Login



Register

QSUT, pacientët shuajnë vapën me “peshqirë të lagur“

Metropol
Pavijonet e Kardiologjisë dhe Pediatrisë të tejmbushura nga fluksi i pacientëve

Vapa e tmerrshme që ka pushtuar prej ditësh vendin ka vënë në gjendje alarmi pavijonet e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, pasi situata shëndetësore e pacientëve është rënduar dhe më shumë. Me përjashtim të pavijoneve të reanimacionit dhe të sallave të operacionit të gjitha repartet e tjera të spitalit nuk janë të pajisura me elementë kondicionimi. Ndërkohë që pacientët nga ana tjetër për t’i shpëtuar vapës së madhe detyrohen që të sjellin ndonjë mjet nga shtëpia, por pjesa më e madhe mbajnë peshqirë të lagur për të larguar sado pak vapën. Problematike sipas mjekëve gjendja mbetet për pacientët, të cilët sapo lënë sallat e operacioneve dhe detyrohen të shtrohen në pavijone, ku pëlcasin nga vapa. Ndërkohë që dhe plaga mund të rrezikohet për shkak të mbledhjes së infeksioneve. Simptoma të rënda të vapës së madhe janë ndjerë sidomos në urgjencat e Pediatrisë dhe të Kirurgjisë. Kështu nga të dhënat zyrtare të QSUT-së, rezulton se në një ditë paraqiten për trajtim më shumë se 210 fëmijë në urgjencën e spitalit Pediatrik. Ndërkohë që numri i fëmijëve të prekur nga simptomat që lënë temperaturat e larta mendohet të jetë dhe më i lartë për shkak se një pjesë e madhe e tyre i drejtohen poliklinikave për të marrë trajtimin fillestar. Po e njëjta situatë emergjence është krijuar dhe në repartin e urgjencës së Kardiologjisë ku pacientët për të eliminuar sadopak vapën e madhe kanë filluar të bëjnë ecejake lart e poshtë në korridoret e spitalit me peshqirë të lagur nëpër duar, ndërsa e gjithë godina është e ekspozuar ndaj diellit, duke lëshuar një nxehtësi të padurueshme. Mjekët nga ana tjetër këshillojnë që prindërit sidomos të kenë shumë kujdes në trajtimin e fëmijëve të tyre. Kjo duke i mbajtur në vende të freskëta si dhe duke i dhënë për konsum sa më shumë lëngje për të kompensuar humbjet.

Detaje

· Korridoret e pavijoneve në QSUT, tejmbushen gjatë ditës nga lëvizja e pacientëve, të cilët enden lart e poshtë me peshqir të lagur nëpër duar për t’i shpëtuar vapës dhe temperaturave të larta. Ndërkohë që sistemet e kondicionimit nuk ekzistojnë.

· Kardiologjia dhe Pediatria gjatë këtyre ditëve janë përballur me një fluks të lartë pacientësh. Kështu vetëm në urgjencën e Pediatrisë paraqiten në ditë për vizitë më shumë se 210 fëmijë, ndërsa të tjerë i drejtohen poliklinikave për trajtim .

Zhvillimi i operacioneve gjatë kësaj kohe mbetet problematik. Ndonëse sallat janë të vetmet dhoma të pajisura me elementet e kondicionimit dhe nxjerra e pacientit pas operacionit mbart problemet. Kjo për shkak të infeksioneve që mund të pësojë plaga pas shtrimit në dhomë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. blete Shkruaji mesazh privat thotë:

    26 June 2007 @ 5:11 pm

    ky lajm eshte per te vene duart ne koke. e mbaj mend kur m’u desh te hiqja apandesitin, te tere thane qe isha me fat se ishte fund prilli dhe vapa nuk kishte filluar akoma. kisha shpresa qe pas 12 vjetesh do te ishte rregulluar dicka.

  2. INA thotë:

    28 June 2007 @ 1:49 am

    Te pa preokupuar fare keta qeveritare. Spitali eshte shteteror, duhet te marrin masa; hajde ne dimer mbulohesh dhe rrezik per plagen s’ka, po vapes cfare t’i besh? Te shkretet njerez thuaj, sos semundja e fillimit po ka rrezik te marrin dhe ndonje semundje tjeter. Keq, shume keq, gjera te tilla duhet te jene paresore.

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.