Login



Register

Shqipe me dy koka

fshesa.jpg

Lexues, peshkatare te nderuar. Kam kenaqesine t’ju paraqes sot pjesen e pare te nje tregimi me gjashte pjese te titulluar “Shqipe me dy krena” nga Spiro Ilo, i cili i rikthehet te shkruarit pas nje pushimi prej dekadash. Arsyeja qe vendosa te shkruaj kete hyrje te shkurter eshte sepse sic me thoshte Spiroja vete, deri diku frymezimin per kete tregim e ka gjetur pikerisht ne bisedat e temat e ndryshme te Peshkupauje, ndaj merr edhe nje kuptim te vecante. Lexim te kendshem.

(cc)* Jeni te lutur te mos e botoni kete tregim ne ndonje publikim te printuar apo ne internet pa dijenine dhe lejen e autorit. Flm.

***

SHQIPE ME DY KOKA

Spiro Ilo
Peshku Fluturues

Some dance to remember

 

Some dance to forget…

 

“Hotel California”

Kur stjuardesa tha me atë zerin tipik të femrave që janë trajnuar për të komunikuar me njerëzit, se tani po fillonim uljen për në aeroportin e Rinasit, unë u ktheva instinktivisht nga dritarja për të parë poshtë tokën që se kisha parë prej gjashtë vitesh. Tamam në atë cast avioni po bënte një kthesë në manovrimin për ulje dhe ajo që munda të shihja nga dritarja e vogël vezake e avionit që me atë mbulesën plastike paksa të ulur dukej mu si një sy me qepallë, ishte një sipërfaqe e madhe deti që shndriste si një fletë e madhe argjendi nën diellin e pasdites dhe një rrip i ngushtë toke, të dyja të vendosura në një pozicion të pazakontë për shkak të zbritjes, por që prapë të afronin një pamje mahnitëse. Po vetëm brënda pak sekondave, avioni u kthye përsëri në pozicionin horizontal dhe kur pashë shtëpitë e para që vraponin nën krahun e avionit ndjeva një shtrëngim në zemër.

“Eh c’ka për t’ia rras ndonje catie ky me këte kacatorr, se njerëzve poshtë po iu duken edhe kokërdhokët e syve, kurse pista akoma nuk po duket”- thashë me vehte.

Nuk di nëse e keni vëne re se si zvogëlohen avionët dhe shërbimet kur kthehesh për në Shqiperi që nga Amerika. Në fillim fluturon me një avion Boeing 767 që është i madh si një moll dhe ku cdo gjë është perfekte, e largët e “jo personale”. Pas tij, në një nga aeroportet e Europës ndërron në avionin më të vogël Boeing 717 që ngjan si rrugë me dy korsi kalimi, në të cilin pavaresisht se ti shkon në korsinë tënde, duhet të mbash një sy hapur për atë që vjen nga korsia tjetër. Pastaj, diku në Athinë a Romë merr atë aeroplanin shqiptar Bingo 17 a ku di unë cfarë, ku gjërat bëhen fare personale, si në nje dyqan qosheje në Shqipëri, e ku stjuardesa që shpërndan korasanët ndalon mu përpara rreshtit tënd dhe kërkon të falur që ato sapo mbaruan, por sidoqoftë thotë se i kanë mbetur disa pako me biskota për ndonjë që mendon se po e bëjne kastile për të kursyer ndonjë lek.

Ndërkohë avioni pasi kërceu dy herë si një kec i vogël në pistën që u shfaq befas si një kamzhik nën rrotat e avionit, filloi të ngadalësonte shpejtësinë nën duartrokitjet përherë të pamungueshme e po aq të pakuptueshme të udhëtarëve . Në të djathtë u shfaq aeroporti i vjetër që m’u duk sikur ishte zvogëluar edhe më shumë, me arkitekturën e vjetër socialiste dhe me ato pemët e palmave që e bënin të gjasonte me një aeroport kubanez. Pasagjerët qe tashma ishin ngritur ne kembe pa pritur as qe avionic te ndalonte kishin filluar të nxirrnin bagazhet e të ndiznin celularët për të bërë telefonatat e para, ndërsa që avioni po afrohej ngadalë drejt ndërtesës.

Dhe tamam atëhere më mbuloi vala e mallit.

I përfytyroja pleqtë që do ishin plakur edhe më shumë, e që tani me siguri s’po i zinte vendi vend pasi panë avionin të ulej, vëllain e madh që me optimizmin dhe humorin e tij dilte nga cdo situatë dhe që gjithmone kishte qënë një lloj mburoje për budallalleqet e mia, dhe motrën që ishte mbase nga shqiptarët e paktë që akoma nuk kishte dalë ndonjëherë jashtë shtetit se “ja ashtu, për momentin nuk i kishin punët edhe aq mirë, por hë se do rregullohen.” E befas mu duk sikur kisha një jetë të tërë që nuk i kisha parë.

Ndryshimin e statusit tim e ndjeva që me rradhën e pashaportave. Shqiptarët në të djathtë, tradhëtaret në të majtë. Po më dukej vetja si Reshat Arbana tek “Fije që priten”. Për fat rradha ishte e shkurtër dhe polici i doganës pasi i hodhi një sy pashaportës sime dhe fotografisë, pa më bere asnjë pyetje i vuri vulën dhe më tha shqip: “Mirserdhe!”

