Profesioni: Mashtruese

Revista Mapo

Blerim Kadiu
info@revistamapo.com

Këtu e 12 vite të shkuara Fredi, një emigrant Shqiptar që kishte mbledhur nga kursimet e pesë viteve të tij një shumë të majme prej rreth 30 milionë lekësh të vjetra, vendosi t’ia niste të atit. Ky i fundit ish- oficer i lartë karriere në Ushtrinë e para viteve ’90, qëndronte në shtëpi si oficer në reformë. Si i kishte sjellë në Shqipëri paratë, në telefon i biri i kishte kërkuar të atit t’i fuste ato para të mbledhura kush e di se si- në një bankë në vend. Por të nesërmen paratë u sistemuan në një nga kasafortat e Sudes, e cila u shemb. Që prej asaj kohe i biri nuk i foli asnjë gjysmë fjale të atit, pse i kishte depozituar paratë tek Sudja. Pas tri muajsh, paratë sipas skemës do të dyfishoheshin dhe ai kishte po aq sa edhe i biri pa u rrezikuar dhe lodhur aspak. Një mbrëmje, vite më vonë, tek sa darkonin familjarisht, në televizor jepej një lajm për Maksude Kadënën dhe shfaqeshin pamjet e saj. Fredit i ngeli ushqimi në grykë dhe iu kthye të atit: Bo booo more baba, po kësaj ia dhe paratë e mia ti ??! Ndërsa shikonte fytyrën e romes, që tashmë vuan dënimin për vjedhje me anë të mashtrimit, emigranti, i biri i oficerit të Ushtrisë së Shqipërisë komuniste- qeshte hidhur me fatin e tij ironik. Edhe më pas, ai, nuk i foli më sërish të atit për ato para…
Thuajse në një qerthull të tillë mashtrimi e kanë parë veten për disa muaj me radhë, një grup njerëzish nga Tirana që mendohet se janë më shumë se 30 persona nga policia e Tiranës. Të gjithë janë mashtruar nga Hanëme Shandori, se do t’iu gjente punë në ambasadën Amerikane, kredi në Bankën Amerikane, apo viza nëse ata donin të udhëtonin për tej Atlantikut. Madje për të shtuar besimin tek prehtë e saj, gruaja prezantohej si punonjëse e selisë diplomatike të SHBA-së në Tiranë. Hetuesit e policisë së Tiranës, pohojnë se nuk është çudi që ndonjërit prej të mashtruarve t’i jetë premtuar deri edhe punë në zyrën e Ambasadorit.

Historia e mashtrueses
Aq shumë kishte marrë dhenë nami i Hanëmes, sa ajo për të marrë paratë dhe për të mos u identifikuar, gjithmonë prezantohej me emrin Lume pa mbiemër pas. “Syzet nuk i hiqte kurrë dhe sapo merrte paratë zhdukej tej”,- pohoi për të përditshmen “Panorama”, dy ditë pas publikimit të historisë, një nga të mashtruarit e Hanëmes.
Hanëmja, gruaja e arrestuar javën e kaluar nga hetuesit e antikrimit ekonomik në kryeqytet, cilësohet nga specialistët përkatës, si përfaqësuesja më e denjë e vjedhjes me anë të mashtrimit për qëllime përfitimi. Nuk ka arsim, dikur ka punuar në një ndërmarrje rrobaqepësie si sekretare, por që për motive që ende nuk dihen ajo e pa veten në rrugë. Si shumë të tjerë, të të njëjtit soj krimi, ajo ka aftësinë e improvizimit të situatës së momentit, bindjes së nevojtarëve se me të -hallet e tyre nuk do të vazhdojnë gjatë. Pa dyshim se informacioni i mbërritur në tavolinën e hetuesve, nga tre denoncuesit e parë nuk ishte shumë i detajuar, aq sa të lejonte që nëpërmjet tij, policia mund të identifikonte dhe të zbulonte gruan 52-vjeçare. Por ata kishin të bënin me një shqetësim dhe me një situatë kriminale mashtrimi. Megjithëse kallëzimi ndaj gruas të jepte idenë e qartë se mashtruesja s’kishte shumë klas. Procedura ishte e thjeshtë: një takim për kafe, premtimi për vendin e punës, dorëzimi i CV-së dhe disa dokumente të tjera dhe në dorë shumën e parave sipas kërkesës për punë në ambasadë, vizë prej saj apo për garanci kredie. Këto ishin rastet me të cilat Hanëmja kishte zgjedhur të mashtronte. Enigma e kësaj radhe, që duhej zbuluar, dukej në pamje të parë që të ishte situatë naive. Hekuran Bregu, shefi i seksionit të Antikrimit Ekonomik në Drejtorinë së Tiranës, thotë se raste të tilla janë të vështira, pasi njerëzit nuk e njohin me identitetin e vërtetë në shumë raste mashtruesin. Nuk ia kanë telefonin dhe për më tepër nuk kanë më të voglin informacion për të. Tre denoncuesit e parë, sipas policisë, kishin pohuar se i kishin paguar Hanëmes së paku nga 1.6 milionë lekë të vjetra, për t’iu nxjerrë një vizë për në SHBA.
“Nuk dija në fakt se si quhej në të vërtetë, por kur e pashë në televizor menjëherë e njoha. Ishte Lumja,- rrëfeu një burrë rreth të 40- ve i papunë. I kishte paguar Lumes, në fakt Hanëme Shandorit, jo pak, por 160 mijë lekë të reja për t’i gjetur një vizë amerikane, që do të thoshte për të heqja qafe e halleve në Shqipëri. Në fakt në vend të mbylleshin, u hap dhe një tjetër: paratë qenë marrë borxh dhe do të laheshin pasi të kishte mbërritur në SHBA.

