Reportazh nga Kalimashi

Ekspres në Kalimash ku po merr formë një ndër tunelet më të gjatë rrugorë të Ballkanit

- REPORTAZH -
nga Artan Gjata

Megjithëse një vizitë ekspres, në një ditë dimri si këtë fund nëntori nuk mjafton për të përshkruar krejtësisht se çfarë po ndodh në korridorin rrugor verior, më të vështirin që është ndërtuar ndonjëherë në Shqipëri, pamja që të shfaqet sapo hyn në luginën e Fanit, është krejtësisht e veçantë. Mbas fashitjes të mjegullës së dendur të mëngjesit, në luginën e Fanit të shfaqet lumi me të njëjtin emër, që çuditërisht ishte i kaltër. I kaltër ndonese në mes të tij, manovratorët e vinçave dhe punëtorët e firmës Bechtel-Enka po vendosnin platformat gjigande të urave lidhëse të rrugës Rreps-Thirrë dhe në të dy anët e tij, me makineritë e fuqishme fadroma dhe kamionë Benz, të ardhura kryesisht me kilometrazh zero, lëviznin shkëmbenjtë dhe dherat e kuq poshtë kodrave, për të hapur autostradën e re, që së bashku me Tunelin 6 km deri në Kalimash, përbëjnë segmentin më të vështirë të autostradës Durrës-Morinë.

-Të dy tunelet paralele, deri tani arrijnë gjatësinë 1730 metra-

Ndërsa nuk kanë kaluar as 10 muaj nga 4 shkurti i këtij viti, - data kur nisën punimet për ndërtimin e segmentit Rrëshen-Kalimash, prej 60.85 km, ku bën pjesë edhe tuneli i ri prej 6 km, pjesa më e vështirë e kësaj vepre inxhinierike,- vepra e re në veri të vendit ka filluar të marrë formë. Kompania Bechtel-Enka, një Joint-Venture amerikano-turke, që ka fituar tenderin ndërkombëtar është e vendosur të përfundojë këtë segment në gjysmën e dytë të vitit 2009. Në Rreps, kompania ka kantierin kryesor, ku qindra makineri dhe vinça nisen çdo mëngjes per në kantieret e rrugës, anës së cilës ka rënë një dëborë e lehtë.

Një ndër supervizorët e e firmës kroate që kontrolllon cilësinë e punimeve, inxhinieri gjeolog, i specializuar për punimet e nëntokës, kuksiani Artan Braha, na shpjegon ecurinë e punimeve në tunele. “Puna ka filluar në të dy anët, atë veriore nga Kalimashi dhe këtej nga Thirra”- thotë Tani. E pyesim se sa është avancuar në të dy tunelet paralele. “Njëri prej tuneleve ka arritur në të dy anët rrreth 930 metra, ndërsa tjetri rreth 800 metra dhe gjithsej deri tani arrin shpimi në 1730 metra.” thotë ai. Sipas tij, nga 1 Janari 2008, do të fillojë puna në front më të gjerë me disa brigada të reja, që do të realizojnë sipas objektivit, brenda gjysmës së dytë të vitit 2009 objektin. Puna në thellësi të tunelit është mjaft e vështirë. Pjesa më e madhe e punëtorëve kanë qenë minatorë në minierat e bakrit, të shumta në këtë zonë, që tashmë janë në konservim. Janë 200 minatorë, nga 100 për çdo turn, që punojnë nga 12 orë në turn, në pjesën jugore të tunelit në Thirrë. Shumica janë banorë të zonës, ndër më të varfërat e vendit, që të vetmin zanat kanë pasur atë të minatorit, por bashkë me ta punojnë edhe specialistë dhe minatorë nga Turqia, që firma Enka i ka marrë me kontratë.
Saimir Beci, një djalë i ri punon me një makineri të re për betonimin e tunelit. “Kam ardhur nga Londra, ku isha në emigracion prej 4 vitesh, -thotë Saimiri- duke vazhduar, se kishte dëgjuar për këtë rrugë që do të ndërtohej në zonën e tij nga kompania amerikano-turke”. “Dua që gjatë kësaj kohe të lidhem me inxhinierë amerikanë që kur të përfundojë rruga të kem mundësi të shkoj edhe në SHBA”, thotë Saimiri.

Ndërsa Selam Onuzi, një mekanik i ri i mirëmbajtjes së betonierave dhe sondave shpuese, nga Kukësi është i bindur se tuneli do të përfundojë ndoshta edhe më shpejt se koha e premtuar. “Këto makineri - thotë Selami - janë ndër më modernet, të kohës së fundit, të prodhuara posaçërisht për objekte të tilla të vështira, siç janë tunelet malorë dhe janë krejtësisht të reja”.

