Identifikohu



Regjistrohu

Shërbëtorët e diktaturës gradohen në demokraci

Spiunët po na shkruajnë historinë

Jo vetëm një herë historia njerëzore e popujve njeh shembuj të dhimbshëm, kur e ardhmja e kombeve, ose e shteteve në të cilat historia i ndau ose i grupoi ata, është deformuar brutalisht deri në atë pikë sa që jo rrallëherë pasoja është shfaqur në ekstremin më të dhunshëm, atë të asgjësimit të plotë të saj. Dhe, ndonëse popujt kanë vazhduar të ekzistojnë (pasi të paktën sot, nuk është më aq e thjeshtë të zhdukësh etnikisht një popull të tërë), personaliteti i tyre historik ka pësuar plagë aq të thella, sa që as shërimi i mëpastajmë i tyre nuk ka mundur të zëvendësojë humbjet e gjakut të rrjedhur, i cili në rastin konkret, larg figurave metaforike, nuk është as më shumë dhe as më pak, përveç nderit dhe dinjitetit të tij kolektiv. Në këtë kontekst, as shqiptarët nuk ka pse të bëjnë përjashtim. Tek e fundit, jemi një popull si gjithë të tjerët nën këtë diell, me të mirat dhe të këqijat tona, me fatin e hidhur ose të bardhë, gjithashtu njësoj si gjithë të tjerët, me heronjtë dhe tradhtarët tanë, me të ndershmit, por edhe me të pandershmit tanë, të cilët duam apo nuk duam ne, kanë lindur, janë rritur, kanë vdekur, por edhe janë kalbëzuar mes nesh, duke na lënë pas, jo pak epidemi, një pjesë e të cilave do të vazhdojë të na molepsë për shumë kohë. Është pikërisht ekzistenca e këtyre të fundit, ajo që na imponon, fundja, ashtu si çdo populli tjetër në botë, shkruarjen dhe rishkruarjen e historisë, rikonsiderimin e herëpashershëm të saj duke iu përshtatur para së gjithash fakteve dhe zbulimeve të reja, por që mbi gjithçka tjetër na imponon ruajtjen të paprekur të të vërtetave të mëdha (jo thjesht, të lidhur me debate dhe stërdebate qesharake për data dhe emra luftërash, apo individësh), pa i lënë, veç të tjerash që këto të vërteta, të cilat të bardha ose të zeza qofshin përbëjnë perlat reale të zinxhirit tonë historik, të bëhen objekt provash krijuese të stazhierëve ose debutantëve gjysmë të dështuar në artin e shkrimit historik. Për më tepër, kur këta individë, pa ndonjë personalitet të spikatur letrar dhe krijues në domenin përkatës, pasuksesin e merituar në vendin e tyre, përpiqen ta kthejnë në sukses të pamerituar në vendet e sapodalë nga regjimet diktatoriale komuniste, duke pasur në këtë përpjekje, sa makiavelike, aq edhe donkishoteske, një pjesë të shtypit të vendeve në fjalë. Në raste të tilla, dëmi i shkaktuar është shumë herë më i madh se sa një shtrembërim momental i historisë, sepse nëse ky i fundit vjen një ditë që edhe mund të riparohet (qoftë edhe nëpërmjet replikave të specializuara të historianëve vendas apo edhe gazetarëve të qytetëruar), ksenomania e mbjellë në trurin e publikut të gjerë lexues, duke i krijuar atij idenë se çdo gjë që serviret nga një penë e huaj për jetën dhe historinë tonë duhet të jetë e vërtetë, edhe kur vetë “e vërteta” e shprehur prej saj është shumë larg formës më banale të ekzistencës.

“E kanë thënë të huajt”