Ndërkohë valixhet po futeshin njëra pas tjetrës nga një vrimë në mur, dhe pas nja dy tre rrotullimesh, ja tek u shfaqën dhe te miat. I rrëmbeva me padurimin që po më rritej gjithnjë e më shumë dhe bëra për nga dera. Sapo arrita tek korridori i vogël para derës prej xhami, pashë të dy pleqtë me gjithë vëllain që piqeshin në diellin e nxehtë të Rinasit, duke qëmtuar me sy si kokrrat e orizit ne tepsi, të gjithë njerëzit që dilnin nga dera. Mua s’më kishin parë akoma se isha në errësirën e korridorit. Përfitova nga kjo dhe ndenja një minutë t’i sodisja ashtu pa më parë. Mamaja dukej sikur kishte mbetur po ajo, por babai dukej goxha më i plakur. Mbështetur në krahun e Mondit, pasi mesa dukej nuk kishte dashur të merrte shkopin, zgjatej herë pas here që të shikonte se mos po dilja nga dera. Motra s’kishte ardhur. Me siguri qe ajo usdhëhiqte pritjen në shtëpi. Unë bëra përpara drejt deres.

Të parët që m’u hodhën në krahë ishin shoferët e taksive, hamejtë që donin të më shqitnin valixhet nga duart, e ndërsa me një dorë u bëja shenjë të mijve që kisha arritur, me dorën tjetër mbaja valixhet mu si Beni ecen vetë kur për pak po i hiqnin brekët në lumin e fshatit.

Ndërkohë mamaja me nje levizje te stervitur pjesëmarrëseje demostratash e shtyu policin që po mbante rradhën dhe nxitoi drejt meje. Mondi nga ana tjetër, ishte treguar më i shkathët. Se nga ishte futur anash njerezve, e vec kur befas kerceu në krah tim mbi shkallët që vinin pas derës, e ndërsa më dha një përqafim të shpejtë e një rrahje shpatullash, përzuri me të shtyra evgjitët që më rrethonin dhe mori tre-katër valixhe e canta ndërsa ma bëri me kokë për të më treguar drejtimin e makinës. Nga ana tjetër, sapo arriti mamaja dhe unë lëshova valixhet e u përkula ta përqafoja. E mbaja shtrënguar mes krahëve ndërsa ajo qante nën emocionet e para të takimit, dhe mushkërite mu mbushën menjëherë deri në zgrip me erën e guzhines, rrobave të lara e të thara në diell, divanit ku uleshim për të parë televizor e dhjetra aroma të tjera aq familjare te cilat as ai parfumi i përhershëm me erë lule maji që e mbaja mend qëkur isha femijë dhe që ajo e hidhte gjithmonë per raste festash, nuk ja hiqte që nuk ja hiqte dot.

Makinës së vëllait i ishte prishur kondicioneri, ndaj kur hypëm në makinë na pyeti:

- Meqë kondicioneri nuk punon, doni të lemë xhamat hapur që të merrni edhe djersën edhe pluhurin, apo ti mbyllim e të keni vetëm djersën?”

- Mondi, ti e di atë punë – i thashë. Ti je vendaliu, unë jam turist trapi.”

Mondi qeshi dhe mbylli dritaret.

- Nisemi njëherë me dritare të mbyllura, e po qe se ju zihet fryma i hapim prapë. Cfarë pluhuri të kursejmë qar e kemi”. Dhe kishte të drejtë si gjithmonë.

Akoma s’kishim arritur në Vorë dhe ndjeva se si dalëngadalë po më mbulonin djersët. Pleqtë pas emocioneve të para të takimit pas kaq kohësh, tanimë ishin qetësuar. Babai rrinte në sediljen përpara i mbështetur pas shkopit që e kishte vënë mes këmbëve, e herë pas here kthente kokën të na shihte mua me nënën që ishim ulur në sediljen e pasme dhe vinte buzën në gaz i kënaqur e dukej sikur i thoshte sime mëje: “Hë, të thashe që do vijë? Ja ku erdhi!”

Mamaja ishte ulur në sediljen pranë meje dhe nuk më pyeste më si isha e c’kisha bërë, por rrinte ngjeshur pas meje dhe më shikonte duart që i kisha vënë mbi gjunjë. Dy – tre herë zgjati dorën dhe m’i fërkoi për pak caste, por si duket nuk donte të më bezdiste ndaj tërhiqej. Unë ngrita dorën e djathtë, ja hodha mbi supe dhe ajo befas u lumturua. U ngjesh e tëra prane meje e nuk fliste më, ndërsa më mbante me të dy duart pëllemben e dorës që i kisha hedhur në qafë.

Rruga nga Vora në Tiranë dukej sikur kishte dalë nga kronikat e CNN për luftën kundër terrorizmit. Pluhuri ngrihej duman nga makinat që ecnin me shpejtësi në të katër korsitë e rrugës. Aty ku nuk kishte pluhur, mund të shihje tymin e zi që linin nga pas thuajse të gjitha makinat që na parakalonin, ndërtesat një e dy katëshe buzë autostradës, të zverdhura nga pluhuri i rrugës e të rrethuara me kangjella e me polic privat te dera, mu sikur prodhonin breza eksplozivësh. E mbi të gjitha këto, dielli që digjte si sac e që ta cimentonte pluhurin me djersën pas kurrizit.