Avancimi në tunel arrin rreth 4-5 metra në ditë, por varet dhe nga shtresat shkëmbore që hasen gjatë punimeve. Minatorët paguhen mirë, nga 40-60 mijë lekë në muaj, sipas kualifikimit, ndërsa specialistët marrin edhe mbi 100 mijë lekë në muaj. Por të gjithë nuk paguajnë asgjë për ushqim dhe fjetje se i kanë falas nga kompania. Përkthyesi i vogël nga Dibra, Gjergji, që kishte mësuar turqishten në kolegjin turk të Kavajës, na tregoi mensën dhe kapanonet e minatorëve. Në mensë shërbehej ushqim turistik, që nga mjalti e qumështi dhe asortimente të tjera në mëngjes, te dreka e pasur me mish dhe perime e fruta në drekë, për të ardhur përsëri në një meny të pasur në darkë, që do ta kishte zili, çdo frekuentues lokalesh edhe në Tiranë. “Këtu në mensën tonë, drekoi edhe ministri Sokol Olldashi, para disa ditësh, kur inspektoi punimet e rrugës dhe të tunelit”- thotë Arbeni. Dhomat e kapanoneve të reja, ishin plotë dritë dhe ngrohtësi, duke larguar të ftohtit e acartë të dimrit, të pajisura me dushe 24 orë ujë.

- Te klubi i Lleshit, buzë tunelit -

Minatorë turq, por dhe shqiptarë, kishte pak, në kohën e pushimit mbas mbarimit të turnit në klubin e improvizuar me në mes një sobë druri, të Llesh Gjergj Pjetrit, klub i ndërtuar mbi një shtëpi përdhese. Turqit shijonin birrën Effes, ndërsa shqiptarët rakinë me ngjyrë pak të verdhë të kumbullës. Lleshi, pronari i barit ekzotik, një ish minator i vjetër i bakrit, tashmë në pension, thotë se e ktheu një pjesë të shtëpisë së tij në lokal, sapo filloi ngritja e kantierit të tunelit. Ai pret, ashtu si dy vëllezërit e tij, të marrë kompensimin për një pjesë të pronës që është zënë nga kantieri dhe rruga e re. “Vëllezërit dhe disa banorë të tjerë kanë marë nga 2.7-3 milion lekë kompensim nga shteti”-thotë Lleshi. Një pjesë të familjes ai e ka tashmë në Tiranë, ku kanë ndërtuar shtëpi në Bathore.

Në fshatin Thirrë, nga 130 familje, kanë mbetur vetëm 30, se të tjerët janë shpërngulur në periferinë e metropolit dhe të Durrësit. ‘Rruga edhe mund t’i kthejë përsëri këtu, se hapet punë”- thotë ai.

“Tashmë edhe dëbora e madhe, duket sikur është trembur nga këto punime,- thotë Lleshi,- që mban mend se në vitin 1985 kishte rënë 3.5 metra borë, ndërsa vitet e fundit është pakësuar ndjeshëm.” Efekti serrë duket se ka bërë punën e vet edhe në Thirrë, emër që sipas minatorit të moshuar e ka origjinën nga fjala me “thirr”, sepse banorët e kësaj zone i kanë të ndërtuara edhe sot shtëpitë larg njëri tjetrit, në luginat e maleve apo shpatet e kodrave dhe i vetmi mjet komunikimi ishte kjo fjalë e lashtë.

-Kosovarët të parët nxitojnë të blenë toka të lira anës luginës së Fanit-

Intuita se rruga e re piktoreske, me ura mbi lumin Fan dhe gjelbërimin e kodrave dhe majat e maleve sipër tyre me pisha, do të jetë një burim i ri pasurie, kosovarët kanë filluar të kërkojnë në këto zona, toka të lira për t’i blerë, për të ndërtuar bare dhe restorante, apo edhe shtëpi të reja. Automjete me targa të Kosovës, qarkullonin në këtë zonë, megjithëse rruga ishte mjaft e dëmtuar. “Vijnë këtej, megjithëse rruga tjetër kombëtare nga Kukësi për në Tiranë, është më e mirë, sepse kërkojnë toka për t’i blerë,” thonë banorët. Kosovarët, mbas përfundimit të rrugës së re do ta shkurtojnë kohën për të ardhur në Tiranë nga Kukësi nga 6 orë sot, në 2 orë. Duket se në verën e 2010-tës, qindra mijë pushuesit nga Kosova do ta kenë shumë më të lehtë për të ardhur në plazhet e Durrësit. Edhe nxitimi i tyre për të ndërtuar në rrugën e re objekte shërbimi apo magazina grumbullimi produktesh bujqësore dhe industriale është i kuptueshëm. Fluksi i madh i turistëve në kohën e verës, por dhe zgjerimi i tregtisë me Kosovën, falë marrëveshjes së Tregtisë së Lirë, e bën mjaft atraktiv këtë segment të ri rrugor.

