Shqipni tavolinash

Artan Lame (Shqip)

MINATORET

13 burra filluan një grevë urie. S‘ua vuri njeri veshin. U ngritën e erdhën në Tiranë dhe u ngulën para Kryeministrisë. Prapë s‘ua vuri njeri veshin. U ngritën dhe shkuan ca më tutje, para Presidencës. Edhe këtu nuk u bë merak njeri për hallin e tyre, ndërsa ata u gdhinë e u ngrysën buzë trotuarit, ku i poqi dielli i korrikut. Në bulevard vazhduan të kalojnë makina me ajër të kondicionuar dhe kabriole me targa të huaja, ndërsa në trotuar mbrëmjeve vërshuan djem me vëth në vesh dhe çupa me barkun jashtë. Edhe ata minatorët kanë çupa në shtëpi, po me barkun bosh. Ky është ndryshimi. Ky është edhe problemi, pasi rrojmë në shekullin XXI, ndërsa halli i minatorëve është i shekullit XIX. Merita që jemi në shekullin XXI, është e kalendarit, ndërsa merita që problemet i kemi të shekullit XIX, është e shtetarëve.

Atë ditë që u zhvendosën para Presidencës, 200 metra më tutje një grup anglez jepte koncert në stadium. U shkul tërë Tirana t‘i shihte (anglezët, jo minatorët). Atë pasdite vonë, grevistët po hiqnin nga koka copat e gazetës që i kishin mbrojtur nga dielli gjatë ditës dhe përpiqeshin t‘i jepnin gajret njëri-tjetrit, ndërsa turma e njerëzve rridhte drejt Stadiumit. Më pas, njëri syresh u përpoq t‘u ngrinte moralin me një megafon prej nga dilte një zë i tretur nga etja dhe lodhja: “Minatorët do fitojnë”. Nuk bërtiste pa ndërprerje, por zgjidhte pauzat e qetësisë, kur nga Stadiumi nuk buçiste fonia e koncertit.

Të nesërmen, çdo gjë njësoj. Vapë e madhe dhe ndonjë banor i Lagjes 8, që u sillte ndopak ujë minatorëve mjekërparruar. Lagjja 8 banohet më së shumti nga ish-funksionarë të regjimit të shkuar, të atij që e përmbysën këta minatorët para 17 vjetësh. Tani gjenden në të njëjtën anë të barrikadës. Ndërsa në anën tjetër të barrikadës, është një ish-sekretar Partie nga vendi i Gjergj Elez Alisë, që dikur u kishte shërbyer ish-funksionarëve të Lagjes 8.

Trembëdhjetë janë këta vullnetarë të urisë. 10 herë më shumë, qenë ata që u paraqitën vullnetarë për në Gjykatën e Lartë. Sa shumë juristë paskemi dhe sa pak minatorë. Sa shumë juristë dhe sa pak drejtësi.

Ditën tjetër e njëjta gjë. Minatorët duhet të ndajnë mendjen, ose të vdesin aty në trotuarin e bulevardit, ose të kthehen në shtëpi. Të vdesin aty nuk ka asnjë vlerë. Rrojmë në kohëra kur as hero nuk bëhesh dot.

FISNIKU I QYTETIT

Në një vend si ky i yni, ku folklori dhe shkenca përzihen me njëra-tjetrën, nuk ka gjë më të vështirë të ndash legjendat nga historia. E tillë është edhe legjenda e vilës së Durrësit që tregtarët e atij qyteti ia paskëshin dhuruar Ahmet Zogut. Do merrem ca më vonë gjerë e gjatë me këtë temë, por sot po ju sjell diçka sa për ta shijuar, i yshtur nga një ngjarje e para ca ditëve që ndodhi në Durrës.

“11 Korrik 1933. Mbledhje e Komisionit të Huasë SVEA (huaja 50 milionë franga ar e marrë nga Qeveria Shqiptare). Komisioni aprovon përdorimin e 2.000 frangave për të ndryshuar impiantin e rubinetave të Vilës Mbretnore Durrës, pavarësisht vërejtjes se, prej disa kohësh po kërkohen fonde për modifikime në atë Vilë, të cilat duket se shërbejnë më tepër për të kënaqur kapriço sesa për të përmbushur nevoja serioze të vendit.

29 Gusht 1933. Mbledhje e Komisionit të Huasë. Kërkohen 4.500 franga për impiantin e grilave dhe tendave metalike të jashtme. Komisioni proteston energjikisht. Për pasojë, Ministri i Punëve Publike, deklaron se kjo do të jetë kërkesa e fundit dhe se nuk do të bëjnë më kërkesa të tilla. Ju kërkua Ministrit ta deklarojë këtë me shkrim, por nuk pranoi.

18 Tetor 1933. Raport drejtuar Komisionit. Kërkohen 14.000 franga të tjera për punime të ndryshme në Vilë. Komisioni shprehet kundër, duke deklaruar se është koha t‘i jepet fund përdorimit të parave të Huasë Shtetërore për punime në rezidencat mbretërore, duke qenë shpenzime që është e sikletshme të demonstrohen si punë publike.

