Rama: Shqiperia te aplikoje si vend kandidat ne BE

PS.al
9 Maj 2008

“Zonja Kryetare e Kuvendit, Zoti Kryeministër, Shkëlqesi Ambasador, deputetë dhe të gjithë të ftuar.

Dua të falënderoj ambasadorin për këtë nisëm dhe këtë mundësi që na jep, për të folur lidhur me një proces, i cili është aspiratë e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike, përkatësisht partiake dhe dua të përfitoj nga ky rast për t’u kthyer në historinë e afërt, momentin kur pas zgjedhjeve të 18 shkurtit, opozita shqiptare, Partia Socialiste, ju drejtuan mazhorancës qeverisëse me një ofertë për 5 reformat kryesore, që do të na ulnin në një tryezë të përbashkët, në atë tryezë ku më ngjan e udhës që forcat politike të qëndrojnë të ulura në emër të asaj aspirate të përbashkët për të cilën fola, në emër të atij uniteti pikëpamjesh që ekziston mes shqiptareve dhe shqiptarëve lidhur me të ardhmen euroatlantike të Shqipërisë, në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Në atë moment, ishte reforma zgjedhore, reforma në drejtësi, reforma në administratën publike, decentralizimi dhe reforma territoriale, që gjykuam se ishin pika ku duhej dhe duhet të ndalemi për ato reforma të demokratizimit, të modernizmit dhe integrimit, pa të cilat Shqipëria mund të jetë Shqipëria e një pushteti apo e një pushteti tjetër, por nuk mund të jetë Shqipëria e qytetarëve, të integruar në Bashkimin Evropian. Kemi qenë në kërkim të këtij konteksti kushtesh, ku punët e opozitës dhe të qeverisë të jenë ndara prerazi kur është fjala për çështjet ku alternativat politike në demokraci, janë të papajtueshme, për vet natyrën e sistemit, që janë çështje të qeverisjes, por jemi bashkë kur është fjala për axhendën kombëtare të demokratizimit, modernizimit dhe integrimit. Tabloja globale e historisë dhe problematikës së vendeve të varfra, tregon se karakteristika themelore e këtyre vendeve është konflikti organik në elitat e tyre politike, ku mazhoranca synon të shtyp opozitën deri në asfiksi dhe opozita gjallon për t’ia bërë jetën të pamundur mazhorancës deri në rrëzim dhe varfëria kronike në këto vende, lidhet drejtpërdrejt me mungesën e një vizioni e aksioni diametralisht të kundërt për çdo gjë që nga çështjet e qeverisjes dhe interesit të përbashkët publik e kombëtar. Ky ekstremizim i ballafaqimit politik, i lë vendet e varfra peng të elitave të tyre politike, që nuk prodhojnë dot mirëqeverisje, se gjatë gjithë kohës u lëviz toka nën këmbë dhe nuk realizojnë dot reforma të mëdha demokratizuese dhe modernizuese. Besoj se në këtë tablo mund të inkuadrohet pa frikë edhe Shqipëria e 17 vjetëve, një politikë e vjetër destruktive, që u ka kushtuar shumë jo vetëm qytetarëve shqiptar, por edhe taksapaguesve evropian dhe përtej çdo përpjekje për të bërë klasifikime se ku jemi të parët në Europë, mendoj që nuk kemi si të mos biem në një mendje, që jemi vendi më i varfër i Europës, ku çdo klasifikim tjetër është jo serioz dhe i papërshtatshëm. Filozofia e re e opozitës, në lidhje me ecurinë e Shqipërisë drejt integrimit të plotë në BE dhe NATO, është një filozofi që ndan politikën e ditës dhe konsensusin që duhet të ndërtojmë me palën tjetër, jo duke mbështetur apo për të mbështetur qeverinë, por duke u mbështetur dhe për të mbështetur aspiratat e përbashkëta të shqiptarëve, pa dallim bindjesh politike dhe përkatësish partiake për këto procese, të cilat do të kishin qenë më shumë të përshpejtuara në rast se elita politike nuk do të kishte mbajtur me detyrim thuajse me dhunë, dhe jo vetëm me thuajse, por me dhunë në momente të caktuara të këtyre 17 viteve, të ndarë shqiptarët, aty ku shqiptarët nuk kanë qenë kurrë të ndarë, në idenë e tyre konsensuale për vendin që kanë në BE dhe NATO. Ne nuk mund të jemi dakord kurrsesi me qeverinë për gjendjen ekonomike dhe shoqërore të vendit, për cilësinë e qeverisjes dhe situatën tejet të rëndë sot e gjithë ditën, në sektorët jetikë dhe për këtë ne mendojmë se kjo