-Autostrada e re, projekti më i madh i infrastrukturës rrugore në historinë e Shqipërisë-

Segmenti Rrëshen-Kalimash është pjesë integrale e korridorit Durrës-Morinë, ndërsa tuneli bi-tub (një tunel për çdo drejtim kalimi) prej afro 6 km, është një vepër e vërtetë arti. Këtu parashikohet të gërmohen mbi 1 milionë metër kub material shkëmbor. Në realizimin e këtij Projekti, Bechtel & Enka, punëson një personel prej rreth 2500 vetësh, ku përfshihet një përqindje e rëndësishme e punonjësve shqiptarë.

Tunelet po gërmohen me teknologji moderne, në perputhje me metodën e re austriake (NATM), e cila qëndron në shfrytëzimin e kapacitetit mbajtës të shkëmbit, për të siguruar hapjen e tunelit. Sipas kësaj metode, vetëm një përforcim minimal i strukturës së shkëmbit ështe i nevojshëm dhe masa e këtij përforcimi do të varet nga kategoria e shkëmbit që do të haset. Sipas inxhinierit gjeolog Artan Braha, kjo është një metodë më e shpejtë dhe më ekonomike për të gërmuar dhe përforcuar tunelin, në krahasim me metodat e tjera alternative, që bazohen në hipotezat e një kapaciteti mbajtës më të dobët të strukturës shkëmbore.

Për të arritur objektivin e hapjes së shpejtë të tunelit, sipas metodës së sipërpërmendur, Bechtel\ Enka Joint Venture, ka importuar pajisjen speciale Jumbo Driller (Atlas Copco L2C) nga Suedia, për të hapur vrimat e detonimit dhe instaluar elementët e përforcimit të strukturës shkëmbore.

Përveç ndërtimit të tunelit, projekti parashikon ndërtimin e mbi 35 urave e viadukteve. Gjatësia totale e urave do të jetë afërsisht 4500 m dhe ura më e madhe është aktualisht e parashikuar të jetë 100 m e lartë. Këto ura po ndërtohen duke përdorur trare beton-arme të paranderur, me gjatësi standarde 40 m, të cilët do të jenë të parafabrikuar në kantiere të ndërtuar afër autostradës.

Veç kantierit për prodhimin e trarëve të paranderur, po ndërtohen gjithashtu fabrika apo impiante në vende të caktuara, të cilat do të përdoren për të prodhuar beton për strukturat, gurore dhe nyje thyerje inertesh si dhe impiante të prodhimit të tipeve të ndryshme të asfaltobetonit.

-Lehtësirat e qarkullimit-

Shpejtësia e qarkullimit të mjeteve në këtë aks, do të jetë 100 km/orë. Në tunel dhe në disa pjesë të këtij segmenti rruga do të jetë me 4 korsi, ndërsa në pjesët e tjera me dy korsi. Ndërkohë në shpatet e kodrave do të ketë rrugë të tjera lidhëse që lidhin fshatrat. Sipas projektit, seksioni parë është Rrëshen-Reps, 19.5 km, seksioni i dytë Reps-Thirrë 26.5 km, seksioni i trete Thirrë-Kolsh, 14.85 km dhe tuneli afro 6 km. Urat që do të ndërtohen në këtë segment të vështirë malor, do të jenë 35.

Rruga Rrëshen-Kalimash, 60.85 km, është pjesë e autostradës prej 170 km, për të përmirësuar lidhjen me Kosovën. Kjo do të rezultojë në një rrugë më të shkurtër midis portit të Adriatikut në Durrës, pranë Tiranës, dhe Morinës në kufi me Kosovën.

