Identifikohu



Regjistrohu

Shpresoj pa darkë

Para pak minutash pash në Top Channel, një media kjo e cila ka shpenzuar pa masë për suksesin e vet, një lajm i cili fliste për gjendjen e rëndë ekonomike të Dushkut, fshatit famëmadh që prodhoi, me një goditje të vetme, 10 apo 13 deputetë për në simbolin e jashtëqitjes së kombit tonë, parlamentin Shqiptar. Lajmi ishte drithërues deri përlotës, por gjithsesi një nga ata shumë lajme që kalon pa u vënë re për shkak të shpeshtësisë së tij në këtë farë vendi dhe për shkak të përçundimit të shoqërisë shqiptare. Në atë lajm sillej rasti i një mesoburri, familjar rreth të 45-ve, i cili ishte në asi gjendje ekonomike që i merrte ushqimet me listë. Top-i e merr në intervistë dhe, si të pa stomak që jemi katandisur, e pyet gjatë e gjerë për gjendjen e tij ekonomike. Ky tipi, një rob i cili të linte përshtypje shume të mirë, në mënyrë shumë të ftohtë e me një fytyrë të cilës nuk i lëvizte asnjë muskul thotë “…unë një mënyrë do ta gjej se fëmijët e mi nuk do t’i le pa bukë. Do marr borxh, por fëmijët e mi nuk do t’i le pa ngrënë”. Pranë tij rrinte vajza e vet, një rob i thjeshtë e pa shumë pretendime, por nga ata që të shohin drejt në sy me një dinjitet të natyrshëm e pa pikë ankese. Kamera e fokusoi vetëm për pak kohë për të patur një impresion më të gjatë se kaq.

Por ky tipi, i ati i saj, ishte tip fantastik. Në momentin tjetër Top-i na e tregon duke marr një bukë në një dyqan të fshatit dhe momentin se si dyqanxhiu pasi i jep bukën, hap fletoren dhe e shënon në listën e borxhlinjve, të atyre që Top-i nuk ka pasur akoma rastin t’i intervistojë. Ky tipi, pasi merr bukën në dorë, zgjat edhe pak kohë qëndrimin e vet në dyqan, dukej fare qartë që e bënte jashtë natyrës së vetë por shumë dinjitoz, që Top-i ta filmonte ca më gjatë si aktor të filmit të tij të trishtë e që dhunshëm të na i jepte për të ngrënë për darkë.

Ishte mahnitëse indiferenca dhe ftohtësia e tij, nëse mund ta përshkruaj kështu pa u keqkuptuar, ndaj gjithë asaj situate të krijuar rreth tij - kamera, mikrofona, gazetarë të cilët ishin të detyruar nga vet profesioni i tyre t’i bënin pyetje të dhimbshme edhe për vetë ata, sa ç’ishte indiferent edhe ndaj nesh që po e shihnim, secili me problemet e veta por shumë më komod e me më pak halle se ai.

Indiferenca e tij ishte vrasëse, nëpërkëmbëse, shtypëse, e pashpirtë ndaj gjithë ne, dhe është normale të ishte e tillë sepse kësi farë kafshësh jemi katandisur. Shoqëria shqiptare është shndërruar në një farë kopshti zoologjik i populluar nga majmunë apo shimpanze që imitojnë, në mënyrë instiktive tashmë, çfarëdo çudi që u serviret nga ustallarët e vendit, Pavllovët tanë, të cilët me gjakftohtësi kirurgu u kanë eliminuar shqiptarëve aftësinë e të llogjikuarit e të vlerësuarit si duhet, dhe si pasojë edhe të ndjejnë siç dikur ndoshta kanë ditur e që tani dyshoj se dinë më.

Ky është rasti i dytë që ndjehem keq. I pari ka qenë një familje e cila nuk kishte mundësinë të shkollonte fëmijën e vetë, një vajzë të vogël aty rreth klasës së katërt apo të pestë. Edhe në atë rast lotët të mblidheshin keqazi në fyt, ju betohem. Kur e pyetën këtë vajzë pse nuk shkonte në shkollë tha se familja e saj nuk kishte mundësi, kaq e kishte kuptuar shumë qartë. Por kur e pyetën se a do ti kërkonte familjes që ta dërgonte në shkollë ajo prerë dhe me një zë që tregonte vendosmëri tha “jo”. Ishte shumë e vetëdijshme që familja e saj nuk e kishte mundësinë dhe as që i shkonte nëpër mend tu shtonte edhe një barrë tjetër. Edhe këtu ndjeje keqardhje për gazetarët, tashmë të Vizion Plus-it, se u duhej ta ri-pyesnin përsëri si për ta provuar në ishte përgjigje e vetëdijshme apo jo. Përsëri përgjigja ishte “jo”. “Asnjëherë?” – vazhduan gazetarët, “jo asnjëherë” – gjegjet vajza dhe u përlot në asi mënyre që të bën të ndihesh i lumtur. I lumtur sepse sheh që Shqipëria ka njerëz e jo shimpanze, njerëz që dinë të ndjejnë. Duket shumë qartë se çfarë i bashkon këta dy raste, pikërisht normaliteti dhe dinjiteti njerëzor i cili shfaqet shumë agresiv, indiferent dhe hakërrues ndaj jo-njerzillëkut të:

Disa tipa “trendy” të shtirur, disa tipa gazetarësh interesant, lozonjarë dhe lozonjare të dalë vakti, të cilët realizohen shpifshëm por dështojnë ta kuptojnë, kjo në rastin më të mirë për ta, që në këtë farë plevice të vetmëve që u bëjnë përshtypje janë vetëvetet e tyre.