Befas një makine SUV e madhe, e zeze dhe e shkëlqyeshme më bllokoi krejt anën time, ndërsa po përpiqej të parakalonte mes makinave që dukej sikur ecnin të zëna dorëpërdore me njëra tjetrën. Më dukej shumë familiare, por nuk po e kuptoja dot se c’ishte. Por s’kaluan vec pak sekonda dhe hija e madhe e zezë kërceu përpara tek një e carë që u hap mes qilimit të makinave. O Zot. Nje Kadillak Escalade po ecte përpara meje e dukej mu si një struc mes pulave.

- Ore Mondi! Cfarë është ajo makina që na parakaloi mor vlla?

- është Kadillak. E ka njëri. Ehu sa do shikosh këtu!

E kisha në gojë pyetjen tjetër, se me se e mban Kadillakun ai “njëri” këtu, por e ndalova veten në kohë. Unë kisha ardhur të takoja pleqtë, të cmallesha me miqtë e të afermit, të harxhoja ca lekë për pushime dhe të ikja prapë. Mendtë bëja mirë ti merrja me vehte për aty ku rrija, se do më duheshin. Njerëzit këtu kishin e u tepronin mëndtë e tyre.

Dalëngadale pamjet po ndryshonin. Filluan të duken pallatet e para me ngjyra që ishin bërë simboli i ri i Tiranes në gazetat e huaj dhe ëeb-sitet shqiptare. Zogu i Zi ishte shndërruar në një Papagall me Ngjyra, por prapë nuk dukeshin keq ashtu nga larg. Me moshë të gjithe e duam nga pak make-up. Nuk jane më ato pallate qe ishin kur ti ishe cun i vogel mor lal. E megjithëse gjithshka më dukej sikur ishte zvogëluar e futur në ujë, Tirana përsëri edhe pas kaq vitesh më krijonte një ndjenjë që nuk ma krijonte asnjë vend tjetër në botë. Mall në kuptimin më metafizik të fjalës. Dhe pas kësaj, mendimi i ndyrë dhe dëshpërues se ti kurrë nuk do të jesh pjesë e asaj që të bën të përmallohesh. Jo në vend, por në kohë. Dhe kjo është më e dhimbshmja.

Njerëzit që nuk e kanë lënë kurrë vendin e tyre nuk mund ta kuptojnë këtë. Ato nuk kanë fraktura në hapesirë dhe e refuzojnë kohën, pasi iu duket sikur kanë mundësi të rikthehen në cdo pjesë te jetës së tyre vetëm duke ecur në një rrugë apo duke kaluar e i hedhur një sy vendit ku kanë bëre shkollën fillore, ndërkohë që po shkojnë të marrin pensionin tek kioska e bankës. Për sa kohë që objektet janë akoma aty, duket sikur asgjë s’ka ndryshuar dhe koha nuk ekziston. Por ne që kemi ikur e dimë, dhe përpiqemi ta harrojmë.

Në shtëpi më priste motra me kunatin e me kalamajtë. Dhe dreka e shtruar e bërë nga mamaja. Gjysma e qingjit të pjekur mbi tavolinë kullonte lëng. Dielli i pasdites që depërtonte nëpërmjet perdeve të tylit, krijonte lloj-lloj dritëhijesh e lulkash mbi tavolinë. Sipër perdeve një kondicioner që ngjante si mish i huaj. Kjo s’ishte e drejtë. Në këtë shtëpi s’duhet të kishte ndryshime rrënjësore. Shtëpia e pleqve duhet të mbeste gjithmonë ashtu sic e mbanim mend që fëmijë. Cdo gjë në vendin e vet, e pastruar, e paprekshme, e pandryshueshme. Edhe koha po ashtu.

Ndërkohë babai mbushte gotat me raki nga shishja jeshile dykilëshe me tapë tape. Mamaja vinte vërdallë duke i vëne pjatat njëra mbi tjetrën në pjesën e tavolinës përpara meje, derisa dalëngadalë mu krijua një si transhe e vogël përpara, mu si ato që ndërtonim kur bënim qitje në gjimnaz. Motra që më përkedhelte kokën e më pyeste si i lashë njerëzit para se të nisesha, kalamajtë që bërtisnin ndërsa hapnin pakot, kunati që kërkonte një stacion me këngë shqiptare për të krijuar ambient, vëllai që perpiqej që të lidhej me Amerikën për t’u thënë që arrita shëndoshë… Hell, I was missing that. Befas isha kthyer në qendrën e vëmëndjes dhe përkëdhelive familjare. Gjë që nuk më rezultonte të më kishte ndodhur shpesh më parë.

Unë kam qënë i dyti. Prapavija. Ajo që më kërkohej mua ishte t’ia dilja mbanë. Vëllait të madh i kërkohej të fitonte. Dhe ai gjithmonë fitonte. Ishte gjithmonë në rrugë të mbarë, bënte gjithmonë atë që duhej dhe sic duhej dhe të gjithë e donin. Edhe une e doja. Nganjëherë edhe e kisha zili, por më shumë e doja.