Vendodhja:
Shqipëri

Klienti:
Drejtoria Përgjithshme e Rrugëve Qeveria Shqiptare

Kontraktori:
Bechtel & Enka Joint Venture
(www.bechtel.com dhe www.enka.com)

Fusha e Sherbimit:
Manaxhim Ndertimesh

Kohezgjatja e Projektit
2006 - 2009

Tipare kryesore:
Gjatesia: 60.85 km (5.53 km Tunel)

Tipi: 4-korsi autostrade

Shpejtesia Planifikuar: 80 -100 km/ore

Ura: 27 cope ne total
Afro 4.5 km rrugë do të jetë mbi ura dhe struktura
Deri në 80 m lartësi
Ndërtuar nga trarë gjatë të betonuar 38 m
Rruga: 2 korsi në çdo drejtim plus shpatulla të fuqishme
3,75 m linja gjatësi
2 m shpatull e fortë

“Ky projekt, i cili lidh Shqipërinë me Kosovën, Maqedoninë, Serbinë Jugore dhe rrjetin Trans-Europian të rrugëve, do të përmirësojë situatën ekonomike të zonave nga kalon, do të stimulojë turizmin, ndërtimin dhe shërbimet, si dhe do të përmirësojë pozicionin konkurrues të Portit të Durrësit”, është shprehur ministri i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi./a.gj/klo/

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

29 Komente

  1. Koth thotë:

    1 December 2007 @ 1:28 pm

    E c`me nxorre mallin e ndertimit te Ures se Bushtrices or gazetar !

    Vetem se ketu “S” *** jane zevendesuar me tjeter gje !

    *** “S” Per ju te rinjte e sotem : S ishte nje cope peçiklasi me ngjyre te kuqe ku vendosej nje S e verdhe dhe qe to te thonte “sulmues”. Kjo tregonte se vullnetari ( se keto urat beheshin edhe me pune vullnetare ) ishte punetor i dallum. Sa me shume “S” merrte aq me shume i dallum ishte. Keto dorezoheshin me ceremoni , mbas pune, ne mbremjet e vallzimit qe beheshin ke mencat.

  2. labi thotë:

    1 December 2007 @ 2:43 pm

    Me duket se do behem PD-ist .. e ç’me gjeti!!
    Pata premtuar kohe me pare ne kete forum se nese behet rruga Durres Kukes, do merrja nje tesere blu (ne nder te atij qe me ne fund e realizoi kete nderrmarje gjigande patriotike). E mora kete premtim me nje bindje te brendshme qe nuk do me duhej te mbaja premtimin.
    Keta po e bejne vertet realitet, dhe nese eshte keshtu bravo u qofte!
    Te them te drejten tani me ka zene frika me sa duken bathet, do u bekam BLU MEN… :-)

  3. Naimi thotë:

    1 December 2007 @ 3:07 pm

    Projekti i ardhshem patriotik duhet te jete lidhja e Gjirokaster-Sarande me pjesen tjeter te Shqiperise. Aksit Tirane-Elbasan-Berat-Tepelene-Gjirokaster duhej ti jepej perparesi ne krahasim me aksin e parashikuar te kaloje nga lugina e Vjoses.

  4. Pjer Thomas thotë:

    1 December 2007 @ 9:10 pm

    Do zoti mbaron sipas parashikimeve.

  5. krasta krau thotë:

    1 December 2007 @ 10:00 pm

    Me duket se do behem PD-ist .. e ç’me gjeti!!
    Pata premtuar kohe me pare ne kete forum se nese behet rruga Durres Kukes, do merrja nje tesere blu (ne nder te atij qe me ne fund e realizoi kete nderrmarje gjigande patriotike). E mora kete premtim me nje bindje te brendshme qe nuk do me duhej te mbaja premtimin.
    Keta po e bejne vertet realitet, dhe nese eshte keshtu bravo u qofte!
    Te them te drejten tani me ka zene frika me sa duken bathet, do u bekam BLU MEN…

    Te njejten ndjesi provova kur isha dhe pashe rrugen… eshte nje pune gjigande qe meriton te vleresohet. Nga ana tjeter eshte katastrofike nese vidhet qofte edhe i centimeter i kesaj rruge, qe na kushton qimet e kokes dhe qe eshte nje nga projektet me te rendesishme te ketij vendi…

  6. mand thotë:

    1 December 2007 @ 10:05 pm

    Keq e paske krasta. Po ska nevoje mos e mbaj premtimin, thjeshte na nxir nai birre. Nejse, une per keta kam rezervat e mija dhe ti e di shume mire, por perhere me eshte dukur kot zhurma per kete rruge. ja gjera te thjera sa te duash qe mund te akuzohen

  7. krasta krau thotë:

