Serbia tallet me MSA-në
KATOVICA
Gazeta Shqiptare
Bashkimi Europian ka caktuar datën 28 janar 2008 për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, MSA me Serbinë, që i bie të jetë një
datë e ndërmjetme mes raundit të parë dhe raundit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi. Diplomatikisht, kjo lexohet si një
përpjekje e Bashkimit Europian për të mbështetur presidentin aktual të Serbisë, Boris Tadiç, që të fitojë një mandat të dytë presidencial. Kjo përpjekje e BE-së hyn në serinë e panumërt të hapave që ajo ka ndërmarrë pareshtur që prej shtatë vjetësh, për të mbështetur forcat demokratike në Serbi, të cilat janë reduktuar tek Partia Demokratike e presidentit, partia G-17 e Mladan Dinkiçit dhe Partia Liberale e Çedomir Jovanoviçit.
Ekuilibri presidencial në Serbi, që prej 2003-it është tejet delikat dhe atë e kanë kontrolluar forcat nacionaliste të Partisë Radikale të kriminelit të luftës, V.Sheshel, kandidati i së cilës për president ka fituar raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale të mëparshme dhe parashikohet që të fitojë përsëri raundin e parë të zgjedhjeve që do të mbahen më 20 janar. Në zgjedhjet e mëparshme presidenciale ka qenë angazhimi i jashtëzakonshëm i Bashkimit Europian dhe i shteteve të tjera demokratike, që ndryshoi ekuilibrin dhe detyroi kryeministrin V.Koshtunica dhe partinë e tij të bashkojnë votat me grupin demokratik në ndihmë të zgjedhjes së Boris Tadiçit si president.
Edhe tani basti i BE-së është për presidentin Tadiç. E shikuar ftohtë, në spektrin e politikës aktuale serbe, Tadiçi përfaqëson atë që mund të quhet e keqja më e vogël në atë katrahurë nacionaliste, që karakterizon Beogradin. Por, shanset e BE-së për bastin mbi Tadiçin kësaj radhe janë më të rrezikuara.
Problemi i madh dhe duket kingmaker në Beograd vazhdon të mbetet kryeministri nacionalist, V. Koshtunica, i cili, ndonëse humbi shumë vende deputetësh në zgjedhjet parlamentare të janarit të këtij viti, arriti të imponojë mbajtjen e postit si kryeministër dhe është prapë i domosdoshëm për presidentin Tadiç që të fitojë përsëri kolltukun presidencial.
Koshtunica dhe Tadiçi janë rivalë të ashpër politikë, të cilët po e shkallëzojnë çdo ditë e më tepër luftën e egër për pushtet. Mes të dyve, preferenca e BE-së duket qartazi se është me presidentin dhe kjo duket një zgjedhje e drejtë e detyruar. Por Koshtunica kësaj radhe ka ndërmarrë një lëvizje të shkathët taktike, e cila mund ta dëmtojë fort mundësinë e Tadiçit të zgjidhet president.
Lëvizja që ndërmori Koshtunica, ka të bëjë me qëndrimin e Serbisë dhe të qeverisë serbe ndaj Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Kjo marrëveshje mes Bashkimit Europian dhe Serbisë është përfunduar në nëntor dhe ka mbetur thjesht nënshkrimi i saj zyrtar. Brukseli e vonoi nënshkrimin me ringjalljen e kushtit të bashkëpunimit të Serbisë me Gjykatën e Hagës të krimeve të luftës dhe sidomos me dorëzimin e gjeneralit kriminel të kërkuar, Ratko Mlladiç. Ky kusht është tashmë një formalitet më shumë për efekte publike dhe propagandistike, sepse dihet se Serbia ka neglizhuar me qëllim këtë kusht dhe BE-ja e ka përtypur këtë shuplakë serbe. Para disa ditësh, në deklaratën e largimit të saj pas mbarimit të mandatit si prokurore e Gjykatës së Hagës, Karla Del Ponte shpalli publikisht se Mlladiçi fshihet në Serbi dhe qeveria serbe nuk ka dashur ta arrestojë atë, megjithëse e ka ditur se ku fshihet.
BE e kapërdiu mospërfilljen e Serbisë dhe në një përpjekje për të inkurajuar, sipas saj, një atmosferë më të përshtatshme për forcat proeuropiane, njoftoi se do ta nënshkruajë MSA-në mes dy raundeve të zgjedhjeve presidenciale.
Pikërisht në këto moment, kryeministri Koshtunica shkoi më tej. Ai sfidoi jo më kushtin e nënshkrimit, por vetë nënshkrimin e MSA-së. Nuk ka ndodhur me asnjë shtet të Ballkanit, i cili ka nënshkruar MSA-në, që të guxojë t’i vërë kushte BE-së për MSA-në. Sepse është BE-ja që vendos kushte për gjithë vendet, të cilat kërkojnë të integrohen e të bëhen anëtare të BE-së. Me Serbinë nuk ndodhi kjo. Ajo nuk plotësoi kushtin e dorëzimit të kriminelëve të luftës dhe BE-ja, jo vetëm përfundoi bisedimet për MSA-në, por një grup i madh shtetesh brenda saj po kërkojnë që brenda vitit 2008 Serbisë t’i jepet statusi i shtetit kandidat.