Unë kisha qënë gjithmonë individualist e me probleme. “ështe si maci” - i thoshte gjyshja mamasë – “e merr mishin nga guzhina e shkon ta hajë vetëm në majë të murit të oborrit”. Asnjë fjalë tjetër s’më ka ardhur më për hise. Aq sa nganjëherë dyshoj nëese kisha lindur vëertet me një karakter të tillë, apo u bëra se mbas thënies së gjyshes, fillova ta vështroja me vëmendje macokun e zi të gjyshes,që vërtet e merrte mishin nga pjata dhe shkonte ta hante tek cepi i oborrit, ndërsa ecte mbi mur me atë elegancen dhe mospërfilljen feline. Por ama ajo më donte vecan, se të gjithë thonin se i ngjaja asaj. Por ajo nuk ecte mbi mur si puna ime. Rrallëherë dilte nga shtëpia pëer të takuar dikë, e bënte vizita thuajse vetëm për vdekje dasma e ditëlindje. Pjatën e mbante gjithmonë gati në shtepi të vet dhe të gjithë mblidheshin aty që dikush tu bënte yzmet dhe askush mos u bënte pyetje. Se gjyshja ime s’pyeste kurrë po të mos i flisje vetë i pari. Si maci.

- Ej, do e mbushësh prapë apo je bërë amerikan tani e s’pi me raki.? – degjova zerin e Mondit nga cepi tjeter i tavolines

Befas e kuptova që kisha ikur shumë larg dhe e mora menjëherë kthesën duke e shoqëruar me një buzëqeshje të shtirë, për të mbajtur ekuilibrin. Zgjata dorën me gotën e zbrazur të rakisë përpara.

- Mbushe - i thashë tim eti- mos të të dridhet dora.

Plasi gazi. Mua s’më vinte e s’më vinte ndërmend filmi që e kishte këtë batutë. Nga qingji mbi tavën e madhe mbi tavolinë kishte mbetur vetëm një pjesë e shtyllës kurrizore dhe ca kocka pa lidhje. Dukej si një zbulim arkeologjik. Kurse nga barqet tona kuptohej se ku ishte zhdukur pjesa tjetër e aij zbulimi të vyer. Thava gotën e rakisë, shtyva pak mbrapa karriken dhe lirova një vrimë në rripin e pantallonave. Gjest burrëror ky që se kisha bërë prej vitesh.

Tani që entuziasmi i takimit kishte rëne disi, ishin shkëmbyer fotografitë, përshtypjet e para të ikjes e mbërritjes, mishit e dollive, këngëve e dashurisë, e ndjeva që po më flihej. Pashë orën. Ishte akoma 9 e gjysëm e darkës po unë s’po mund të qëndroja më. Mbase fajin e kishte ky ndryshim i mallkuar orësh. Këtu nuk isha më zogu që këndon në bahce, isha zog shtegtar që vjen dhe ikën. E dija që ky mendim nuk duhej të më jepte kënaqësi ditën e parë që kthehesha në shtëpi, por ja që ma dha. U kërkova leje që të shkoja të flija dhe të gjithë kundërshtuan përvec mamasë që mezi priste të më conte në dhomën time e të më tregonte krevatin që e kishte rregulluar si dikur, me carcafët e larë dhe me jastekun me pupla të gufuar. Ai jastëk kishte qënë dashuria ime. Kur ika nga shtëpia, desha ta merrja me vete po mamaja nuk ma dha. “Kjo shtëpi është edhe e jotja” – më tha, “e jastëku është pjesë e saj. Cdo herë që do vish jastëkun do e kesh këtu.”

E vetmja gjë që kishte ndryshuar ishin fotografitë e varura mbi krevatin tim. Muri sipër tij ngjante si muzeum. Një fotografi kur isha bebe, një që kisha dalë kur isha 6 vjec, me pantallona të shkurtera, pullovër të hapur në forme V përpara dhe me një abetare në dore, dhe një fotografi që kisha dalë me Mondin në plazh të kapur përqafe. Të dy të nxirë nga dielli si jevgj dhe unë që mbaja në dorë një fetë bukë me recel qershije; ushqimi im më i preferuar nëe plazh, për hir të të cilit isha gati të duroja edhe lukënite e grenzave që ishin pjesë e pandarë e asaj diete. Më dukej sikur po flija në mauzoleumin tim pas vdekjes, por s’do kisha guxuar kurrë ta kritikoja ndryshimin e dhomës. Fillova të cvishem me ngadalë në buzë të krevatit, ndërsa mamaja me shikonte me vëmendje sikur po më studjonte që nga mesi i dhomës.

- Je shëendoshur – më tha kur unë me pantallonat e këmishën në dorë po shihja vërdallë dhomës për një vend ku ti varja.

- Jo o plake, nuk jam shnosh, kam vonë muskla - i thashë me shaka.

- Po mor bir po - vuri ajo buzëen ne gaz. M’i jep mua rrobat të ti rregulloj!

U shtriva nëe krevat e në të njëjtën kohë po e shihja tek po i varte rrobat ne nje varese ne dollap. Pasi i vari, i shtroi me dorëe që të mos bënin rrudhe dhe pastaj m’u afrua që të mëe rregullonte carcafin nëe grykëe. E dija qëe unëe s’dija ta vija si duhej, dhe duhej gjithmonëe ajo qëe tëe ma rregullonte, por e kisha harruar pas kaq kohesh. U ngrita në bërryl e i thashë:

- Hajde ta puth njëcike faqen plake!