    1 December 2007 @ 10:14 pm

    Ti birren e fiton mer dak e fiton… se o ty punu turku ke rruga… se une i jam ne borxhe edhe llukanit se do ta kisha bo vete kete reportazhin (nuk do ishte keshtu )… po llukan do ta laj borxhin dhe do te postoj fotot qe kam bo…

    Seriozisht rruga eshte nje nga kryeveprat qe kam pa te behen ne kete vend (nuk jam shume i vjeter ndoshta)… duke perfshi heqen e kioskave ne tir dhe pune te tjera te kesaj natyre qe sidoqofte jane mjaft te vogla para kesaj…
    Plus kesaj mendoj qe rruga do te sjelle goxha levizje dhe permiresim ekonomik…

    Rezervat per vjedhje do ti kem deri sa te bindem qe nuk ka pisllik.. se nje meter i asaj rruge na kushton sa qimet e kokes dhe nese vidhet kjo eshte tradheti kombetare…Mendoj qe kper kete duhet te jene te gjithe te bindur

  8. Selfmaderadio thotë:

    1 December 2007 @ 10:16 pm

    Krasta,

    po reportazhi yt ku eshte? Mezi po e pres :)

  9. krasta krau thotë:

    1 December 2007 @ 10:31 pm

    do e bejme do e bjeme… vec nuk do kete hic vlere informuse se u plak si reportazh… po fot qe i ruj si vera e mire… kam per ti hudh seshpejti… shpresoj me dicka sqaruese…

  10. t_red thotë:

    1 December 2007 @ 11:04 pm

    Krasta, te kane lene ndonje dite pushim ty apo jo? Pak para se te fillojne peshkimin ata te hemisferes tjeter, vetem nga komjuterat e redaksive po i vijne “shqetesimet” peshkut. Ah po, edhe nga Selfi, :) qe prape e ka dellin kerkues, edhe pse plot stil dhe embelsi, qe mungon ne media.
    Sa per Kalimashin, rruga qe te con per atje nuk duket te jete me aq e veshtire sa paten frike tesera-mbajtesit apo aspiruesit per t’i marre ato.

  11. funplayer thotë:

    2 December 2007 @ 1:28 am

    Une kam pershtypjen qe kur te mbaroje do jete me te vertete nje rruge e mrekullueshme qe do ta ndryshoje edhe perceptimin e shqiptareve per Kosoven dhe anasjellta. Gjithashtu,jam i bindur do t’i lidhe te dy vendet edhe me tej.

    Gjithmone, nese e mbrarojne ne kohe dhe sipas standardeve me te mira :-)

  12. Naimi thotë:

    2 December 2007 @ 1:48 am

    Gjithashtu,jam i bindur do t’i lidhe te dy vendet edhe me tej.

    Te dyja pjeset e nje vendi deshe te thuash?

  13. Pjer Thomas thotë:

    2 December 2007 @ 5:25 pm

    Labi, mos u merzit, se per rrugen do behen dy ceremoni, nje para zgjedhjeve nga PD-ja dhe nje mbas zgjedhjeve nga partia tjeter fituese. Kjo gje per shkak se para zgjedhjeve , do ta inaguroje rrugen (para kohe) nje autoveture e PD :-) , nderkoh qe makinat do te lejohen te kalojne disa muaj me mbrapa. Keshtuqe , marrja e teseres se PD-se, ti do ta marresh por per te ndezur soben :-) jo per gje tjeter.

  14. Idris thotë:

    2 December 2007 @ 5:51 pm

    Artikull “marifetci”. Gjithsesi gazetar/e qe ka ditur te nxjerre ne pamje te pare problemet me domethenese te kesaj NDERMARJE. Na e ka afruar shume prane ,pa na lene shteg per “ato”tonat
    Po ti heqesh ato nuancat e ANTHUSIAZMIT ,d.m.th. ato “S”megjithmend
    dicka impresionuse,jo vetem si rruge.Vendi po leviz …..
    “Kosovaret po nxitojne te blejne te paret toka te lira anes rruges…………..
    Po ne ku jemi ? Kush i orienton ato zona nga me te varferat e vendit?.
    Kush e krediton “ate/a” ish minatorin improvizues me lokalin e tij?
    Si gjithnje Mixhistet i mbajne “ASAT” nen menge .Andej nga tringellima e monedhes do jete me forte ,andej nga ujrat rrjedhin “nen te “.
    Me pas o burra se na mbyti …….Dhe varg analizash e opinionesh,,artikuj e reportazhe me komuniste e balliste,me popull te prapambetur etj etj .
    Dhe pas gjith kesaj si gjithnje MIXHA:
    -Zotrij e kam thane qe FANI i VOGEL ,perfshi edhe te MADHIN ,e meriton nje UNIVERSITET.Ta gezoni nje Universitet
    Gjithsesi per mua megjithse MARIFETCI,reportazhi me i mire i prure per kete problem me anekset e tij.

