Pse mendohen këto sheshe
Sa herë që kaloj në rrethrrotullimin e Zogut të Zi e gjej veten duke imagjinuar mbledhjen në të cilën ky sheh u emërua sheshi “Rilindja”. Kjo më ndodh sepse sa herë që kaloj aty, më kaplon një ndjenjë sikleti në lidhje me këtë emër, për shkak të pluhurit gjithnjë të bollshëm dhe trafikut asnjëherë të pakët, por jo vetëm për këtë. Kujtoj shembjen e atij që tashmë mund të quhet mbikalimi i mbetur në tentativë, zhurmën e madhe dhe debatin me artileri të rëndë për destinacionin përfundimtar të sheshit. Kujtoj argumentimin e flaktë të palëve, sepse ky ishte një monstër prej betoni, ky do ta gllabëronte jetën urbane në këtë zonë, ky do të ishte një krim kaq i përbindshëm sa që mund të na përndiqte edhe nëpër ëndrra.
Ky duhet të ishte simboli i parë i një qeverisjeje që përgatitej të bënte gjëra të mëdha për këtë vend. I një fryme të re në ajrin e rëndë e të infektuar me turlifarë pisllëqesh të këtij 15-vjeçari të parë të tranzicionit. Duhet të ishte një fillim i ri, me duar të pastra, me synime të larta, me begati e bollëk. Dhe emrin “Rilindja” unë e shihja si një emër të ngarkuar me një simbolikë të qëllimshme. Ishte shpallja jo dhe aq e nënkuptuar e qëllimeve të mira, e fillimit të ri, e shpresës, e një kohe në të cilën do të ishim dëshmitarë dhe bashkëautorë të historisë tonë. Por ditët zunë të kalojnë një nga një, dhe rilindja jonë mbeti edhe kjo një tentativë. Ose akoma më keq, shpejt u kuptua se gjithë ky zell, ky vrull, nuk ishte gjë tjetër përveç një makiazhi të rëndë për një fytyrë të konsumuar, të dalë boje, të rrudhur nga kompromiset e të bërit të Shqipërisë atë që është sot. Dhe në vazhdën, ose në majën e këtij makiazhi të rëndë, kjo rilindja nuk ishte gjë tjetër veç një bizhuterie të falsifikuar paq, një gënjeshtër e madhe, njëçikë si rrobat e padukshme të mbretit lakuriq. Dhe ky makiazh pati domosdo fatin e të gjithë makiazheve. Ai u zhbë me shiun e parë. Rrëshkiti mbi atë fytyrë të shëmtuar i shpëlarë nga uji, i cili la pas vetëm gjurmët e zvarritura të bojës mbi fytyrë. Pastaj filluan errësirat e krizës energjitike, rritja e çmimeve, shpërthimet. Ato fshinë edhe njollat e fundit të makiazhit duke na dhanë para syve një fytyrë të shëmtuar e madje të frikshme.
Kur në këtë kohë pranëvere në Tiranë bie shi, qyteti vishet me një qetësi ëngjëllore. Është gati surreale heshtja që derdhet nëpër rrugë dhe qetësia e brendshme që kjo kohë rezaton tek njerëzit. E megjithë këtë mrekulli të vogël të natyrës, më zë një trishtim i befasishëm dhe i thellë kur shoh se shatërvani i ndërtuar mbi rrethrrotullimin e sheshit “Rilindja” ndizet dhe hedh ujë vetëm kur bie shi, për tu fikur pastaj disa orë pasi shiu ka pushuar. Ky racionim i ujit të shatërvanit më duket si një shpërblim i dhënë me porosi. Si një dozë morfinë për një të plagosur rëndë, për një të sëmurë terminal. Si përkujtimi më grotesk i një përpjekjeje të dështuar, ose kurrë të nisur.


27 May 2008 @ 6:50 pm
…Si një dozë morfinë për një të plagosur rëndë, për një të sëmurë terminal…
Qe do te thote Shqiperia. E more Strangeman te marrte e mira te marrte, ku ma ke gjetur kete krahasim.
28 May 2008 @ 9:06 am
Sinqerisht me kenaqe me kete ese. Edhe une ashtu si dhe ty me acarohen nervat sa here kaloj nga Zogu i Zi dhe kujtoj jo pa mllef hakmarrjen groteske te Ministrit te Pare ndaj ndertimit te mbikalimit. Qe ne kete shesh do te behen vepra ne infrastrukture per lehtesimin e qarkullimit kjo merret me mend, por pse duhet te jemi gjithmone te vonuar ne kohe kete une kurre nuk e toleroj. Prandaj jam kunder atyre njerezve qe ne endrat e tyre shohin vetem shpella te ereta dhe zhapik te uritur.
29 May 2008 @ 4:26 pm
Ai sheshi eshte quajtur ashu se u hoq emri rruges Punetoret e Rilindjes ja vune Presidenti Bush, se pak rruge kishte pa emer ne tirane per ti bere qefin bushit, por do harrojme puntoret e Rilindjes. E kush ka punuar me teper per shqiperine , Nano , Edi , Sala apo do punoje Meta do beje raki dhe ta shesim? - se keto tjeret i shiten te gjitha.
29 May 2008 @ 9:37 pm
I pakuptueshem eshte fakti qe kjo fytyre e frikshme nuk i tremb aspak shqiptaret. Jane familiarizuar aq shume me te…
30 May 2008 @ 4:54 am
StrangeMan nuk është i çuditshëm vetëm për aspektin e tij (s’e di se pse e imagjinoj me një mjekërr të parruajtur dhe të thinjur
), nuk është i çuditshëm as dhe vetëm për gjetjen dhe përdorimin e fjalëve të bukura (kemi patur rastin të verifikojmë dhe këtu tek peshku që jemi popull poetësh dhe shkrimtarësh).
E çuditshmja e këtij Njeriu është se është nga të paktët njerëz nga mëmëdhëmbja që arrin ti shikojë gjërat ashtu siç janë… me syrin e ndokujt akoma të painfektuar nga ethet e tifozllikut të çmëndur ideollogjik e partiak.