Shqipëria në Bienalen e Venecias: Historia e një pune përsëmbrapshti

Nga Adrian Paci
Shekulli
30-01-2007

Ma në fund Bienalja e Venecias hyni në axhendën e Ministrisë sonë të Kulturës, ups. . . të Kulturës e të Turizmit, se kështu ia thonë. Mbasi e kishte injorue për vite e vite me radhë pjesëmarrjen shqiptare në evenimentin ma të rëndësishëm artistik që zhvillohet çdo dy vjet në qytetin e Venecias, Ministria jonë e Kulturës dhe e Turizmit vendosi ma në fund me e marrë në konsideratë këtë pjesëmarrje dhe ia hyni punës. Veçse ia hyni përsëmbrapshti, duke prishë, e, siç thotë poeti, “nuk kish sesi të ndodhte ndryshe”.

NDJESË

Unë e di fort mirë se sot opinioni ynë asht i lodhun prej debateve e një debat për pjesëmarrjen shqiptare në Bienalen e Venecias nuk kishte me apasionue kërkënd.

Mandej nuk bahet fjalë për një debat kulturor, për një debat që ka në qendër ide apo vizione, pra për një debat gjithsesi të naltë. Jo, jo. Këtu bahet fjalë për diçka të ultë e të pabukur, nga ato që zyrat dhe konjukturat tona politike dinë me servirë gjthmonë e që përgjithësisht kalojnë në heshtje pikërisht sepse janë meskine e jo tërheqëse.

I kërkoj të falun pra lexuesit të këtyne radhëve për karakterin jo tërheqës të rrëfimit tem, por nga ana tjetër jam i bindun se sa ma shumë me i lanë në heshtje këto lloj mbrapështish, aq ma shumë ato kanë me u zhvillue e me i ndejtë kamëkryq jetës sonë kulturore.

PAK KRONIKË

Më 1997, për herë të parë një flamur i kuq me shqiponjën e zezë sillej nëpër ambientet e Bienales së Venecias. Ishte artisti Sislej Xhafa që pa e thirrë kërkush, me një gjest tipik provokativ por edhe lojcak, kishte vendosë me mbathë rrobat e kombëtares shqiptare e me iu paraqitë platesë së artit botnor në Venecia në formën e një pavijoni klandestin.

Dy vjet ma vonë, pra në Bienalen e 1999-s, një grup prej dhjetë artistësh shqiptarë në një ekspozitë me titullin “Shqipëria Sot, Koha e optimizmit ironik” të kurueme prej Edi Mukës, merrnin pjesë në të parin pavijon shqiptar që i bashkëngjitej ekspozitave të shumta përreth Bienales së Venecias. Interesi dhe vëmendja ndaj këtij pavijoni ishin të pazakonta për një ekspozitë që gjithsesi zhvillohej jashtë dyerve zyrtare të Bienales, duke shënue kështu suksesin e parë të prezantimit të artit shqiptar në një eveniment të këtij rangu.

Edicioni i 2001-shit do të sillte një tjetër surprizë. Anri Sala merr çmimin e artistit të ri ma të mirë të Bienales me videon “Uomoduomo”. Shqipnia nuk merrte pjesë zyrtarisht në Bienale. Ministria e Kulturës as që e dinte që një aktivitet i tillë po zhvillohej e aq ma pak se një artist shqiptar merrte çmimin e Bienales e. . . nuk kish sesi të ndodhte ndryshe.

Edhe në Bienalen e 2003-shit shteti shqiptar nuk merr mundimin të përfaqësohet në Bienale. Kuratorët e seksionit ndërkombëtar ftojnë sërisht Anri Salën që merr pjesë këtë vit me videon “Dammi i Colori”.

Në Bienalen e vitit 2005 kena një tentativë të një kuratori të ri, Andi Tepelena që bashkë me kolegen e vet italiane Cecilia Tirelli i bien dyerve të institucioneve shqiptare për të mbështetë pjesëmarrjen në Bienalen e Venecias. Ministria e Kulturës e ban veshin e shurdhër se. . . s’kish sesi të ndodhte ndryshe. I vetmi që mbështet me pak mjete e vullnet të mirë asht drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve, Abaz Hado.

