Reforma Topi-Spahiu, show-biz i radhës
SPARTAK BRAHO
Panorama
Këto muajt e fundit, reforma në drejtësi ka qenë kryefjala e politikës, kuptohet se emergjenca e saj lidhet me integrimin dhe MSA-në. Por ndërkohë prononcimet dhe gatishmëria e politikanëve të djathtë kanë evidentuar vetëm një ide të kësaj reforme: LARGIMIN E KRYEPROKURORIT SOLLAKU. Eshtë për të ardhur keq se deri më sot këto belbëzime foshnjarake të paargumentuara të maxhorancës, veç injorancës së thellë, kanë dëshmuar për mungesë serioziteti dhe për një reformë të tillë të rëndësishme, siç është ajo në drejtësi. Edhe tavolina me 250 “delegatë” e krerëve të KLD-së, TOPI-SOLLAKU, siç e pamë dhe siç u tha, dëshmuan më shumë se për një show dhe jo për ndonjë gjë efektive dhe serioze. Zhvillimet, veprimet, përbetimet dhe iniciativat e deritanishme të maxhorancës në përgjithësi dhe të zotit President në veçanti, i kanë bërë ato të pabesueshme për sytë dhe reagimet e opozitës. Të gjitha këto janë përkthyer nga opozita “si pushtim” nga PD-ja e Berishës të institucioneve kushtuese dhe rrënimi i pavarësisë së tyre. Në këto kushte, opozita jo vetëm ka kundërshtuar këtë vijë sjellje, por s’mund të pranojë edhe rolin e paracaktuar në këtë Reformë, vetëm si fasadë formale apo si pazare të nevojës që ka maxhoranca për të siguruar numrin e nevojshëm të votave në Kuvend.
Gjithsesi me preokupim serioz, opozita në përgjithësi dhe LSI në veçanti, e vlerësojnë si domosdoshmëri Reformën në drejtësi, pa mohuar arritjet e deritanishme, si themelin e konsolidimit të shtetit ligjor, të institucioneve kryesore të tij dhe forcimit të një pushteti mjaft të rëndësishëm, siç është pushteti gjyqësor. Në këtë kontekst dhe në mungesë edhe të strategjisë dhe rrugëve që propozon maxhoranca deri tani, (qoftë edhe tavolina e Topi-Spahiut), po shpreh edhe njëherë disa nga opsionet tona për Reformën në drejtësi.
LSI e koncepton zhvillimin e kësaj Reforme në bazë të një platforme, ku synimet dhe qëllimet strategjike të saj duhet të jenë produkt vetëm i një komisioni të posaçëm kombëtar (ad hoc) nukli kryesor i të cilit duhen të jenë jo vetëm deputetët kur dihet niveli mjeran i shumicës prej tyre, por specialistët e mirëfilltë të organeve të drejtësisë, të tjerë jashtë tyre, vendas dhe të huaj, të cilët do të piketojnë databasët e drejtimeve kryesore, ku do të ecë reforma, për t’ia dhënë atë të gatshme politikës dhe strukturave parlamentare.
Ne gjykojmë se zhvillimi i Reformës në drejtësi është në radhë të parë zhvillimi i doktrinës në fushën e jurisprudencës dhe jo thjesht heqje-vënie titullarësh, amendim ligjesh etj. Ndërkohë që dihet se çdo Reformë zhvillohet në bazë të një doktrine të caktuar. Është ajo që i paraprin çdo lloj reforme. Duke qenë doktrinë, atë e hartojnë dhe përsosin vetëm doktrinarët juristë, specialistët, katedrat dhe studiuesit përkatës dhe jo politika e ditës, voluntarizmi i politikanëve në fuqi apo i shërbëtorëve të tyre. Atëherë çfarë idesh apo në ç’doktrinë e filozofi juridike e mbështetën reformën në drejtësi drejtuesit e tavolinës së 12 dhjetorit?. U pa qartë se edhe në tavolinën e organizuar me bujë, por pa cilësi, as zoti Topi dhe as zoti Spahiu, përveçse sloganeve nuk kontribuuan me fjalët e tyre në zhvillimin e ndonjë doktrine juridike. Dhe s’ka se si. Pra, që një nisje, e cila nuk premton për seriozitet dhe punë me cilësi për sa kohë nuk u panë kualitete të tilla.
Gjithsesi për të qenë konkretë e kontribuues dhe jo vetëm kritizerë, ne gjykojmë se Reforma në drejtësi në vija të përgjithshme duhet të prekë këto çështje konkrete:
Së pari, ajo duhet të siguroj dhe garantoj realisht pavarësinë, autonominë, paanshmërinë dhe transparencën në veprimtarinë e pushtetit gjyqësor. Kjo gjë kërkon domosdoshmërish koncepte dhe formulime të reja ligjore në legjislacionin kryesor shqiptar.