Shkëlqimi i Lumes
Në muajin maj, tre burra të moshës së mesme, janë paraqitur përpara hetuesve të Antikrimit Ekonomik njëri pas tjetrit, duke pohuar se një grua iu kishte vjedhur paratë. Pasi e kanë dëgjuar viktimën e parë, që më në fund kishte vendosur të denonconte mashtruesen, oficerët e policisë kanë regjistruar procedimin duke marrë një përshkrim të hollësishëm të gruas. Ajo ishte prezantuar si punonjëse e shërbimit të ambasadës dhe që kishte njohjen e duhur me Bankën Amerikane të Shqipërisë. Emra me besueshmëri, si ata të selisë diplomatike të SHBA-së në Tiranë, apo institucionesh financiare si ajo Bankës Amerikanë të Shqipërisë e bënin më të besueshme fjalën e hedhur nga Hanëmja në veshin e bashkëbiseduesit. Sipas njërit prej të dëmtuarve vetëm kaq pak llafe u deshën dhe ata u futën në qerthullin e mashtrimit një nga një. I pari shkoi të lajmëronte shokët, që e pritën me: Urra Urra !!! Gjetëm punë, iu thoshte Skënderi, shokëve të tij në lagje tek rruga “Dervish Hatixheja”, një prej rrugicave ndanë bulevardit “Zogu i Parë”. Pas tij nuk vonuan shumë dhe shumë shokë të tjerë zunë radhën tek Lumja që të çonin dokumentet e tyre ku mjaftonte vetëm një Curriculum, një dëshmi penaliteti, diplomë shkolle dhe kualifikime të tjera qenë bërë si kërkesa të domosdoshme nga Lumja. Nëse mungonte ndonjë dokument, ajo vetë e merrte përsipër dhe ajo kishte çelësin të të zgjidhte çdo peripeci tënden. Mjafton të paguaje atë sipas pazarit dhe këtë punë duhet ta quaje të mbaruar. “Ju e dini se këto punë nuk bëhen pa para. Nuk kam ç të bëj, por me që unë i njoh ata mua ma dëgjojnë llafin, por para duan”. Pasi Lumja iu merrte dokumentet dhe paratë iu linte edhe një takim të dytë, ku nëse qe e mundur ajo kërkonte edhe një këst tjetër lekësh. “Mi kërkon shefi,- mësohet se iu kishte thënë ajo viktimave të saj që çuditërisht, nuk nguronin të paguanin, edhe pse përbrenda i brente dyshimi: Po sikur puna të mos bëhet, a do të m’i japë Lumja prapë lekët ? Në muajin maj, pasi gruaja i kishte plot 200 mijë lekë të reja, një 37 vjeçari nga “Ali Demi”, ajo i kishte pohuar se për një jave intervista në ambasadë për të marrë vizën qe gati, por se duhej të paguante. Një i mashtruar tjetër pohoi policisë se kishte qenë në kërkim të një kredie në një shumë të konsiderueshme, dhe “Lumja”, i kishte treguar se dal unë garant, por duhen 4 milionë lekë. Në një rast të mirë për të ajo e kishte ulur pazarin në 2 milionë lekë parapagim dhe 2 të tjera kur të miratohej kredia. Në këtë formë, gruaja kishte arritur të mblidhte jo pak, por rreth 15 milionë lekë të vjetra.

