Shqiptarët, mollët dhe Zoti
Zoti, apo dikush ose diçka që është zot tanipërtani, u dha shqiptarëve dy mollë dhe u tha të mos i kafshonin, as njërën as tjetrën. Shqiptarët (thanë me vete: kujt do t’ia fusë ky?!) kafshuan njërën dhe, pa e kapërdirë e provuar mirë shijen e saj, kafshuan edhe tjetrën : një shije që s’mund të thuash e ëmbël, as e thartë as e hidhur…
… (në fakt më shumë e hidhur), diçka tepër e përzjerë dhe e pakuptueshme, sidomos për shqiptarin. Sigurisht, reagimi normal i çdo njeriu të këtij planeti ku jetojmë do të ishte një flakje molle përtokë (për të mos thënë heqja e pjesës së kalbur, për të shpëtuar mollën ose mollët) ose një kuriozitet tipik shqiptar për të parë çfarë e shkaktoi këtë shije te mollët dhe për heqjen e cipave të tyre. Shqiptarëve po u mbushet mendja ditaditës se Zoti ua dha mollët, copë dy, dhe atë që thotë Zoti, e bën! Një pjesë e dyshimit, shfryrjes së inatit, vëmendjes, sharjeve etj, po zhvendoset nga mollët (gjithmonë copë dy) te Zoti ose dikush apo diçka që është zot tanipërtani.
Ndërkohë dhjetë urdhëresat janë po ato, me ndryshime të vogla, aq të vogla sa mezi duken: edhe nëqoftëse kafshohen mollët duhen kafshuar të dyja njëherësh, qofshin ato njëra shumë e mirë, tjetra krejt e kalbur. Copë dy…të dyja njëherësh…shije gjithmonë e njëjtë.
Kur me shqiptarët tallet edhe Zoti ose dikush apo diçka që është zot tanipërtani, nuk ka sesi të mos tallen edhe ëngjëjt, ose më mirë ata që mbajnë fytyra të tilla, s’ka sesi të mos tallen edhe shqiptarët me veten e tyre, trishtueshëm si gjithmonë me një shpresë të vogël se shakaja e madhe për ta (e vogël për Zotin e madh, bashkë me ëngjëjt e mollët, me sojin e sorollopin e vet) do të mbarojë shpejt, dhe se më në fund, “ata nga më të lashtët”, do të pushojnë së qeni aktorë absurdë të një drame absurde. Kjo duhet t’i ndihmojë të formojnë një mendim të qartë për veten e tyre dhe të ndërgjegjësohen se nuk janë as më lart e as më poshtë të tjerëve, të cilët, edhe duke e lavdëruar apo sharë Zotin, nuk kanë pritur mollë nga qielli, as copë dy, as një. Kanë mbajtur kokat dhe fytyrat ulur drejt tokës, duke gërrmuar aty për t’i mbjellë vetë mollët e tyre. Tani ata kanë aq shumë nga këto mollë, sa u japin edhe shqiptarëve duke ua hedhur nga qielli, sepse andej është drejtuar fytyra e shqiptarëve, duke pritur, brenda mundësive, edhe ndonjë gjë tjetër….(1997)


18 April 2007 @ 1:37 pm
Nice
Por c’e do qe ne vend te molleve kesaj rradhe ka filluar te dale nje koqe Ftoi e tipit E.R., qe as recel s’e ben se te ngec ne fyt me keq se cdo frut tjeter.
18 April 2007 @ 1:41 pm
Nice
Po c’e do qe kesaj rradhe ka dale nje frut i ngjashem me Ftoin, i dale nga e njejta baçe, paksa leshator nga surrati, qe as per recel s’ben se te ngec ne fyt me keq se cdo frut tjeter. Duhet te prisni pak per bananet! Tani i kemi mbjelle dhe mendohet te fillojne te prodhojne pas me pak se 10 vjetesh!
20 April 2007 @ 3:28 pm
Ngjan ky shkrim nga ritmi e stili me Zarfin e Ilirianit…
21 April 2007 @ 7:19 am
Titulli:
Arben Dali, Salvador Orhani dhe ai/ajo qe tallet me te.
Nentitulli:
Shqiptaret, Mollet dhe Zoti
Viti i prodhimit:
1997
Data e prodhimit:
18 Prill, 2007
ps. e lexova dy here.