  15. Pjer Thomas thotë:

    2 December 2007 @ 7:35 pm

    Nese shqiptaret do te tregohen te zgjuar dhe efektiv ne kete projekt te rendesishem, duhet qe dheun guret qe do dalin nga germimet , ti çojne ne zonat e ulta buze detit per te ngritur sado pak nivelin e saj , dhe siper keture te hedhin rere te marre nga deti, tamam siç veprojne dhe ne bote.
    Nje pjese te lekeve te autostrades apo rrugeve te tjera, mund te dalin dhe nga Bursa, pra nga rritja e vleres se aseteve te asaj zone te plazhit qe rregullohet nga keto mbeturinat e autostrades.

  16. ujku i zi thotë:

    2 December 2007 @ 9:38 pm

    “Kosovaret po nxitojne te blejne te paret toka te lira anes rruges…………..
    Po ne ku jemi ? Kush i orienton ato zona nga me te varferat e vendit?.
    Kush e krediton “ate/a” ish minatorin improvizues me lokalin e tij?

    Idris, shume e drejte! Dhe mbase atij puntorit qe thote se “Kam ardhur nga Londra, ku isha në emigracion prej 4 vitesh, dhe dua që gjatë kësaj kohe të lidhem me inxhinierë amerikanë që kur të përfundojë rruga të kem mundësi të shkoj edhe në SHBA” nuk do ti duhej te vinte patjeter ketej. Jo per ndonje gje po se s’ka per ta gjetur fushe me lule. Po sic kam degjuar ne Tirane bankat vazhdojne ti japin kredite per “miq” e “shoke”, dhe veshtire te imagjinosh shperndarjen e kredive per te ndikuar ne ndonje program te caktuar social-ekonomik.

  17. djali nga torino thotë:

    3 December 2007 @ 12:06 am

    Pjer nuk di a eshte ide e mire me thene te drejten ajo e dheut qe nga thellesia e malit e spostojme ne bregdet dhe me pas ta mbulojme me rere. Inertet qe dalin nga thellesite mbartin me sa di une elemente qe mund te jene te rrezikshem per shendetin e njeriut si p.sh amiant dhe elemente te tjere me radiaktivitet.
    Tani nuk di nese ndonjeri e ka studiuar perberjen e nentokes ne Kalimash…por gjithsesi nga pozitat e te paditurit them se mund te kete rreziqe per bregdetin. Plus mund edhe te shtoj me siguri matematike nen rere mund te perfundojne lloj lloj mbeturinash urbane.

  18. anonim thotë:

    3 December 2007 @ 12:13 am

    Fantastike ideja e Pjerit: ti levizim dherat drejt bregdetit!!

    Si nuk ju ka shkuar me perpara nder mend ketyre inxhinjerave!!

    Keshtu mund arrihen objektiva madhore si:

    - demshperblimi i ish-pronareve me toka te lira (ne sensin dhera te lira)

    - rikthimi ne identitet i vijes sone te mrekullueshme bregdetare (po ta mbushesh, fjala vjen, nja dy tre kilometra nga bregu detin te Shkembi i Kavajes me dhera nga Kalimashi, ndertimet e qelbura qe shkaterruan pyllin me pisha do “zhduken” ne background!)

    Shume ide fantastike! Shiko kur ta kontaktoje Pjerin tak-fak ndonje talent-scout i Kryeministrit: do katapultohet direkt keshilltar i dites!

    :)

  19. ilirfort thotë:

    3 December 2007 @ 12:57 am

    Kosovaret po nxitojne te blejne te paret toka te lira anes rruges…………..
    Po ne ku jemi ? Kush i orienton ato zona nga me te varferat e vendit?.
    Kush e krediton “ate/a” ish minatorin improvizues me lokalin e tij?
    Kush i shkruan keto antishqiptarizma?Nuk jane shqiptare kosovarte?Po me greket qe e kane prostituuar dhe blere tere Shqiperine e jugut si do ja bejme?Po me bankat greke ne Tirane qe japin kredi jo per miqte sic e thote Idrisi por per ata qe ndrojne kombesi-nga shqiptare ne greke/Me keta cte bejme?…

  20. Dori thotë:

    3 December 2007 @ 1:04 am

    Pjer, nuk është kaq kollaj ajo punë. Duhen bërë studime dhe projekte, pastaj ndërtime mbrojtëse që të mos merret dheu nga deti. Rrezik do të kushtonte më shumë se kjo rruga.

