Rrëfim pa nocione biologjie
Qershor. Ka perënduar, por bën akoma nxehtë. I kam hapur dritaret kanat më kanat dhe jap e marr me një shkresë që duhet ta përfundoj për nesër, kur dëgjohet një zukamë e beftë, mandej një përplasje në mur, mandej prapë zukama që shoqërohet me një hije që bashkohet me emetuesin sipër ekranit të kompjuterit. Një insekt me koracë të gjelbër dhe me sy të mëdhenj, të kafenjtë e të mbufatur, që më kujtojnë syzet e modës së fundit, sillet sipër shkronjave të zeza. Kushedi me se i ngjajnë, them me mendje. Thërras ca kujtime të vjetra biologjie që më thonë se insektet tërhiqen në të vërtetë nga drita dhe jo nga shkronjat. Ca kujtime plazhi më thonë se tymi i largon insektet. Ndez një cigare dhe i lëshoj një gulç tymi. Insekti lëviz pakëz. Epo rri, i them me mendje. Dal në dritare dhe e djeg cigaren me nge der në fund. Kur kthehem, insekti është akoma duke shëtitur mbi ekran. E godas me thua ekranin. Zhurma e ngre zgupthi shoqen time të re ( me shumicë votash të të pranishmëve, u vendos që është femër) që fillon të bredhë nëpër dhomë duke u përplasur sa në një cep në tjetrin me zukamën e vet nervoze. Ngrihem, gjej një peshqir dhe filloj ta ndjek për ta nxjerrë jashtë. Vërtitem nëpër dhomë një copë herë të mirë, por shoqja s’do të dalë. Dhe sillet rreth një llambe nga ato që rrinë mbi një këmbë të gjatë nja dy metra dhe kokën e kanë të rrotullueshme. E kam blerë në internet se më pëlqeu shumë modeli; lirë fare, se ishte e përdorur, dhe jo vetëm kaq, por kur erdhi në shtëpi, doli që ishte e gërvishtur dhe bënte shumë vapë dhe pak dritë. Dhe unë i kam thyer pa dashje xhamin e i ka ngelur vetëm tubi i gjerë inkandeshent brënda hinkës metalike që, nga vapa, ia kam drejtuar tavanit. Epo rri, atëherë, i them me mendje. Filloj të shkruaj prapë, por rrathët gjithmonë e më të shkurtër të shoqes rreth llambës më shqetësojnë. Meqë s’është hera e parë që flas me faunën dhe sidomos meqë e kam kaluar gjithë ditën vetëm me shkresën time, i them me zë: Po ik mi që aty se do digjesh. Dhe unë kam djegur dorën një ditë duke u përpjekur t’i ulja kokën llambës. Shoqja, hiç. Vazhdoj të merrem me punën time, kur dëgjoj një gzhzhzhzh… Në çast dhoma mbushet me erë djegësire, që ngjan pak me atë të kofshës së pulës që s’e kemi pastruar mirë nga puplat nga nxitimi për ta vënë në zgarë. Shoqja ime sapo ka lënë kokën sipër llambës së vjetër. Eh, të thashë të ikje, po s’deshe, them me vete. Kush rri pastron dhe llambën tani. Dhe ty të kishte mangët ajo… Po nesër, se tani s’kam kohë. Ose mbase e hedh fare, kush e di…


22 Prill 2008 @ 12:52 pm
Bukur Akull!Eshte po ajo”sidroma e karkalecit”,me duket.Por si gjithmone:thjesht,por me shije.
24 Prill 2008 @ 11:22 am
Kandrra-kandrra kjo dynja…
Falemnderit Përparim për komentin! Dhe ti Blend që e nxore në shesh të peshqve!
25 Prill 2008 @ 3:56 pm
Shoh nje paralelizem ne djegjen e insektit dhe cigares, prandaj shoh dhe mendimin e gjithe dites mbi ate leter sikur digjet mbi te.
Mos eshte pak sa nje lloje si dhe mendimi i lenjes per me vone te pastrimit te mbetjeve te insektit mbi nxehtesine e llambes, me lenjen e ketij shkrimi per koment per me vone? Shpresoj qe edhe shkrimi te mos jete djegur si insekti, ne nxehtesin e drites, e deshires per drite. Me siguri “Insekti”(e konsideroj si titull) s’te djeg me viziten. Ai erdhi per deshmin e fundit te tij. Une mjaftohem me ate te tenden akull-naja.
