Rrëfim në kufinjtë e xhelozisë për komshijen time dhe K-në II

xhelozia.JPG

Siç ju rrëfeja para ca kohësh, isha bërë xheloze për komshijen që sërfonte nëpër shtëpi dhe jashtë saj, mbi një dallgë të ngrohtë gjigande, herë e vinte ajo poshtë, herë dallga e mbështillte, por pa e lagur e pa e rrëzuar, veç i zinte diellin dhe e shtynte më tutje, në atë pjesën e vet të më të shtruar. S’ju thashë, komshija sërfon shpesh. Biles nganjëherë sërfon dhe kur deti është vaj (motorrash). Shtrihet mbi dërrasën e sërfit dhe i përdor duart si lopata, me sytë nga horizonti, dhe rrëshqet mbi ujë deri sa sheh se s’ka vajtur kushedi sa larg, bregu duket i qartë, shtëpiat dallohen nga hotelet e pemët nga shtyllat, por është lodhur, i janë rënduar krahët, kurrizi i djeg, e ka marrë etja dhe duhet të kthehet mbrapsht. Nejse, e kisha llafin që komshija e do sërfin, po nuk është ndonjë teraqie e madhe e dallgëve, kënaqet dhe me valëza. Por kësaj rradhe, deti është i trazuar, shumë i trazuar. K-ja, ai tipi i punës, ngre ca dallgë që ç’t’ju them… ka vënd dhe për mua dhe për gjithë shkallën. K-ja është burrë i gdhëndur, po shumë i gdhëndur, dhe shumë i përmbajtur, siç ua thosha te pjesa e parë, por që kur komshija i solli një shishe rakie nga mëmëdheu, K-ja nuk përmbahet më, nis mesazhe pa pikë lidhje me punën, ka filluar të lexojë K-në tonë kombëtar, kjo pasi kish lexuar “Poezinë e kafesë”, shenjë që djali i merr gjërat me themeli. K-ja siç e merrni vesh, nuk është i sojit tonë, po në sojin e këtyre duket goxha djalë. Nejse, që të mos zgjatem me detaje të kota, K-ja jep e merr që ta pataksë komshijen time me interesin e vet ndaj mëmëdheut tënë (këtu duhet të keni kuptuar se komshija është dhe ajo nga anët tona), shenjë e mikpritasve për të treguar interesin ndaj personit të cilit i vihet vërdallë. Jo vetëm kaq, por rri e rri dhe i çon poezi (kur ju them që është i hollë tjetri), poezi të qëmtuara nëpër antologji botërore e që duket se janë bërë enkas për rastin. E kështu, vu poezia e muzika, derisa një ditë dallga u çmënd papritur dhe komshija përfundoi barkaz në breg. Rërë dynjaja, ç’t’ju them… në fakt, metaforat mënjanë, komshija kishte parë në zyrën e K-së nja dy fotografi kalamanjsh të vegjël, dhe çështja u shtrua: ose K-ja është i ve a i ndar’, ose K-ja është k…

S’ju fola për komshijen, komshija është një gocë e hajthme si pjergull, me sy të zinj pyetës, ca flokë të kafenjta që s’i mbarojnë kurrë dhe, përveç këtyre, të jep ujë në bisht të lugës, që ti e kujton për garuzhde. Komshija pra, nuk se ka ndonjë mundësi kongjenitale të keqkuptojë mesazhet e tjetrit. Plus që s’e kish për herë të parë që punonte, dhe përveç bombardimit me meila pune, s’i kish ndodhur të merrte të tjerë nga kolegët. Pra një gjë ishte e sigurt: centripetja e K-së rreth komshijes. Kjo u bë dhe më e sigurt, kur një të ditë të bukur me diell, K-ja nxori një fjali që në shqipe kontemporane do përkthehej “ na verbove” ndërkohë që e kish ftuar në mënyrë krejt shoqërore të shihnin një ekspozitë dhe komshija shihte tablotë, ndërsa K-ja, komshijen. Se po vij vërdallë, dhe e gjitha kjo sepse harrova t’ju them se K-ja dhe komshija njihen prej shumë pak kohësh, dhe këtej nga vendi mikpritës, lejohet ta ftosh kolegun për drekë e për darkë, por s’është e udhës ta pyesësh a është i martuar, ndaj dhe pasiguria mbi opsionet më lart. C’është e vërteta, komshija nuk se i respekton rregullat aq shumë, po kishte frikë mos dëgjonte ndonjë “po” dhe meqë sërfi po i shijonte së tepërmi, donte ta zgjaste sa më shumë të ish e mundur… Pas këtyre sqarimeve, na ngelet të themi se te fjala “na verbove”, komshija i kishte rihipur dërrasës së sërfit dhe, o burra, mbi dallgë!