Ajo u perkul mbi mua dhe me sytë qe i shkëlqenin nga lotët më zgjati faqen e mbushur me mijëra rrudha të vogla, por që ende ishte e ngrohtë dhe e butë si dikur. E putha dhe ajo e lumtur më puthi kokën, më fërkoi flokët, e pasi mbështeta kopkën në jastëk, ma rregulloi edhe njëhere carcafin në grykë.

- Natën e mirë, o bir. Fli tani se je lodhur, vec për sa kohe do rrish, mos m’u allavit vetëm lart e poshtë Tiranës, se dua dhe unë të të shikoj e të cmallem - më tha.

- Jo mi mam, ku do shkoj - i thashë. Këtu vetëm ju më keni mbetur tani.

-Vijon-

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

46 Komente

  1. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 4:57 am

    Spiro, ne te dy jemi nje specie dhe nje varietet. :D

    Do e percjell me endje, si padiskutim dhe shume e shume lexues te tjere, kete rrefim qe flet per gjithe bashkesine tone. Do flasim. Per tani po vecoj nje moment:

    Sipër perdeve një kondicioner që ngjante si mish i huaj. Kjo s’ishte e drejtë. Në këtë shtëpi s’duhet të kishte ndryshime rrënjësore. Shtëpia e pleqve duhet të mbeste gjithmonë ashtu sic e mbanim mend që fëmijë. Cdo gjë në vendin e vet, e pastruar, e paprekshme, e pandryshueshme. Edhe koha po ashtu.

    Yep, bro, that’s how it is!

    PS kjo nuk te jep asnji te drejte te mos vazhdosh te ndash me ne edhe Opuset e tua! Shoqnia (edhe virtualja) ka detyrime.

  2. belle_fleur Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 5:50 am

    Me mallengjeve. Syte i kam akoma me lot nga ky pershkrim kaq i detajuar por kaq me shpirt. Me duket sikur ky shkrim ste perket vete ty por edhe neve qe do ta lexojme, sidomos ne qe jetojme jashte dhe kemi perjetuar te njejtat emocione.

    Urime per librin me tregime!!! Uroj qe te jete ne shitje edhe per ne qe jetojme ketej sepse vertet dua te lexoj pjesen tjeter. Suksese!!!

  3. alidea thotë:

    4 July 2008 @ 6:03 am

    Bukur, njerezore, e detajuar, e ndjere, realiste .

    Faleminderit ;)

  4. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 6:14 am

    http://www.youtube.com/watch?v=-eaaR1Ay5P0

  5. Cheney thotë:

    4 July 2008 @ 10:08 am

    Eh sa bukur e ke perkedhelur lexuesin o Spiro!!
    Sikur ish thene te shikoja 2 gjera te bukura njera pas tjetres:
    “http://s3.amazonaws.com/wootsaleimages/Freebirdno1Detail.png” sikur lidhen me njera tjetren..

  6. Moza thotë:

    4 July 2008 @ 11:36 am

    Prekes !

  7. peshkaqeni thotë:

    4 July 2008 @ 11:46 am

    Spiro
    e lexova me një frymë.
    Kur është pjesa tjetër?!

  8. theDude thotë:

    4 July 2008 @ 11:59 am

    Wow, me sa duket te gjithe qe kthehen kalojne ekzatesisht pershkrimin e autorit.
    Pas 8 vjetesh edhe une s’munda ta injoroj kondicionerin mbi mur :D

  9. anna thotë:

    4 July 2008 @ 12:03 pm

    uau, ky pershkrim eshte shume i ndjere, perjetova cdo sekond sikur te isha vete atje. te faleminderit

  10. selfmaderadio thotë:

    4 July 2008 @ 12:12 pm

    mbaja shtrënguar mes krahëve ndërsa ajo qante nën emocionet e para të takimit, dhe mushkërite mu mbushën menjëherë deri në zgrip me erën e guzhines, rrobave të lara e të thara në diell, divanit ku uleshim për të parë televizor e dhjetra aroma të tjera aq familjare te cilat as ai parfumi i përhershëm me erë lule maji që e mbaja mend qëkur isha femijë dhe që ajo e hidhte gjithmonë per raste festash, nuk ja hiqte që nuk ja hiqte dot.

    ah

  11. sui Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 12:26 pm

    Më dukej sikur po flija në mauzoleumin tim pas vdekjes, por s’do kisha guxuar kurrë ta kritikoja ndryshimin e dhomës.

    sensi humorit shum fin.

  12. Syri Shqiponjes Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 12:42 pm

    hmmmm.
    vertet shume prekes…! Me qindra ijera shqiptare kane perjetime te tilla…

  13. ftjkt thotë:

    4 July 2008 @ 2:17 pm

    Shume i bukur!! Na mallengjeve a i uruar, dukej sikur shihnim veten tone…

  14. Idris thotë:

    4 July 2008 @ 2:18 pm

    Une e kam patur gjithmone kete MENDIM dhe te PALEKUNDUR…per PF
    “Nje pjelle prej Eseninit” ne kompozimin e figurave per te prure situata NJEREZORE per te gjithe BOTEN….te ngjashme…
    SHUME URIME. Ti vertet solle filizin e prozes per KOHEN e emigrimit ,filiz njerezor dhe te lumte qe e mbolle tek PESHKU…..te tjerat do jene …si te duan ….por KURRE si KJO.
    “”"”Ajo u perkul mbi mua dhe me sytë qe i shkëlqenin nga lotët më zgjati faqen e mbushur me mijëra rrudha të vogla, por që ende ishte e ngrohtë dhe e butë si dikur”"”"‘

  15. ITS thotë:

    4 July 2008 @ 2:36 pm

    Tamam në atë cast avioni po bënte një kthesë në manovrimin për ulje dhe ajo që munda të shihja nga dritarja e vogël vezake e avionit që me atë mbulesën plastike paksa të ulur dukej mu si një sy me qepallë, ishte një sipërfaqe e madhe deti që shndriste si një fletë e madhe argjendi nën diellin e pasdites dhe një rrip i ngushtë toke, të dyja të vendosura në një pozicion të pazakontë për shkak të zbritjes, por që prapë të afronin një pamje mahnitëse.

