Reporteres Sans… vlerësim

Dalina Buzi
Panorama

U zunë dhe u grinë mediat për një festival shtetëror, mbushën faqet me ankesat sindikaliste të drejtuesve dhe kompozitorëve pjesëmarrës ndaj gjykimeve të jurisë, duke harruar se brenda llojit të tyre, po organizohen konkurse edhe më tragjike, të cilat vlerësojnë e ngrenë në qiell një lloj gazetarie të shpërfytyruar, aspak etike, duke lënë në hije ata që meritojnë vërtetë të jenë protagonistët. Ka disa fundvite që organizata jo-qeveritare apo të përditshme me shitje modeste organizojnë sondazhe, ku vlerësojnë publicistin/gazetarin e vitit. Falë memories sime të dobët (apo thjesht tepër selektive) nuk më kujtohen fituesit e viteve të kaluara, por këtë vit fatmirësisht i kam të qarta emrat dhe punët e atyre që e kanë marrë këtë çmim, apo presin ta marrin kur të mbyllet votimi popullor me sms apo e-maile. Dhe jam shtangur nga klasifikimet e padrejta. Nuk jam kundër organizimit të këtyre sondazheve, fundja çdo OJQ apo media private ka të drejtën e plotë të bëjë gjykime të tilla për sa kohë shfrytëzon fonde private. Por më tmerron fakti që këto lloj sondazhesh janë domethënëse për kolegët e mi dhe publikun dhe të vetmet të cilat ekzistojnë në mungesë të një jurie profesionale, e cila kurrsesi nuk do të gjykonte punën e një gazetari në bazë të herëve që fytyra e tij/e saj është shfaqur në ekranin e televizorit apo në faqe të parë; apo të një mediaje, në bazë të mbulimeve që i ka bërë një aktiviteti në interes të gjykuesve.Gazetarët, ashtu si artistët, kanë nevojë për një stimul në fund të vitit, aq më tepër kur ata janë viktima të një paragjykimi të përgjithshëm popullor, që vjen si pasojë e zhgënjimeve të publikut nga luhatjet e shpeshta politike dhe papërgjeshmërinë e shumë mediave. Atëherë për të zbutur këtë opinion, për të sensibilizuar masën se në këtë mori “gazetarucësh”, siç i quante i madhi Shvarc ka edhe vlera, si edhe për të edukuar publikun mbi ato që duhet të ketë një gazetar i mirëfilltë, lind nevoja për një gjykim profesional, një lloj “Pulitzer”, apo çfarëdolloj çmimi tjetër gazetarie që aplikohet pothuajse në të gjithë vendet e botës. Ky gjykim aktualisht nuk ekziston, dhe në mungesë të saj, vetë mediat po lejojnë të ngrihen apo ri-vlerësohen ata individë, të cilët e kanë lëvizur kursin e politikës dhe etikës më shpesh sesa një kapiten i dehur kursin e anijes së tij me vela.
Në renditjet e votimeve, vendet e para janë mbushur me ata që ushqehen nga shkrime “le t’i biem qeverisë gjithsesi/në përgjithësi”, në të cilat padyshim citohen librat më të fundit të blera në tranzitet e Milanos dhe Vjenës, futet sa për “globalizëm” një krahasim me Amerikën dhe mbyllen me thirrje naive-hipiste-alla-Xhon Lenon “O maa, përse nuk ka paqe në botë?”. Me sms apo e-maile votohen ata, të cilët kanë shkruar shumë shkrime, por askush nuk iu mban mend një shkrim të vetëm, (por iu mbajnë mend emrat dhe qëndrimin në karriget e studiove), ata të cilët publikisht janë refuzuar për intervista nga kryetarë të partive opozitare, vetëm sepse janë mbështetës të partisë në pushtet, edhe pse deklarojnë paanshmëri (por iu del shumë shpesh fytyra në televizor) dhe disa të tjerë, të cilët shkruajnë opinione mbi opinione, që lexojnë në internetin e shtëpisë së tyre, diku në shtetin e ndriçuar 24 orë “X”. Akoma më keq: Votohen me çmime Udhëheqjeje njerëz të cilët “aksidentalisht” apo “qëllimisht” (gjithsesi një gafë e rëndë në të dyja format) udhëhoqën botën të mendonte se ne ishim hajdutë xhepash.
Në këto lista, fitues nuk sheh kurrë gazetarë të thjeshtë, kronikanët e përditshëm, ata të cilët “hanë” gurë e përplasje dyersh, qoftë për të çuar deri në fund një ide të ardhur nga zyra e ngrohtë e drejtorëve të tyre moshatarë të informacionit. Të thjeshtët kënaqen vetëm nga një sms “Bravo, je i madh!” apo fatmirësisht nga një ftesë në “New Day” të Krastës (të paktën dikush e di se ekzistojnë).
