Presidenti kroat pa përkthyes në Kuvend
Pas mirëseardhjes së uruar nga kryeparlamentarja Jozefina Topalli, presidenti kroat Stipe Mesiç u foli në gjuhën e tij amtare në sallën e seancës plenare ligjvënësve që kishin fjalimin e tij të përkthyer. Por, vështirë që Mesiçin ta kenë kuptuar në serbo-kroatisht ata që shihnin seancën, pasi nuk kishte përkthyes.
Megjithatë, Mesiç e dha mesazhin e bashkëpunimit të ngushtë dhe të detyrave për Shqipërinë dhe Kroacinë pas marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. “Dëshiroj të saktësoj se demokracia nuk mund të përcaktohet nga numri i zgjedhjeve të zhvilluara. Kjo është e rëndësishme por në rang të parë është lufta ndaj korrupsionit”-tha Mesiçi.
Në një mendje
Sidoqoftë presidentët e Shqipërisë dhe të Kroacisë, Bamir Topi dhe Stipe Mesiç arritën të komunikojnë dje se kishin mendim të njejtë mbi pavarësinë e Kosovës, se gjendja në Ballkan është krejt tjetër dhe se integrimin europian e shohin si të vetmen rrugë për përparim. Fillimisht, ish-kryetar i shtetit të shpërbërë “Jugosllavi” në 1990, Stipe Mesiç, vërejti se Kosova e pavarur është një realitet i ri në rajon dhe se me këtë realitet duhet të jetojmë. “Në përputhje me këto pikëpamje, Republika e Kroacisë e ka njohur Republikën e Kosovës. Duhet patjetër t’i lëmë mënjanë paragjykimet dhe mediokritetet, duhet të pushojmë së qeni robër të së kaluarës dhe miteve historike dhe gjysëmhistorike dhe t’i drejtohemi të ardhmes. Kur flas për rajonin dhe të ardhmen e tij unë kam gjithashtu parasysh edhe Republikën e Serbisë”-tha Mesiç. Topi veçoi rolin e homologut Mesiç për rajonin dhe Kosovën të artikuluar si “angazhimin tuaj shumëvjeçar në intensfikimin e marrëdhënieve bilaterale dhe qartë në çështjen e Kosovës”. “Njohja e pavarësisë së Kosovës më datën 19 mars tregoi qartë që Ju jo vetëm që jeni në konkordancë me shtetet më të rëndësishme demokratike të botës, por demonstroi dhe po demonstron që Ju jeni për një të ardhme të demokratizuar të vendeve ballkanike”-tha Topi.
Mesiç: Pa viza? Shohim e bëjmë!
Presidenti kroat, Stipe Mesiç, premtoi se do të rishikojë çështjen e heqjes së plotë të regjimit të vizave me Shqipërinë deri në kornizat maksimale të mundshme. Kjo deklaratë e presidentit të Kroacisë u bë pas kërkesës së presidentit Bamir Topit pas takimit të djeshëm, në konferencë të përbashkët për gazetarë në Pallatin e Brigadave. Presidenti Topi, tha se i kishte bërë kërkesë presidentit kroat, Stipe Mesiç, që të rishikonte mundësinë e heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe Kroacisë, ndërsa e cilësoi atë si një mik të madh të shqiptarëve. “Duhet të merren të gjitha masat, që edhe më tej regjimi i vizave mes Shqipërisë dhe Kroacisë të liberalizohet në kornizat maksimale të mundshme”, tha Mesiç. Sipas tij, deri në vitin 2000 mes Shqipërisë dhe Kroacisë ka pasur një regjim korrekt vizash, i cili ka ndihmuar në shkëmbimet tregtare mes dy vendeve. Ndërkohë, gjatë takimit të djeshëm të dy presidentëve është diskutuar edhe për forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve, ku dy çështjet kryesore të diskutuara kanë qenë ajo e vendosjes së linjës ajrore Tiranë-Zagreb dhe rikthimi në funksionim i linjës detare Durrës-Rjeka. Gjatë diskutimeve është vënë në dukje edhe bashkëpunimi i mirë politik mes dy vendeve.
nga Korrieri


22 Prill 2008 @ 4:42 pm
gjithe ai ku..ku..vend e asnji nuk flet nashke
22 Prill 2008 @ 5:18 pm
Po dhe ky trap, nuk mesoi dot shqip, se mire keta tanet i kemi pa shkolle. Po kam pershtypjen se foli vete skroatisht qe t’i fliste Berishes ne gjuhen e s’emes.
22 Prill 2008 @ 7:13 pm
Po pra… sigurisht qe ka patur marrdhenie korrekte persa i perket regjimit te vizave. Korrekte mund te quhet ngrirja e vizave per shqiptare. Me e lehte eshte te marresh vize angleze se kroate. Personalisht pa arsye viza ime studentore ne menyre paradoksale u refuzua. Por ci kushton mesicit te beje deklarata miqesore…
22 Prill 2008 @ 8:03 pm
E konsinderoj nje amoralitet gati berishian heqjen e postimit tim dhe mbylljen komplete te vendit per te shkruar. Me siguri e keni bere ju administratoret e peshkut. Dhe hiqeni humane (se fjales demokrat i ka ikur kuptimi fare)!
23 Prill 2008 @ 6:51 am
zotrules thote
“Po dhe ky trap, nuk mesoi dot shqip, se mire keta tanet i kemi pa shkolle. Po kam pershtypjen se foli vete skroatisht qe t’i fliste Berishes ne gjuhen e s’emes.”
Aman se Namik Dokle aty ishte e mund ta perkthente, por une i besoj kesaj qe thote Zotrules.