Shumë kohë më parë, në ditët e para të demokracisë në Shqipëri, një nga kanalet radiofonike që emetonte në gjuhën shqipe dha gabimisht një lajm për një tërmet që paskësh rënë në jug të Shqipërisë dhe që paskësh shkaktuar jo pak dëme. Rasti e solli që ato ditë të isha me shërbim në qytetin në fjalë dhe kur u ktheva miqtë në Tiranë më kërkuan të dinin për çfarë kishte ndodhur dhe se a kishte pasur vërtetë aq shumë dëme sa ishte raportuar në radio. I habitur për çfarë po dëgjoja u thashë se asnjë tërmet nuk kishte rënë dhe, për pasojë, asnjë dëm nuk kishte pasur. Atëherë ata disi edhe të zëmëruar, duke menduar se po neglizhoja, më thanë se nuk kishte se si të mos ishte e vërtetë, pasi e kishin dëgjuar me veshët e tyre në radio. Këmbëngulja ime e bazuar në faktin se kisha qenë vetë në “vendngjarje”, nuk mund të ishte një argument për ta përderisa gjithmonë kishin ende në veshë jehonën e lajmit të dhënë në radion në fjalë. Derisa erdhi një moment që “nderin’” tim, për të mos u quajtur “gënjeshtar”, “snob”, apo ndoshta edhe “i hutuar” e shpëtoi, jo këmbëngulja ime, por përsëri radioja në fjalë, e cila të nesërmen duke kërkuar ndjesë e përgënjeshtroi lajmin e dhënë. Atëherë edhe fjalët e mia u besuan(!) Është thjesht një detaj i shkëputur nga një përvojë thjesht individuale, por që në fund të fundit, shumëkush nga ne mund ta pasurojë me fakte të tjera dhe përvoja personale, të cilat gjatë gjithë kësaj kohe kanë zënë vend në jetën tonë, duke na kthyer në servilë të tillë ndaj informacionit që vjen nga jashtë, deri në atë pikë, sa që edhe ngjarjet që kemi jetuar vetë dhe që shpeshherë duke qenë të hidhura i kemi ndjerë dhimbshëm në kurrizin tonë, jemi të prirur t’i besojmë më shumë kur na jepen në gjuhë të huaj (natyrisht të përkthyer me zell dhe si “zbulime” të rralla, duke u paraqitur me shkallën maksimale të ekzaltimit, në shtypin shqiptar), ndonëse shpesh herë edhe të deformuara. Dhe, duke qenë se, “bashkëfajtori” kryesor në këtë servilizëm të pështirë ndaj çdo rrëfimi që nuk bëhet në shqip dhe nga shqiptarë dëshmitarë në rrjedhat dhe epokat përkatëse (Vini re! Bëhet fjalë, jo më për një ngjarje të shkëputur, siç mund të jetë një tërmet apo një vrasje, e cila edhe mund të ngatërrohet si pasojë e dëshmive të dhëna ose edhe nivelit profesional të korrespondentit përkatës, por për epoka të tëra historike, faktet e të cilave kanë luajtur dhe luajnë rol në vetë rrjedhat e ekzistencës së një kombi të tërë) duket qartë se është bërë një pjesë e shtypit shqiptar, tani na ndodh që shpesh debatet për çfarë shohim, ndjejmë, vuajmë ose përjetojmë vetë ne shqiptarët në vendin tonë, të mos i mbështesim më në përvojën tonë të përditshme personale, por në çfarë kanë thënë dhe kanë shkruar të huajt për ne. Dhe si pasojë e kësaj vjen që për të pohuar ose jo, për shembull që ka apo jo korrupsion, të përdorim si referencë deklarimet ose artikujt në gjuhë të huaj për rastin konkret dhe jo praktikën me të cilën ndeshemi për ditë në zyrat e administratës sonë; po kështu edhe për nivelin e sigurisë, mirëqenies ose varfërisë, progresit ose ngecjes në vend, ecurisë së reformave ose bllokimit të tyre dhe kështu me radhë.