• Ajo duhet të sigurojë përmirësim të ndjeshëm të statusit të punonjësit të organeve të drejtësisë, gjyqtarëve, prokurorëve etj., dhe të përmirësojë normat ligjore që lidhen me karrierën, emërimet, ngritjen në detyrë, masat ndëshkuese, me trajtimin, pagat, shpërblimet dhe përfitimet financiare. Duhet të përmirësohet mbrojtja e jetës së tyre dhe familjeve, të pasurive, si dhe të drejtave të tjera që lidhen me organizimin sindikal etj. Të gjitha këto padyshim, përveç se një rikonceptimi, kërkojnë dhe rinovimin e kuadrit ligjor përkatës.
• Reforma duhet të përmirësojë rritjen e rolit, funksioneve, kompetencave dhe organizimit të Konferencës Gjyqësore Kombëtare, si “parlamenti i pushtetit gjyqësor”, në ndryshim nga sa dhe si funksionon sot “ky parlament”. Synimi duhet të jetë zgjerimi i kompetencave dhe funksioneve të këtij organizmi të rëndësishëm.
• Në mënyrë të veçantë duhen përmirësuar kriteret për përzgjedhjen e anëtarëve të KLD, me qëllim reformimin e këtij organi në përmbajtje dhe strukturë, i cili me arnimet e fundit që iu bënë në ligjin përkatës, ende s’ka gjetur “derman”. Ky organ duhet të shfaqë dhe realizojë raporte të qarta të pavarësisë, por dhe të bashkëpunimit me pushtetet e tjera, gjë që kërkon “kirurgji” në legjislacionin aktual dhe përmirësimin e tyre.
• Ne gjykojmë në bazë të përvojës së deritanishme pozitive, por edhe negative, se reformim duhet të pësojnë edhe disa aspekte të veprimtarisë dhe funksionimit të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Vetë punonjësit e këtyre organeve, por edhe ekspertët dhe specialistët konstitucionalistë, janë të bindur për nevojën e reformave në këto struktura të drejtësisë, kryesisht në aspektin funksional të këtyre organeve, sepse ende vazhdon “tranzicioni” i tyre, ndërkohë që ato duhet të ishin konsoliduar e trashur ndikimin e tyre.
• Reforma duhet të synojë që të zgjidhë një herë e mirë administrimin e pavarur të buxhetit të pushtetit gjyqësor, pasi kjo ende kuptohet si slogan dhe vazhdohet që pavarësia financiare e pushtetit gjyqësor të diskriminohet e të mbahet peng nga ekzekutivi. Pavarësia financiare garanton realisht dhe pavarësinë e funksionimit të këtij pushteti. Ashtu siç trajtohet sot kjo çështje në vijën Qeveri-Kuvend-Qeveri-Pushtet Gjyqësor, nuk ka pavarësi financiare.
• Pjesë e përmirësimeve duhet të jenë gjithashtu edhe veprimtaria e disa organeve ndihmëse të pushtetit gjyqësor si avokatia, noteria, shërbimet speciale shkencore etj., të cilat kanë nevojë të rishihen thellë në funksionet që kryejnë.
• Ne gjykojmë se veprimtaria e pushtetit gjyqësor dhe organeve të tij përbërëse komprometohet për shkak të veprimtarisë së zbehtë dhe shpeshherë të dyshimtë e të ndikueshme nga ekzekutivi, të Zyrave të Përmbarimit, të cilat duhen konceptuar ndryshe në organizimin dhe funksionimin e tyre, për të mos qenë vetëm monopol i shtetit, por edhe shërbim i kryer nga agjencitë private.
• Një vëmendje të veçantë reforma duhet t’i kushtojë procesit të formimit të plotë e të thellë profesional, juridik të gjyqtarëve, avokatëve, noterëve, prokurorëve etj., nëpërmjet përmirësimit të ndjeshëm të edukimit ligjor të tyre. Ajo duhet të modernizojë nivelin e Shkollës së Magjistraturës dhe shkollave të larta juridike, të cilat duhet të rrahin në veprimtarinë e tyre procesin e njohjes së aplikantëve, me legjislacionin dhe praktikën ndërkombëtare të së drejtës.
• Si një çështje kardinale të Reformës në drejtësi, duhet të zërë përmirësimi dhe konsolidimi i legjislacionit material dhe procedural, penal dhe civil. Kjo është nevoja më imediate që ka nxjerrë praktika e deritanishme për punën e organeve të drejtësisë. Kodet, si udhërrëfyese të punës së gjyqtarëve, prokurorëve si dhe mbarë shoqërisë dhe strukturave të saj duhet, të riorganizohen e përmirësohen ndjeshëm në përmbajtjen e tyre. Tashmë ka ardhur koha të konsolidohen modelet e legjislacioneve penale apo civile të huaja, që janë aplikuar deri tani në të drejtat dhe praktikën tonë. A mund të na thotë ndokush tani me kompetencë se cili model evropian është më efikas? Çfarë duhet përmirësuar e ndrequr nga ato ekzistuese? Ç’tregon praktika e deritanishme e zbatimit? A është normale të vazhdohet me arnime amendamentesh në kodet penale e procedurale si deri tani? A duhen përfundimisht unifikuar ato?