Në këtë moment, Ministri i Punëve Publike sugjeron, që për këtë të përdoren 25.000 frangat e shitjes së shufrave të hekurit dhe materialeve të ndërtimit që mund të kursehen nëse ura e Rrogozhinës (që ishte në ndërtim) bëhej me një këmbë më pak. Komisioni pranon me rezerva”.

2 Korrik 2008. Shoqata “Durrësi” në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak, i akordon Ahmet Zogut, titullin “Fisniku i Qytetit”.

Në të gjithë botën dhe në të gjithë kohët, ajo historia e fondeve që shpjegova më sipër, quhet “vjedhje e fondeve publike” dhe të çon pa një pa dy, prapa hekurave. Në Durrës vendosën ta quajnë “fisnikëri të qytetit”. Kohë të reja, zakone të reja.

ROZAFI
U desh që një qytetar i Shkodërloces t‘i thosh mendja të murosej i gjallë në kolonat e një pallati, që të ma bënte lëmsh gjithë legjendën e Rozafës. Këtij fatziut, kushërinjtë i kishin marrë truallin dhe po ngrinin në të një pallat, ndërsa ai, kur i humbi të gjitha shpresat për të rimarrë tokën e vet, vajti u fut brenda njërës prej kolonave dhe deshi të murosej i gjallë. Jo më kot prova për murosje ndodhte në Shkodrën e legjendës së Rozafës. Jo më kot edhe në këtë rast, palë ishin njerëz të një gjaku, si te tre vëllezërit e Legjendës së lashtë.

Jemi mësuar t‘i shohim legjendat si pika kulmore të krijimtarisë kombëtare, por harrojmë se ato janë edhe shfryrje artistike e një tensioni të madh të brendshëm. Mos vallë edhe Legjenda e Murimit i ka rrënjët thjesht në probleme pronësie dhe mosmarrëveshjesh midis vëllezërve dhe pastaj, me kalimin e kohës, asaj i është bërë një veshje poetike dhe tragjike, për të fshehur thelbin e sherreve të pafund për punë pronash, atëherëë si edhe sot? Vetëm se ky Rozafi i ditëve të fundit, nuk do të ketë fat t‘i ngrenë këngë e t‘i bëjnë vargje. Koha jonë, me televizorë e gazeta, nuk lë kohë të lirë për të bërë poezira, përndryshe pas ndo 1000 vjetësh, brezat do të kishin në libra një legjendë që fliste për një kushëri, që mes kushërinjve pranoi të murosej në një shtyllë betoni, që njerëzit të rronin të lumtur në pallatin e ri.

Apo rrënjët e Rozafës janë në një tjetër hall të kohëve të lashta? Legjenda na thotë që muret në mëngjes i gjenin të rrëzuara, por nuk na saktëson nëse gurët e rrëzuar ishin aty apo jo. Se mund të ketë qenë çështja shumë e thjeshtë. Ndërsa tre vëllezërit po ngrinin kalanë, pjesa tjetër e ilirëve trima po bënin shtëpitë e tyre dhe, në mungesë të materialeve të ndërtimit, ja ku ishte kalaja nga mund të merreshin ato, sa nuk ishin tharë mirë. Është ajo që po ngjet anekënd Shqipërisë 20 vjetët e fundit, ku nuk mbeti mur shkolle a fabrike pa u vjedhur natën e ditën. Tre vëllezërit e Legjendës mund të vinin edhe roje natën, por atëherë ashtu si edhe sot, ku ka një vjedhje, roja dhe polici është gjithmonë pjesë e skemës, se edhe ai ka shtëpi për të ngritur. Vetë tre vëllezërit, nuk mund të bënin roje, pasi të lodhur nga puna e ditës natën duhej të çlodheshin. Në këtë pikë me siguri do ketë ndërhyrë edhe Mbretëresha Teutë, që ka kërkuar që historia të ndryshohet që të duket më e fisme dhe kështu legjenda mori udhë. Historianët natyrisht që kanë pranuar ta ndryshojnë, se edhe ata kishin shtëpi për të bërë, atëherë si edhe tani.

Kanë kaluar mbi dymijë vjet që atëherë dhe ne sot, të sigurt kemi vetëm legjendën. Të tjerat janë vetëm supozime. Supozime dhe variante, të cilat ne i provojmë apo i ngremë sa herë që gjendemi para të njëjtave marrëzi shqiptare shekull pas shekulli. Marrëzi me prona, për pronat, nga pronat.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. V+TAR thotë:

    8 July 2008 @ 2:06 pm

    Tan Lame tallet bukur fort me kerkesat e grevisteve. Tan Lame eshte lider ne nje parti qe nuk bezan per kerkesat e minatoreve. Tan Lame nuk vajti asnjehere ti vizitonte keta po bridhte me makinen e kondicionuar para tyre. Tan Lame eshte pothuajse njesoj si sekretari i partise nga ana tjeter e barrikades.