Shtrembërime skandaloze të historisë

Të gjitha këto mu kujtuan teksa lexoja para disa ditësh një artikull të gjatë, të përkthyer në një nga të përditshmet më prestigjioze në vend, për një libër të botuar diku në perëndim për ish-diktatorët e vendeve komuniste, midis të cilëve pa dyshim që nuk kishte si të mungonte edhe familja Hoxha. Të linte shije të hidhur fakti se, një rrëfim me të vërtetë i nivelit amator, pa kurrfarë vlere, qoftë letrare, ashtu edhe historike ishte paraqitur si një “scoop”, si një zbulim sensacional dhe gati-gati sa nuk thuhej se materiali në fjalë duhej lexuar me çdo kusht që shqiptarët të kishin mundësinë të mësonin se… çfarë u kishte ndodhur vetëm disa vjet më parë, madje, duke parë gjëra që ata nuk i paskan ditur se paskan qenë prezent në jetën e tyre. Nuk po i hyjmë analizës së qëllimit të autorit për sjelljen në jetë të një rrëfimi të tillë. Pasi, siç na është bërë e ditur nga vetë të huajt (ja që edhe ne, të molepsur nga klima e përgjithshme nuk i shpëtojmë referimit të tyre) ka shumë pena që duke mos gjetur dot suksesin e dëshiruar në vendin e tyre rendin të vetësensacionalizohen duke qëmtuar tema në vendet e “Botës së tretë”. Ajo që nuk mund të mos të të irritojë është se rrëfime të tilla kryekëput të deformuara po qarkullojnë në dritën e diellit duke krijuar klishe të rreme për gjykimin e historisë së Shqipërisë, duke goditur para së gjithash vetë shqiptarët dhe reputacionin e tyre nëpër botë, i cili edhe pa këto shkarravitje diletanteske është dëmtuar jo pak tashmë. Dhe, më shumë akoma të irriton fakti se këto lajthitje delirante përhapen në opinionin shqiptar nga vetë shtypi ynë, madje duke u paraqitur edhe si zbulime të rralla dhe me vlera. Mund t’i linim mënjanë për shembull shtrembërime të tilla si “pjesëmarrja e Enver Hoxhës në inaugurimin e Muzeut të tij (Piramidës), me fytyrë të lodhur dhe të mërzitur”, e cituar në dokumentin në fjalë, kur nga të gjithë shqiptarët dihet mirë se kur ndodhi ngjarja në fjalë, Enver Hoxha kishte disa vjet që kalbej nën dhe. Fundja edhe ngjarjen më të freskët, atë të piramidave financiare, njëra prej të cilave, sipas shkrimtari “drejtohej nga një ish-gjeneral”, kur dihet mirë se i vetmi ish-ushtarak në listën e ish-bosëve të fajdeve, Vehbi Alimuçaj kishte qenë vetëm nënoficer, madje edhe ai në kohën kur ushtria shqiptare nuk kishte grada. Edhe nëse në kundërargument të kësaj kritike, shkrimtari ose përkthyesit dhe botuesit e tij do të referonin titullin e “gjeneralit” akorduar të ndjerit Rrapush Xhaferri, duhet të dinë se kjo ishte thjesht një nofkë, gjysmë-servile, gjysmë-tallëse që i ishte ngjitur të sipërpërmendurit nga bashkëqytetarët e tij lushnjarë, të cilët e dinin shumë mirë se ai vetë nuk kishte pasur kurrë me ushtrinë më shumë lidhje se sa oborri 9-ditor që ishte i detyrueshëm për të gjithë shtetasit e Republikës së kohës së komunizmit. As më shumë dhe as më pak, të tilla lajthitje tregojnë se autori i librit në fjalë, nuk ka studiuar seriozisht as Shqipërinë dhe as fenomenet që e shkundën për vdekje atë, por ka nxituar të japë një botim aspak serioz, i cili veç fitimeve financiare të realizuara nga shitja (eventualisht, ish-Perandoria komuniste dhe bëmat e diktatorëve të saj vazhdojnë ende të jenë tepër tërheqëse për lexuesit perëndimorë) dhe një farë suksesi momental në raport me emrin e tij, nuk sjell asgjë të mirë në fondin letrar apo historik. Në fund të fundit, do t’i falnim të gjitha këto lajthitje edhe nëse nuk do të kishim të bënim me një botim të tipit letrar, por historik, megjithëse për këtë të fundit, gafa të tilla nuk janë të pranueshme edhe sikur t’i përkasin kontingjentit të hollësirave. Por nuk mund të falnim pohimin më skandaloz që e lexuam gjithashtu në shqip, në faqet e gazetës në fjalë, në lidhje me mënyrën e raportimit dhe funksionimit të Sigurimit të Shtetit dhe rrugëve, nëpërmjet të cilave ai mblidhte informacionin për shtetasit e tij…

“I gjithë populli spiun”