qeveri nuk e meriton rinovimin e besimit të shqiptarëve. Por ne nuk mund të bëjmë në asnjë mënyrë vetëm pasqyrën ku shqiptarët të shohin deformimet e mëdha të qeverisjes dhe krizat e rënda në sektorët jetik, sepse për të nxjerrë Shqipërinë nga varfëria dhe prapambetja, opozita duhet të jetë jo vetëm premtimi për të nesërmen, por edhe fuqia që ndikon pozitivisht të sotmen, duke dialoguar dhe konkluduar për reformat e demokratizimit, të modernizimit dhe të integrimit. Pa një kulturë të re demokratike, nuk ka as zhvillim të madh ekonomik dhe as zhvillim të qëndrueshëm shoqëror dhe kjo është bindja ime. Natyrisht, këtë bindje e përforcon edhe eksperienca e të gjitha vendeve që dolën nga kallkani komunist dhe që u vunë në garë secili në korsinë e tij, për të arritur bashkimin evropian. Asnjë nga këto eksperienca, nuk tregon gjë tjetër përveçse vullnetin e përbashkët për të realizuar aspiratat e përbashkëta të qytetarëve në rrugën e integrimit, flas për aspirata të përbashkëta në një vend, ku besoj ka konsensusin më të lartë, për integrimin në NATO dhe BE, se të gjitha vendet e tjera, ku ka pasur një frymë mazhoritare për këtë integrim, por ka pasur dhe ka sot e gjithë ditën, madje edhe në vende që janë ulur në tryezën e be, forca parlamentare me vokacion anti-europioan, që gjë që në Shqipëri për fat të mirë nuk ndodhë, edhe pse politika shqiptare ka pasur një vokacion anti-europian në sjelljen dhe përqasjen e saj, jo në programin dhe në fjalët e saj. Ne nuk mund të jemi të kënaqur dhe as nuk mund të jemi të butë me gjendjen e korrupsionit në Shqipëri, kjo gjendje është përkeqësuar sipas nesh dhe këtë nuk e themi ne, këtë e shohim në studimet, në anketimet, dhe çka tregojnë shqiptarët në ballafaqimin me shtetin, këtë e shohim në skandalet publike dhe objekt i hetimeve të prokurorisë, por ne nuk mund të mjaftohemi me denoncimin e korrupsionit, por duhet të nxitim dhe të bëjmë të mundura reformat e demokratizimit dhe modernizimit, që janë sipas nesh, ilaçi i vërtetë kundër korrupsionit, që nuk luftohet me retorikë, nuk luftohet me përbetime duarsh të pastra, nuk luftohet si një palë kundër një pale, por luftohet duke ndërtuar shtetin, i cili funksionon si një mekanizëm, ku korrupsioni nuk e ndërton dot alternativën e shërbimit të tij. Dua të falënderoj ambasadorin Xhon Uidhërs, për kontributin e tij, edhe dje, me sugjerimet konkrete, për mënyrën se si duhet t’i përqasemi kësaj problematike dhe nga ana tjetër, dua të them se ne jemi të hapur ta diskutojmë çështjen e kufizimit të imunitetit pasi ne gjykojmë se sot nuk kemi kushtet e gjuetisë së shtrigave të deri një viti më parë. Nga ana tjetër më lejoni të përfitoj nga ky rast, për të shprehur mospajtimin tim të plotë për faktin që të rejat dhe të rinjtë e këtij vendi, por edhe çdo shqiptare e shqiptar, mund të kuptojnë sot lirisht vetëm në 17 vende të globit, ndërkohë që jo vetëm fqinjët tanë kanë shumë e shumë më tepër porta të hapura, pa viza, por edhe koreanë veriorët. E pra, kjo është një gjendje, në të cilën ne nuk mund dhe nuk duhet të pajtohemi. Pa dyshim, që kjo ka të bëjë me probleme, me karaktere objektiv, që mbeten për t’u zgjidhur nga ne, përfaqësuesit politik të shqiptarëve, por ka të bëjë edhe me nevojën për një përqasje më të emancipuar do të thosha, nga ana e partnerëve tanë evropian. Një student i imi para shumë vitesh, më mbeti në kujtesë sepse sa herë më shikonte, më kërkonte ndihmë për të marrë një vizë. Kisha shumë vite pa e parë dhe e ndesha në rrugë,  afro një muaj më parë dhe i thashë: Mbete në Shqipëri, nuk ike dot jashtë shtetit. Jo më tha, tani kam vizë, nuk kam pse të iki.” E pra, çështja e vizës, është si dritat e dyerve të sigurisë në një kinema, pa të cilat njeriu ndihet në rrezik, ndihet i izoluar, ndihet i asfiksuar, ndërkohë që eksperiencat dhe faktet tregojnë se në ato vende ku shqiptarët shkojnë lirisht, nuk janë të disponuar, kthehen në rezident dhe mbi të gjitha nuk janë