Kësaj radhe duket se pjesëmarrja shqiptare do të ketë një petk zyrtar. Sislej Xhafa caktohet tashma jo si klandestin por zyrtarisht përfaqësuesi i Shqipnisë në Bienalen e Venecias.

Falë punës së palodhun të Cecilias dhe Andit, si dhe mbështetësve dhe përkrahësve të Sislejt vepra-pavijon instalohet pranë parkut të Bienales. Përveç Sislej Xafës edhe autori i këtyne radhëve ftohet nga kuratorja e Bienales jo si përfaqësues i Shqipnisë, por në seksionin ndërkombëtar duke prezantue aty dy vepra.

Deri këtu pra, Bienalja e Venecias, megjithëse e injorueme prej Ministrisë sonë të Kulturës, Rinisë, Sporteve e tash së fundi edhe Turizmit, kishte pasë si protagonistë të vet kryesisht tre artistë shqiptarë.

Anri Salën, Sislej Xhafën dhe autorin e këtyne radhëve. Kësisoj na u duk interesant propozimi që ish drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve na bani që për edicionin e 2007-tës të ishim ne, pra tre artistë që kishim marrë pjesë në edicionet e maparshme, që të merrnim rolin e kuratorit të pjesëmarrjes shqiptare. Sigurisht asnjeni prej nesh nuk kishte kurrfarë interesi as material e as si imazh që të merrte pozën e kuratorit. Propozimi na u duk interesant për faktin se shpesh në botën e artit ku kompeticioni asht aq i madh, jo shumë shpesh gjen raste që artistët bashkëpunojnë ndërmjet vetes për me promovue një tjetër koleg. Në rastin tonë bahej fjalë edhe për tre artistë që jetonin jashtë Shqipërisë e që krejt jashtë rrugëve zyrtare të shtetit shqiptar kishin arritë me krijue profilin e tyne në skenën e artit botnor.

PROJEKTI

Mbasi Galeria Kombëtare e Arteve na propozoi me u marrë me organizimin e pavijonit shqiptar në Bienalen e vitit 2007, bashkë me Anrin dhe Sislejn biseduem se si do të ishte ma mirë me e konceptue këtë pavijon. Shqipnia nuk ka një ndërtesë të vetën ku mund të organizohej ekspozita, siç e kanë shumë vende të tjera në Venecia, prandaj do të duhej gjetja e një hapësine që gjithsesi mbetej jashtë parkut kryesor të pavijoneve të Bienales. Duke mendue se Bienalja vetë asht një aktivitet shumë kompleks ku ndërthuren prezantimet e vendeve të ndryshme me ekspozitën ndërkombëtare të kurueme prej drejtorit artistik të Bienales si dhe me shumë aktivitete të tjera anësore, ramë dakord se prezenca shqiptare do të ishte ma efikase sikur të mbështetej në prezantimin e një autori e jo në një ekspozitë kolektive. Mendimi i përbashkët i të treve ishte se artisti shqiptar që do të prezantohej në Bienalen e 2007-tës të ishte Edi Hila. Megjithëse jo ma i ri në moshë Edi Hila kishte mbërritë me e mbajtë të freskët kërkimin e vet artistik. Mbas mënjanimit të forcuem që regjimi i kishte imponue në vitet ‘70, duke e konsiderue veprën e tij si pjesë të devijimit borgjezo-revizionist në kulturë e arte, Edi Hila ia kishte nisë punës me një entuziazëm të pazakontë në vitet ‘90 duke i ndejtë afër të gjitha zhvillimeve të reja në artin shqiptar. Pa pas nevojë me e “tradhëtue” mjetin e vet të preferuem, pikturën, Hila kishte gjetë forcën me e rinovue atë në funksion të një reflektimi të rafinuem e të një vëzhgimi të vëmendshëm të realitetit shqiptar. Të tre ishim entuziastë për punën e Hilës dhe ishim të bindun se po të gjendej mënyra efikase e prezantimit të tij në Venecia, pavijoni shqiptar nëpërmjet punëve të tija do tërhiqte vëmendjen e duhun të kritikës dhe publikut ndërkombëtar. Fakti që tre artistë ma të rinj e që punonin kryesisht me mediat e reja prezantonin një artist ma të vjetër që punonte me mjetet e pikturës, rrëzonte një tjetër klishe të botës së artit sipas të cilit artistët e vjetër janë në konflikt me të rinjtë dhe piktura nuk çmohet nga artistët që aplikojnë mjete të tjera si video, fotografi apo instalacione. Të bindun se projekti ishte i vlefshëm filluem kontaktet me drejtuesit e Bienales dhe dukej se edhe ata ishin entuziastë.