Si për të luajtur me entusiazmin e këtyre shteteve anëtare të BE-së, që me zor po presin t’i shtrojnë qilimin e kuq të hyrjes së Serbisë në BE pa plotësuar kushtet, kryeministri Koshtunica shpalli se qveria e tij nuk do ta nënshkruajë MSA-në derisa BE të shtojë një amendament në marrëveshjen e përfunduar, ku të shprehet se Kosova i takon Serbisë. Partia Demokratike e Serbisë, e drejtuar nga Koshtunica, u ka drejtuar zyrtarisht partnerëve të koalicionit qeveritar kërkesën që të mos nënshkruhet MSA-ja, derisa BE-ja të garantojë “integritetin e plotë serb, duke përfshirë Kosovën”.
Absurditeti i vendosjes së një kushti BE-së nga Serbia për nënshkrimin e MSA-së, një zhvillim i padëgjuar në historinë e BE-së dhe të procesit të zgjerimit të saj, nuk mund të mos shkaktonte një shok në skenën politike serbe. Kryeminstri siguroi edhe mbështetjen e partisë radikale ultranacionaliste, e cila shpalli se do të bojkotonte parlamentin me të 81 deputetët e saj, nëse nuk votohet një rezolutë, që i vendos këtë kusht BE-së për çeshtjen e Kosovës. Udhëheqësi i kësaj partie ultranacionaliste, T.Nikoliç, rivali i fortë i Tadiçit për president, ka deklaruar hapur se për Serbinë është më mirë të jetë provincë e Rusisë se sa anëtare e BE-së.
Kërcënimi politik i kryeministrit për të mos firmosur MSA-në paraqet një goditje paraprake ndaj presidentit Tadiç, për t’i dobësuar atij pushtetin dhe elektoratin, sepse integrimi europian është kali i betejës elektorale të presidentit. Dorashka e sfidës, që Koshtunica i hodhi BE-së për MSA-në është në të njëjtën kohë e tillë edhe për presidentin aktual serb. Forcat demokratike si Partia Demokratike, Partia liberale dhe G-17, e kanë hedhur poshtë manovrën e Koshtunicës kundër MSA-së dhe kanë deklaruar se prioriteti i Serbisë është integrimi europian. Mirpo kampi nacionalist përbën shumicën dhe ai kamp është antieuropian.
Sigurisht BE nuk mund t’i nënshtrohet kushtit poshtërues të paraqitur nga kryeministri serb. Së pari, sepse çështja e Kosovës është çështje e ndarë nga ajo e MSA-së me Serbinë. Së dyti, sepse çështja e Kosovës tashmë është vendosur nga faktori ndërkombëtar se do të marrë së shpejti sanksionimin legal të shpalljes së pavarësisë. Së treti, sepse MSA me Serbinë është e përfunduar dhe nuk mund të shtohen më amendamente, sepse iu tek tani kryeministrit serb. Koshtunica i di fare mirë këto argumente, por ai manovron dhe kërkon të verë në pozitë të vështirë, për mos të thënë komike, edhe presidentin, edhe BE-në. E bën këtë, sepse e mendon se me këto qëndrime absurde të tij do ta detyrojë BE-në të bëjë lëshime të tjera, siç ka bërë deri tani ndaj Serbisë.
Këto lëshime mund të jenë të tilla që të favorizojnë Serbinë për shpejtimin e integrimit, pa plotësuar kriteret. Do të synojnë lëshime të tjera për çeshtjen e Kosovës dhe sidomos për gjymtimin e pavarësisë së saj të ardhshme me projekte të fshehta të ndarjes së saj. Dhe së fundi të detyrojë BE-në që të pranojë Koshtunicën si partneri dhe faktor kryesor politik në Beograd, dhe jo presidentin.
Kureshtja diplomatike është se sa do ta vazhdojë durimi i BE-së ndaj talljes së kryeministrit të Serbisë me MSA-në, dhe gjer në çfarë shkalle BE-ja do të ndjekë kursin e saj të indulgjencave të pakompensuara në adresë të Beogradit, kurs që ka rezultuar deri tani jo produktiv, dhe madje i dëmshëm. Kryeministri i Serbisë nuk do të kishte guxuar të sillej kështu me MSA-në dhe me BE-në, nëse BE do të ishte bashkuar me kohë dhe në mënyrë unike me SHBA-në, që Kosova të hynte e pavarur në vitin 2008.

3 January 2008 @ 7:52 pm
Sipas Radio B-92 te Serbise, kryeministri Koshtunica i ka bere ultimatum BEut sot: o MSA me ne, o pavaresia e Kosoves.
Nderkohe nje analist i njohur ka deklaruar dje qe Perendimi i kishte bere hesapet gabim me ‘demokratet’ e Serbise. Ata dolen po aq nacionaliste sa edhe Milloshevici
3 January 2008 @ 7:56 pm
Kur i lëpihet ashtu BE-ja dihet që do tallen. Në fillim i vunë kusht bashkëpunimin për kapjen e kriminelëve të luftës, dhe kur e panë që Serbia s’donte t’i kapte, e hoqën si kusht. Tani duan t’ja japin për t’i mbajtur mirë kur të pranohet pavarësia e Kosovës. Prapë nuk duan. Ç’t'i bësh, kanë miq të fortë në BE dhe bëjnë si të duan. Është për t’u çuditur se si mund të trajtohet kështu një shtet që akoma s’ka kërkuar falje për rolin që pati në tërë ato lufta dhe për tërë ato vdekje.