pre e rrjeteve të krimit të organizuar, sepse kanë mundësi të rikthehen në Shqipëri, ku në ato vende shqiptarët shkojnë për pushime, biznes, kuriozitet dhe punë sezonale, ndërsa një nga përgjigjet më konkrete dhe më të efektshme edhe ndaj kriminalitetit në Europën e sotme, është moslënia e të rejave dhe të rinjve që pasi kanë ndërmarrë një aventurë me kosto të lartë, të mbetur pa shpresë, të kthehen në skllevër të rrjeteve të organizuara. Nga ana tjetër, nuk ka dyshim që të plotësojmë një kërkesë të thjeshtë, të numërojmë njerëzit tanë, t’ju japim njerëzve tanë identitetin e tyre të pafalsifikueshëm dhe të padyshimtë me karta dhe pasaporta që të jenë të standardeve të be. Kështu që padyshim, ne mbetemi shumë të shqetësuar, koha ikën, në tenderin e kartave të identitet pati një ndërhyrje flagrant kur procedurat kishin filluar dhe një rezultat të kompromentuar nga kjo ndërhyrje. Sot e gjithë ditën, ne nuk dimë kur do të fillojë, sa do të zgjatë, si do të realizohet dhe si do të bëhet e mundur shpërndarja e kartave të identitetit për çdo qytetar të Shqipërisë, nga qendra e Tiranës deri në malet më të largëta. Kemi qenë nismëtar dhe pjesëmarrës aktiv në procesin e reformës në drejtësi dhe dëshirojmë dhe do të mbetemi të tillë, duke mos reshtur së kërkuari ndihmën e ekspertëve evropian dhe amerikan, për të bërë ato ndërhyrje të studiuara sistemime, që plotësojnë kuadrin e një drejtësie evropiane në Shqipëri dhe kjo nuk është as e majtë e as e djathtë, kjo nuk është as e jona dhe as e tyre, kjo është kërkesë legjitime e qytetarëve dhe qytetareve të këtij vendi dhe normë legjitime për t’u bashkuar, në atë familje të madhe ku ne nuk mund të kemi dy standarde dhe dy matëse. Por, nga ana tjetër unë mendoj dhe shprehë këtu edhe bindjen e Partisë Socialiste, se është koha që ne të hedhim një hap tjetër. Integrimi evropian nuk mund të mbetet apo të rrezikojë të mbetet si një çështje burokratësh në disa dikastere dhe si një propagandë permanente e forcave politike. Integrimi evropian duhet të kthehet në një shtysë të re, ashtu siç u kthye festa për në NATO në Samitin e Bukureshtit, në një sfidë të re dhe duhet të aplikojmë për të marrë statusin  e vendit kandidat. Mendoj se jo më vonë se në vjeshtën e ardhshme, pavarësisht skepticizmit, pavarësisht përpjekjeve dashamirëse për të na e ngadalësuar në këtë poçes, sepse në fund të fundit, thjesht dhe vetëm, marrja dhe plotësimi i 4300 pyetjeve për të bërë aplikimin, do të na tregojë konkretisht e realisht, shumë e shumë gjëra dhe do të na hap shumë e shumë fronte konkrete pune, një pune që duhet të jetë pjesë e vetëdijes së çdo nënpunësi publik në Shqipëri dhe jo pjesë e rutinës së një dikasteri së bashku me disa të tjerë, që dinë gjuhën e burokracisë, por që nuk mund dot ta përçojnë këtë poçes tek shqiptarët dhe shqiptaret si një impuls të ri, si një impuls tjetër, që të na nxjerrë nga këto kushte kur integrimi evropian është bërë si horizonti i kuq, që na thoshin se do e arrijmë një ditë, por kjo ditë nuk ishte asnjëherë sot, por ishte nesër. Së fundmi, dua të them, se për këtë qëllim, grupi ynë parlamentar do të çoj shumë shpejtë në Kuvendin e Shqipërisë, një projekt rezolutë dhe do t’ju kërkojë të gjitha forcave politike parlamentare, që ta miratojnë atë, për t’i kërkuar qeverisë se jo më larg se vjeshta e ardhshme të paraqesin kërkesën për të aplikuar për statusin e vendit kandidat për në BE, si një akt vetëdije por edhe si një akt angazhimi për të përmbushur përmes veprimit të koordinuar të gjitha forcave politike të të gjithë detyrimeve të përbashkëta dhe për të arritur objektivin strategjik të anëtarësimit në BE, që e duam për fëmijët tanë, por pa dyshim e duam edhe për njëri-tjetrin dhe pse jo për ata të moshuar, që pas një jete plot sakrifica dhe një tranzicioni që nuk i ka shpërblyer, së paku moralisht, do të ishte një mënyrë e mirë për t’u thënë lamtumirë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

