Login



Register

Grimca

Shpinë e butë

Shpinë e butë e elefantit që mban botën,
Tru ku mendimi përgjumet e humbet
barërave me erë trullosëse që mbulojnë
gjunjët e holla e me nyje të insektit
që na tremb; ja kështu është gjoksi yt,
çast i ngrirë , gjak i mpiksur mbi plagët
me të cilat lindëm; të çarat e syve, gojës
që lakmojnë qumësht, trajtë, mish, tjetrin

Bark i butë me pala i lehonës, gjuhë ku
fjala mbytet në lëng të epshit a urisë, ku
embrioni zhytur në gjak kërrusur në mitër
s`di kush është; ja kështu të gjej, të humb
shkretëtirave, xhunglës; mirazh i pyllit, yll
që shuhet si mendim në ëndërr, plasave
si shi. Nga vijnë ata kuaj tymi? Ku shkon?
Ç`më thotë shushurimë e zhegut, pellgut,
flaka, buzë e fryrë e femrës që më puth?

Mish i butë i zverdhur i kufomës, kënetë
ku ujët nuk rrjedh më, prehër i ngrohtë
i gropës ku krimbi bren e drita s`hyn dot
brenda: ja kështu është me ty, strukesh
përtej botës atje ku më nuk shoh, nuk di,
Po malli më gërryen, dëshira për të rënë
pafund aty nga erdha, për të qenë sërish
fëmijë symadh që qeshet kur sheh prindin

Haiku
Kjo godinë pa dyer e dritare,
nuk merret vesh se ç`është;
tempull, burg, apo hotel…

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. karmapolitick thotë:

    22 July 2008 @ 3:41 pm

    ej, ku kena qen ne, kur i ke shkrujt ti kto?

  2. Vemendje thotë:

    23 July 2008 @ 11:49 pm

    une di qe jame duke i lexuar, “me mire vone se kurre”

    Per “Haiku-n”
    mendoj se eshte Tempull.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.