Ndërkohë që po kolovitej mes dallgës dhe dilemës mbi moralitetin e K-së, dhe kuptimin e gjithë kësaj historie, që në fakt akoma s’ishte por pritshmëria ishte mëse e dukshme, një mail kobmadh mbërriti: jo poezi, as muzikë, as tituj librash, apo kërkesë informacioni mbi mëmëdheun tënë: mesazhi kësaj rradhe përmbante fjalitë që kishin munguar: ”I’ve found you with fifteen years of belatedness, the girl I’ve always been looking for, as far as I remember…let me be your lover…don’t be afraid, I’d never ever hurt you; I love you too much.”, shkruar e zezë mbi të bardhë. Dallga e përplasi për shkëmbi kësaj here. Gropa e zezë që kish midis shpatullës së majtë dhe shtyllës kurrizore që prej ditës së fotove, u bë humnerë thithëse dhe e ktheu të tërën mbrapsht, si ajo bluza që e heqim gjithë nxitim, që ngec nëpër flokë, nëpër vëthë, nëpër thonj, nëpër byzylykë, e ne e tërheqim gjithmonë e më me ngut sepse një arsye e fortë dhe e pashpjegueshme (mungesa e ajrit ndoshta), që bëhet ende më shtypës me pengesat, na shtyn të ndahemi sa më shpejt prej saj, e ta hedhim tutje, sa më larg. Një dëshirë për t’i uluritur hënës dhe K-së i përvëloi fytin. “Më lër të bëhem dashnori yt! Më lër të bëhem dashnori yt!”, i kumbonte në kokë vazhdimisht. Në shqip tingëllon shumë e egër, por dhe anglezi të njëjtën gjë mendonte kur bëri fjalën. Se për fjalën burrë apo i dashur, ka fjalë të tjera anglezi. S’e pat më atë ndjesinë e ngrohtë që i vinte prej solar pleksusit për t’i shndritur deri majat e flokëve dhe thonjtë. Në kthim mbrapsht e sipër, solar pleksusi ishte pleksur me s’di ç’kockë të kaviljes e ia tërhiqtë këmbën drejt koreografish shkelmuese. Zemra ishte ngatërruar me stomakun dhe ky rrihte si i marrë ndërkohë që nëpër vena rridhnin lëngje tretëse. Truri digjte prej aciditetit të tëmthit kurse kërthiza ishte zënë keq pas veshit të majtë. Një dëshirë e egër për të zhbërë me një lëvizje të vetme gjithë atë rrëmujë të trupit të vet i brente mëlçinë, që ishte bërë gri prej lëndës trunore. Asgjë s’mund të ishte më si më parë… asgjë… ai donte të ishte dashnori… E pa veten dashnore të atij burri të gjatë, elegant e të suksesshëm, aq të hollë e me shije e që e tërhiqte në një qerthull të panjohur. Pa takimet fshehtazi nëpër hotele, në fillim të klasit të parë e mandej gjithmonë e më të lira, shkëmbimet e vështrimeve kinse serioze në publik, pa mandej një grua që pesëmbëdhjetë vjet më parë kish dëgjuar ndoshta të njëjtat fjalë, veç fjala “lover” kishte zëvendësuar sot atë “man” … ajo s’duhej të ish as e shëmtuar as budallaqe, e ishte bërë familja e tij, ishte bërë motër e nënë, grua e dashnore, nënë e fëmijëve të tij. E pa diku larg, si nëpër mjegull, me flokë të zeza të lëmuara e me kurm të brishtë. Ajo duhej të ishte e ndjeshme, do e vinte re ndryshimin e tij, shqetësimin natën, zgjimin e beftë si i thirrur prej një fantazme, atë përhumbje të lehtë të vështrimit tek hante mëngjesin ndërkohë që një buzëqeshje i pikonte nga buza, ato parjet e gjata në pasqyrë, seancat e gjata të tualetit, kostumet e reja, prerjen e re të flokëve, atë sjelljen e tij tejet të kujdesur por të mbushur me distancë mbledhjesh e udhëtimesh të gjata… E pa të trishtohej… E pa dhe K-në, tek mundohej të siguronte të shoqen për dashurinë e tij të përjetshme me gjeste të buta e fjalë të ëmbla, të ngrohte shpirtin e saj të ngrirë prej mungesave të tij të shumta… befas buzëqeshja e tij e bardhë u kthye në skërmitje të verdheme, tiparet e zeshkëta u zbërdhylën, lëkura e bardhë iu përhi, zëri i butë bas i erdhi cingërisës… Ndjeu një lëndë veshtullore ta mbulonte të tërën e një hapësirë boshe në vend të zemrës, mushkërive, rropullive…Ulëriti me sa i hëngri gryka, por s’dëgjoi asgjë. Një zhurmë e egër i erdhi përbrenda, ekoja e zërit të vet që kësaj here kish ndërruar kahje, nga jashtë brenda, u përplas pas cipës së bardhë të lëkurës, e thërrmoi dhunshëm dhe e shty tutje në një shpërthim ciflues. Organet, të tejdukshme, qepur pas saj, fluturuan në mijëra grimca shpuese.

Sytë, të vetmit që kishin ngelur të plotë, panë K-në të mbulohej prej thërrmijave gjaksore e të kthehej në një skulpturë kristali të kuq.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

76 Komente

  1. eT thotë:

    19 October 2007 @ 10:01 pm

    Një shkrim shum i këndshëm.

  2. Lumja thotë:

    19 October 2007 @ 10:03 pm

    Aklli,
    Tu ka ba menja K :-) Historia e muzes (komshijes) tende teper e rendomte, por pena jote elegante te ben ta lexosh gjer ne fund.
    Tashti na u be dhe K-ja si i shtepise, duam vazhdimin e telenoveles.
    Te lumte dora e vogel.