Pa qenë nevoja të citojmë fjalë për fjalë, në kontekst thuhej pak a shumë se Sigurimi nuk kishte nevojë të kërkonte fakte dhe dokumente për dënimin e shtetasve të tij, pasi vetë këta të fundit denonconin njëri-tjetrin. Do të besohej pjesërisht një gjë e tillë, natyrisht nga ata që e kanë jetuar në një moshë sadopak të përgjegjshme periudhën në fjalë, sikur të mos shtohej një shpifje, sa e ulët aq edhe poshtëruese për të gjithë shqiptarët. Sipas së cilës, çdo familje shqiptare paska qenë e detyruar që në çdo fundviti të hartonte një raport biografik për vete dhe për ambientin që e rrethonte, duke përfshirë këtu edhe komshinjtë, pra, duke i raportuar ata. Me sa kuptojmë, kjo sipas autorit, i cili me sa duket mund të ketë qenë në Shqipëri, e shumta vetëm si ndonjë “turist kalimtar”, paska qenë e shkruar në ligj dhe, madje qenka aplikuar vazhdimisht nga çdo familje. Pavërtetësia e një pohimi të tillë skandaloz mund të konfirmohet edhe nga vetë familjarët e botuesve dhe drejtuesve të gazetës në fjalë (vetëm nëse për arsye të ndryshme, ndonjë prej tyre mund të ketë hartuar raporte të tilla në fund të çdo viti për komshinjtë), pa llogaritur këtu masën e gjerë të shqiptarëve, pjesa më e madhe e të cilëve nuk e ka pasur për detyrë një raport të tillë. Prandaj edhe nuk ia vlen të zgjatesh në debatimin që normalisht duhet të provokojë duke sjellë fakte dhe skema, përgënjeshtrimi i këtij devijimi pa vlerë. Ajo që të irriton është se, nëse thellohesh ca më shumë në analizën e një fakti të tillë është se, edhe në mos qoftë më shumë (në rastin më të mirë) se sa një budallallëk i shumëfishtë dhe naiv, dalja e tij në dritë të diellit, jo vetëm që është nxitur nga spiunët e dikurshëm të Sigurimit të Shtetit (dosjexhinjtë, siç i quajmë sot), por edhe u shërben krejt atyre vetë. Sepse, tashmë, konteksti është i qartë: Shqiptarët e dënuar dhe të trembur për të mos u rebeluar, nuk kanë qenë viktima të spiunllëqeve të bashkëpunëtorëve të Sigurimit të Shtetit, por të njëri-tjetrit. Madje, mund edhe të shkonim shumë më tej, pse jo edhe duke deklaruar se vetë “spiunët” nuk paskan ekzistuar, por janë pjellë e fantazisë politike të paskomunizmit. Denoncimet qenkan bërë (ndonëse akuza duket sikur zbutet në këtë rast kur thuhet se paskemi qenë të detyruar me ligj që ta bëjmë!!!) nga çdo familje për çdo familje. Dhe duke evokuar stilin e shkrimeve dhe propagandës së kohës mund të thuhet: “I gjithë populli spiun”. Kështu, vetë spiunët shpëtojnë, të paktën duke e ndarë turpin që rëndon mbi ta, në disa qindra mijëra pjesë. Sepse tani, përshtypja e parë që lë tek lexuesi perëndimor një libër i tillë është se jemi vetëm një popull pa karakter, të gjithë spiunë të njëri-tjetrit, të gjithë servilë dhe ushqyes të komunizmit, të gjithë të gatshëm për të denoncuar, madje vullnetarisht, fqinjin tonë, të afërmin dhe këdo. Nuk mund të mohohet se karakteri ynë njerëzor mori goditje të rënda në epokën në fjalë, duke përçudnuar shumë anë pozitive dhe vlera universale të moralit njerëzor. Por të hedhësh pleh mbi një popull të tërë, duke mohuar ekzistencën e bashkëpunëtorëve të Sigurimit dhe dosjeve për ta, kuptohet se kujt i intereson ta bëjë një gjë të tillë dhe se çfarë shërbimi i bën një gjë e tillë atyre që edhe pse me dosje, edhe pse imoralë dhe kriminelë, edhe pse denoncues të rëndomtë, por që në fund të fundit kanë çuar në burgje, deri edhe në pushkatim njerëz dhe kanë shkatërruar në mënyrë të pariparueshme fate të tëra brezash njerëzorë, ulen sot në karriget e larta të shtetit, duke arritur madje që pa u skuqur të predikojnë demokracinë dhe tolerancën si vlerë e saj, deri edhe në Kuvendin e Shqipërisë.

