Login



Register

Selami: Shkrimi i NYT na dëmtoi të gjithëve

Ish-kryetari i PD-së Eduart Selami deklaron se lufta kundër korrupsionit duhet të kalojë ne veprime konkrete

“Zëri i Amerikës”

Në një artikull të botuar në Nju Jork Times implikohet Shqipëria për tregtinë e armëve që bënte Pentagoni për ti çuar në Afganistan. Pjesa që flet për Shqipërinë e paraqet vendin si një vend ku korrupsioni dëmton. Sa e dëmtojnë këto ngjarje imazhin e vendit, kur dihet që Shqipëria është në prag të marrjes së ftesës së anëtarësimit në NATO.

Është e drejtë. Duke jetuar këtu jam një lexues i rregullt i Nju Jork Times dhe patjetër që e ndoqa me shqetësim dhe, patjetër që, dalja e Shqipërisë në Nju Jork Times është një rast i rrallë dhe kur del në një dritë të tillë është diçka që është e dëmshme për të gjithë. Në këtë pikë unë mendoj që tragjedia e Gërdecit është patjetër një tragjedi, e cila do të ndikojë për një farë mase. Por, nga ana tjetër unë dua të them se, Tragjedia e Gërdecit si rrallë ngjarje në Shqipëri mban në vetvete një lidhje të veçantë midis të kaluarës në Shqipëri, ta tashmes dhe të ardhmes. Sepse, në fund të fundit, Shqipëria është e përfshirë në një tranzicion të gjatë dhe po përpiqet që të ndahet me çdo kusht nga e kaluara dhe fatkeqësisht e kaluara e gjatë komuniste akoma vret. Unë nuk dua të largoj përgjegjësitë e sotme dhe shikohet me një farë maturimi që kësaj përgjegjësi askush nuk i është shmangur dhe është interesi i të gjithëve që këto gjëra të dalin në dritë.

Unë mendoj që lufta kundër korrupsionit, e cila solli në pushtet Partinë Demokratike, ka arritur në një pikë kur duhet të kalohet nga deklarimet, si të thuash publike dhe fjalimet në foltore, në drejtim të rrugës së shtetit ligjor. Dhe kjo shkon paralelisht me forcimin e shtetit ligjor.

Shqipëra pritet të marrë ftesën pas dy ditësh për tu anëtarësuar në NATO. Megjithatë, kjo ftesë, ky anëtarësim, nëse ndodh, mban në vetvete përgjegjësi shumë të larta për vendin. A do të jetë Shqipëria e aftë të realizojë këto reforma në kohën e duhur, që ngjarje të tilla të mos përsëriten më?

Shqetësimi është i drejtë dhe unë mendoj se Gërdeci është një arsye më shumë që Shqipëria të pranohet në NATO dhe unë kam besim dhe shpreh që Shqipëria do të pranohet. Dhe për mendimin tim, Shqipëria e meriton ftesën në NATO. Shqipëria ka qenë nga vendet e para të bllokut ish komunist që bëri ftesë në 1992 për t’u pranuar në NATO. Shqipëria është futur në rrugën e reformave. Asgjë nuk është e përsosur. Ky është një proces i gjatë, por unë mendoj që ftesa që do të marrë Shqipëria për në NATO është një vlerësim për punën që ka bërë qeveria, pavarësisht nga të metat që janë, për kontributin e saj në paqen dhe stabilitetin rajonal, për kontributin e saj në luftën kundër terrorizmit. Njëkohësisht, është një vlerësim për angazhimin e saj në drejtim të reformës. Nga ana tjetër, mendoj se kjo ftesë do të jetë një vlerësim edhe për rolin e opozitës, e cila duhet përshëndetur. Megjithëse një ndarje kaq tragjike, i ka ndarë disa gjëra dhe po mban qëndrim konstruktiv. Pra, nga njëra anë kërkon me të drejtë që ti shkohet deri në fund, të forcohet shtetit ligjor, por ka shprehur në mënyrë të qartë angazhimin e saj për këtë anëtarësim, dhe ky është një fakt që nuk ndodh shpesh.