Rënia e Hanëmes
Pasi kishte mashtruar anë e kënd Tiranës se ishte punonjëse e një misioni diplomatik në Tiranë, gruaja ka menduar të pushojë ca kohë. Bashkë me të shoqin dhe dy fëmijët e saj, Hanëmja, ka menduar të shijojë ca rreze dielli pranë detit. Ndoshta në Durrës tek një hotel luksoz. “Jam në Plazh jam sëmurë dhe tani njerëzit janë me pushime dhe tani s’të pret njeri për vizë”, i ka komunikuar një prej të mashtruarve tashmë të xhindosur, gruaja 52 vjeçare që së fundi kishte zbuluar aftësinë e saj të panjohur. Nga 15 gushti, pushimet morën fund dhe Hanëmja u kthye bashkë me familjen e saj në banesën e saj në një pallat pranë spitaleve. Por gjatë bisedave me klientët, Hanëmja shitej se banonte në një shtëpi luksoze në zonën e ish- bllokut. Një taktikë për të humbur gjurmët. Po atë ditë, një person i penduar, që kishte rënë preh e mashtrimit të saj, i kishte pohuar policisë se gruaja i kishte marrë 40 mijë lekë të reja, për ta futur në punë. “E kam takuar për herë të fundit në një kafe pranë ish- Farmacisë nr. 10,- ka treguar ai. Kishte një palë syze që nuk i hiqte, nuk arrita t’ia shoh asnjëherë fytyrën,- ka rrëfyer i mashtruari. Dy ditë me radhë agjentët e antikrimit ekonomik, kanë ndjekur denoncuesin emri i të cilit nuk bëhet i ditur. Ndërsa ai kontrollonte lokalet e zonës, policia priste një konfirmim të tij nëse ishte apo jo. Ditën e dytë, kërkimet kanë zbuluar Hanëmen pikërisht në lokalin ku ishte takuar me klientin. “Kjo është,- ka treguar i dëmtuari, ndërsa agjentët e policisë i vinin prangat. Fillimisht ajo është hequr si e paditur, por pas kontrollit të banesës, ku u gjetën CV dhe shumë praktika ajo ka pranuar. “Më duheshin ato para sepse kisha fëmijët për të mbajtur dhe doja t’i shkolloja”. Kështu ka pohuar mashtruesja e panjohur për policinë më parë para oficerëve. Gjatë kontrollit të kryer në banesën e saj nga policia u gjetën së paku 23 praktika të personave të ndryshëm, të cilëve ajo iu kishte premtuar punësim, apo kreditim të lehtë me interesa të leverdishëm nga Banka Amerikane e Shqipërisë. Certifikata, dëshmi penaliteti, dokument vendbanimi, vërtetime të ndjekjes penale në gjykatë dhe në prokurori ishin dokumentet më të zakonshme që policia gjeti në banesën e Hanëmes në rrugën “Kongresi i Manastirit”, pranë spitalit të fëmijëve. Ndanë secilës prej praktikave, policia ka gjetur edhe shënimet për lekët e paguara nga secili person. Kjo ka ndihmuar policinë të vërë me shpatulla për muri gruan, e cila ka pasur të vetmen mundësi të pranojë aktivitetin e saj. Të nesërmen e publikimit të lajmit në media të shkruara dhe elektronike, rreth pesë persona mbërritën në drejtorinë e Policisë së Tiranës për të dhënë kallëzimet e tyre. Aktualisht numri i personave që kanë denoncuar Hanëmen, sipas policisë ka shkuar në rreth 8 persona, ndërsa të mashtruarit dyshohet se janë më tepër se 30. Të gjithë ata pritet të thirren nga policia për të dhënë dëshmitë e tyre. Por mashtrimi në emër të një misioni të huaj diplomatik me ndikim në vend dhe me reputacion nuk mund të kalohej pa u verifikuar edhe nga vetë, specialistët e këtij misioni në kryeqytetin Shqiptar.

Edhe Ambasada
amerikane
Në fillim të javës, një përfaqësi e ambasadës amerikane, ka trokitur në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, ku kanë marrë një takim me Drejtorin Muhamet Rrumbullaku dhe hetuesit e antikrimit ekonomik. Përfaqësuesit e ambasadës, kanë kërkuar të dinë nëse gruaja e arrestuar në momentin e arrestimit përveç dokumenteve shkresore që i janë bllokuar, kishte apo mbante dokument identifikues, që tregonte se ajo punonte në ambasadën amerikane, si dhe nëse kishte të njohur apo numra të personelit të misionit diplomatik. Krerët e policisë së Tiranës, kanë pohuar se në një pjesë të mirë të rasteve, gruaja ishte prezantuar si punonjëse e ambasadës, por se asaj nuk i ishte gjetur asnjë lloj dokumenti të tillë. Pasi kanë mësuar disa nga çuditë e gruas, përfaqësuesit amerikanë janë larguar drejt zyrave të tyre me informacion, që iu është dashur mbi rastin në fjalë. Gjykata e Tiranës vlerësoi arrestimin e Hanëmes si të ligjshëm ndërsa ajo duhet të qëndrojë në burg pa afat deri në fund të hetimit. Bashkëshorti i saj, iu ka kthyer paratë së paku dy personave deri më tani, po kjo sipas hetuesve nuk e zhbën historinë, veç se mund të lehtësojë rrethanat e së shoqes për të mos i pasur borxh njeriu.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

Komentet janë mbyllur.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com