    Hajde fjali hajde… te ze nje faqe… Nuk dija ku te qendroja e te mbaja fryme… shiko si do ta beja une.

    “Tamam ne ate cast avioni beri nje kthese ne manovrim ne ulje. Mezi mund te shihja nga dritarja e e vogel vezake e avionit me ate mbulesen plastike gjysem te ulur qe dukej mu si nje sy me qepalle. Pashe siperfaqen e madhe te detit qe shndriste si nje flete e madhe argjendi nen diellin e pasdites. Perbri, nje rrip i ngushte toke. Te dyja te vendosura ne nje pozicion te pazakonte per shkak te zbritjes. Te pazakonte por mahnites.”

    Sa te shtrenguar qe jeni ne pika, sikur jane dollare ose euro!

  16. Pik-presja thotë:

    4 July 2008 @ 2:42 pm

    Ker majte fjalime ti PF ne jete tate apo eshte hera e pare qe shkruan letersi ? Kujdes me shenjat e pi…kesimit :) :) :)

  17. ITS thotë:

    4 July 2008 @ 2:52 pm

    “o kshu bukur ke shkrujt peshko. Si histori, te gjithe emigrantet mund te solidarizohen… heren e pare kur ika nga Shqiperia ndenja 8 vjet pa u kthyer e pa i pare njerezit e shpise… tani shkoj per vit, dhe s’para me ben dhe aq pershtypje, megjithate rrofsh qe na i kujtove emocionet e dikurshme…

    Edhe beja sa me shume qejfin pleqve, se i paske te mire… ;)

  18. xhenius thotë:

    4 July 2008 @ 3:12 pm

    eshte e tera per t’u ber’ copia-incolla
    lotet s’me lene te shkruaj,falemnderit!

  19. lahuta e malsise thotë:

    4 July 2008 @ 5:31 pm

    faleminderit per cka na dhurove.
    sapo ja dergova njerit qe ka shume vite qe eshte larguar dhe nuk e ka me qejf te kthehet(eshte pak si padhosh) dhe besomeni me tha se e ka shkunder ky tregim

  20. Peshku Fluturues thotë:

    4 July 2008 @ 5:33 pm

    ITS
    ka shume vend per korigjime, rindertime frazash, korrektime etj. Kjo eshte dora e pare dhe doja te shihja se c’kam bere. Do ta tjerr perseri me nge e mbase del edhe roman! :)
    Sidoqofte, faleminderit te gjitheve

  21. lulian kodra thotë:

    4 July 2008 @ 6:05 pm

    Fjalia e Spirros qe ka zberthyer ITS eshte letersi artistike, e rrembyeshme, si shpetjesia ne avion, hermetike si dritarja e avionit, fantastike e surreale si gjendja mes dy realiteteve. Zberthimi i ITS ka shume nderprerje, rredhimisht humbet rrembyeshmerine, eshte shume i qarte, rrjedhimisht shume me i filtruar se realiteti opak, dhe nga nje perspektive e kulluar letrare, rrjedhimisht fallco ne lidhje me nderthurjen surreale te realiteteve. Ashtu si pejzazhi qe pershkruhet ne fjali shihet i gjithi brenda nje dritareje avioni, se bashku me korrnizat e kesaj dritareje, ashtu edhe krejt pershkrimi duhet te qendroje brenda dhe ne kufinjte e nje fjalie te vetme. Kjo per mendimin tim. Nuk e di se me cfare mendimi detyrohet ITS te mos e pranoje fjaline sic eshte.

  22. pilafi thotë:

    4 July 2008 @ 6:10 pm

    Nuk te rastis perdite te perlotesh duke lexuar nje tregim.

  23. anja thotë:

    4 July 2008 @ 6:25 pm

    Nje e vertete e hidhur..e dhimbshme kjo:

    Njerëzit që nuk e kanë lënë kurrë vendin e tyre nuk mund ta kuptojnë këtë. Ato nuk kanë fraktura në hapesirë dhe e refuzojnë kohën, pasi iu duket sikur kanë mundësi të rikthehen në cdo pjesë te jetës së tyre vetëm duke ecur në një rrugë apo duke kaluar e i hedhur një sy vendit ku kanë bëre shkollën fillore, ndërkohë që po shkojnë të marrin pensionin tek kioska e bankës. Për sa kohë që objektet janë akoma aty, duket sikur asgjë s’ka ndryshuar dhe koha nuk ekziston. Por ne që kemi ikur e dimë, dhe përpiqemi ta harrojmë.

  24. ITS thotë:

    4 July 2008 @ 6:55 pm

    lulian kodra thotë: Nuk e di se me cfare mendimi detyrohet ITS te mos e pranoje fjaline sic eshte.