  3. Leon thotë:

    19 October 2007 @ 10:12 pm

    hmm ky K-ja paska dale K i forte!! :)
    Urime akull…
    Welcome back!! :)

  4. Zana thotë:

    19 October 2007 @ 10:30 pm

    Ehhh!Ku gjen K te lire sot??Po sa i zoti moj aman!!Ta ben fushe me lule koder kerkund.Nuk e di nese legjislacioni i ndonje vendi te njeh per adultera kur ke dashnore virtuale.Nuk besoj …IL fatto non sussiste.Shkruar si di ti e Ftofta.Asgje te tepert,me bisturi di ghiaccio!

  5. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 2:41 am

    Lume, K-ja vdiq pra mo, apo do ti ta ngjallim prapë?:)

    Zana, nuk e di se a e ka marrë parasysh legjislacioni virtualitetin, por kjo historia, me timen, zhvillohet në realitet.

    et, Leon, rrofshi!

    Blend, me siguri ty duhet të të falenderoj që më hodhe te peshqit dhe me lule përsipër.:)

    Përshëndetje!

  6. SANIJA thotë:

    20 October 2007 @ 5:00 am

    Akull,je shume konfuz dhe iveshtire.Nuk e di per ke shkruan,lexuesit jane tokesor.Me fal por fiziollogjin nuk e njef fare

  7. losttext thotë:

    20 October 2007 @ 6:19 am

    aklli njef anthropollogjine… a mjafton? :D

  8. INA thotë:

    20 October 2007 @ 7:03 am

    Ne fakt, aklli eshte specialiste e endokronollogjise :)

  9. edrus thotë:

    20 October 2007 @ 7:09 am

    Aklli, K-ja është në rregull (lexo serinë e tregimeve të Emigrantit, diku do ndshësh shprehjen e ‘atëhershme’: ndaç ma var e ndaç mos ma var…. ;) Përse nuk shikon asgjë të çuditshme tek Komshija??

    Në këtë rast, K-ja ka bërë vetëm sevap, sepse përveç sakrificave që bën për të mbajtur familjen, duhet ti ‘garantojë’ një farë niveli kënaqsie edhe komshijes… dhe duke parë se sa i paska ngel menia atje komshijes, do të thotë që K-ja është treguar në lartësinë e duhur ;) .

    Pres shkrimin tjetër ku, komshija t’ja ketë hedhur sytë ndonjë K-je ose B-je të pamartuar.
    Ah ore B ore B!

  10. Idris thotë:

    20 October 2007 @ 7:27 am

    Mos e kristalizo per vdekje K .Gjej njemenyre ,shkrije dhe bjere prape.E ke prure mjaft kemngules,shume interesant dhe te njetrajshem,te krasitur,……
    ….te prire per te dashuruar…..Nuk eshte keq apo jo?
    Relax me fantazine tende, sidomos kur wikend-i e ka kerkesen kryesore.Falem.

  11. Erion Selmani thotë:

    20 October 2007 @ 8:51 am

    Ne fakt K-ja ka bere sevap. Ka te drejte Edrus!
    Me sa kuptova (mbase gaboj) ky K-ja s’ka asnje keqardhje nese vendin e tij tek mendja e komshijes e zevendeson nje B ose C, D.
    Ai hyn ne grupin e artisteve ne dashuri.

  12. Koth thotë:

    20 October 2007 @ 10:47 am

    Akell,

    une i mendimit qe kam dhene ke blogu dhe nuk i levis asnje presje. Po ti nese do te besh ndonje shtese ke replika jote, beje mbas ores 12 te drekes. :)

    P.S. Po kot fare me shkoi ne men, kjo komshia a mban syze ? ;)

  13. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 11:47 am

    Edrus,
    paske ndërruar mëndje? Apo e ke me ironi? Apo do vërtetë të dish për komshijen? Po kjo e fundit është gjë që do kohë, jo për gjë, po komshija s’bie dakord me ato që shkruaj unë. Nuk jam unë, thotë, nuk jam unë!…

    Idris,
    për hatrin tënd do e shkrija, po s’shoh gjë tjetër në horizont veç një flirt të zgjeruar nëpër dhoma të ngushta hotelesh, ca fundjave të ftohta, ca festa vetëm. Mund të shoh dhe K-në që lë gruan me dy fëmijë akoma të vegjël, për të jetuar me një gocë sa gjysma e moshës së tij (për sa kohë akoma?), bashkjetesë moderne kësaj rradhe, ku llafin e ka vetëm qejfi. Shef gjë tjetër ti Idris?

    Edrus,
    për qejfin tënd, së shpejti një histori me B si beqar. Vetëm se, o Ed, B-t s’janë shumë kompleksë si personazhe, se s’kanë jetuar akoma me një grua, që ta marrin veten në pyetje 17 herë dita dhe të habiten nga përgjigjet.:)

    INA, nëse endokronollogjia s’ishte typo, më bëre të buzëqesh. Po dhe në ish typo, unë qesha.

    Losttext, ekziston anthropollogjia e aplikuar?

    SANIJE, unë shkruaj për vete, po ti?

    ES, si gjithmonë, s’ke kuptuar asgjë. Përpiqu të dalësh pak nga skemat e tua dhe të lexosh çka është shkruajtur e zezë mbi të bardhë.
    p.s. Këmbëngulja është nëna e suksesit, por jo kur është e bija e trashësisë së mëndjes.