Heshtja që na çon tek asgjësimi

Nuk mund të ndalim dot plotësisht që mjeranë të tillë si autori në fjalë të botojnë paçavure si ajo për të cilën po flasim. Por të paktën mund të reagojmë. Dhe jo vetëm duke mos i botuar gjëra të tilla, thellësisht antishqiptare, në shtypin tonë, por edhe me forma të tjera më aktive, ekzistenca dhe aplikimi i të cilave mund të gjendet jo me shumë vështirësi. Mendoni për shembull se si do të reagonte një vend perëndimor nëse duke botuar biografinë e një personaliteti të tij, qoftë ky edhe ish-diktator të servirnim edhe deformime të tillë, të cilat mbi të gjitha me pavërtetësinë e tyre, jo vetëm që deformojnë të vërtetat historike, duke përbaltur një popull të tërë, por edhe mbrojnë, duke justifikuar kriminelët-vrasës me deponimet e tyre si bashkëpunëtorë të armës së krimit, Sigurimit të Shtetit. Më e pakta, do të ishte reagimi publik, kolektiv ose zyrtar dhe diskreditimi profesional i vetë librit dhe autorit të tij. Kurse ne, jo vetëm që nuk e bëjmë një gjë të tillë, tepër minimale në thelb, por i shkojmë zullumit më tej, duke i botuar vetë belbëzime të tilla mjerane dhe për më keq akoma, duke i servirur ato si “zbulime të rralla për racën tonë”. Tani të paktën përpara brezave që vijnë, fëmijëve tanë nuk kemi se si të mbrohemi, pasi “lajmin për tërmetin” e kanë dhënë të huajt dhe sado të justifikohemi duke thënë se e kemi jetuar vetë atë kohë, e shumta që do të bëjmë do të provokojmë dyshimin se gjithçka paska qenë e vërtetë dhe nga turpi po mundohemi ta fshehim. Dhe kjo ndodh sot, kur nuk kanë kaluar as 20 vjet nga shembja e atij sistemi dhe kur spiunët janë ende gjallë, siç jemi gjallë edhe ne viktimat e tyre. Mendo se ç’mund të ndodhë pas 50 apo 100 vjetësh kur gjallë do të jenë vetëm libra të tillë dhe koleksionet e gazetave që na i kanë sjellë në shqip. Ndoshta pasardhësve tanë do t’u vijë turp për ne dhe kur kjo ndodh kolektivisht do të thotë fillimi i shuarjes së një kombi, identitetit dhe dinjitetit të tij. Sepse kështu është kur spiunët fillojnë të shkruajnë historinë dhe dosjet për ta rrinë ende në gjumë. Dhe kjo bën që paradoksalisht, kjo kategori gjirizesh, në epokën e demokracisë të ndjehet më e nderuar dhe më e vlerësuar se sa në atë të diktaturës. Sepse, nëse kjo e fundit, për hir të së vërtetës duhet pohuar se i trajtonte me përçmim siç trajtohet çdo shërbëtor amoral, demokracia, ndoshta edhe për të zezën e vet i ka veshur me harresë, disa herë me nder, pse jo edhe me imunitet.

Metropol

(Gazeta Metropol e boton kete artikull ne internet pa autoresine)

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

1 Koment »

  1. Pjer Thomas thotë:

    25 Tetor 2007 @ 10:02 pm

    Artikull i shkelqyer. Autorin do ta kundershtoja pakez tek hapja e dosjeve e cila ne fakt duhej te fuksiononte/hapej per parlamentaret, qeveritaret, zevendesat, kryeredaktoret, kryetaret e keshillave, lagjeve , komunave, bashkive, pra njerez qe kishin e kane poste vendimmarrse, por jo per ata qe jane larguar/terhequr nga fuksione te tilla, sepse hapja masive mund te shkaktonte nje stresim apo reagim negativ tek njerzit, familjaret , te afermit.

Burim RSS për komentet · TrackBack URI

Shkruaj një koment (login)


Peshku ruan të drejtën të fshijë ose zbehë komentin që po dërgoni, sidomos nëse:
1) komenti fyen autorin, komentuesit e tjerë apo persona publikë
2) komenti është jashtë teme
3) komenti është shumë i gjatë
Nuk kemi qejf të censurojmë askënd, por ama diskutimet në faqe duam t'i mbajmë civile dhe të sjellshme.