Të gjitha këto nuk mund t’i bëjë as politika, as qeveria, as deputetët, pasi janë çështje që kërkojnë studime të mirëfillta të specialisteve të fushave përkatëse, dhe kjo kërkon kohën dhe angazhimin përkatës.
Reforma kërkon jo vetëm riorganizimin e punëve në gjykata, por dhe krijimin e gjykatave lëndore të reja, konsolidimin dhe standardizimin e praktikës gjyqësore, rritjen e kontributit të gjyqësorit shqiptar në procesin e integrimit evropian, përmirësimin e sistemit dhe skemave të veprimtarisë së administratës gjyqësore si dhe teknologjisë së organizimit të punës dhe informacionit. A nuk duhet të jenë edhe këto çështje që duhen studiuar e nxjerrë përfundime e përmirësime nga vetë specialistët që punojnë e drejtojnë në këta sektorë?
Së fundi, dhe që është po kaq e rëndësishme sa edhe të parat, është edhe reforma në punën e organeve të Prokurorisë.
Ky organ i rëndësishëm kushtetues, gjykojmë se ka mbetur jo veprues dhe nuk i përgjigjet sa duhet kërkesave të luftës ndaj kriminalitetit të të gjitha llojeve. Shpeshherë ai ka pasur luhatje për shkak të presionit të politikës. Por kjo situatë nuk është vetëm për shkak të këtij organi. Politika e paprinciptë dhe ekzekutivi, siç dëshmon praktika e viteve të fundit, jo vetëm nuk ka pasur prirje për të bashkëpunuar për zhvillimin e reformave në këtë organ, por ka synuar ta nëpërkëmbë atë dhe pavarësinë e tij, ta denigrojë me qëllimin për ta përdorur si kobure ndaj kundërshtarëve politikë. Për këto arsye, Prokuroria po kalon një fazë destabiliteti gjithashtu, gjykojmë se ka ende një strukturë funksionimi jo plotësisht të qartë, ku dublohen përgjegjësitë e strukturave të saj që realizojnë hetimin, ndjekjen penale dhe akuzën. Riorganizimi i policisë gjyqësore në shina me të përcaktuara përgjegjësie dhe vakësie është kryefjala e fillimit të reformimit të saj.
LSI vlerëson dhe është kundër zërave se organi i Prokurorisë duhet të jetë strukturë e varur nga Qeveria. Demokracia jonë e re dhe e debul si dhe pabesueshmëria e ekzekutivit për të respektuar ligjin dhe pavarësinë e saj, e bëjnë të papranueshëm këtë opsion.
Reformimi i Prokurorisë nuk është i lidhur me shkarkimin apo emërimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Prokurori i Përgjithshëm emërohet dhe shkarkohet vetëm sipas përcaktimeve që bëjnë dispozitat kushtetueses dhe jo sipas orekseve puçiste “të modelit” që na ofroi dhe aplikoi Berisha. Në këtë kuptim, pathologjia e maxhorancës për “çështjen Sollaku” nuk realizoi asgjë pozitive për zhvillimin e reformës, madje ajo bëri “pis” Presidentin e sapozgjedhur. Edhe çështja e shumë diskutuar për kufizimin e mandatit të Prokurorit të Përgjithshëm, për mendimin tim nuk është aq kardinale sa thuhet. Më e shumta ajo është një vjegë. Gjithsesi le ta provojmë dhe një prokuror me mandat të kufizuar. Kardinale për organin e Prokurorisë mbetet sigurimi i pavarësisë unike dhe rregullimi i ligjit për organizimin dhe funksionimit të këtij organi.
• Realizimi i standardeve të mësipërme për reformën në drejtësi, padyshim kërkon atë që mungon sot te maxhoranca dhe kreu i saj, mirëkuptimin, dialogun dhe konsensusin e gjerë. Ky konsensus nevojitet jo vetëm për të siguruar domosdoshmërinë e 92 apo 84 votave në Kuvend, por në radhë të parë ai duhet të jetë moment i ripërtëritjes politike të zhvillimeve reformuese në Shqipëri, që e cila ka pak gjasa të arrihet me Berishën në krye, sepse AI as nuk do dhe as nuk di se si bëhen REFORMAT. Ndaj dhe opozita është skeptike, se do të arrihet të bëhet ndonjë gjë e mbarë, por le të shpresojmë se dhe ajo çka thamë më sipër të jetë pjesë e kontributit tonë.


Shkruaj një koment (login)