    Kothere, me fal që s’po e pres orën 12, por më duhet me dalë, se ka dalë dielli dielli dhe mbase më shkrin ndonjë cep. Dhe po, komshija mban syze, si miope e ndërgjegjshme, kurse unë, nga një sy miope, nga një sy hipermetrope, me kënd rrotullimi te të dy, nuk mbaj syze, sepse më pëlqen t’i shoh gjërat pa qelqe.;)

  14. Koth thotë:

    20 October 2007 @ 11:52 am

    Nuk me pelqeu pergjigjia. :)

    Je pa gjume, sepse dalloj qe postimin e fundit e ke bere aty nga ora 3 e sabahut. :)

    Hajd hajd nje dite dhe fund jave si te ta doje qejfi ! :)

  15. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 12:18 pm

    Për Kotheren: 3 8=11 30= 11.30 17=11.47
    Ditë të mbarë dhe ty!:)

  16. Sorge thotë:

    20 October 2007 @ 12:21 pm

    11.o///… — … —–.,, ,. ,–67 — … –… .-.. 34 OK

  17. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 12:22 pm

    peshku s’e haka aritmetikën… dhe një herë:
    3 plus 8=11 plus 30=11.30 plus 17=11.47

  18. Koth thotë:

    20 October 2007 @ 12:31 pm

    Cili jeni ju zoti Sorge , qe nuk ju dalin hesapet ?

    Akell,

    bej minus endrat e trazuara dhe af ufet qe i shoqerojne ato !
    Po shkrimi me thote mu qe Komshia jo vetem qe mbaka syze , po i paska b.yth kavanozi xhamat ! ;)

  19. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 12:34 pm

    Kothere,
    11.47 heqim 0 = 11.47
    p.s. Unë fle si qëngj. Gjithmonë. S’ka K që ma trazon gjumin. Dhe pa valium.;)

  20. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 12:40 pm

    I martuar jeni ju zoti Sorge? :P

  21. _…__ ._ —… thotë:

    20 October 2007 @ 12:43 pm

    place to place

  22. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 12:47 pm

    hahahahaha!
    rrofsh, ·-!

  23. Koth thotë:

    20 October 2007 @ 1:12 pm

    Mu hesapi me del keshtu:

    11:47 am ( zgjimi ) minus 2:41 am ( futja e gjumit ) = 9 ore me demek gjume.

    Duke mos te te besuar qe fle si qingj, llogaris sa endra dhe ca af ufe qe bejne me shume se dy ore. :) Pra ngelem 7 ore.

    Minus akoma dhe nja dy te ngrtme per te pire i cike uje se te eshte thare buza aty ke 15 minutshi atehre shkum me pak se 7 ore.

    Minus 30 minuta tualet mengjesi ( mos me thuj qe fle me laptop ke koka :) ) shkum ke 6 ore e cerek.

    Me degjo mu, thuj Komshies te ndroje xhamat e syzeveeeeeeee! ;)

  24. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 1:28 pm

    Jo!
    Unë shkoj me slloganin e xhaxhait tim: kur s’e gjej dot ditën (zgjidhjen), natën as s’mundohem fare.;)

  25. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 1:35 pm

    p.s. unë jam gocë e re, dhe përveçse në raste alkoolizimi të pashoq, gjë që më ndodh një herë në dy vjet dhe që s’ishte rasti mbrëmë, nuk çohem të pi ujë natën.
    Dhe boll tani, se ka ngelë vetëm të shkruj numrin e këmbës dhe të ngjis nji foto.

  26. Erion Selmani thotë:

    20 October 2007 @ 1:46 pm

    http://www.peshkupauje.com/?s=vardisje e pafund

    Perralle apo histori, gjithsesi duhet te marri fund kjo “lemeri”.
    Lemeri, e shtova sa per te bere rime.
    Ky zotnia e ka deklaruar qe ka grua, atehere qofte edhe perralle ai s’ka asnje faj. Fajin e kane ato qe bredhin pas burrave te martuar.
    Kembengulja ne kete rast nuk eshte e atij “budallait” siç thua ti por e dikujt tjeter qe ka ca muaj qe merret me Karkaleca etj..

    Akulli, tregove nje mungese te theksuar klasi me pergjigjet e tua.
    Lamtumire!

  27. Koth thotë:

    20 October 2007 @ 1:58 pm

    Ja ci ka ndodh K e rrjedhimisht Komshies. :)

    Vjen një zonjë me karafil
    Edhe dëng mua me bërryl
    Domethënë,more bandill,
    Në mejdan hajde më dil!

    A durohet t’më vërë “brirë”
    Unë po dihet,jam qafir
    Zë e “rrah” mirë e mirë
    Sa të”vdekur” e lë,shtrirë.

    2 korrik 2002
    Perparim Hysi
    Derguar per “Peshku pa uje” per shkrimin e Akullnajes :)

    P.S Kopjuar pa leje nga “Peshku pa uje” per “Peshku pa uje ” nga Kotherja.

  28. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 1:59 pm

    hahahahhahahahaha, më shkrive Kothere!

  29. edrus thotë:

    20 October 2007 @ 2:08 pm

    Akull… jam me ato :)

  30. Perparim Hysi thotë:

    20 October 2007 @ 2:12 pm

    Kush me ka bere “pjesemarres ne vrasje?!”?Sidoqofte,te faleminderit Kothere per “rreklamen” dhe akull-najes i kam zili menyren e shkrimit qe,gjithesesi,te fute “dreqerit?!”…

  31. artan thotë:

    20 October 2007 @ 2:53 pm

    akull-naje,me fal per injorancen time ,por mund te me shpjegosh keto fjale,me shqip.?