    Hic nuk u detyrova. E bera kot per qejf, se ashtu me erdhi kur e lexova. Po deshe ti i themi Spiros ti heqi fare dhe ato pika qe ka e ta beje nje fjali fund e krye. Ta beje tamam realitetin opak. :D

  25. Nostalgji thotë:

    4 July 2008 @ 7:15 pm

    Pershendetje PF. Une kam familjen time prane vetes dhe kur lexova shkrimin tend mu mbushen syte me lot. Te gjithe ne kemi lene nje pjese te shpirtit ne Shqiperi. Une kur shkoj kaloj pak kohe me njerezit ne shtepi dhe me vrap te shoh vendet ku jam lindur e rritur. Kam mall edhe per guret.
    Sa shpejt kalojne ato dite te uruara kur je ne Shqiperi.
    Pergezimet me te sinqerta PF dhe suksese me librin kur ta botosh.

  26. lulekuqe thotë:

    4 July 2008 @ 7:19 pm

    nje gJe do them vetem.Eshte hera e pare qe lexoj shqipen qe mbaj mend e di te flas.Bravo djale.THJESHT DHE BUKUR.U MALLENGJEVA.

  27. Artian thotë:

    4 July 2008 @ 8:22 pm

    Eshte nje tregim i thjesht,qe besoj cdo emigrant,gjen veten!
    Emocionet e para kur mbrin ne Tirane,(une kisha 8 vjet pa ardhur)jane te paharruara,te paperseriteshme,ai lemshi ne fyt te krijohet pa vetedije,qe kur je ne ajer,mbi Tirane,e i thua vetes “behu burre” dhe mos u turpero!
    Sepse mendon,qe do te takosh njerzit e tu,me te dashur ne jete,prinderit,motren vellane!

    Eshte nje fill i keputur ,momenti i takimit, si ai qarku i shkurter elektrik qe ben saldimin,prandaj ndjejme dhimbje!

  28. vlonjati75 Shkruaji mesazh privat thotë:

    4 July 2008 @ 11:42 pm

    Nuk e lexova dot ne mengjes se ika ne pune por tani u ula dhe e lexova pa ja ndar syte..te njetat emocione te njetat gjera me ndodhin dhe mua sa her shkoj..vec me nje ndryshim une e nderroj avionin ne budapest..:):)

  29. Pjer Thomas thotë:

    5 July 2008 @ 8:18 am

    Bukur, plot ndjenje, dhe duket qe autori (i panjohur per ne peshqit) ka dell artistik. Kam pershtypjen qe tregimet duhet te dalin nje novele e bukur per botim. Te shohim dhe pershtypjet e tjera te autorit, ne Shqiperi.

  30. njera thotë:

    5 July 2008 @ 12:19 pm

    Vertete prekes. Une kthehem cdo vit ne Shqiperi e per cdo vit me duket sikur kam nje jete pa u kthyer.

    Ai kondicioneri si maune ne maj te murit na qenka shpif te gjitheve :D

  31. Edi thotë:

    5 July 2008 @ 9:03 pm

    Mallengjyes,
    Ku eshte pjesa e dyte?

  32. bodeci thotë:

    5 July 2008 @ 11:41 pm

    Ate qe ne e kalojme ne mendje necdo moment ,ti more djale na e shkrove ne karte.Te lumte dora .Lexova larte qe behet fjale ,per korigjime gramatikore ne shenja piksimi e te jera si keyo(kuptohet me shaka )Kushdo qe do te vendosi shenja pikesimi ne kete pjese te shkruajtur(qe padyshim secili nga neqe ndodhemi ne mergim eshte personazh autor ne kete tregim)le ta ngjyej lapsin kopiativ kur ti thahet gjuha nga emocioni ,ne lotet qe i rrjedhin ngadale nga syte ,eqe burimin e kane nga thellesia e shpirtit .per ato copa vendesh ku kemi lene pas femijerine tone
    .
    une kame 12 vjet qe nuk jame kthyer ne atdhe,malli me ka zhuritur po ja qeedhe une ate punen e “”kondicionerit “”nuk eaceptoj dot

  33. Koli Worcester MA thotë:

    6 July 2008 @ 12:46 am

    vertet prekese, dhe e gezueshme

  34. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 July 2008 @ 4:06 am

    ai gjesti burreror me rrip pantallonash s’di pse me sjell nder mend Al Bundyn, hahahahaa…

    si psh ktu.. :D

  35. Peshku Fluturues thotë:

    6 July 2008 @ 4:15 am

    Emo
    kur isha heren e fundit ne Shqiperi me ftonin per dreka e darka. Nganjehere s’doja te shkoja e i thoja ” e leme per nje dite tjeter se kam qene per dreke ne restorant e s’ha dot me per darke.”
    Pergjigja ishte gjithmone njesoj: “Hec mo! Liroji dhe nje vrime rripit edhe hajde se ne po e shtrojme tavolinen! Dy te rrafme te bojne keq, dy te hongme vec mire te bojn!”
    Tashti hajde e perktheja kete ndonje “amerikani”. :lol:

  36. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 July 2008 @ 4:36 am

    “Hë, të thashe që do vijë? Ja ku erdhi!”