7 Komente

  1. Ll thotë:

    10 May 2008 @ 7:27 am

    …dua të them se ne jemi të hapur ta diskutojmë çështjen e kufizimit të imunitetit pasi ne gjykojmë se sot nuk kemi kushtet e gjuetisë së shtrigave të deri një viti më parë….

    Hmmm, interesant ky pohim. Eshte gje e mire te degjosh se sa shume pika perbashketa paskan gjetur te dyja palet qe po bien kaq shume dakort kohet e fundit vecse eshte pak e cuditshme qe nese deri dje thuhej qe ishte Sollaku ai qe e pengonte luften kundra korrupsionit (dmth te akuzuarve te para 3 viteve), sot ajo lufte (gjuetia e shtrigave) s’ekziston me pavarsisht emerimit te prokurores se re.

  2. Artian thotë:

    10 May 2008 @ 9:48 am

    …duke mos reshtur së kërkuari ndihmën e ekspertëve evropian dhe amerikan, ….

    Po keni 18 vjet
    me ndimen e eksperteve
    evropian dhe amerikan..!…dhe perseri s`po zini mend ore..!

    ..Prane dijes
    te pa nxene..

    (Noli)

  3. gene thotë:

    10 May 2008 @ 9:53 am

    Me interesant akoma eshte fakti qe ky e thote pas ambasadorit amerikan dhe pasi ky i fundit iu drejtua prokurorise per gerdecin dhe i garantoi mbeshetje per te hetuar politikanet. (aty ku e quajti edhe ramen “burre shteti”)

    Ky ambasador po luan nje rol shume aktiv dhe, nga te dyja njera: ose do te na zhysin akoma me thelle (po nuk shoh te kene ndonje interes), ose po luan rolin e garantit per nje jete insitucionale relativisht normale (normaliteti garanton moderim dhe moderimi paqe e nenshtrim).

  4. Zana thotë:

    10 May 2008 @ 4:24 pm

    Mua me duket se ky ambasadori amerikan po fut pak si teper hundet ne menyre plateale ne punet e Shqiperise.Pozicioni i nje ambasadori qofte ky edhe amerikan eshte i percaktuar me ligje.
    Heqja e imunitetit te deputeteve ne nje vend me nje korrupsion te tille si Shqiperia do ishte fatale per vete demokracine.

  5. Koth thotë:

    11 May 2008 @ 9:55 am

    O Admin qe beni sikur keni pune !

    Dje ne Sheshin Skenderbej u be nje proteste qe e organizuan ata qe jane per nje referendum qe kundershton disa ndryshime kushtetuese.
    Ka rrezik te kete te drejte ai rrushkoja , Altin Goxhaj, kur thote qe e keni shit peshkun :) , por ama sikur kete protesten ta kishte organizuar Kryetari Rama me Artan Lamen dhe Ledi Shamkun do e kishit vene ne balle te vendit ama dhe me foto te bukura.

    Ja qe tani e imagjinoj Ramen me duart e zgjatura drejt perendimit pertej te majtes dhe te djathtes dhe me nje qiri te ndez ne dore duke bere thirje : Mos mallko erresisen por ndiz nje qiri qe te besh drite !

    Ka pjerdh nga trute e kokes Kryetari Rama , shif cer thote :

    Një student i imi para shumë vitesh, më mbeti në kujtesë sepse sa herë më shikonte, më kërkonte ndihmë për të marrë një vizë. Kisha shumë vite pa e parë dhe e ndesha në rrugë, afro një muaj më parë dhe i thashë: Mbete në Shqipëri, nuk ike dot jashtë shtetit. Jo më tha, tani kam vizë, nuk kam pse të iki.”

    Kryetari vizionar vetem para nje muaji i eshte drejtuar nje ish studenti te tij : he mer hala ketu ti ?!?!

    Per ata qe jane te ngeshem ! :)

    Sot keni rastin te shikoni se kush jane mediat qe kontrollon Kryetari Rama.

  6. Ll thotë:

    11 May 2008 @ 5:01 pm

    O Kothe, jo vetem pune, po edhe pushime ndonjehere :)

  7. emigrant thotë:

    11 May 2008 @ 5:07 pm

    Me tregote i here nje e njoftmja ime gazetare per i mbledhje me Ramen. Per stilin e tij me nje fjale. Kishte shku njona e bashkise jashte me sherbim dhe po tregonte ne mbledhje per gjona qe sikur s’para kishin lidhje me punen. Si ne albani mo, ku perzihet business me leisure ene bohet sallate. E kishte nderpre ky. Nigjo i kishte thone, s’po na intereso shum ku je shker^^y ti anej… Cer ke me na thon per punen… :D :P
    Une do i hiqsha kapelen ne fakt, po te jete e vertete kjo!

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com