Kasapëve të thertoreve tona, e spitaleve kam për qëllim, të cilët nuk e shohin për të madhe jo thjesht marrjen e ryshfetit për të bërë punën për të cilën paguhen, por të stimulojnë operacione të panevojshme të ndonjë shtatëzanie apo deri mos veprim apo mos kurim me pasojë vdekje. Dyshoj se ata i shohin njerëzit si bagëti. Nuk më duket se po e teproj, janë thjesht akuza që rëndojnë mbi ta. Dikush, jo vendali, i thoshte disa miqëve të mi “Ju duhet të ikni që nga ky vend. Nëse doni të shihni se çfarë jeni shikoni sistemin shëndetësor, shikoni mjekët çfarë bëjnë” e kishte fjalën për kasapët por me sa duket posti i tij prej zyrtari të huaj e kishte stërvitur të përmbahej deri në këtë pikë.

Politikanëve a deputetëve të cilëve u është zbutur “rr-ja” e fortë e shqipes e u është bërë “r-ë” e butë dhe nuk thonë më “o rrotë” por thonë “o rotë” jo “o rryp” por “o ryp”. Apo disa të tjerëve që me vijnë tani ndërmend dhe nuk dua të rri pa i përmendur, të cilët i kam parë pasi kishim shkuar me disa miq shumë të shtrenjtë të drekonim në një nga lokalet e bregdetit të Vlorës, duke u ushqyer ata dhe familjet e tyre të bollshme në një mënyrë që të linte përshtypje se nuk kishin një dorë por shumë duar, tamam si këmbë oktapodi. Disa fytyra këto, të fryra nga shëndeti i tepërt por të tymosura. Imagjinata ime shkoi akoma më larg por nuk po e vazhdoj sepse do ta teproja. Specia e tyre është e papërshkrueshme, të paktën jo këtu. Zgjat shumë puna e tyre edhe pse unë e konsideroj sprovë interesante. Për këta rob të pa begenisur po e le me kaq.

Vëllezërve të tyre (politikanëve) siamez, disa ish analistë gazetash dhe tani televizionesh, gjynahqarë me pagesë, të cilëve u lexohet vetëkënaqësia në ballë, veçanërisht kur janë duke u shpjeguar globalizimin dhe efektet e tij pozitive apo bamirëse, këtyre dy familjeve që përmendëm më lartë dhe kjo listë vazhdon e vazhdon.

Që një ditë do të iki në ndonjë vend ku të zgjerohet kraharori e të gjen rehat, si Çad, Burkina Faso, Mali, Senegal, Gana, Somali, Mauritani, Burundi, Mogadisho a ku di unë, shpresoj sinqerisht e seriozisht, por për momentin kam një hall tjetër. Para se të ulesha e të shkruaja këto që shkruajta isha nisur të haja nja dy pino-kikirikë, të cilat im atë i sjell shpesh sepse e di që më pëlqejnë, por ndala sepse mu duk vetja shumë i pa turp e i pavlerë që të haja pasi pashë çfarë përshkrova në fillim. Por tani më ka marrë uria e jam pa darkë, e nuk bëhet më fjalë për çeplendisje me pino-kikirikë por për të ngrënë thjesht darkë, të njëjtën darkë që po aq thjeshtë familja e atij tipit në fillim ndoshta nuk e ka. Unë nuk e di në do kem këllqe të përmbahem minimalisht sot nga darka, por shpirti im më dhimbset e dua ta bëj provë.

maur

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.

  • Komentet e fundit

    • sol-nox: ore, emri kapister eshte. jam gati dhe une ti them vetes thodhoraq po ... Dhe ishte konflikt
    • emigrant: Entela, na fal po e 10© ka i cik, e... :D E shef me PF, ta kom n... Dhe ishte konflikt
    • emigrant: piluri shko' kondra rrymes, dermaaan... a u bon gjithe muslimon't kau... Dhe ishte konflikt
    • Peshku Fluturues: O Cimo. Ma keni bo cope fare ate numurin 10. Tani do filloj te mbledh ... Dhe ishte konflikt
    • sol-nox: bejtua? c do ki misliman ne pilur mo? ketu vetem dhimitri dhe jani han... Dhe ishte konflikt
    • emigrant: aj aj aj... ta paska revizionu fh "konfliktin" mi? shenj' e mire, me ... Dhe ishte konflikt