    Plaka ime:Ohuuuuu, ti ashtu thua çdo javë: “se ç’kam një parandjenjë që do vijë djali”

    Zogu i Zi ishte shndërruar në një Papagall me Ngjyra

    Duhet mbrojtur me ligj e drejta e autorit :) .

    P.s: tek rrjeshti i fundit: “Këtu vetëm ju më keni mbetur tani.” tegon më së miri se e ndjen mungesën e dinosaurëve të zhdukur… komunistave :P

  37. Peshku Fluturues thotë:

    6 July 2008 @ 4:41 am

    Edrus
    futi ndonje luminal vella!

  38. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 July 2008 @ 4:50 am

    Edhe kush flet… të paktën këtej ka dalë drita, po ti ç’bëje natën rrugëve të tiranës në shoqërinë e polizëve dhe jevgave pastruese (prova: fotoja e shkrimit ;) ).

    Kur do e postojnë pjesën e gjashtëëëëëëë :)

  39. Peshku Fluturues thotë:

    6 July 2008 @ 4:53 am

    Asaj fotos ja ka fut Blendi kot, po e di qe ne kontekstin e historise ( qe Blendi se kishte lexuar akoma) eshte plot fare!

  40. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 July 2008 @ 5:40 am

    Peshk Fluturues,

    eshte PRIVILEGJ me lexu shume nga krijimet e tua!

    Jam konfident qe adminet nuk e marin te mirqene (for granted) cfare sjell ti ketu.

    Kjo eshte letersi e bukur, bro!

    Une jam i privilegjuar qe te lexoj.

    Suksese te uroj vellazerisht!!!!

    Cimi

  41. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 July 2008 @ 5:40 am

    Librin (librat) e tu, i du me autograf!

  42. Turing thotë:

    6 July 2008 @ 6:56 am

    Naimi te ishte gjalle do ishte perlotur …

    Gjithë tuajt’ i kam parë,
    Mëm’ e at’ e fis e farë,
    Si tani gjithë i kam ndër mënt,
    Që rrininë më këtë vënt.
    Edhe sot nër ju ata shoh,
    Se shpirtin e tyre ua njoh,
    Dhe unë si ju jam ndruar
    E jam përzjer’ e ndryshuar,
    Pa jam bërë shumë herë
    Zjar e uj’ e balt’ e erë.
    Jam një shkëndijë pej qielli
    dhe një drudhëzë pej dielli.
    Edhe ndër qiej fluturonj,
    Edhe brënda në det qëndronj,
    Shumë herë fle në baltë,
    Diku ndodhem dhe në mjaltë
    Bënem qëngj e kec i pirë,
    Lul’ e bar e gjeth i mbirë.
    Dua shumë fjalë t’u them,
    Po trëmbem mos i bënj ujem.
    E ku shkruhenë në kartë
    Fjalët’ e gjuhësë zjarrtë?

  43. edrus Shkruaji mesazh privat thotë:

    6 July 2008 @ 8:07 am

    Emigrant, askush nuk mund të flasë për mjeshtrinë e të përdorurit të fjalës prej tij, bile dhe idetë e tija edhe kur pasqyrojnë gjërat më banale/normale kanë origjinalitet që njihet që janë prej dorës së tij (bile për këtë s’ka ç’thotë as Idrizi bile :) ), po ky dreq ja fut ka1her si peu kalës, sepse thellë thellë nuk është aq radikal sa ç’shprehet në poezi, sepse këtu vjen dhe thotë që:“Sipër perdeve një kondicioner që ngjante si mish i huaj. Kjo s’ishte e drejtë. Në këtë shtëpi s’duhet të kishte ndryshime rrënjësore. Shtëpia e pleqve duhet të mbeste gjithmonë ashtu sic e mbanim mend që fëmijë.”
    Apo dhe për këtë e kishte fajin sistemi që, i mbështetur në forcat e veta, nuk kishte shpikur sistemet e kondicionimit të ajrit dhe nuk i kishte bërë pallatet që atëhere me sistem të çentralizuar (magari nëse do shtojmë kritikat ndaj sistemit, në ato pallate mungojnë dhe sistemi i çentralizuar i grumbullimit të plehërave, antenës satelitare, impianti i videofonisë dhe shikimit të mysafirëve që kur i bijen ziles poshtë pallatit, një antenë wireles për internetin dhe natyrisht vëndin e garantuar të parkimit për më tepër se një veturë për familje :P )

  44. Idris thotë:

    6 July 2008 @ 2:43 pm

    Kohet kane ndryshu…nuk ka me vlere autografi .vetem prish pune….
    Kur te vije ndonje ne shtepi ose dhomen ku jeton ka per te thone me vete:
    C’mu desh te ky mu ? Ky akoma maka libra ne shtepi.. : ) :) :).
    Per tu mburrur me qe eshte koha e internetit me mire le te deklaroje ketu qe:
    “Te gjith Librat qe ka CIMI me autor mua, jane me autograf” :P :P :P .
    Mu librat e tu vetem mi BLE nuk du autografe :D :D :D

  45. Bashkim thotë:

    7 July 2008 @ 7:32 pm

    Jemi ne mendjen edhe trupin tuaj kur lexojme kete shkrim. Te gjithe te “ikurit” kane kete ndjenje.
    Pyetje : Ku mund te blihet libi i Spiros

  46. ardi thotë:

    8 July 2008 @ 2:21 pm

    …shume bukur…thjesht…. “like blues”…

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.