Aq të pa-logjikshme janë këto renditje “popullore”, sa për shembull këtë vit, nuk sheh të paktën të jenë aty nga fillimi, emra gazetarësh të njohur që bën dukshëm histori në median shqiptare 2007, qoftë me intervista me figurat më të rëndësishme të botës, qoftë me një udhëtim të guximshëm në zonën e pashkelur më parë nga kamerat shqiptare si Çamëria, apo me një emision të përjavshëm me reportazhe profesionale, që janë shembuj të gatshëm “how to?” për shkollat e gazetarisë sonë. Këta jo se nuk mbahen mend nga njerëzit, përkundrazi, por fatkeqësisht vetë këta gazetarë të njohur dhe të tjerë si këta (të cilët për të mos u zgjatur nuk po i përmend), nuk dinë të shfrytëzojnë siç duhet bankën koehliane të favoreve, nëpërmjet një sms-je të tipit “Gëzuar Festat dhe Votoni për Mua!”.
Me sondazhet dhe konkurset e deritanishme të gazetarisë, anashkalohen edhe vlerësimet më specifike, si p.sh. “Reportazhi më i mirë”, “Kritika më e mirë”, “Investigimi më i mirë” etj. Madje, këtu shpërfillen ata gazetarë që mbulojnë tema të tjera përveç politikës, si sociale, kronikë e zezë apo kulturore, duke e lënë “de facto” atë të cilën mediat vetë po mundohen ta luftojnë si koncept, se kush mbulon politikën është edhe më i vlerësuari.
Po përse duhet të mungojnë ende vlerësime të tilla profesionale në Shqipëri? Pikë së pari gjykuesit duhet të jenë nga bota e medias, qoftë gazetarë aktivë apo specialistë/pedagogë në Fakultetin e Gazetarisë. Por me një hamendësim gati të sigurt do të konkludoja se media gjykuese dhe e ashpër ndaj padrejtësive në juritë e evenimenteve artistike, është po aq e ndjeshme ndaj gjykimeve që mund t’i bëhen vetë asaj. Që do të thotë, se në atë juri profesionistësh, të paktën njëri nuk do të donte të prishte qejfet me miqtë e tij të shkollës apo shoqëruesit e kafeve të mëngjesit, tjetrit do t’i duhej ta mbante mirë me një drejtues emisioni apo gazete në të cilat kuron vazhdimisht imazhin e tij, një pedagog padyshim do të kishte koleg një gazetar-pedagog, miqtë e jurisë në përgjithësi do të ishin ata të njohurit, që zakonisht janë drejtorët e të panjohurve të talentuar (por që këta të fundit nuk kanë zë të kërkojnë vlerësime) dhe të tjerë do të tërhiqeshin nga kandidaturat me arsyen tradicionale “çmimi është ndarë paraprakisht”. Nëpër mjegull mbaj mend që herë pas here ndaheshin disa çmime gazetarie nga një grupim gazetarësh a specialistësh mediash, por asnjëherë nuk është konsoliduar si proces - përderisa gazetarët fitues nuk mbahen mend apo nuk përmenden për çmime të tilla - madje nuk janë bërë kurrë transparente mënyrat e vlerësimit. (Më kujtohet që dikur, dikush në këto juri, kishte ngatërruar përkufizimin e një reportazhi investigues, duke vlerësuar si të tillë një intervistë jo shumë domethënëse me kamera të fshehur nën xhaketë). E nëse e gjithë kjo që sapo thashë është një pjellë e fantazisë sime, atëherë do të isha shumë e lumtur, e mezi ç’do prisja të ngrihej një juri, por mungesa e një konkursi profesional të qëndrueshëm, gjatë gjithë këtyre viteve, më shtyn të mendoj se kam të drejtë.
Duke parë këtë situatë, mesa duket, në mungesë të vlerësimeve të mirëfillta, gazetarëve jo-fitues-referendumesh, iu mbetet vetëm të tundin kokën, duke e shoqëruar me një “tcuk tcuk” të stërzgjatur, sa herë në ekran apo në faqe gazetash të lexojnë për fitues të pamerituar çmimesh gazetareske, të vlerësuar nga njerëz të cilët nuk mundin kurrsesi të japin një gjykim profesional, apo më keq, nga votat me sms-të e fisit, lagjes e madje edhe të ftuarve në dasmën e tyre. Fituesit e vërtetë, në këtë rast (edhe pse vështirë) nuk duhet të dekurajohen e të heqin dorë nga lufta e tyre për një media të paanshme e profesionale. Sepse më keq se të shohësh se si të tjerët ngrenë kupat e lavdisë së rreme, është të bëhesh si ata, duke lënë prapa një gazetari pa shembuj të mirë, por vetëm me namin e keq të damkosur në mendjet e njerëzve, falë shembujve që (media) ka krijuar me duart e saj.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

