Qeveria: Nuk po pengojmë hetimet e prokurorisë
Gazeta Shqiptare
Qeveria shqiptare nuk dha dje asnjë shpjegim të detajua zyrtar lidhur me pretendimin e Prokurorisë së Përgjithshme, se ajo po pengon në hetimin e tenderit të rrugës Rrëshen-Kalimash. Këtë e bëri të ditur dje, drejtori i Informacionit pranë kabinetit të Kryeministrit Berisha, Grid Rroji. “Nuk kemi ndonjë reagim zyrtar për këtë”, - u shpreh ai dje për “Gazetën”. Lidhur me këtë, ai sugjeroi që të interesuarit për këtë çështje t’i drejtohen Ministrisë së Transporteve, ku gjendet aktualisht i gjithë dokumentacioni për aksin rrugor Rrëshen-Kalimash. Për sa i përket faktit se prokuroria dy ditë më parë u shpreh se “qeveria po pengon hetimet”, Rroji shtoji se “nuk ka asnjë tentativë nga ana e qeverisë për të bllokuar procesin e hetimit”. Këto fjali ishin i vetmi reagim zyrtar i qeverisë në lidhje me çështjen e shumëpërfolur të tenderit të këtij aksi rrugor.
Ndërsa ish-Sekretari i Përgjithshëm i qeverisë shqiptare në vitin 2006, Myqerem Tafaj, kohë kur u diskutua dhe u miratua investimi për këtë rrugë, bëri të ditur se i gjithë dokumentacioni i mbledhjeve të qeverisë ruhet nga sekretari i përgjithshëm. Pra, ai la të kuptohet si ai dokumentacion ekziston në zyrën e këtij funksionari, që aktualisht është Gjergj Lezhja. “Për të gjitha mbledhjet e qeverisë ka procesverbale, të cilat mbahen nga sekretari i përgjithshëm”, - tha dje Tafaj. I pyetur nëse këto materiale duhet t’u vihen në dispozicion organeve të prokurorisë kur ajo i kërkon, ai u shpreh se “nuk jam ekspert ligjor për këto çështje”.
Por sipas rregullit, duke përjashtuar ministrat, përveç sekretarit të përgjithshëm, në mbledhjet e qeverisë merr pjesë edhe drejtori i Informacionit, i cili i dokumenton mbledhjet e qeverisë, gjithnjë si pjesë e informacionit që duhet t’i shpërndahet mediave, apo si pjesë e arkivit të kësaj drejtorie.
Mbajtja e procesverbaleve të qeverisë bëhet me anë të dy punonjëseve të specializuara në këtë punë, të cilët marrin shënim dhe regjistrojnë të gjitha mbledhjet e qeverisë. Që të dyja këto janë në varësi të sekretarit të përgjithshëm.
Segmenti Rrëshen-Kalimash, që është pjesë e korridorit Durrës-Kukës-Morinë, ka qenë në qendër të vëmendjes të organit të akuzës, i cili është shprehur se për tenderin e këtij aksi janë vërejtur shkelje të rënda. Prandaj, ky organ ka kërkuar me anë të një shkrese zyrtare që qeveria shqiptare t’i vendosë në dispozicion procesverbalin e mbledhjes së qeverisë kur është miratuar tenderi. Kjo kërkesë ka ardhur si pasojë e informacioneve që ka prokurori i çështjes, se në këtë mbledhje ka pasur debat, ku ministra të ndryshëm kanë kundërshtuar idenë e dhënies së tenderit në mënyrë të drejtpërdrejtë firmës “Betchel Enka”, pasi një gjë e tillë nuk kishte mbështetje ligjore. Burimet zyrtare të organit të akuzës bëjnë të ditur se, nëse ky procesverbal dhe materiale të tjera të kërkuara nuk vihen në dispozicion, atëherë do të ketë ndjekje penale për njerëzit që pengojnë punën e prokurorisë. E duket se në këtë rast është Gjergj Lezhja më në qendër të vëmendjes së kësaj çështjeje, pasi ai kryen funksionet e Sekretarit të Përgjithshëm.
Fillimin e punimeve të këtij segmenti i përuroi vetë Kryeministri Berisha dhe ministri i atëhershëm i Transporteve, Lulzim Basha, me një shpërthim simbolik. Ky përurim ndodhi gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet lokale të 18 shkurtit. Projekti në fjalë ka një vlerë prej 418 milionë eurosh.


Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.