Pronat, Mediu braktis Kuvendin
Shekulli
Anila Rama
19-12-2006
Çështja e kthimit dhe kompensimit të pronave, përçan edhe njëherë tjetër qeverinë dhe koalicionin e djathtë. Maxhoranca arrti me vështirësi të plotësonte kuorumin e votave dje në seancën parlamentare, për miratimin e amendamenteve të ligjit “Për kthimin dhe kompensimin e pronave ish-pronarëve”. Vetëm me 71 vota, shumica arriti të miratonte draftin në fjalë, pas përpjekjeve të bëra në fund, për arritjen e numrit të duhur të votave. Si shkak për mungesën e kuorumit shërbeu jo vetëm mungesa e opozitës, por edhe largimi nga salla i 4 deputetëve të PR-së, Arjan Madhi, Lajla Përnaska, Albert Faruku, së bashku me kryetarin e tyre e ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Deputetët republikanë u larguan nga seanca në shenjë proteste, pasi drejtuesja Jozefina Topalli, nuk i dha fjalën kryetarit të grupit, Madhi, për të shprehur qëndrimin në parim, për ndryshimet e projekt-ligjit që po shqyrtoheshin. Ndërkohë, pjesa tjetër e deputetëve republikanë që mbetën në sallë, abstenuan gjatë votimit të këtij drafti.
Ndryshimet
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, do të rishqyrtojë ligjërisht vendimet e marra nga ish-Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave. Kuvendi dhe më parë Komisionet Parlamentare të Ligjeve dhe të Ekonomisë, miratuan dje amendamentet e hartuara nga qeveria, të cilat parashikojnë procedurat që do të ndjekë AKKP-ja, në rishikimin e vendimeve të marra nga ish- KSHKKP-ja, që drejtohej nga Sokrat Sinaj. Drejtoresha e Përgjithshme e AKKP-së, Justina Boriçi tha në Komisionin e Ekonomisë, se ndryshimet që propozohen synojnë dhënien e garancive për të shmangur vendimet e padrejta nga zyrat e AKKP-së në nivel Qarku, duke i njohur Agjencisë në qendër, të drejtën të shqyrtojë nga e para këto vendime, si dhe duke i njohur të drejtën Avokaturës së Shtetit, për t’i ankimuar ato te zyra qendrore. Ajo shtoi më tej, se ndryshimet e ligjit i japin mundësi AKKP-së, që të shqyrtojë si ankimimet dhe vendimet që do të marrin në vazhdimësi zyrat rajonale, por edhe të rishohë vendimet e dhëna nga ish-komisionerët vendorë, për Kthimin dhe Kompensimin e Pronave, qoftë edhe me nismën e vet. “Në ndryshimet e propozuara, parashikohet që Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, të shprehet me vendim brenda 60 ditëve, për vendimet e ish-komisionerëve vendorë të Kthimit dhe Kompensimit, të ankimuara dhe depozituara në ish-Komitetin Shtetëror të Kthimit dhe Kompensimit te Pronave, që kanë mbetur pa u shqyrtuar”,- tha Boriçi. Ndërkaq, gjatë shqyrtimit të draftit në Komisionin e Ligjeve, disa deputetë e vlerësuan të rëndësishme nismën ligjore të hartuar nga AKKP-ja, e të miratuar më pas nga qeveria, pasi procesi i kthimit të pronave, është një prej objektivave strategjikë që vendi ynë duhet të përmbushë në procesin e integrimit të vendit. Pas këtyre ndryshimeve, AKKP-së i hapet rruga ligjore për të bërë rishqyrtimin e vendimeve të marra nga ish- KSHKKP-ja, apo edhe për të tjera vendime më të hershme, të marra nga struktura të mëparshme të kthimit të pronave. Disa muaj më parë, menjëherë pasi erdhi në krye të AKKP-së, Justina Boriçi e paralajmëroi një gjë të tillë, pra, rishikimin e vendimeve të marra nga ish-Komiteti Shtetëror i Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, gjë që u kundërshtua në atë kohë nga ish-anëtarë të këtij Komiteti, pasi mungonte baza ligjore për të rishikuar këto vendime.