    1-sërfin,( mbi dërrasën e sërfit )

    2-teraqie,(nuk është ndonjë teraqie ..)

    3-hajthme

    4-kurm,( me kurm të brishtë)

    5-veshtullore.(Ndjeu një lëndë veshtullore ta mbulonte të tërën ..)

  32. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 3:08 pm

    Artan,
    1. sërfi është ky.

    2. teraqie: vjen nga turqishtja, dmth njohës/e e diçkaje. p.sh. të jesh teraqi i kafes. Të njohësh mirë llojet e kafes dhe të dish të ndash kafen e mirë nga e keqja dhe, sidomos, të mos pish dot tjetër veç kafes së mirë.

    3. e hajthme: e hollë, e zhdërvjellët.

    4. kurm: trup

    5. veshtullore: gjëndje e ngjashme me atë të lëngtën, por më e trashë dhe e rrëshqitshme. p.sh. Jarga e kërmillit është veshtullore.

  33. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 3:09 pm

    për sërfin: http://upload.wikimedia.org/wikipedia/commons/5/5f/Surfeur_-_Le_Moule,_Guadeloupe.jpg

  34. artan thotë:

    20 October 2007 @ 3:25 pm

    surf ,po ti shkruaje si eshte ne te vertet,dhe jo “serf” sic thuhet ,ose serfit, duhej pak shpjegim, nejse flm per te tjerat ..shkrimin e kise interesant dhe nuk jazbehin fjalet turce,ose ingizce , :)

  35. mësonjësi thotë:

    20 October 2007 @ 3:29 pm

    artan, ç’farë do të thotë :kise, jazbehin , turce, ingizce :D

  36. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 3:29 pm

    Artan, deri në njoftim të ri, shqipja lexohet si shkruhet, dhe anasjelltas.
    Sërfi është shqip përsa kohë s’ka emër tjetër për këtë sport. Ashtu si ne nuk shkruajmë “football” por futboll. Dhe të tjerat po ashtu.
    Për një fjalë turçe, s’do më pushkatosh.:)
    Falemnderit!

  37. artan thotë:

    20 October 2007 @ 3:36 pm

    Gabime ortografike,te mijat,per ,kishe,ja zbehin,turke, inglizce, eshte dialekt jugu,e vura qellimisht,per fjalet Angleze,ose gjuhen ..
    akull-naje, jo qe jo,te pushkatoj se na duhesh,po te pushkatova ,s`ka kuptim ..! ke duhet te degjome ose te lexojme tek peshku pastaj..? :)
    respekt,nga Inglitera.

  38. artan thotë:

    20 October 2007 @ 3:58 pm

    “shqipja lexohet si shkruhet, dhe anasjelltas.”

    kjo per mua nuk eshte e drejte,fjalet e huazuara duhet te shkruhen ashtu sic jane ,te huazuara…per ndryshe vrite mendjen dhe pasurohe gjuhen shqipe,ne fakt ti ke perdorur pak, dhe shume ne harmoni ato ,te cilat i japin bukuri shkrimit

    eshte pak qesharake ,kur shkruan psh,per fjalen “surf” …isha ne plazh dhe bera serfit,ose serfita,pra komplikohet pak .. thuaje me mire shqip, reshqita ne uje,..kjo qe shpjegova nuk ka lidhje me surfing qe ju permendet,ne shkrim e mora thjesht si fjale .. thjeshte opinion i im..

  39. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 4:23 pm

    Të të duket si të dojë, po ashtu është e shkruar në libër të gjuhës shqipe. Bile dhe Michael Jackson shkruhet Majkëll Xhekson në shqip. Dhe thuhet “bëj sërf” ose “sërfoj”. “It” (surfit) është prapashtesë me prejardhje sllave, dhe pse e adaptuar mirë në trojet etnike jashtë Shqipërisë. Lexoje me zë dhe s’do të të duket fare qesharake. Të thuash “rrëshqita në ujë” për sërfin, është si të thuash loza me top për futbollin, ndërkohë që dhe basketbolli, volejbolli, hendbolli, etj. luhen po me top.
    Kështu. Sërfim të mbarë! :)

  40. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 4:28 pm

    adoptuar, jo adaptuar.

  41. Idris thotë:

    20 October 2007 @ 4:29 pm

    Akull a ekziston ne shqip nje fjale qe ndryshe shkruhet dhe ndryshe lexohet?
    Aftesia Juaj qer te qene e qete ,pra per te kontrolluar situaten pa super,e paska shndruar kete teme ne humor te shendetshem.Edhe kjo eshte veti e juaja e mire.

  42. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 4:31 pm

    Nuk e di Idris, di ti ndonjë?