5 Komente

  1. varjanti thotë:

    26 December 2007 @ 7:58 pm

    Gazetarja mesa kuptoj une flet per mungese kriteresh ne vleresim, mungese profesionaliteti. Kush i dha keto cmime? Ku e bazuan motivimin? Per cfare arritjesh?
    Kaq veshtire eshte ta kuptosh perse flet artikulli? Ma mundohu te pyesesh se cili ishte top three i listes se gazetareve te cilve iu dhane cmime. Mbase do kuptosh se per cfare flet e shkruan ajo aty siper.

  2. Pjer Thomas thotë:

    26 December 2007 @ 8:01 pm

    Mendoj se nje juri e perbere nga profesore te gazetarise, regjizor, pari e disa organizatave joqeveritare, te se drejtave te njeriut, do te ishte tamam nje juri e sakte per vlersimin e gazetarit me te mire.

  3. emigrant thotë:

    26 December 2007 @ 8:51 pm

    Dalina, klasifikime jo profesionale per buje, per interesa etj. do kete gjithmone. Ato jane semundje e pasherueshme. Nderkombetarisht. Mos harro qe Shqiperia ne kohen e tollonave ka marre cmim nderkombetar per ushqimin. Klasifikimet me prestigj kerkojne profesionalizem, disa shkenca te aplikuara dhe mbi te gjitha metodologji shume rigoroze; te gjitha keto jane mall mungese ne Shqiperi, me duket mua.

    E kam fjalen qe eshte shume me e veshtire se sa duket; pyetsoret (surveys) e anketimit (poll) jane nje gje tejet komplekse. Kjo vetem per te dhene nje sens vertetesie mbi c’po flitet, jo per justifikim.

    Pyetje: a organizon Instituti i Statistikave ndonje lloj anketimi, te cfaredolloji ne Shqiperi? Apo, a ka ndonje lloj “Gallup”-i shqiptar?

  4. krasta krau thotë:

    27 December 2007 @ 12:20 am

    Miratoj Dalinen Fjale per Fjale…

  5. Koth thotë:

    27 December 2007 @ 12:26 pm

    Cim,

    mos provoko. Instituti i Statistikave ka vetem nje detyre : te gjeje metologjine e duhur qe te percaktoje indeksimin e cmimeve per te percaktuar mandej sa do te jete niveli i inflacionit.