  2. toko thotë:

    8 July 2008 @ 4:40 pm

    Trembëdhjetë janë këta vullnetarë të urisë. 10 herë më shumë, qenë ata që u paraqitën vullnetarë për në Gjykatën e Lartë. Sa shumë juristë paskemi dhe sa pak minatorë. Sa shumë juristë dhe sa pak drejtësi….
    ——–
    Jo or jo nuk jane pak por pjesa tjeter eshte ose me sindikaten tjeter ate te partise ne pushtet ose as qe duan tja dine per pune sindikatash e grevash. Keta te 13tet ( numur ters, Thua opozita do te humbase zgjedhjet e ardheshme sepse numuri 13 eshte ters? ) jane me ate ate te opozites. Njesoj edhe me drejtesine. Ajo sot eshte me anen e partise ne pushtet, neser do jete po kaq pak kur opozita do te vij ne pushtet. Drejtesia ashtu si sindikatat jane pjese e partise ne pushtet dhe asaj ne opozite. Me shume juriste e minatore me sindikaten e partise ne pushtet me pak drejtesi dhe minatore e juriste te opozites. Neser kur opozita te vij ne pushtet do te jete po keshtu Pozita ka me shume opozita ka me pak A nuk eshte ky rregulli i “demokracise”?
    ———–
    …Në të gjithë botën dhe në të gjithë kohët, ajo historia e fondeve që shpjegova më sipër, quhet “vjedhje e fondeve publike” dhe të çon pa një pa dy, prapa hekurave. Në Durrës vendosën ta quajnë “fisnikëri të qytetit”. Kohë të reja, zakone të reja….
    ————-
    Sic thote Ylli i ri i politikes shqitare. Pervishuni punes mos u merni me korupsionin dhe hekurat
    ———

    …Marrëzi me prona, për pronat, nga pronat…
    ———–
    Prona private -kemi mesur ne shkolle - eshte e keqja e cdo sistemi shoqeror vec atij sistemi qe nuk ka e mbron pronen private si te shenjte.
    Cili te jete ky sistem ? Jo jo nuk eshte ai komunist eshte ai i rumpalles 18 vjecare shqiptare.

  3. Pjer Thomas thotë:

    8 July 2008 @ 5:25 pm

    Shkrimi i Lames, kishte shprehje te forta, e shkruar me nje ironi te kendeshme, dhe s’eshte çudi te jene te verteta ato qe thote per kalane e Rozafes. Mbyllja ishte e bukur dhe e sakte ;
    ….Marrëzi me prona, për pronat, nga pronat…

  4. finish thotë:

    8 July 2008 @ 6:12 pm

    P.TH i vetmi problem aty asht: kush qene KTA historiane te kohes se Teutes?Njeh ndonji ti pasi mu sme kujtohet ndoj emen…po nji gja asht e sigurt shteti yne a si kalaja e rozafes nuk po din me u ndertu nji her…te pafajshem jan sakrifiku po prap spo ndertohet gja…

  5. J. thotë:

    8 July 2008 @ 8:52 pm

    2 Korrik 2008. Shoqata “Durrësi” në bashkëpunim me Këshillin Bashkiak, i akordon Ahmet Zogut, titullin “Fisniku i Qytetit”.

    Në të gjithë botën dhe në të gjithë kohët, ajo historia e fondeve që shpjegova më sipër, quhet “vjedhje e fondeve publike” dhe të çon pa një pa dy, prapa hekurave. Në Durrës vendosën ta quajnë “fisnikëri të qytetit”. Kohë të reja, zakone të reja.

    Po ja bre një që lexohet.
    Krahasoni Lamen me spiropalosjen, forcën e argumentave, shtjellimin, përqasjen, vlerën morale të shkrimit, diturinë, përdorimin e ngjarjeve historike në kontekstin e asaj që shkruan etj etj etj.

    V-Tar ça lideri qenka Lamja që nuk e kemi dit ne?

  6. shqipo thotë:

    9 July 2008 @ 3:17 am

    J: Lame ka qene zv. minister i Turizmit dhe kandidat per deputet i PS.
    http://lajme.parajsa.com/Biznesi/Projekti-i-dyshimtl-i-Bregdetit-nga-Artan-Lame-deri-te-dhlndlri-i-Berishls/

  7. J. thotë:

    9 July 2008 @ 8:31 pm

    Po atë e di o Shqipo, nëse e gjen lidhjen midis asaj çka thua dhe kësaj çka thotë V-Tari atëherë dorëzohem.

    Tan Lame eshte lider ne nje parti qe nuk bezan per kerkesat e minatoreve. Tan Lame nuk vajti asnjehere ti vizitonte keta po bridhte me makinen e kondicionuar para tyre.

    Unë pyeta çka është, jo ça ka qënë. Për atë punë nëse besojmë në teorinë e rikarnacionit….mendoj se duhet të kem qënë…Gjergj Elez Alia.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com