“Rilindja” e së djathtës
Denis Macshane
Gazeta Shqip
19 Maj 2008
Me rimarrjen e pushtetit nga Silvio Berluskoni në Itali, partitë e krahut të djathtë në Evropë mund të shohin me krenari një kontinent që tashmë e kontrollojnë. Nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim Evropa është e ngjyer në blu. Socialistët kanë poste ministrore në qeveritë e koalicionit në Gjermani dhe Holandë, por aty qeveritë drejtohen nga e djathta. Vetëm tri shtete anëtare të Bashkimit Evropian, Britania, Spanja dhe Portugalia, qeverisen ekskluzivisht nga e majta. Ardhja e Xhani Alemanos, një politikan postfashist si kryetar i Bashkisë së Romës, si dhe rezultati i mirë i Boris Xhonsonit, politikani euroskeptik i konservatorëve në Britani si kryebashkiak i Londrës, kompleton marshin triumfues të së djathtës evropiane në korridoret e pushtetit.
Në Bruksel, një përpjekje e suksesshme e presidentit konservator të Komisionit Evropian, Joze Manuel Barroso, për t‘u bërë president i Bashkimit Evropian në dëm të konkurrentit kryesor të së majtës, Toni Bler, do të konfirmonte më tej dominimin e konservatorëve evropianë si zotët politikë të kontinentit (vendimi pritet në fund të këtij viti). Që nga mbledhja e kombeve në shekullin XIX, kur konservatorët reaksionarë si Meterniç, Tellirand dhe Uellington iu kundërvunë fuqishëm politikanëve liberalë, që sfidonin mbretër e perandorë, Evropa nuk ka parë kaq shumë politikanë të krahut të djathtë në pushtet. Një dekadë më parë gjithçka dukej shumë ndryshe. Një shumicë e vendeve të Evropës kishte parti të majta në pushtet. Bill Klinton përgjithësisht kryesonte samitet, ku merrnin pjesë Bler i Britanisë, Lionel Xhospin i Francës, Gerhard Shrëder i Gjermanisë dhe Goran Person i Suedisë, duke qenë kështu në krye të modelit progresist të qeverisjes.
Por, këta oratorë liberalë nuk prodhuan asnjëherë një program politik apo vizion afatgjatë. Vërtet disa liderë të së majtës si Bler mund të vënë theksin në krijimin e vendeve të punës dhe rritjen ekonomike. Por ata arritën vetëm të drejtojnë, dhe jo të ndryshojnë kombet e tyre. Brezi i vitit 1968 e gjeti veten në zyra, por i pasigurt si të përdorte pushtetin qeveritar për të shndërruar në realitet dëshirat e veta. Por tani që konservatorët evropianë kanë fituar kaq shumë pushtet, çfarë do të bëjnë me të? Përgjigjja duket se është: Jo shumë. Konservatorizmi i pasluftës kishte liderë të mëdhenj me një sens të madh fati, si Çurçill në Britani, De Gol në Francë dhe Adenauer në Gjermaninë Perëndimore. Ata kishin dallimet dhe kufizimet e tyre, por kishin njëkohësisht një sens autoriteti dhe besimi në një sistem vlerash, i formësuar prej tmerreve të gjysmës së parë të shekullit të fundit. Këta konservatorë krijuan kapitalizmin social, i rezistuan komunizmit dhe ngritën katolicizmin, si dhe vlerat judeo-kristiane.
Mendimtarët e mëdhenj të ditës, si Fredrik von Hajek, treguan kotësinë e një sistemi, ku shteti zotëronte dhe planifikonte ekonominë. Rajmond Aron qëndronte si një shkëmb tolerant kundër admirimit për Stalinin dhe Maon nga intelektualët, si dhe komunistët francezë dhe italianë. Konservatorët katolikë si Zhan Monet dhe Robert Shhuman krijuan Tregun e Përbashkët Evropian dhe nxitën liberalizimin e ekonomive, gjë që i mundësuan Evropës të arrijë nivele të rritjes ekonomikë në vitet ‘50 dhe 1975, që sot i shohim vetëm në Azi. Konservatorët krijuan një aleancë të Atlantikut dhe injoruan ideologët antiamerikanë që argumentonin se NATO ishte e barabartë me kontrollin amerikan të Evropës. Konservatorët, që qeverisin në Evropë, sot kanë shumë limuzina ministrore, por nuk kanë liderë, mendimtarë apo filozofë.