ZHGËNJIMI

Këtë entuziazëm u përpoqa t’ia transmetoja edhe ministrit të ri të kulturës kur në Janar të 2006-shtës i shkrova një letër ku, mbasi e uroja për detyrën e re, i paraqita projektin e nisun me miratimin zyrtar të Galerisë Kombëtare të Arteve. Përgjigjja ishte korteze, por e shkurtër; duhej të kontaktonim drejtorin e ri. Domosdo çdo qeveri tek ne do të ndërrojë drejtorët. Mos qoftë e thanë që kur ndërron një ministër, drejtori i institucionit që varet prej ministrisë të vazhdojë punën dhe projektet e nisuna ma parë. I shkrova kështu një letër drejtorit të ri të Galerisë, zotit Nestor Jonuzi dhe mora prej tij përkrahjen se Galeria do vazhdonte të mbështeste projektin tonë. Të bindun se tashma asgja nuk pengonte vazhdimin e projektit, ishim përqendrue në kërkimin e hapësinës dhe mënyrave ma të mira të promovimit të pavijonit shqiptar si dhe mbanim të tre kontakte me Edi Hilën duke ndjekë me kuriozitet e vëmendje punën e tij. Mirëpo, si duket, gjanat në Shqipni funksiononin me një tjetër logjikë. Mbrapa krahëve punohej për ta prishë projektin tonë duke ngarkue me organizimin e pavijonit shqiptar tjetër kënd. Kështu që kur nga zyrat e Bienales u nis letra për në ambasadën shqiptare në Romë për të kërkue zyrtarisht atashimin e Shqipnisë pranë Bienales së Venecias për vitin 2007, në dyert e Ambasadës sonë mbërritën tre letra; e para ishte letra zyrtare e protokollueme nëpërmjet së cilës Galeria e Arteve ngarkonte Adrian Pacin, Anri Salën dhe Sislej Xhafën që të merreshin me organizimin e pavijonit shqiptar në 2007-tën, e dyta ishte letra e drejtorit të ri të Galerisë, Nestor Jonuzit që thoshte të njëjtën gja dhe e treta ishte shkresa zyrtare e Ministrisë së Jashtme që përcillte vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit se personi që do merrej me organizimin e kësaj pjesëmarrjeje ishte Rubens Shima, nëndrejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Sigurisht që Ambasada do t’i bindej Ministrisë. Të ndodhte ndryshe s’kish se si…

MBYLLJA

Sigurisht që një pjesëmarrje në Bienalen e Venecias mund të organizohet në mënyra të ndryshme. Unë uroj që gjithsesi kjo pjesëmarrje të jetë sa ma dinjitoze, por praktika e ndjekun prej Ministrisë sonë të Kulturës e Turizmit nuk premton asgja të mirë.

Një projekt u prish pa asnjë lloj motivimi, pa marrë as ma të voglin mundim me argumentue një pozicion të ndryshëm, pa asnjë kritikë apo oponencë serioze. Tre artistë shqiptarë që punojnë sot në vende të ndryshme të botës u morën për muaj me radhë me një aktivitet nga i cili nuk do të përfitonin asgja, ata donin vetëm për me kontribue në prezantimin e vendit të tyne në mënyrë sa ma të mirë dhe në vend të mbështetjes morën shkopinj në rrota deri në shkatërrimin e projektit. Asgja e mirë nuk mund t’i vijë kulturës nga prapaskena të tilla meskine frute të politikave amatoreske. Mandej kuptohet se sa boshe tingëllojne deklaratat e udhëheqësve tanë për të ashtuquajtunin “thithje të trurit”. Një tentativë për me ofrue një kontribut të sinqertë e të kualifikuem u shkatërrue pikërisht nga institucioni që ma shumë se kushdo duhet të ofrojë mirëkuptim ndaj çdo lloj kontributi të tillë. Sigurisht që as Anri Sala as Sislej Xhafa e as Adrian Paci nuk mbeten pa punë se dikush në Ministrinë e Kulturës apo e Turizmit u prishi një projekt. Shpresoj që edhe Edi Hila do ketë të tjera shanse për ta ekspozue veprën e vet nëpër botë. Thjesht një histori e mërzitshme zhgënjyese iu shtue listës së gjatë të historive të ngjashme që Ministria jonë e Kulturës dhe Turizmit prodhon pa pushim.