25 Prill 2008 @ 4:08 pm
Akull, per mua kjo pjese te kushtohej ty, jo aq kandrres. brumbulli ishte atje sa per te na treguar si sillesh, c’mendon ti, e cfare ndjen per nje brumbull qe eshte atje…
25 Prill 2008 @ 8:28 pm
Akullnaje ,me pelqeu shume.Po mendoj me frike se po te jesh vrojtuese kaq e holle me çfaredo e kedo do na e besh RX te shpirtit kujt te te mbushet mendja.Je shume spontane(kompliment ky).
25 Prill 2008 @ 9:05 pm
Vemendje, shkrimi mund të jetë i përvëluar fare për dritë dhe nga drita (unë s’ia ndjej erën që kaq afër), por mua më argëtoi duke e shkruar dhe që prej kësaj, shkrimi s’më ka më asnjë borxh, megjithëse diku thellë unë shpresoj që t’i flasë edhe/ose t’i pëlqejë 51% të lexuesve (sinqerisht, shpresa ime është më e marrë se kaq, por pak modesti e shtirur nganjëherë kalon për modesti të vërtetë).
Blend, konstatimi yt është krejt i drejtë, por kështu i vetmuar më duket si vërejtje; mbase e lexoj gabim. Sidoqoftë, unë kam heqë dorë nga përqëndrimi mbi kandrrën (”pilivesë” do i shkonte më mirë se “brumbull”, po të kisha dashur t’i vija emër) që te titulli. Dhe unë s’ndjej vetëm për brumbullin që është atje, por dhe për llampën që është atje, pavarësisht se ajo nuk “ndërhyri” nga dritarja…
Zana,
thashë se të humbëm përgjithnji… Më vjen mirë që je bërë prapë “peshk i dukshëm”, edhe që të ka pëlqyer kjo copa. Të përshëndes.:)
25 Prill 2008 @ 9:18 pm
Nuk ishte aq si verejtje sesa si konstatim. Me pelqen ne fakt qe shfrytezon viziten e papritur te nje insekti per te na treguar per njeriun. Nuk di cfare e quajne kritiket kete metode, une komentoj si lexues. E vetmja verejtje eshte se do doja qe meditimi te jete me i thelle, dmth kete njeriun ta njohim edhe ca. Them, kjo do te thote se me ka pelqyer…
…Epo rri, atëherë, i them me mendje. Filloj të shkruaj prapë, por rrathët gjithmonë e më të shkurtër të shoqes rreth llambës më shqetësojnë. Meqë s’është hera e parë që flas me faunën dhe sidomos meqë e kam kaluar gjithë ditën vetëm me shkresën time, i them me zë: Po ik mi që aty se do digjesh. Dhe unë kam djegur dorën një ditë duke u përpjekur t’i ulja kokën llambës. Shoqja, hiç…
25 Prill 2008 @ 10:32 pm
Ndersa ti u argetove ne proces te shkrimit, une u agetova me ty (jo ate jashte shkrimit).
Akull, ti e di mire, se ka jete ne ty. Ajo ngroh, por c’ti besh n.q.s. ngrohja shkrin akullin!
Ne nje shkrim te shkurter aq sa te de-koduar, ngarkuar me jet te zjarrte, gjen rrall here multi shkrepetima si bocete brenda nje tabloje te mbushur me ngjarje.
29 Prill 2008 @ 1:09 am
Aklli. Ke nje sy si videokamera dhe pershkruan shume bukur. Me pelqeu pjesa.
30 Prill 2008 @ 10:58 am
Tregimi ishte vertet i kendshem dhe qe na beri dhe ne te shohim nje pjese te jetes se Akullnajes. Pra qe mediton shume kur shkruan, nuk i shpeton asgje, as dhe levizja e zhurma me vogel, nga dialekti qe perdor mendojm se mund te jete ose nga Durrsi ose nga Tirona, shkrimin e ka pasion, ngecjen e mendimeve e zgjidh me nje cigare. Urime Akullnaja , jam bindur me kohe qe ke lindur me pen ne dore.