  43. Idris thotë:

    20 October 2007 @ 4:38 pm

    Po Akull.Vete fjala ndryshe.:D

  44. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 4:39 pm

    :P

  45. artan thotë:

    20 October 2007 @ 4:47 pm

    eshte fjala ndryshe,Idriz. :)

  46. akull-naja thotë:

    20 October 2007 @ 4:50 pm

    Shumë vonë, shumë vonë, Artan…:)

    Pasdite a paradite të mbarë të gjithëve, se unë po shkoj për “sërf” (virtual)! :)

  47. artan thotë:

    20 October 2007 @ 5:00 pm

    eh,e humba s` epashe , dhe ki kujdes,mos “reshqit” shume,deti ka dallge dhe mund te t`perpije.. :)

  48. traummädchen thotë:

    20 October 2007 @ 5:21 pm

    ´Mirror, Mirror what is fair/why do i even care /I should just walk away and save the pain for another day ´

    Komshije sa here te kam thene lere serfin :):):) uuppps surf-in me fal (po viza dhe in ne fund lejohet??? Po?Jo? Me duket se`surf`perdoret nga shqiptaret po aq shume sa fjala ´cool´apo ´download´ , atehere s eshte ndonje cudi e madhe qe pershtatet ne shqipen e shkruar sipas rregullave te shqipes (serfi, serfin serfit prej serfit etj.)…ndonje dite do e gjejme dhe ne Fjalorin e gjuhes shqipe :) )…nejse.

    Po komshija ku eshte qe sndihet :P:P:D? Une e lash serfin ka kohe… tani kam ndermend te blej nje trotinete :):):).

    p.s. A. e ke treguar shume bukur :)
    p.s.s K-ja po me habit gjithmone e me shume
    p.s.s.s U booo ai

    gjethi

  49. sanija thotë:

    20 October 2007 @ 8:33 pm

    Mua me ka qelluar nje komshi trap.AKULL,si profesionist i skerfit qe je,si mund ti hypi ketij babloku se po me merret fryma? Nje keshill te lutem.

  50. ftjkt thotë:

    21 October 2007 @ 4:49 am

    Akull-naja, bukur e ke shkruar… por po ta lexosh (dhe po t’i vesh mendjen Kotheres), natyrshem cuditesh se sa qenkan shtuar Komshiet dhe K-te andej nga nahia juaj… :D

    Tani kjo komshia - ne shqip do te thote “shoqe apartamenti”, “shoqe shkalle”, “shoqe lagje”, apo “njona te rradha e dyqanit te bukes”… se dhe ky pseudonimi “komshije” nuk eshte si shume shqip apo jo ;)

  51. artan thotë:

    21 October 2007 @ 11:32 am

    Komshia,eshte ajo;kur deri dje nuk e ke vene re,sepse ka qene e vogel,dhe tani eshte rritur,dhe nuk gjen fjale se si ti a thuash,sepse eshte e veshtire,ke qene xhaxhi,dhe komshia eshte bere ,eshte bere ,ah si eshte bere, ta pish ne kup..! :)

  52. Pjer Thomas thotë:

    21 October 2007 @ 3:50 pm

    Megjithse tregimi ishte si nje pershkrim ne veten e pare , prap pena/mendja e Akullnajes e kishin bere te dilte e shkelqyer, siç di ajo te shkruaje. Ne fund nuk e kuptova fare se çu be ashtu me K , biles aludova per nje perzierje lengjesh deri ne ekstaze midis komshijes dhe K, kur per çudi nga komentet ketu marr vesh se K vdiq. Si more vdiq kur ai sapo u be i kuq, pra iu ndez gjaku. Fjala “sklupture” aty eshte metafore, keshtu qe Akullnajes i bie ta vazhdoje tregimin me tutje, ku K eshte nje surfist i shkelqyer ne seks :-)

  53. Hermann Rorschach thotë:

    21 October 2007 @ 4:11 pm

    Të kenë zëvëndësuar shkrimet e Akullit njollat e mia?

  54. Idris thotë:

    21 October 2007 @ 5:29 pm

    I nderuar Herman.Ne Aklli na i bie SHQIP dhe na i jep kenaqsine drejtpersedrejti.
    Lutju Admin.ti bien dhe Njollat e tua.Ne jemi degustatore te te mires,po pa pyetje koti.

  55. G-FL thotë:

    22 October 2007 @ 5:12 pm

    Me thene te drejten, ky stili “rrasi i tufe fjalesh e fjalish bashke se atyre qe s’i marrin vesh u duken gjeniale” ka vite qe eshte bere ca si bajat. Robte duan te kopjojne shkrimtaret qe shkruajne ne menyre te komplikuar, po harrojne qe shkrimtaret e vertete ne pergjithesi kane nje synim te caktuar (basically, they try and eventually do make a point!!). Eshte pak a shume si te besh diferencen midis nje Pikasoje dhe nje tjetri qe impresionohet nga kryevepra dhe mundohet te krijoje dicka “origjinale” duke hedhur furca boje pa pike synimi ne telajo, se mbase del ndonje gje e hajrit.

  56. Anonim thotë:

    22 October 2007 @ 5:26 pm

    G-FL,

    interpretimi jot i ngjarjeve (kopjimi, krahasimi etj) ehste nje zgjedhje e jotja, dhe vetem njera nga mundesite e shpjegimit. Si stil i njohur ky i joti, vetem niku tjeter.