Kush janë Adrian Paci, Anri Sala dhe Sislej Xhafa

Nuk është ky vendi për të bërë analizën artistike të poetikave që përcjellin punimet e tre artistëve, por mund të thuhet pa frikë se ndër tridhjetëvjeçarët e brezit të tyre ata janë sot ndër emrat më të spikatur të skenës artistike ndërkombëtare. I bashkon vetëm fakti që janë shqiptarë, pasi janë krejt të ndryshëm përsa i përket mënyrës së konceptimit të gjestit artistik dhe kanë patur rrugëtime të ndryshme artistike duke krijuar tre profile interesantë që kanë tërhequr vëmendjen e kritikës më të lartë të botë së artit.

Në kurrikulimin e tre artistëve, vepra e të cilëve është paraqitur herë pas here edhe në faqet e “Botës shqiptare”, janë emrat e galerive më në zë të botës, nga Neë Yorku e deri në Japoni duke përfshirë galeri si Deitch Project, Marian Goodmann, Yvon Lambert, Hauser und Wirth, Shugoarts. Kanë ekspozuar në muzeumet më të rëndësishmë të artit në shumë vende të botës e kanë marrë çmime nga më të lartët.

Anri Sala, pasi ka mbaruar Akademinë e Artit në Tiranë është specializuar dhe ka jetuar në Francë ndërsa tani jeton në Berlin. Sislej Xhafa, nga Peja e Kosovës, ka studiuar në Akademinë e Firences e së fundi ka zgjedhur New Yorkun si qytet të vetin. Ndërsa autori i shkrimit, Adrian Paci, shkodran, ka mbaruar studimet nëInstitutin e Lartë të Arteve në Tiranë për t’u vendosur më pas në Milano ku jeton me familjen kur gjen kohën mes një udhëtimi nga njëri cep i botës në tjetrin.

“Gjithçka kemi mbërritë e kena mbërritë falë talentit dhe punës, e jo falë ndihmës së shtetit apo institucioneve shqiptare.” shkruan Paci. “Në fakt askush nuk po u kërkonte institucioneve shqiptare me na ndihmue. Aq ma pak tashti qe nuk kena asnjë grimë nevoje për këtë ndihme. Çdo shtet serioz duhej t’i ishte vetëm mirënjohës për kontributin që ata japin si përhapës të emnit të mirë për vendin dhe kombin e vet. Por ky i yni, jovetëm qe nuk asht serioz, por nuk din me qenë as i hareshëm…”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

6 Komente

  1. anonim thotë:

    30 January 2007 @ 5:26 pm

    Shkrimet me te mira i bejne jogazetaret.

  2. aloire thotë:

    30 January 2007 @ 5:33 pm

    Me vjen mire qe Adriani ka shkruar. Sepse sic e ka thene dhe ai vet sa me shume te lihen ne heshtje kto pune aq me keq shkojne. Debati dhe diskursi kulturor eshte i barazvlefshem me nje 0 ne Shqip sa nga shteti e sa nga populli. Eshte detyre e kritikeve, analisteve, e gazetareve dhe aktoreve te kultures te marrin persiper edukimin e popullin (nese duan audience, publik dhe treg) dhe shtetit (nese duan perkrahje, institucione dhe infrastrukture kulturore; shteti nga ana tjeter ate detyre ka). Mos u duket aspak moto e realizmit socialist “te edukojne popullin” eshte praktike e ndjekur nga te gjithe shtetet dhe shtetasit e botes.

