Ja pse Kosova do të bëhet monoetnike

Të vërtetat rreth së vërtetës pse Kosova do të bëhet monoetnike.

Kur faktori demografik dhe fakti statistik bëhen çelës edhe të zgjidhjes së problemeve dhe të raporteve politike, atëherë bëhet i kuptueshëm angazhimi i qarqeve dhe regjimeve politike për të manipuluar me të dhëna statistikore dhe dimensionin etniko-demografik të një territori. Tashmë më se një shekull Serbia zyrtare dhe qarqet shkencore e kulturore të saj kështu vepruan ndaj Kosovës dhe kompozicionit etnik të saj.
Në të gjitha synimet e projekteve serbe plleshmëria e femrës shqiptare konsiderohej si një nga pengesat më të mëdha në mposhtjen e epërsisë numerike dhe reproduktive të shqiptarëve dhe në realizimin e aspiratave shtetomëdha serbe dhe vënies së baraspeshës etnike përmes kolonizimit të Kosovës me serbë dhe dëbimit të shqiptarëve. Lufta institucionale kundër faktorit demografik shqiptar në mënyrë shumë transparente u bë pjesë përbërëse e strategjisë antishqiptare veçanërisht në vitet e ‘80-ta e të ‘90-ta të shekullit të kaluar. Në mitingjet populiste-nacionaliste, ku bëhej homogjenizimi dhe mobilizimi etnik i masave serbe dhe tërë energjia e popullit “hyjnor” serb shfrytëzohej për konfrontim me të gjithë popujt joserbë, nxirreshin parulla me përmbajtje thjesht raciste e gjenocidale, si p. sh. “Shqiptarët shumohen shumë, por farën e kanë të prishur”, “Shqiptarët duhet dëbuar përtej Bjeshkëve të Nemuna”, “Shqiptarët duhet vrarë” etj! Këto 100 vjetët e fundit u realizuan edhe disa valë të kolonizimit të serbëve në Kosovë dhe të ndjekjes së shqiptarëve nga Kosova, por sipas vetë statistikave serbo-jugosllave popullsia shqiptare mbeti dominante në strukturën etnike në gjithë shek. XX; në bazë të gjuhës amtare (“arnautski”, siç e quanin), në pasqyrën etnike të Kosovës në vitin 1921 shqiptarët përbënin 65,8%, ndërsa grupacioni i gjuhës serbokroate përbënte 25,9% dhe i asaj turke 6,3%.
Gjatë sundimit të Millosheviqit, shqiptarofobia mori përmasa shqetësuese dhe shqiptarët nisën të numërohen! Kur politizimi i shtimit natyror të shqiptarëve, i migrimeve të serbëve dhe mitologjia nacionale, e sublimuar në mitin mbi Kosovën, arritën kulminacionin, një demografe serbe nga Qendra për Hulumtime Demografike të Beogradit nxori konstatimin “se në vitin 1987 përqindja e shqiptarëve në Kosovë u rrit në rreth 90% të popullsisë së përgjithshme” (D. Avramov, “Stanovnistvo, 3-4/1990 dhe 1-2/1991, f. 240) dhe Kosova në pikëpamje etnodemografike definitivisht u shqiptarizua, ndërsa grupacioni serb u tëhollua aq shumë sa që më nuk ekziston. Mirëpo, për qëllime manipulative politike, angazhimi i qarqeve politike e shkencore serbe përsëri kulminoi, por në një drejtim tjetër: në strukturën etnike nuk dominojnë shqiptarët, por bashkësitë e tjera kombëtare! Nisi fushata fantastike e zvogëlimit të numrit të shqiptarëve dhe e rritjes së numrit të serbëve, e cila u bë më transparente në prag dhe gjatë Konferencës së Rambujesë (fillimi i vitit 1999). Kryetari i atëhershëm i Serbisë M. Millutinoviq, pa fije turpi theksonte se në Kosovë shqiptarët nuk janë shumicë, por janë nën 50%, madje nën 40%, duke i abstrahuar vlerësimet e vetë institucioneve statistiko-demografike serbe se shqiptarët në vitin 1991 përbënin rreth 82% në popullsinë e gjithmbarshme të Kosovës. Absurdi më i madh ishte shpifja e disa grupeve etnike, të cilat kurrë, as në pikëpamje etnike, as linguistike e as statistike nuk kishin ekzistuar (“goranët”, “egjiptianët”, “ashkalinjtë” etj.).
Shoqëria e sotme kosovare ka këto kontura etnodemografike që ka, ku shqiptarët përbëjnë shumicën dërmuese, rreth 90%. Mund të bisedohet për bashkëjetesë të shumicës shqiptare me pakicat etnike, por multietnicitetit të Kosovës nuk mund t’i jepet dimensioni joreal. Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë që kishin bërë Serbia dhe Jugosllavia në vitin 1991, numri i përgjithshëm i serbëve në Kosovë ishte 194.190 veta (Stanovništvo i domaćinstva SR Jugoslavije prema popisu 1991, SZS, Centar za demografska istraživanja IDN, Beograd, 1995, f. 213), ndërsa sot kërkohet të kthehen në Kosovë deri 300.000 sosh! Serbia tash nuk i pranon as rezultatet e regjistrimeve zyrtare, të cilat i kanë organizuar dhe realizuar vetë autoritetet statistikore e shtetërore të Beogradit. Së bashku me tërheqjen e forcave policore, militare dhe paramilitare serbe pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës më 3 qershor 1999, siç dihet, afër gjysma e serbëve u tërhoq nga Kosova, ndërkaq pjesa tjetër mbeti të jetojë në Kosovë. Organizatat ndërkombëtare bëjnë me dije se sot jeton një numër i konsiderueshëm i serbëve në Kosovë. Sipas organizatës Iniciativa Evropiane për Stabilitet (ESI) “ende ka rreth 130.000 serbë që jetojnë në Kosovë, të cilët përfaqësojnë 2/3 e serbëve që kanë jetuar para luftës. Prej tyre 75 mijë janë duke jetuar në pjesën jugore të lumit Ibër, në zonat kryesisht të banuara nga shqiptarët. Gati të gjithë serbët e qendrave urbane e kanë braktisur vendin, ndërkaq pjesa më e madhe e serbëve të zonave rurale nuk i kanë braktisur asnjëherë shtëpitë e tyre. Situata reale e tyre sot mund të përshkruhet si një komunitet i fermerëve të shpërndarë në tërë Kosovën” (The Lausanne Principe: Multiethnicity, Territory and the Future of Kosovo’s Serbs, European Stability Initiative (ESI), Berlin/Pristina, June 7, 2004).
Numri i serbëve në Kosovës, sipas regjistrimeve zyrtare, pas Luftës II Botërore kishte këtë evolucion: më 1948 - 171.914 (23,6%), më 1981 - 209.497 (13,2%) dhe më 1991 - 194.190 veta (9,9%). Asnjë indikator demografik nuk flet në favor të rritjes së numrit të serbëve. Përkundrazi, duke iu referuar të dhënave të statistikës vitalo-demografike të institucioneve statistikore të Serbisë këta dhjetëvjetëshat e fundit vërehet tendenca e zvogëlimit të numrit të lindjeve dhe e rritjes së numrit të vdekjeve të popullatës serbe në Kosovë. Rezultati është zvogëlimi i vazhdueshëm i shtimit natyror. Kështu në vitin 1990 shtimi natyror i serbëve në Kosovë ishte 2.021 (Demografska statistika 1990, SZS, Beograd, 1992, f. 146, f 178), në vitin 1995 2.135 veta (Demografska statistika 1995, SZS, Beograd, 1998, f. 177, 203), ndërsa në vitin 2000 1.693 veta (Demografska statistika 2000, Beograd, 2002, f. 207, 233). Në këtë periudhë, mesatarja e shtimit natyror të serbëve është 1.949 veta, që do të thotë se në periudhën 1990-2000 serbët e Kosovës kanë pasur një shtim natyror prej 19.490 vetave. Kur kjo shumë i shtohet masës demografike prej 194.190 vetave të kombësisë serbe, të evidentuar me regjistrim zyrtar të vitit 1991, atëherë del se numri i përgjithshëm i serbëve në vitin 2001 është 213.680 veta, por me kusht që të mos ishte shpërngulur asnjë serb nga Kosova, gjë që nuk ishte e mundur, sepse serbët, përkundër përpjekjeve të regjimit që ta rrisnin numrin e tyre, gjithnjë kishin saldo negative migruese dhe rënie të shtimit natyror. Në situatën e tendosur politike dhe të armiqësisë së futur midis shqiptarëve dhe serbëve me instrumentalizimin e serbëve të Kosovës nga pushteti qendror i Serbisë, serbët e Kosovës në rastin e parë të volitshëm emigronin në Serbi dhe nguliteshin në zonat urbane të saj; nga shitja e pasurisë së patundshme në Kosovë realizonin fitime të mëdha, nga të cilat blinin pasuri me çmime disa herë më të ulëta në Serbi dhe u mbeteshin kursime. Por këtë fakt regjimi i Millosheviqit nuk e pranonte për arsye se edhe pas okupimit të Kosovës dhe veprimeve gjenocidale, para opinionit serb nuk kishte më si t’i akuzonte shqiptarët për “ndjekjen” e serbëve nga Kosova.
Edhe projeksionet e bëra para më se 10 vjetëve tregonin se numri i serbëve në Kosovë shënonte tendencë të rënies. Kështu, për vitin 2001 parashihej që në Kosovë numri i serbëve (së bashku me malazezët) të ishte 194.000 veta (8,1%), në vitin 2011 170.000 (5,9%), në vitin 2021 155.000 (4,6%) dhe në vitin 2051 130.000 veta ose 2,9% (B. Krstić, Kosovo izmedju istorijskog i etničkog prava, Kuća Vid, Beograd, 1994, f. 193). Kjo është e vërteta etniko-demografike e serbëve të Kosovës. Prandaj a ësht e mundur që pëskaj këtyre fakteve Kosova të bëhet multietnike kur nuk ka se si?.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

2 Komente

  1. Bla thotë:

    29 April 2007 @ 6:59 pm

    Heret per teza te tilla.

  2. Kemail H.Hyseni thotë:

    29 April 2007 @ 9:53 pm

    Shqipëtarët kanë vandos që të mos vonohen ma por të paraprin pë ti arritur të tjerët.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com