  57. Ftjkt thotë:

    22 October 2007 @ 5:39 pm

    G-FL,
    Personalisht dhe une nuk eshte se e kam shume qejf kete stil te shkruari, qe per prozen e shkurter edhe lexohet, por nese mendon ta zgjasesh te behet lemsh… por gjithsesi mendoj se (nese shkrimi bazohet ne nje gram te vertete) eshte pershkrim i bukur…
    _
    Mendoj se “Sex & The City” ka bere punen e vet ne ndikimin e ketyre shkrimeve qe tentojne t’i japin nota feministe (dhe ti lartesojne ne kufirin e fenomeneve shoqerore) edhe ngjarjeve bajate kur nje K-e tenton te fuse ne shtrat nje Komshije… pergjigja eshte e thjeshte, nese nuk ta ka qejfi vazhdo me jeten tende… ne fund te fundit deri dje ta kishte dhe mundoheshe t’i harroje faktet qe ai K-ja t’i nxirrte para syve, ndersa sot u bere moraliste dhe nuk e ul veten…

  58. G-FL thotë:

    22 October 2007 @ 6:25 pm

    Anonim,

    Une nuk jam shkrimtar, po te pakten as nuk mundohem te hiqem si i tille!! Une thjesht kritikoj ate qe me duket nje cope e thate. Shoh nje ndryshim te madh midis nje shkrimi qe ka permbajtje qe ia vlen dhe nje shkrimi qe e kane mbushur me “filler” sepse nuk ka sasine e duhur te substances.

  59. anonim thotë:

    22 October 2007 @ 8:02 pm

    G-FL,

    askush nuk u hoq si shkrimtar, kjo ishte interpretimi yt. SIgurisht qe ti nuk je shkrimtar, por nuk je as kritik profesional. Leri keto muhabete kote. Pjeset qe sillen ketu jane thjesht per midis nesh.

  60. G-FL thotë:

    22 October 2007 @ 8:37 pm

    anonim,

    Nqs une jam kritik profesional apo jo ti s’e ke idene, dhe mesa kuptoj une pjeset qe jane ketu jane te hapura per diskutim, une jam mendimin tim ashtu si gjithe te tjeret qe kane dhene mendimin e tyre. Nqs e ke problem te pranosh faktin qe dikush tjeter ka nje opinion te ndyshem nga i yti, atehere ai eshte problemi yt.

  61. anonim thotë:

    22 October 2007 @ 8:53 pm

    Sorry, G-L,

    por nuk je kritike arti, sepse ato qe ke shkruar ti nuk te kualifikojne per te tille. Pardon!

    Sigurisht, ti je e respektuar ne opinionin tend, por mos kritiko te tjeret per gjera qe ata nuk i pretendojne ti kene. Une e respektoj faktin qe ti nuk e pelqen pjesen: ketu s’ka asgje te keqe. Ajo qe une nuk pelqej eshte fakti qe ti zgjedh ta quash krijuesin shkrimtare, pastaj vendos ta krahasosh me shkrimtaret e shquar, pastaj hidhesh tek Pikasoja, per ta bere argumentin tend me te forte, dhe e vret autoren. Kjo eshte nonsense, ose maligne (gje qe une s’dua ta beso). Ste pelqen pjesa, fine, ok. It is all said. Have a nice day!

  62. akull-naja thotë:

    22 October 2007 @ 10:05 pm

    @G-FL (girl flying low?):

    1. Unë jam rob (meqë ti përdor atë fjalë, që për mua s’është se ka kuptim, por që të të afrohem sa më shumë) që kam inat të kopjoj, po shumë fare. Mund të na sjellësh ndonjë shembull? Që të më ndriçosh dhe mua dhe të tjerët?

    2.Nëse ti ke problem me leximin, kjo është gjë tjetër. Nëse ti s’e kuptove the point, unë mund të ta sqaroj, por që të arrijmë aty, ti duhet të pyesësh njëherë. Jo se dua të më lusësh, gjë që duke të mos njohur, sinqerisht s’më intereson, por thjeshtë dua të jem e sigurtë për interesin tënd të vërtetë. Dhe me gjithë qejf t’i spjegoj të gjitha fjalitë nga e para tek e fundit.

    @ftjkt:
    Historia s’ka brënda diçka të vërtetë por tre gjëra të vërteta, ose më saktë tre histori të vërteta që, thjeshtë për kuriozitetin tënd, u kanë ndodhur brënda pak muajsh tre personave të ndryshëm. Dhe brënda ka detaje të vërteta, po shumë të vërteta, sigurisht jo sërfi apo shpërthimi final. Kjo sa për atë që medemek po e shitkam si fenomen të zgjeruar. Dhe s’ka asgjë feministe në atë mes: një femër që plas nga inati se ai tipi që i pëlqen na është i martuar dhe i kërkon hashiqare ta ketë dashnore, është shumë natyrore dhe kështu do kishte qenë dhe para se feministet të vinin e të na bënin proçkën me rastin e lirisë e barazisë së seksit (s’po flas për derën që duhet me e hapë vetë dhe llampën që duhet me e ndërru po vetë, ndërkohë që ay vazhdon të mbajë mbi vete peshën e rëndë të gazetës). Që të jemi të qartë; s’kam asgjë me feministet, po me efektet perverse të kësaj rryme.

    Përshëndetje të gjithëve!

  63. G-FL thotë:

    22 October 2007 @ 10:28 pm

    akullnaja,

    Problem me leximin nuk kam, ta kesh te sigurt, keshtuqe s’ka nevoje as per shpjegime at per sqarime rreth pjeses.

    Ndoshta ishte nje gabim ne perceptimin tim , mendoja se artikujt apo shkrimet e botuara ketu jane nga shkrimtare te mirefillte, jo amatore. Nqs eshte ashtu, te kerkoj ndjese per kritiken e ashper. Gjithashtu, te falur nqs shkrimet te postohen ketu jane vetem per te marre komplimenta.