    Eshte turp qe shqiptaret te prezantohen nga nje kuratore qe i behet dhurate shqiperise (artit) thjeshte sepse nona e ambasadores Amerikane ne Shqiperi qenka docente tek museu ku punon Bonnie Clearwater dhe aq. Deri tani Adi, Anri dhe Sisley e kane prezantuar Shqiperine shume mire dhe sot qe kemi mundesine (fal ministrise) te kemi Pavionin Shqiptare shkojm e marrim robin e pare te huaj qe na sjellin ne dere. Imagjino c’imazh percjellim ne Bienale nese nuk prezantojm veten dot, dhe marrim nje curatore qe as nuk na njeh dhe ne fund te fundit se njeh askush nderkohe qe cdo kush qe shkon te vizitoj Bienalen e Venecias i njeh tre cunat Shqiptare, jo vetem si te tille por si artist te arritur dhe te afirmuar jasht Shqiperise. Nejse ishalla shkojn e shohin pavionin nga kurioziteti se c’katrahure do jete.
    Me vjen keq deri ne dhimbje qe Edi Hila nuk do te prezantoj Shqiperine ne Venecia. Eshte humbje e madhe per artin bashkohor ne Shqiperi dhe percepsionin e saj jashte. Eshte i madh.

  3. l@urent thotë:

    30 January 2007 @ 5:38 pm

    Adrian Paci asht i biri i te ndjerit Ferdinand Paci nje tjeter piktor shume i talentum qe vdic ne vitin 1975 as 35 vjec ne nje nje aksident automobilistik.
    Anonim te jap te drejte,me maru per gazetari sdo me thane qe automatikisht ban nje shkrim te mire e gazetaria jone apo edhe analistat tone ish-gazetare len shume per te deshiru.

  4. blete thotë:

    30 January 2007 @ 10:08 pm

    adrianin e mbaj mend nga ekspozita e tij filmike tek MOMA. shume impresionuese.
    fat te mbare se talenti shkelqen gjithmone.

  5. anonymus thotë:

    31 January 2007 @ 3:23 pm

    He-he-he.
    Ene momen (jo MOMA-n) e ambasadores e kane fut n’thes shqipot. Apo “the other way around”? Lexoni, lexoni…
    http://www.miami.com/mld/miamiherald/living/16495967.htm

  6. aloire thotë:

    1 February 2007 @ 5:00 pm

    Refuzimi i Edi Hilës

    Elsa Demo
    01-02-2007

    Edi Hila nuk trokiti në ndonjë redaksi për të treguar aksidentin me institucionet e kulturës. Nuk bëri zë as kur në verën e 2006-ës mediat njoftuan se Shqipëria “për herë të parë” merr pjesë në Bienalen e Venecias në kujdesin e Ministrisë së Kulturës që gjithçka ia kishte besuar nëndrejtorit të Galerisë Kombëtare të Arteve. Heshti deri sa i kërkuan të flasë. Pas një artikulli të botuar në gazetën Shekulli “Historia e një pune përsëmbrapshti” i Adrian Pacit, mësojmë se një projekt është rrëzuar në fshehtësi për të ngritur një tjetër sipas modelit “hera e parë”. Bashkë me shkrimin ePacit u botua dhe një dokument që ish-drejtori i GKA-së, Abaz Hado, lëshonte në fund të vitit 2005. Ishte një autorizim për sekretarinë e Bienales së Venecias ku njiheshin artistët Adrian Paci, Sislej Xhafa dhe Anri Sala si kuratorë të pjesëmarrjes së Shqipërisë në Bienalen e 2007-ës. Do të ishte një projekt i piktorit Edi Hila. Pse Hila? Këtë gjë e ka shpjeguar qartë Paci në shkrimin e tij botuar në numrin e të hënës.
    I pyetur dje nga gazeta, Genci Mulliqi, drejtori aktual i GKA-së, i dyti drejtor brenda 1 viti e gjysmë që vjen pas Hados, njeriut që kishte të drejtën legale të propozonte kuratorët e sipërmendur, tha se kur erdhi në këtë detyrë ka gjetur gjithçka “të kopsitur”. E gjeti fakt të kryer Rubens Shimën, nëndrejtor i Galerisë, si komisar të pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias, artistët shqiptarë të të cilit do t’i zgjedhë kuratorja amerikane Bonnie Clearwater. Mulliqi nuk kishte asnjë dijeni për “shkresurinat” e paraardhësit të tij. Një drejtor pushohet nga puna dhe e merr fera edhe atë uratë që ka lënë pas.