    Dmth, lodh veten qe te gjeje se kush eshte produkti i konsumit me uljen me te madhe te cmimit ne Shqiperi.
    Ta mash men prej meje : levizja e pare qe behet nga qeveria ( cdo qeveri ) qe vjen ne pushtet eshte gjetja e Drejtorit te ketij Instituti.

    Sepse ne fund te fundit kjo eshte baza e te dhenave per te gjitha te keqiat qe keta Reporteret pa vleresim sa i sjellin cdo dite ose ne formen e ndonje studimi ose ne formen e ndonje investigimi.

    Ja psh, ne te gjitha mediat tona mungon psh nje investigim i kesaj qe thashe me siper. Fare theshte : te marrin te njejten metodologji, te monitorojne tregun dhe le te na thone sa eshte diferenca midis asaj qe thote qeveria nepermjet ISTAT dhe gazetes.
    Do llatarisemi edhe une edhe ti.

    Le te thote Krasta qe miratoj Dalinen fjale per fjale. Ka qene cilesia e shkrimeve apo e publikimeve qe na e ka cu nivelin e besimit ne kahjen jo te duhur.
    SHembuj ke sa te dush.

    Cim,

    te jesh gazetar ( Kraste jo te gjithe eee ) tani ne Shqiperi eshte si te jesh i forte lagjie !

    Are ouu ! Te shkrij une, te le kalamajte pa buke ! :)

    Po ti ke nje qar te madh : as te dalin para syve as dhe te bezdisin. E perditshmja jote eshte pa kesi problemesh qe ka ketu.

    Ja u be para ca ditesh nje ndarje cmimesh . A di kush doli si me i shquari i medias dhe shoqerise cilivile ? Remzi Lani dhe Sokol sybukri ;) . Ose shkurt jane zene vendet per nja 20-30 e ardhshme.

    Une nuk e ve ne dyshim qe ka gazetare shume te mire qe e dun profesionin etyre, qe punojne e jane te afte, por e keqja eshte se pushteti te ble Cim te ble.

    Ja te te them nje detaj te vogel.

    Ka dy dite qe VOA dha dy intervista te FMN dhe BB per zhvillimet ekonomike ne Shqiperi ku theksi vihet mbi disa probleme qe kush i ka mend ne koke do i quante alarmante : energjine dhe rrugen Durres Kukes.

    Pa u marre fare me detajet e tyre, gazetaret duhet te prokupoheshin qe pse keto u bene ke VOA dhe jo ne media shqiptare. Por kjo mik i dashur eshte shume e thjeshte .

    Monitoruesit e qeverise ( andej nga ju ) e kane fakt te sigurte tashme qe qeveria i manipulon mediat me te dhenat qe ajo jep; tjeter vete mediat kane probleme me cilesine e raportimit ; media kane preferenca te dalluara qarte partiake dhe nuk botojne kritika ndaj qeverise.

    Bile e vecanta ishte qe edhe megjithese e publikoi tjeter kush si fillim , mediat pro qeverise redaktuan per botim vetem pjese te shkeputura nga konteksi i intervistes dhe e hodhen ne konsum per ta neutralizuar efektin e saj te vertete.

    Pra i dashur Cim,

    e them me dhimbje por jemi tek ajo koha qe degjonim VOA se cer bente vaki ne Shqiperi.
    Dhe kjo eshte here e trete qe na ndodh L nje here para viteve 90, nje here aty nga 97 kur u dogj nje e perditeshme, dhe ka filluar te ndjehet perseri tani

    Prandej i ke mediat nga mengjezi deri ne darke me vrasje, incense, hashash, perdhunime, vllavrasje, apo moter-qirje, sepse per keto nuk ka censure apo redaktin.

    Kraste,

    mos mu merzit se nuk e kam me disa prej jush .
    Une e vleresoj te shkruarin tend , kulturen dhe impenjimin tend profesional, edhe shkimet qe ke percjelle ne media por le t`i themi ca gjera se mire na bejne. Te pakten ketu ne peshk. :)

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com