  64. eT thotë:

    22 October 2007 @ 10:30 pm

    O Gl-f
    është gjallë nji shkrimtar i madh shqiptar e jo të gjithë e pëlqejnë.
    nji çerek mijëvjeçari më parë Garibaldi bëri Italinë. 54 % e pëlqejnë veprën e tijë
    (në Itali)
    këtë shkrim e ka pëlqyer më shumë se nji njeri….
    kur të shkruash vetë e të ta pëlqejnë më shumë se nji njeri duhet të jesh e gëzuar, mendoj unë..
    ps: herë tjetër në se ske ndonji fjalë më të mirë se heshtja për të thënë më mirë hesht..
    ..e kupton vetë autori, i çdo krijimi artistik se cilat qenë përgëzimet e sinqerta e cilat sa për të kaluar radhën..

  65. akull-naja thotë:

    22 October 2007 @ 10:31 pm

    G-FL,
    po na bëj pra një kritikë profesionale. Ti vetëm the që s’bën. Se s’kuptohet. Kështu e kuptova unë. Dhe unë u ofrova të ta shpjegoj. Tani jepi dum.

  66. swed thotë:

    22 October 2007 @ 10:35 pm

    epo dhe kjo kjo pune, hedh GFL je gure ne lume, 100 peshq te nderuar se nxjerrin dot :D
    Mirembrema :)

  67. eT thotë:

    22 October 2007 @ 10:39 pm

    të rroftë aritmetika swed..
    67 komente 100 peshq, për më tepër të nderuar :D natën e mirë :D

  68. swed thotë:

    22 October 2007 @ 10:42 pm

    e mire de mire se nuk u be nami, jam i indoktrinuar nga lajmet neper TV shqiptare “ne mitingun permbylles te fushates moren pjese mbi 200.000 veta” :D :P

  69. Idris thotë:

    22 October 2007 @ 11:29 pm

    G-FL e ka nga xhelozia.Po i gju me “gure” Akllit me i shkepute nonje cope……
    O Gefele.Nuk eshte AKULL eshte AKULLNAJE…
    Edhe une si ty e hengra ne fillim pos’doli gjo.
    Shif gjej nonji polombar se mos ndoshta shef nonji gjo anej nga thellsite..dhe mos u merzit; na dil nga njehere ne jave se ka ra nr i mitingasheve.:D

  70. juredi thotë:

    23 October 2007 @ 2:00 pm

    Megjithese historia eshte nga ato qe ndodhin shpeeeesh,menyra e te shkruarit me pelqen. URIME AKULL-NAJA !

  71. Ftjkt thotë:

    24 October 2007 @ 4:13 pm

    akull-naja, me pelqen pergjigja jote dhe menyra e arsyetimit… sinqerisht :)
    -
    Gjithsesi i gjithe faji nuk eshte i K-se dhe ne duhet te shohim ate qe nuk shkon edhe brenda vetes sone… e kisha fjalen per koijshien… ;)

  72. akull-naja thotë:

    24 October 2007 @ 4:22 pm

    Ftjkt,
    Më gëzon që të pëlqen. Unë s’thashë asgjëkundi që faji ishte vetëm i K-së, bile as nuk thashë që K-ja ishte në faj. Unë thjeshtë tregova ngjarjen; K-ja do dashnore dhe bën si i përvëlum, kojshija plas prej inati se i ka shku menja se mund të ketë gjë tjetër. Kaq. Të tjerat vijnë prej teje.;)Sa për meditimin (e kojshies), ka ca fjali që tregojnë se komshia vdes të mos bëjë pyetje. S’është keq sa për fillim, apo jo?:)
    Përshëndetje!

  73. Ftjkt thotë:

    24 October 2007 @ 4:41 pm

    akull-naja, ndoshta ke te drejte se shumica jone e kane pare shkrimin tend si nje ndjenje indinjate per ate qe “K-ja i paska bere Kojshies”… nejse kam pershtypjen qe ndodh kur shkrimin e shkruan shoqja e kojshies… te gjithe mendojne se e ben per ta ngushelluar, por sigurisht qe ketu nuk eshte rasti…

    Edhe dicka, jo gjithmone mos-berja e pyetjeve tregon fisnikeri, aq me teper kur “vdes prej inati”… per mua tregon ndrojtje per t’i dale perballe te vertetes… ka dhe menyra te tjera pa pyetje direkte… mos me thuaj se si nje femer nuk i kupton, …te lutem… :)

  74. akull-naja thotë:

    24 October 2007 @ 4:49 pm

    ftjkt, më le pa punë (do vetë ti, do më thuash…) :

    Në asnjë vënd s’thashë që mosbërja e pyetjeve tregon fisnikëri. Përkundrazi, e pashë si shkak të iluzionit dhe rrjedhimisht te plasjes prej inati (të kojshies). Sa për metodat e tjera, sipas rastit.:)

    Dhe nuk është se çështja s’më preku, pra që s’u indinjova apo s’u irritova apo plasa dhe unë, se unë mund dhe të kisha shkruar për luftën në Irak (vazhdon akoma?), po ja që s’e bëra dhe as në mënd e kam. Subjektive? Eee…

  75. akull-naja thotë:

    24 October 2007 @ 5:07 pm

    p.s. dhe jo, s’është bërë për ta ngushëlluar, por për ta zgjuar. ( komshijen)

  76. Eh thotë:

    24 October 2007 @ 10:57 pm

    duke lexuar teksin me beri pershtypje solar pleksusi. ne shqip nuk thuhet keshtu por e kunderta pleksusi solar.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com