    I pyetur për aksidentin, ministri i Kulturës, Bujar Leskaj, tha se nuk i kujtohej ndonjë projekt i përfaqësimit të Shqipërisë nëpërmjet Edi Hilës në Bienalen e Venecias.

    Edi Hila në këtë intervistë nuk bën të ankuarin. Ka mbaruar leksionet e të mërkurës në Akademinë e Arteve dhe po kthehet në shtëpi. Hila, një vetmitar, me shokë të rrallë në këtë artin tonë, gjen kohë të tregojë më shumë se sa ç’ndodhi, një raport të artistit me shtetin.

    Zoti Hila, për pak… dhe do të përfaqësonit Shqipërinë në Bienalen e Venecias këtë vit. Dy prej kuratorëve janë ish-studentë tuajët. Si erdhi propozimi?

    Në fillim ishte me pak emocione kjo punë, sepse të marrësh pjesë në Bienalen e Venecias nuk është e thjeshtë, kërkohet seriozitet, nivel cilësor. Por mënyra se si e prezantuan dhe si e trajtuan tre kuratorët problemin dhe ashtu si u vendosa unë në projektin e tyre i krijonte hapësira punës time. Ky ishte momenti i parë emocional, një lloj e papriture. Ajo që ndodhi më vonë erdhi si rezultat i zhvillimeve që dalin dhe nga raporti i krijuar mes tre kuratorëve dhe Ministrisë së Kulturës. Pastaj më tutje kur Galeria pësoi ndryshime në strukturë dhe në emërimet e drejtorëve. Ky projekt kishte nisur prej kohësh, por bashkë me ndryshimet në GKA, u ndryshua dhe ai. Ose u anallua për të filluar një projekt tjetër. Të gjitha këto e prishën vazhdimësinë e punës…

    Projekti u rrëzua, por në asnjë rast GKA nuk ka thënë se ai ka ekzistuar.

    Kjo nuk është në dorën time. Varet nga kuratori i ri. Ai cakton radhën e artistëve që do të marrin pjesë në Bienalen e Venecias. Sigurisht, për mua, mënyra se si është menduar pjesëmarrja në Bienale nga stafi i ri i organizatorëve për Shqipërinë, mendoj se nuk është normale. Për çfarë arsyesh? Fakti që në këtë Bienale merr pjesë një artist i nderuar si Marubi që tashmë njihet në arenën ndërkombëtare të artit, sidomos në Itali dhe në Francë nuk përbën ndonjë kuriozitet për publikun apo për kritikën dhe për njerëzit e artit prezenca e tij. Aq më tepër që për artistët shqiptarë që u jepet rasti të marrin pjesë në një aktivitet që ka dimensione dhe kërkesa profesionale, do të ishte në interesin e tyre që ata vetë të jenë protagonistët, në mënyrë që nëse dikujt i tërheq vëmendjen, Shqipëria ta përqendrojë tek këta njerëz, tek këta artistë.

    Ose për shembull fakti që do bëhen tre ekspozita, njëra do të jetë me Marubin, njëra përfaqësuesja shqiptare dhe një tjetër do të jetë ekspozita që e organizon Shima me artistët e tij. Kjo, mendoj unë, nuk i bën mirë artistëve pjesëmarrës.

    Galeria ka qenë dakord që në vitin 2005 tre kuratorët Paci, Xhafa dhe Sala të kuronin pjesëmarrjen tuaj. Pastaj shikojmë se gjërat ishin përmbysur. Nuk ju duket se nga kjo marrëdhënie mes Ministrisë dhe Galerisë është cënuar pavarësia nga politika e pastër e kësaj të fundit?