A.Rama
Neni 1
1. Subjektet e shpronësuara, sipas përcaktimit të nenit 3, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, paraqesin pranë zyrave rajonale të Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në Qark, kërkesën e argumentuar për njohjen, kthimin apo kompensimin e pronës, si dhe dokumentacionin e nevojshëm, me të cilin provojnë pretendimet e tyre.
Neni 4
Subjektet e shpronësuara, mund të paraqesin ankesën e argumentuar kundër vendimeve të zyrave rajonale të AKKP-së, në Qark, sipas afateve të përcaktuara në nenin 18, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, në zyrën qendrore të AKKP-së. Kjo ankesë duhet, detyrimisht, të shoqërohet me këto dokumente:
a) Kërkesën ankimore të subjektit të shpronësuar, sipas dhe në zbatim të formularit-tip, të miratuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së;
b) Kopjen e vendimit, i cili ankimohet;
c) Prokurën e posaçme, për rastet kur ankuesi përfaqësohet nga një person i tretë;
ç) Dokumentin e identifikimit të subjektit të shpronësuar apo të përfaqësuesit të tij, të pajisur me prokurë të posaçme;
d) Çdo dokument tjetër, ligjor dhe hartografik, të nevojshëm për zgjidhjen e drejtë të çështjes.
Neni 5
Subjekti i shpronësuar paraqet pranë AKKP-së në qendër, kërkesën e argumentuar për kompensimin e pronës, shoqëruar me dokumentacionin, si më poshtë vijon:
a) Kërkesën e nënshkruar të subjektit të shpronësuar apo të përfaqësuesit të tij, me prokurë, sipas dhe në zbatim të formularit-tip, të përcaktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së, në të cilën përcaktohet edhe njëra nga format e kërkuara të kompensimit, të parashikuara në nenin 11, të ligjit;
b) Vendimin e Zyrës Rajonale të AKKP-së, në Qark, apo të ish-Komisioneve të Kthimit dhe Kompensimit të Pronave për Pasurinë e Paluajtshme, të njohura për t’u kompensuar;
c) Deklaratën personale, për heqje dorë nga e drejta e parablerjes, sipas formularit-tip, të përcaktuar nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së.
Neni 6
Çdo subjekt i shpronësuar, vetëm pas plotësimit të të gjithë dokumentacionit të nevojshëm dhe dorëzimit të kërkesës, në mënyrë të drejtpërdrejtë, në sekretarinë e Zyrave Rajonale të AKKP-së, në Qark apo në qendër, do të pajiset me vërtetimin përkatës, për numrin e protokollit të dosjes së regjistruar. Ky vërtetim ka numrin e protokollit të kërkesës, që i është vënë në çastin e dorëzimit në organet kompetente.
Zyrat e AKKP-së, në qendër apo Qark, administrojnë dhe pranojnë kërkesat e subjekteve të shpronësuara, kundrejt tarifave të caktuara. Këto tarifa caktohen me urdhër të përbashkët të ministrit të Drejtësisë dhe të ministrit të Financave.
Neni 7
Të gjitha kërkesat për njohje dhe kthim, të paraqitura pranë zyrave të AKKP-së, në qendër apo Qark, shqyrtohen sipas rendit kronologjik të paraqitjes së tyre. Mënyra e trajtimit, shqyrtimit, si dhe e dhënies së vendimit për kërkesat apo ankesat e subjekteve të shpronësuara, është në përputhje me nenet 15, 16, 17 e 18, të ligjit nr.9235, datë 29.7.2004, “Për kthimin dhe kompensimin e pronës”, të ndryshuar, me vendimin nr.566, datë 28.8.2006, “Për organizimin dhe funksionimin e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave”, si dhe me aktet e brendshme, të nxjerra nga Drejtori i Përgjithshëm i AKKP-së.
Neni 8
Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, në qendër apo Qark, pas shqyrtimit të kërkesës dhe marrjes së vendimit, pajis subjektet e shpronësuara me dokumentin përkatës për njohjen, masën dhe mënyrën e kthimit ose kompensimit të pronësisë.


Komentet janë mbyllur.
Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.