Kapitalizmi evropian po atrofizohet. Nikolas Sarkozi i Francës zëvendësoi Zhak Shirakun me premtimin për të bërë njerëzit të punojnë më shumë dhe më gjatë, me qëllim që Franca të bëhet sërish vendi i Enrichissez-vous! (Pasurohu!), urdhri i borgjezisë franceze në shekullin XIX. Por Sarkozi është një zhgënjim. Ai i vjen vërdallë botës bashkë me bashkëshorten e tij të bukur, Karla Bruni, por në Francë rritja ekonomike po bie. Sa herë propozohet një reformë për hapjen e tregut, si për shembull shtimi i taksive në Paris, apo lejimi i konkurrencës mes farmacive, interesat e ndërthurura të Francës e bllokojnë. Sarkozi po përsërit gabimin e të gjithë paraardhësve të tij, duke u përpjekur të marrë borxh një mënyrë për të dalë nga telashet.
Gjermania ka rigjetur vrullin për eksporte, por kjo vjen kryesisht për shkak të ilaçit të fortë që u imponua prej Shrëderit; ai mbajti ulët pagat, me qëllim që të lejonte më shumë investime. Pasardhësja e tij, Anxhela Merkel, nuk ka ide se si duhet të ndryshojë mendimin e Gjermanisë për të zvogëluar radhën e gjatë prej 4 milionë të papunësh. Berluskoni është përpjekur tashmë dy herë të zbatojë suksesin e bizneseve të tij në ekonominë dhe qeverinë e Italisë, e cila nuk mundet as të heqë plehrat nga Napoli. A do të jetë me fat këtë herë? Asnjë në Itali nuk vë bast. Fitorja e tij në mes të prillit u pasua dy javë më vonë nga zgjedhja e Alemanos, i pari politikan i krahut të djathtë që zgjidhet në krye të Bashkisë së Romës prej dekadash. Duket se konservatorët në Evropë i kanë kthyer shpinën rregullit të artë të konservatorizmit: më pak shtet, më pak taksa dhe më shumë treg.
Në Britani, dikur shtëpi e Margaret Thaçerit, mbretëresha amazonase e politikës së djathtë, qeveria laburiste e Gordon Braunit ul taksat, ndërkohë që Partia Konservatore e David Kameronit bën thirrje për më shumë para nga shteti në shëndetësi dhe mbrojtje, si dhe subvencione për shërbimin e falimentuar postar. Partia e Moderuar e Suedisë, dikur e njohur si Partia Konservatore, rrëzoi socialdemokratët suedezë dy vjet më parë, por rritja ekonomike është ngadalësuar, duke e ulur popullaritetin e qeverisë në nivele të tilla, saqë shumica mendon se e majta do të rivijë në pushtet në zgjedhjet e ardhshme. Kancelarja gjermane, Anxhela Merkel, në vend që të përforconte NATO-n, bllokoi përpjekjet për të ndihmuar Ukrainën drejt një të ardhmeje euroatlantike. Qeveria konservatore e Greqisë ndali një demokraci të vogël si Maqedonia, që të hynte në NATO, me argumentin në lidhje me emrin. Ndërkohë, shpenzimet për mbrojtjen nën udhëheqjen e konservatorëve evropianë kanë rënë në një nivel të ulët rekord, në një kohë kur Evropa pretendon se dëshiron të promovojë praninë e saj kudo në botë. Çurçill, Adenauer dhe De Gol po lëvizin atje ku prehen.


20 May 2008 @ 4:45 pm
Premisa e shtetit social eshte demografia. Te rinjte paguajn per pleqte dhe sakatet. Halli eshte se kur nuk ka me te rinj e importohen subjekte ish-koloniale per krah te lire pune, shteti social dhe tere qyteterimi evropian i bazuar ne social-demokracine eshte ne rrezik.
Merkel, Sarko et al…shume dobet