo mo jo se bëra shaka. Vetëm një idiot e beson një gjë të tillë.
    Unë nuk habitem më se ka njerëz të tillë që habiten pse nuk ka shtyp të huaj në letër në Shqipëri. Kujt i plasi menderja se s’paska shtyp të huaj në Shqipëri.
    Shko ere dreq njih vetvehten një herë.

  20. olsib thotë:

    16 January 2008 @ 1:26 am

    Me teper se sa TVSH-ja mbi gazetat dhe librat e huaja mua me terhoqi komenti i pare i Penar Musarajit rreth pasaktesive ne artikullin e Shqip-it. Artikulli eshte shkruar me nje llogjike “te cuditshme” qe i transmeton lexuesit nje pamje te deformuar te argumentit rreth te cilit flitet.

    Ndersa persa i perket TVSH-se mbi botimet e huaja, mendoj se eshte nje nga problemet me te fundit qe Shqiperia mund te kete ne keto kohe. E ndoshta nuk perben aspak nje problem. Fundja keto botime i drejtohen nje klientele specifike dhe jo publikut te gjere.

  21. Ll thotë:

    17 January 2008 @ 7:32 am

    Kryeministri Berisha: Ligji për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar do të amendohet, që të përjashtohet shypi periodik i huaj nga TVSH-ja

    KM.gov.al
    16/01/2008

    Gjatë mbledhjes së sotme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha bëri të ditur se qeveria do të ndërmarrë nismën ligjore për amendimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar (TVSH), në mënyrë që të përjashtohet nga TVSH-ja shtypi periodik i huaj.

    “Ligji për TVSH-në do të amendohet, në mënyrë të tillë që të përjashtojë shtypin periodik të huaj nga TVSH-ja”.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com