PS, deputetët kundër kryesisë
Deputetët socialistë ishin kundër propozimeve të kryesisë socialiste.
Aristir Lumezi
Panorama
Grupi parlamentar socialist ka hedhur poshtë dje propozimin e kryesisë për mënyrën e zgjedhjes së presidentit të Republikës. “Presidenti nuk mund të zgjidhet me aq vota sa zgjidhet dhe kabineti qeveritar”, mësohet të jetë shprehur deputeti socialist Marko Bello dje në mbledhjen e grupit parlamentar. Pas shumë kohësh, dje në grupin parlamentar socialist janë rikthyer diskutimet me vendimmarrje në kundërshtim me kryesinë socialiste. Deputetët socialistë kanë kërkuar që propozimet për ndryshimet kushtetuese të mos kalojnë të gjitha en bloc, por fillimisht vetëm ato për sa i takon reformës zgjedhore. Por nuk ka qenë vetëm Marko Bello ai që ka qenë kundër propozimit të kryesisë, por edhe deputetët Dervishi, Stefa, Sherifi etj., që kanë kërkuar rishikimin e këtij propozimi. Anëtari i kryesisë socialiste, Arben Isaraj, pas mbledhjes së kryesisë bëri publik propozimin që kjo kryesi bënte për zgjedhjen e presidentit të Republikës, duke hedhur poshtë propozimet e Partisë Demokratike për ngushtim të kompetencave të kreut të shtetit. “Lidhur me zgjedhjen e presidentit, PS-ja bëri të ditur variantin e saj me katër raunde nëpërmjet kësaj procedure: dy raunde me tre të pestat e votave, raundi i tretë me 70+1 të votave dhe raundi i katërt të kalojë në popull”, u shpreh Isaraj. Por grupi socialist nuk ka qenë dakord me këtë procedurë zgjedhjeje të presidentit. Sipas deputetëve socialistë, kreu i shtetit nuk mund të zgjidhet me të njëjtat vota siç zgjidhet dhe qeveria. “Ose presidenti të zgjidhet nga populli që në fillim, ose nëse zgjidhet nga Parlamenti, duhet të jetë Parlamenti ai që duhet të ketë të gjitha të drejtat për ta zgjedhur, ose në pamundësi, ai të shpërndahet dhe të shkojë në zgjedhje”, mësohet të kenë argumentuar deputetët socialistë. Kjo ka bërë që të gjitha propozimet të diskutohen në mbledhjen e ardhshme të grupit.
Propozimet e PD
Deputetët socialistë në kundërshtim me kryesinë, grupi parlamentar nuk i ka pranuar propozimet e Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese, edhe pse kryesia socialiste më parë i kishte parë ato të pranueshme. Deputetët e grupit parlamentar socialist kanë kërkuar që para se t’ia paraqesin socialistëve, demokratët duhet t’i firmosin ato. Besnik Dervishi është shprehur se, “s’mund të diskutohet për amendamente që nuk kanë zbatuar nenin 177, pika 1 të Kushtetutës, kur për ndërmarrjen e një nisme kushtetuese nevojiten firmat e 1/5 të deputetëve”. Mësohet se i të njëjtit mendim kanë qenë edhe deputetë të tjerë, të cilët i kanë kërkuar kryetares së grupit parlamentar, që në bashkëpunim me grupin parlamentar demokrat të rregullohen propozimet kushtetuese me firmat e deputetëve. Gjatë mbledhjes së kryesisë, socialistët pranuan propozimet e PD-së që lidhen me mocionin e besimit të kryeministrit dhe mandatin e prokurorit të Përgjithshëm. Anëtari i kryesisë socialiste, Isaraj, pas mbledhjes së kryesisë bëri të njohur propozimet e PD-së për të cilat PS-ja bie dakord. “Partia Socialiste bie dakord me amendamentet shtesë për projektligjin të propozuar nga Partia Demokratike, me një rregullim teknik, që lidhet me përcaktimin e periudhës zgjedhore. Tjetër gjë për të cilën ne biem dakord, në propozimet shtesë të maxhorancës për amendamentet kushtetuese, është mocioni i besimit dhe ai i mosbesimit, që lidhet me kryeministrin. Ajo çfarë për të cilën ne jemi pro në parim, por që mbetemi të hapur për ta zgjidhur me reformën në drejtësi, është mandati i prokurorit të Përgjithshëm dhe afati që do t’i caktojmë këtij mandati, lidhur me mandatet e tjera kushtetuese”, tha Isaraj.
Kundershtite:
Kryesia
Partia Socialiste, është dakord me propozimet shtesë për amendamentet kushtetuese, që lidhen me zgjedhjen e presidentit, nëpërmjet kësaj procedure; 2 raunde me 3/5 e votave të kuvendit, raundi i tretë me 70+1, dhe raundi i katërt në popull.
Dakord me propozimet shtesë të maxhorancës për amendamentet kushtetuese, mocionin e besimit dhe të mosbesimit, që lidhet me kryeministrin.
Pro në parim, por që mbetemi të hapur për ta zgjidhur me reformën në drejtësi, është mandati i Prokurorit të Përgjithshëm dhe afati që do t’i caktojmë këtij mandati, lidhur me mandatet e tjera kushtetuese
Kundër mandatit të Presidentit, mbarimit të tij dhe marrjen e kompetencave të presidentit, kundërfirmimit të dekretit presidencial
Grupi
PD të firmosë propozimet kushtetuese sipas nenit 177 pika 1 e kushtetutës për nismat kushtetuese
Presidenti nuk mund të zgjidhet nga populli. Në rast se presidenti nuk zgjidhet me 70 plus 1 do të thotë që në kuvend ka humbur maxhorancën qeverisëse dhe ai duhet të shpërndahet
E drejta e opozitës për mocion. Duhet hequr klauzola që e detyron opozitën që krahas kërkesës për mocion, të paraqesë dhe kandidatin për kryeministër
Nuk duhet të jetë e drejtë e kryeministrit që t’i kërkojë presidentit të shpërndajë parlamentin në rast se bie mocioni i tij i besimit ndaj kabinetit qeveritar

Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.