    Unë mendoj që tema e ministrit është një temë më vete, e cila në qoftë se merret në analizë, lë shumë për të dëshiruar. Në vështrim të parë, kemi të bëjmë nga ana e ministrit me një qëndrim joprofesional. Kemi të bëjmë me një ministër i cili nuk i njeh problemet e kulturës, flas për këtë pjesë të artit vizual i cili në tre momente jep tre urdhra të ndryshëm, mban tre qëndrime të ndryshme, dhe sigurisht i ndikuar nga tre propozime apo grupime të ndryshme, të cilët bëjnë të marrë këtë sjellje, siç ka marrë. Kur aprovon dhe ia lë në dorë Galerisë tre artistëve shumë të njohur ndërkombëtarisht, personalitete të kulturës shqiptare që e nderojnë atë, por që fatkeqësisht në Shqipëri për shumë arsye nuk njihen si duhet, pra t’iu mohosh atyre rolin e kuratorit, qoftë nga ministri sepse ai nuk e di rëndësinë e tyre, jam i sigurt për këtë, qoftë dhe nga ata që e prishën dhe e spostuan këtë punë, qoftë dhe nga Galeria e Arteve me drejtorin dhe nëndrejtorin e ri i cili në një farë mënyre nuk ka respekt për artistët e vërtetë shqiptarë, e sposton problemin duke i nxjerrë jashtë loje. Këtu nuk është fjala për mua, por si qëndrim karshi vlerave që ka vendi, mosnjohja e këtyre vlerave përmes këtyre personave duke i nxjerrë jashtë loje. Sigurisht ai di sepse, dhe për ç’arsye. Këtu interpetimet për t’i bërë dhe arsyet për t’i gjetur nuk janë aspak të vështira, dhe dihet sepse ndodh kjo punë. Nuk është momenti për ta bërë këtë analizë. Unë kështu e gjykoj.

    Me prezantimin e kuratores amerikane Clearwater vazhdon të thuhet se kjo e 2007-ës është pjesëmarrja e parë zyrtare e Shqipërisë në Venecia. Në vitin 1999 ju keni marrë pjesë me një grup artistësh. Përse zyrtarët e rinj pretendojnë meritat e “herës së parë”?

    Nuk është e vërtetë që kjo është pjesëmarrja e parë zyrtare e Shqipërisë në Bienalen e Venecias. Ka qenë një pjesëmarrje e financuar nga revista “FlashArt” nga drejtori i saj artistik Giancarlo Politi, i cili iu krijoi mundësinë artistëve shqiptarë që të ekspozojnë aty. Ishte pjesëmarrje jashtë konkursit, por brenda hapësirave të Bienales. Merrnin pjesë edhe ata artistë që duhej të ishin kuratorët e Bienales për këtë vit. Kjo ka qenë hera e parë. Hera tjetër ka qenë kur Anri Sala mori çmimin e artistit të ri më të mirë në Venecia, më pas përsëri Sala, Adrian Paci pretendent për çmim, dhe së fundi Sislej Xhafa i cili afirmoi se Shqipëria është një shtet që merr pjesë në konkursin e Bienales. Pra nuk është hera e parë. Ky është një gabim, është një lapsus i atyre që kanë dëshirë të bëjnë lapsuse të kësaj natyre, për të keqinformuar dhe për t’i dhënë vlera një akti i cili e ka pasur nismën vite më parë dhe jo tani. Po kuptohet, këtu ka munguar informacioni, ministrisë së Kulturës, në mos nuk i ka interesuar, ka qenë indiferente karshi këtyre fakteve. A është e informuar kjo ministri që Anri Sala dhe Shqipëria bashkë me të ka marrë çmim në Bienale? Të gjitha këto janë informacione, janë vlera që nuk njihen. Aq më tepër, mënyra se si prezantohet Bienalja e fundit, që ndërtohet mbi bazën e atyre arritjeve që janë bërë më përpara.

    Ju ka mërzitur kjo histori?

    Jo. Më vjen vetëm keq, është një realitet i dhimbshëm që nuk ka asnjë kuptim tjetër përveçse asaj që artistëve në mënyrë institucionale iu mbyllen hapësirat. Sigurisht, as ministria, as shteti shqiptar dhe askush nga ata që mund të ketë forcë vendimmarrëse ose që veprojnë në dimensione institucionale, mund të pengojnë në qoftë se unë kam vlera vlerat e mia, ose mund të pengojnë vlerat e dikujt tjetër. Këtu shihet gabim raporti i artistit me shtetin. Artistët mendojnë se shteti është ai që duhet t’iu krijojë hapësira. Kjo nuk është e vërtetë. Hapësirat për artistët i krijojnë vlerat në qoftë se ata i kanë dhe nëse ato janë vlera të mirëfillta. Dhe nëse ato fryhen artificialisht nga situata të përkohshme, nga njerëz të cilët manipulojnë, sigurisht këto e kanë jetën e shkurtër. Mund të vijë një grup pas shumë vjetësh i cili do të jetë jashtë kësaj loje, i cili do të jetë i freskët në gjykimet e veta dhe do të thotë: ky është artist i vërtetë ose ky nuk është fare artist. Me një fjalë kjo i shërben idesë të marrim e të përfitojmë sot për sot, pastaj se ç’do të ndodhë nesër nuk më intereson. Kjo nuk e ndihmon kulturën dhe artin tonë dhe praktikisht nuk ndihmon artistët tanë. Në këtë mënyrë mund të arrish në rezultate superficiale, të jashtme, të përkohshme.