Është nga herët e para kur pozita dhe opozita po bashkëpunojnë, kanë ndarë luftën politike nga interesat e vendit..

Është e drejte dhe kalon përmes proceseve. Nuk them se është e para. Ka pasur, por më tepër ka qenë sporadike. Por, ky është një moment shumë kyç. Të mos harrojmë që çështja shqiptare mbase është në ditët më të mira të saj: pavarësia e Kosovës ndodhi jo shumë kohë më parë, dhe kjo është një arritje jashtëzakonisht e madhe për çështjen kombëtare në tërësi. Në po presim anëtarësimin në NATO dhe me shpresën që do ta marrim ftesën. Pra, çështja shqiptare është në ditët e saj më të mira dhe unë mendoj se është në nderin e klasës politike shqiptare për ti ndarë këto gjëra dhe të bashkëpunojë për të ecur në një drejtim tjetër. Më e rëndësishme për anëtarësimin në NATO është një vlerësim që do t’i bëhet popullit shqiptar, i cili ka vuajtur shumë, megjithëse kanë qenë nën presionin e jashtëzakonshëm helmues të propagandës komuniste, asnjëherë nuk e ka humbur besimin dhe dashurinë për perëndimin. Kjo u manifestua në takimin që bëri atëherë Bejker, i cili i hapi shumë rrugë Shqipërisë. Pra, një vend i cili ishte demonizuar për një kohë të gjatë, u pa. Nuk ishte organizuar prej nesh. Ne ishim liderë dhe njëkohësisht, në radhët e para, që së bashku me të gjithë njerëzit e thjeshtë entuziazmoheshim nga kjo dhe shprehnim dashurinë për këtë vend, dashurinë për vendet perëndimore, të cilat unë mendoj që janë në themele të kësaj ftese që Shqipëria e meriton.

Shqipëria është rreshtuar në krahun e forcave të perëndimit. Kosova po ashtu, në të njëjtën kohë, ka marrë mbështetjen kryesore të vendeve perëndimore, por gjithsesi, për shqiptarin e thjeshtë që jeton në Shqipëri sot: ku dritat ikin dhe vijnë, ka shumë mungesa, burokraci e korrupsion. Sa të aftë do të jenë sot zyrtarët në Shqipëri, qeveria por edhe opozita, vërtetë të bëjnë përpjekje për dalin nga kjo gjendje në të cilën Shqipëria po përpëlitet prej ndoshta 20 vjetësh?

Unë mendoj se anëtarësimi në NATO do ta ndajë përfundimisht Shqipërinë nga periudha e gjatë dhe e dhimbshme, shpesh herë tragjike, e tranzicionit. Unë nuk kam mendimin që, menjëherë me anëtarësimin gjithçka do të marrë fund, por është padiskutim një nga momentet më kryesore që ne kur të kthejmë kokën mbrapa do të shohim, që aty do të marrë një përshpejtim procesi dhe reformimi, dalja nga periudha e tranzicionit në Shqipëri. Ka një pikë kritike kudo dhe nganjëherë, gati-gati, edhe Gërdeci tregon se, duket sikur gjërat janë vendosur në një mënyrë…..këtu ne jemi. Duhet të festojmë pavarësinë e Kosovës plotësisht të merituar, duhet të festojmë faktin që udhëheqja e Kosovës dhe populli i Kosovës po tregon një nivel shumë të lartë, që do ta kishte zili çdo shoqëri e emancipuar perëndimore, dhe nga ana tjetër ndalemi në një tragjedi siç është Gërdeci, dhe presim një ftesë pa u mbushur muaji. Në këtë pikë unë mendoj se, kjo vërtet është një arsye më shumë dhe unë mendoj se Shqipëria e meriton për ato arsye që thashë. Kjo ka për ta lehtësuar dhe ka për ta përshpejtuar dhe luftën kundër korrupsionit.

