Shpirti mbi gjashtë tela
Ky është një seksion i ri i Peshkut, ku cdo javë një prej nesh (apo jush) do të sjellë 10 këngë që për momentin i duken të përshtatshme.
| Powered by eSnips.com |
Playlist nr. 2: Shpirti me gjashtë tela
Që me ta dëgjuar herën e parë Playlistën e parë të Peshkut që Penari thuri javën e shkuar kuptova se standarti ishte vendosur lart. Playlistat më të bukura janë ato që thuren për të përshkruar një ndjesi, një emocion apo çast, e jo ato që grumbullojnë bashkë artistët e preferuar. Andaj, bën të them që Shpirti mbi gjashtë tela nuk përmban shumë nga muzikantët që admiroj, por rreket të kaplojë me tinguj, një çast, apo një vend, ku trupi dhe shpirti takohen:
1. Retrovizorja - Disko
Nga albumi i parë i Retrovizorja zgjodha “Disko”, një këngë rrëshqitëse si vetë karakteri gjithmonë ndryshues i Retrovizorja. Kjo këngë është jo vetëm e punuar mrekullisht, por edhe e rrallë, në atë që përmban brenda tingullit esencën tipike të grupit kosovar.
2. Kiev - Light Song
Kiev janë një katërshe indyrock nga Orage, California që luajnë rock të lehtë. Edhe pse ende nuk e kanë gjetur suksesin Light Song është një perlëz e vogël, e lëmuar mirë, mendoj se prezanton këndshëm çiltërsinë e Kiev.
3. Death Cab for Cutie - Soul Meets Body
Kuarteti nga Seattle shpreson që së shpejti të jetë i pranishëm në koleksionin tuaj muzikor tashmë që me albumin e tyre të pestë të titulluar Plans arritën të nënshkruajnë një kontratë me Atlantic Records. Katër albumet e parë i kanë prodhuar me një shtëpi diskografike të vogël çka shpjegon deri diku obskuritetin e pamerituar të një grupi kaq të talentuar. Soul Meets Body është një këngë që me tekstin aq poetik arrin të ktehjë subjektin e vdekjes (”and if the darkness takes you I hope it takes me too”) në një nga këngët më romantike shkruar kohët e fundit.
4. Jarabe de Palo - La chica de Ipanema
Kantautori spanjoll Jarabe de Palo është i njohur për shumë nga ju përmes hiteve Depende apo La Flaca por ky bashkëpunim me Josemi Carmona dhe Tere Bautista për të sjellë këngën klasike braziliane në një version spanjisht do jua shtojë respektin.
5. Elton Deda - Nuk kërkoj tjetër njeri
Nuk kërkoj tjetër njeri është ndoshta kënga ime e preferuar nga Elton Deda, një këngë dashurie pa pretendime, që po të hyri në zemër bëhet një melodi gjithnjë e këndshme. Fakti që kënga i ka rrumbullakosur tashmë 12 vjetë që nga koha kur u interpretua fillimisht në Fest 95 flet vetë për mallin që kemi për këngë të reja nga Eltoni.
6. Kasey Chambers - The Captain
Është e re, asutraliane dhe këndon Country. Kasey Chambers pati sukses të menjëhershëm në vitin 2000 me albumin e saj të titulluar po njësoj si kënga, The Captain. Kënga është konfliktuale, me tekst që përmban nënshtrim të plotë në dashuri, kur ajo thotë “You are the Captain, and I am no one”, pa pikë ironie…
7. Foo Fighters - Stranger things have happened
Nga albumi i fundit i Foo-ve, “Echoes, Silence, Patience & Grace” vjen Stranger thing have happened, një tingull që asnjëherë më parë nuk e kemi dëgjuar nga Foo Fighters, çka përbën një precedent muzikor për grupin. Nuk është e vetmja këngë në album që braktis riff-et energjike që jemi mësuar të dëgjojmë nga Foo-të, për të përqafuar akustikën melankolike që është natyra e kësaj kënge.
8. 311 - Amber
311 (shqiptohet “Three Eleven”) janë një grup nga Nebraska që arrijnë të përmbledhin brenda tingullit të tyre rock, hip-hop dhe reggae njëherësh si askush tjetër. Amber është një përfaqsuese e denjë e kësaj cilësie të 311, dhe në vetvete është një këngë e ëmbël që të bën për vete menjëherë.
9. Gustavo Santaolalla - Al otro lado del rio
Al otro lado del rio është një këngë e kompozitorit argjentinas G. Santaloalla e kënduar nga Jorge Dexter. Santaloalla shkruan kryeshisht muzikë filmash në Kaliforni dhe shpesh këngët i krijon si kolonë zanore. Al otro lado del rio (Në anën tjetër të lumit) është pjesë e kolonës zanore për filmin The motorcycle diaries.
10. Jericho Walls - Tomlin e Nanës
Tomlin e Nanës është njëra nga këngët e grupit që tashmë njihet vetëm si “Jericho” dhe që përfaqsojnë një element të rëndësishëm të rrymës së metalit shqip. Me influenca të qarta nga Rage Against the Machine dhe me fjalë të ashpra por të sinqerta, kënga “Tomlin e Nanës” është një qëndrim politik po aq sa muzikor, dhe një fakt i hidhur gjithashtu, që për vetë kohët që po kalon Kosova bëhet, oh sa i prekshëm.
Blendi Salaj
peshkupauje.com


29 Nëntor 2007 @ 7:02 pm
Blend, ky seksioni i ri i Peshkut e meriton të paktën një koment. Mos e lëshoni si ide.
…dhe sa vite kisha pa e dëgjuar Elton Dedën…
Përshëndetje!
30 Nëntor 2007 @ 8:13 am
Une komentin e pare te Peshku-aqeni po e le tek muzika. Bravo. Urime, playlist yll. I mora kto kenget te gjitha…
Shijet jane pak te avancuara per veshet e shqipove (mos u tutni shqipo se boj shaka), po mua mu duk shume fine. Death Cab for Cutie eshte grup fantastik. Kenga e Foo Fightes mu duk me e mira.
30 Nëntor 2007 @ 9:36 pm
Bravo! Ide shume e mire.
3 Dhjetor 2007 @ 1:35 am
Rrofsh Blendo,
Foo Fighters jane nje nga te preferuarit e mi (numero uno, ne kete liste), Soul Meets Body me pelqeu dhe gjithashtu Deda ka te tijat qe s’mund te me dalin kollaj nga kujtesa. Me duket sikur po perseris G Spunge, po pa gajle
Thanks, again!!!