    Pse kjo bindje për këto raporte të artistit me shtetin? Nuk duket megjithatë e vonuar nga ju.

    Për shkak të varfërisë, për shkak të mundësive të komunikimit, thjesht për një vizë, për të pasur ca pare për të udhëtuar dhe për ta kërkuar vetë pozicionin tënd në raport me realitetin e vërtetë artistik që ndodhet jashtë mureve të këtij vendi, jashtë kufijve të këtij vendi, artistët shqiptarë kërkojnë të japin zgjidhje, në mënyrë shumë të tensionuar dhe për shkak të mungesës së eksperiencave të reja, pak a shumë u interesojnë ato metoda që kanë funksionuar dikur në kohën e diktaturës. Sipas një organizimi të vjetër të politikave kulturore, përmes ministrisë ose institucioneve si Galeria e me radhë.

    Ju zoti Hila a jeni njoftuar nga Galeria se projekti juaj për në Bienale ishte ndërprerë?

    Absolutisht jo. Do të ishte normale që ministria të kishte dhënë një arsye përse po bën këtë lëvizje të njerëzve dhe të grupit, cili është shkaku, ku e gjen arsyen që këta njerëz nuk vlejnë ose nuk duhet të jenë. Dhe pse këta njerëz që ajo zgjedh janë të mirët apo janë të duhurit për të përfaqësuar artin shqiptar dhe Shqipërinë.

    Në rast se kuratorja Clearwater e cila ju ka vizituar në studio, do t’ju zgjedhë edhe ju, çfarë do të vendosnit?

    Nuk do të ishte e bukur nga ana ime që të marr pjesë në Bienalen e Venecias edhe në qoftë se do të më zgjidhte si pjesë e grupit që mendon ajo. Mendoj se nuk është e ndershme, pasi ky ishte një projekt i filluar prej meje, i filluar nga tre kuratorët, i lënë përgjysmë dhe në njëjtën kohë i regjistruar në Bienale. Dhe pastaj ndodhi ajo që ndodhi. Pra nuk është e ndershme që ta lëviz projektin nga ky grup te një grup tjetër.

    Kronologji

    Ish-drejtori i Galerisë Kombëtare Abaz Hado propozon që Anri Sala, Sislej Xhafa dhe Adrian Paci të kurojnë pjesëmarrjen e Shqipërisë në Bienalen e Venecias në edicionin e 2007-tës

    Kontaktet e kuratorëve me drejtuesit e Bienales.

    Projekt i paraqitet ministrit të Kulturës Leskaj, i cili i drejton kuratorët tek Galeria Kombëtare. Galeria me drejtor Nestor Jonuzin iu jep përkrahje morale se ky projekt do të mbështetet.

    Zyra e Bienales së Venecias i nis një letër Ambasadës Shqiptare në Romë për të kërkuar zyrtarisht atashimin e Shqipërisë pranë Bienales së Venecias për vitin 2007.

    Ambasadës i mbërrijnë tre letra: e para ishte letra zyrtare e protokolluar nëpërmjet së cilës Galeria e Arteve ngarkonte Adrian Pacin, Anri Salën dhe Sislej Xhafën që të merreshin me organizimin e pavijonit shqiptar; e dyta ishte letra e drejtorit të ri të Galerisë, Nestor Jonuzit që thoshte të njëjtën gjë; e treta ishte shkresa zyrtare e Ministrisë së Jashtme që përcillte vendimin e Ministrisë së Kulturës dhe Turizmit se personi që do merrej me organizimin e kësaj pjesëmarrjeje ishte Rubens Shima, nëndrejtor i Galerisë Kombëtare të Arteve. Kështu u bë, Ambasada bën atashiminsipas urdhrit të Ministrisë.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com