  21. Cheney thotë:

    3 December 2007 @ 1:18 am

    Pjer,

    E hodhe dhe ti nje gur n’det? :D

  22. ujku i zi thotë:

    3 December 2007 @ 1:39 am

    Ilirfort, mua nuk me duket se ka ndonje gje antishqiptare ne ate cfare eshte diskutuar! Nuk po thote njeri pse blejne kosovaret toka. Biles shume mire bejne qe blejn. Ajo qe po diskutohet ketu eshte nje problem social dhe roli i shtetit ne te. Ndertimi i rruges eshte shume pozitiv per zhvillimin e zonave, por ky zhvillim nuk mund ti lihet rastesise. Ato njerez jane te varfer dhe nese nuk ndihmohen do vazhdojne te jene qytetar te dores se dyte - sic edhe jane trajtuar deri me tash - kurse ato bankat greke qe thua ti do vazhdojne ta bejne biznesin bile edhe pa asnje konkurence edhe ne keto zona sic e bejne ne Tirane. Per keto njerez te kene biznesin aty ku kane pasur shtepiat, jane lindur dhe jane rritur ndoshta nuk eshte edhe aq gje e keqe.

  23. belle_fleur thotë:

    3 December 2007 @ 6:04 am

    Projekte te tilla jane shume pozitive per Shqiperine dhe shqiptaret njekohesisht. Uroj qe ky projekt te realizohet sa me shpejt sepse do jete shume e dobishme si per vendasit por dhe per te huajt qe do duajne te bejne qofte biznes apo turizem ne vendin tone.

  24. anonim thotë:

    3 December 2007 @ 11:10 am

    Nuk thote njeri pse po blejne Kosovaret. Ceshtja eshte pse nuk po investojne edhe Shqiptaret?! Rruga mesa duket eshte investimi me i madh infrastrukturor i bere ndonjehere ne Shqiperi. Duke qene nje infrastrukture primare dhe nje mjet i rendesishem komunikimi, ta do mendja se investimet pergjate saj duhet te jene po aq te medha e te rendesishme. Po problemi, per mendimin tim qendron tek fakti qe sa here qe flitet per rrugen ne media te ndryshme, flitet o per ta anatemuar si rast korrupsioni te papare, o per ta mbrojtur, kryesisht me argumenta patriotike (po kete pune zakonisht e ben Berisha vete, dhe ndaj tij, fale edhe punes se opozites nder vite, tek njerezit eshte krijuar njefare “shurdhesie”.)

  25. Lefti thotë:

    3 December 2007 @ 3:44 pm

    Me beri mjaft pershtypje reportazhi, i arrire dhe me “stil perendimor”.

    Jemi mesuar te “hame” neper gazetat/mediat tona vetem kritika, vetem sharje, vetem gjera negative, te zezen shikojme gjithandej, endrra mungon … te gjithe kemi nevoje per te tille reportazhe, sepse e shikojme realitetin ndryshe nga deklaratat mediatike te partive politike, te cilat duan te perfiitojne kredi elektorale nga kjo rruge.

    Mesova mjaft gjera te reja nga ky reportazh, te cilat nuk evokohen kurre nga Erion Braçe kur “denoncon” korrupsionin hipotetik ne kete segment.

    Personalisht, pashe para 2 javesh tek LE FIGARO.FR foton e tunelit tek fotot e dites, dhe thuhej posht : ” Vepra me e madhe ne Ballkan ”

    Sinqerisht, u ndjeva Krenar, qe jam Shqiptar, dhe kjo nuk ndodh ç’do dite ! Prandaj, shpresojme te mbaroje sa me pare kjo veper madheshtore, sepse vetem zhvillim mund t’i japi Shqiperise dhe Kosoves.

  26. Studenti Shqiptar thotë:

    3 December 2007 @ 3:54 pm

    Shume dakord me Leftin.

    Klasa jone politike, me manine e saj per te zaptuar cdo hapesire mediatike e per te shfrytezuar cdo grimce vizibiliteti ka monopolizuar thuajse totalisht faqet e gazetave tona, emisionet e lajmeve ne radio e ne tv. Duke vepruar ne kete menyre, me kanibalizem, politikanet tane e kane varferuar ne skaj permbajtjen e sherbimit publik te informacionit. Kjo sjell pasoja te renda ne te gjitha fushat e jetes dhe te veprimtarise shoqerore.