Duket se këtë herë, me shpërthimin në Gërdec, shtypi në Shqipëri po bën përpjekjet maksimale për të nxjerrë të vërtetën deri në fund. Megjithëse ka pasur spekulime, prapë po shihet një rol i ri i shtypit, apo jo?

Padiskutim. Unë dua të shpreh komplimentet e mia për shtypin shqiptar. Për mendimin tim, shtypi mbase është parcela më avancuar e jetës politike në Shqipëri dhe vërtet po bëhet garanci për forcimin e shtetit ligjor, për forcimin e institucioneve, për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO. Të mos harrojmë se pas NATO-s do të vijë procesi i Bashkimit Evropian. Këto janë procese që marrin kohë. Mos më keqkupto. Unë nuk dua të fsheh realitetin. Unë kam qenë atje dhe kam pasur raste. E vetmja gjë që unë dua të them është që, me të drejtë ne kemi vuajtur shumë. Çështja shqiptare ka pasur ditë mjaft të vështira. Është sot një rast për të parë se shqiptarët po shpërblehen për shkak të qëndrimit të tyre paqësor, për shkak se inspirojnë për vlera demokratike dhe padrejtësive e dhunës që janë krijuar nuk po i përgjigjen me të njëjtin çmim, por i përgjigjen me tolerancë, bashkëpunim.

“Unë mendoj që lufta kundër korrupsionit, e cila solli në pushtet Partinë Demokratike, ka arritur në një pikë kur duhet të kalohet nga deklarimet, si të thuash publike dhe fjalimet në foltore, në drejtim të rrugës së shtetit ligjor. Dhe kjo shkon paralelisht me forcimin e shtetit ligjor”

“Unë mendoj se Gërdeci është një arsye më shumë që Shqipëria të pranohet në NATO dhe unë kam besim dhe shpreh që Shqipëria do të pranohet. Dhe për mendimin tim, Shqipëria e meriton ftesën në NATO. Shqipëria ka qenë nga vendet e para të bllokut ish komunist që bëri ftesë në 1992 për t’u pranuar në NATO. Shqipëria është futur në rrugën e reformave. Asgjë nuk është e përsosur”

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. Amazona Shkruaji mesazh privat thotë:

    1 April 2008 @ 9:21 pm

    Very polite,Mr.Selami!

    God bless you!

  2. Tino thotë:

    2 April 2008 @ 7:18 pm

    Shpresoje nje ikje sa me te afert te Berishes dhe nje kthim sa me te shpejte te Selamit!
    E theme kete sepse nuk besoj qe Selami te kthehet ne Shqiperi pa u larguar Berisha nga kreu i PD.?

  3. Anti Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 April 2008 @ 2:03 pm

    Tino, jo vetem Selami, por gjithe intelektualet e tjere mjaft te zot qe ka pasur PD, nuk kthehen ne PD pa ikur Berisha.
    Nese Berisha nuk iken nga PD, shume shpejt PD ka per te dale parti e trete.

  4. Sabaheti thotë:

    5 April 2008 @ 2:05 pm

    Ce pyet mo,
    Intelektuali modh ne PD.
    Le mo ato qi iken.
    Shumica u rrasen ke PS,PSD,PAD,PRD dhe ke psm :-)

  5. Anti Shkruaji mesazh privat thotë:

    5 April 2008 @ 2:12 pm

    Sabaheti, ngaqe ata persona i iken PD-s dhe mbeti vetem Berisha, PD ka qe ne vitin 1994 qe nuk merr shumicen e votave te popullit, qe kur s’iu votua Kushtetuta, ne vitin 1996, ne vitin 1997, ne vitin 2001 dhe as ne vitin 2005 nuk mori shumicen e votave te popullit… dhe as me zgjedhjet e fundit te bashkive :)

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.