Raporti, gjyqtarët që liruan 22 kriminelë
Flamur Vezaj
Shekulli
23-10-2007
Ministria e Drejtësisë publikon raportin e lirimit të të dënuarve, me anën e ekspertimeve mjeko-ligjore false
TIRANË- Ministria e Drejtësisë publikon raportin e shkeljeve të bëra nga gjyqtarët dhe prokurorët e Tiranës, Krujës, Kavajës dhe Lezhës, të cilët akuzohet se kanë vendosur lirimin e parakohshëm të të dënuarve me rrezikshmëri të lartë shoqërore. Sipas këtij raporti 76 faqësh, ekspertët e zyrës së inspektimit kanë renditur 27 raste, ku gjykatat kanë pranuar raporte të falsifikuara të ekspertëve psikiatër, 8 prej të cilëve janë shkarkuar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Të gjitha këto shkelje, sipas Ministrisë së Drejtësisë janë bërë gjatënjë afati 3- vjeçar, 2005 - 2007, kohë për të cilën është ushtruar edhe kontrolli. Nga inspektimi i të gjitha çështjeve rezultoi se nga 27 kërkesat për lirim, të pranuara nga gjyqtarët e Gjykatës së Tiranës, Lezhës, Krujës dhe Kavajës, 22 kanë qenë dënuar nga gjykata me formë të prerë për vepra të rënda penale. “Në përfundim të procesit të inspektimit u evidentuan të dhëna tronditëse, se si të dënuar për vepra penale të rënda si vjedhje, përdhunim, trafikim lëndësh narkotike, vrasje me paramendim janë liruar nga burgu në kundërshtim me ligjin, procedurat ligjore dhe në bashkëpunim të hapur me subjektet e këtyre procedimeve”,-thuhet në raportin e përpiluar nga ekspertët e Ministrisë.
***
Në raport thuhet se 22 të dënuarit e liruar kanë kryer vetëm pak kohë në burg, për të lënë më pas qelitë nëpërmjet një mekanizmi tërësisht spekulativ dhe në shkelje të hapur të normave procedurale e penale, duke sjellë në shoqëri një kontigjent të dënuarish të parehabiltuar. “Asnjëri prej këtyre të dënuarve që janë liruar nga këto gjykata për sëmundje të ndryshme, nuk ndodhet aktualisht në ndonjë institucion shëndetësor për kurimin e këtyre sëmundjeve “vdekjeprurëse”, por ndodhen jashtë shtetit ose duke u marrë mebizneset e tyre private, duke treguar kështu qartë abuzimet për lirimin e tyre”,-thuhet në raportin e publikuar dje nga Ministria e Drejtësisë. Nga raporti i mësipërm del qartë se janë ndjekur praktika korruptive dhe shumë prej proceseve gjyqësore janë manipuluar me dashje nga mbrojtësit ligjorë, prokurorëve dhe gjyqtarëve, në bashkëpunim me ekspertët e Mjekësisë Ligjore.
***
“Konstatohet se në shumë raste, gjatë gjykimeve, kërkuesi ka hequr dorë nga gjykimi i çështjes pa paraqitur asnjë shkak ligjor. Rezulton e provuar se menjëherë pas pushimit të gjykimit, i dënuari ose përfaqësuesi i tij me prokurë, ka paraqitur të njëjtën kërkesë, për të ndryshuar kështu gjyqtarin. Nga mënyra e përfundimit të çështjes, duket se heqja dorë nga gjykimet e mëparshme të ketë qenë e paramenduar për të ndryshuar gjyqtarin e çështjes duke përfituar në mënyrë të padrejtë pranimin e kërkesës”,-thuhet në raportin e përgatitur nga vartësit e Rusmalit. Ky mekanizëm, veç të tjerave ka ndihmuar për gjetjen e gjyqtarit apo prokurorit përkatës i cili ka rënë dakord me kërkesën e të dënuarit për lirimin e tij. Sipas burimeve zyrtare pranë dikasterit të drejtësisë mësohet se ky raport 76 faqesh me 14 gjyqtarët e akuzuar për lirimin e personave të rrezikshëmdo të dërgohet në Këshillin e Lartë të Drejtësisë, anëtarët e të cilit do të shprehen lidhur me masat disiplinore ndaj tyre. Para anëtarëve të KLD-së, ministri Rusmali pritet të propozojë masa disiplinore vetëm për gjyqtarët që kanë më shumë shkelje.
Citime nga ekspertiza mjeko-ligjore
“…në mëngjes, humori i tij në përgjithësi ishte mjaft i keq dhe i mbushur me ide e mendimepesimiste, jetae tij është e mbushur me ankth, frikë,.gjumë i çrregullt”..(faqe 24, 49)
“… tëdënuarit …i kanë humbur aktualisht dëshirat, iniciativat, dashurinë për njerëzit dhe kjo e detyrontë mbushë sytë me lot….” ((faqe 24,)
“… i dënuari ka probleme “të rënda shëndetësore” me“retinën e syrit” si dhe komplikacionet e rënda qe mund të shkaktojë deri në humbjen e jetës!!”…(faqe 58, faqe 67)
“se i dënuari vuan nga një sëmundje ngjitëse tuberkulare ..e rrezikshme për jetën dhe duhet të kurohet jashtë shtetit” !! (faqe 18)
“Se i dënuari vuan nga çrregullime depresive dhe idetë pesimiste për jetën…dhe qëndrimi në burg e acaron..e shqetësojnë dritat dhe zhurmat natën, zgjohet pas orës 01 të natës..!!. (faqe20, 48, 51)
“i dënuari paraqet rënie peshe, moskujdesje për veten…dyshime për ambientin…dhe mendime depresive, ndaj rrezikohet jeta e tij ne burg…!! “(faqe 73 e raportit)
“se i dënuari paraqitet i ngathët.. me gjendje paniku, e quan vetën të pavlerë…” (faqe 46)
‘‘… i rrezikohet jeta nga diabeti dhe hipertensioni !!( në jo më pak se 4 raste)


Shkruaj një koment (login)