    Ne rastin specifik, imazhi kolektiv i rruges Durres-Kukes, i farketuar nga mediat tona monotematike, eshte ai i nje “dickaje” te larget dhe te paprekshme (e per rrjedhoje, qe nuk na prek drejteperdrejte), objekt i rradhes i sherreve te pasosura politike.

    Nderkohe qe nuk eshte aspak keshtu. Sepse rruga Durres-Kukes eshte nje mundesi e jashtezakonshme zhvillimi per vendin tone.

  27. Grupi thotë:

    3 December 2007 @ 5:56 pm

    Projekti eshte vertet madheshtor…sidomos kur shikon foto te tuneleve dhe te urave qe po ndertohen…s’te besohet se nje gje e tille do ekzistoj ne Shqiperi. Megjithate…te mos i japim kaq shume kredi qeverise te Profesor-Doktorit…se rruga po ndertohet nga firma te huaja…jo firma Shqiptare. Ajo qe ka ber qeveria Berisha…eshte korrupsioni dhe vjedhja po aq madheshtore sa edhe rruga vet. Nuk besoj se mund ti falet kaq kollaj nje keqmenaxhim dhe nje vjedhje e ksaj sasie Berishes…vetem sepse rruga eshte “patriotike”. Kjo rruge do ndertoheshe nga kushdo qe do ishte ne pushtet…dhe projekti per te eshte qe para Berishes per ate pune.

    Nejse…te mbaroj sa me shpejte…dhe ishalla u ngopshin Berishianet me pare…aq sa te largohen paqerisht.

    Sa per zbrazjen e dherave ne bregdet…do ishte nje projekt qe do kushtonte sa dy rruge te tilla…Mbase keni pare shume emisione per Dubain.

  28. Studenti Shqiptar thotë:

    3 December 2007 @ 6:17 pm

    Veprat infrastrukturore te nje shteti, ne mos tjeter, te pakten per faktin se shpesh realizimi i tyre mund te zgjase me shume se nje legjislature, nuk i perkasin dhe nuk mund te identifikohen me nje pale (kah) qeverisese.

    Puna e nje qeverie te caktuar, ne kete fushe, mund te matet me vullnetin per bere pune dhe me aftesine per ti kryer ato sa me shpejt, sa me mire e sa me lire.

    Ne rastin specifik, per mendimin tim, rendesia e rruges per zhvillimin e vendit eshte e padiskutueshme dhe tek ky aspekt dhe derivatet e tij besoj se duhet te fokusohet debati dhe vemendja si e publikut te gjere, ashtu edhe e operatoreve te specializuar.

    Ato qe mund te diskutohen krahas ketij aspekti primar jane pastaj ceshtjet e tjera te lidhur me menaxhimin e vepres, ecurine e punimeve, ritmin, cilesine dhe koston e tyre. Mbi keto ceshtje mund dhe duhet te perqendrohet opozita dhe/apo grupet e tjera te interesit, por pa monopolizuar te gjitha hapesirat mediatike ne lidhje me kete teme, ashtu sic ka ndodhur.

    Sepse nje gje eshte te analizosh ne menyre kritike nje veper dhe ecurine e saj drejt realizimit dhe te perpiqesh ta percjellesh analizen ne menyre sa me efikase tek publiku i gjere, tjeter (krejt tjeter) eshte perpjekja per ta manipuluar publikun (permes, p.sh., ashpersimit artificial te toneve apo obskurimit dhe injorimit total te aspekteve te caktuara te ceshtjes) duke shkaktuar, si rrjedhoje, nje mungese te theksuar informacioni.

  29. ujku i zi thotë:

    3 December 2007 @ 10:00 pm

    Pjer, ne zonen e Semanit, me sa di une, toka peson ulje te vazhdueshme, afersisht 15cm ne vit pergjate nje vije prej 10km (mbase nuk jam shume i sakt). Kuptohet asnje lloj modifikimi nuk mund te behet. Megjithate gjeja me e mire qe mund te behet me bregdetin shqiptar eshte investimi ne infrastrukture duke u kujdesur per te ruajtur ne maksimum vecorite natyrore te tij, ku vija bregdetare dhe rrjedhat ujore jane paresore ne kete drejtim - pa diskutuar pastertine e ujrave dhe ndertimin e impianteve per ti realizuar ato. Bregdeti yne ka nevoje per delikatese dhe jo per brutalitetin e ndertimeve te deritanishme.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com