Login



Register

Pranverë e vonë

akvll-naja

Trumëz e porsaçelur

m’i hollon rrugët

e m’i kthen në ujët e lumit

mbi gurët e pakujtueshëm

Lule-pushkë ngërthehen krejt pafajësisht

mes gishtit të madh dhe atij më të madh

e bëhen bohçëza fëmijërie

mbi një kërcell të hollë

me ca lulëza të bardha në krye

Mendimet e mia shndërrohen në gjethet

e blirit para derës

Kujtimet, në aromën e luleve që do të çelin

verës

Dhe një bukurezë që s’ka frikë prej fotografëve

(me siguri ngase s’ka parë kurrë

a ngase s’ka asgjë për t’u trembur

ngrirja e imazhit

në sytë e dikujt tjetër)

ia shkund habinë klasikut të vjetër

dhe e kthen në dije popullore

(me siguri të popullit tonë të urtë)

Por befas uji kthehet të rrjedhë vertikalisht

dhe trumzat tremben

dhe bliri fshihet pas shpinës time

dhe bukurezja, nën gurin e pragut.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

10 Komente

  1. Riviera thotë:

    16 May 2008 @ 8:40 pm

    Akvll-naja si gjithmone fantastike. Me pelqeu shume. Dhe foto qe e shoqeron shume e bukur

  2. blete Shkruaji mesazh privat thotë:

    16 May 2008 @ 9:04 pm

    akull-shume e mire. me pelqen

  3. Perparim Hysi thotë:

    16 May 2008 @ 10:51 pm

    Sado qe e kam dhene mendimin tim,po i rikthehem edhe nje here.Poezia si torte,fotografia-qershiza mbi torte.

  4. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 May 2008 @ 12:50 am

    Admin, po me rradhë mor vlla, njëherë dimrin, pastaj pranverën… Po më vjen mirë që të ka pëlqyer dhe fotoja më pëlqeu shumë, si gjithmonë, megjithëse unë e kisha fjalën për këtë (po ta zmadhosh sheh ca bimë me kërcell të hollë, me kokë kafe dhe me lulëza sipër). Ne i quanim lule-pushkë, jo sepse kishin push, por sepse i përdornim për të gjuajtur; ua përthyenim fundin e kërcellit rreth kokës si lak dhe ia këpusnim kokën me një të tërhequr të shpejtë të pjesës së kërcellit afër kokës. Dhe ai topthi kaf, që duket si bohçe në miniaturë, shkëputej kollaj, fluturonte (si plumb, medemek) dhe shkonte ndonjë metër larg dhe nganjëherë dhe të pickonte po të ishe afër, në varësi të fortësisë së kërcellit dhe të shkathtësisë së atij që merrej me qitje.
    Gjithë ky rrëfim nuk ishte në kuadrin e nostalgjisë, por sepse s’e gjej dot si e ka emrin ajo bima në biologji, dhe do ia dija shumë për nder ndonjërit që do më ndriçonte, qoftë dhe në ndonjë gjuhë jopellazge.

    Riviera, B, Përparim, ju falemnderit!

    Përshëndetje!

  5. Blendi Salaj Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 May 2008 @ 1:06 am

    akvll- i kam “shtene” plot lule-pushke po s’mu gjend nje foto, thash babagjyshin meqe jane komshinj, kete jave e shkrepa, pranvere e vone…dhe ketu ne amerike s’kam gjetur gje te sakte kur vjen te lule-pushket. ca modele te pafuqishme, jo si lule-pushket tona…per dimrin kerkoj falje, tani do duhet te presi ciklin…si te ai teatri i kukullave. :)

    Komplimenta per poemen. Pjalm!

  6. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 May 2008 @ 1:13 am

    Ehh… lule-kallashnikov kanë qënë ato tonat…

    Meqë ma bëre qejfin, po të fal.:)

  7. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 May 2008 @ 3:07 am

    Plantago lanceolata
    (fajin e ka ILB)

  8. emigrant Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 May 2008 @ 3:12 am

    Dhe Blend, ajo qe ke vene quhet “lule-shurdha” (Taraxacum officinale)… :D :P :P

  9. Bariu thotë:

    17 May 2008 @ 8:39 am

    lule pushke :)
    Ps: shum e bukur poezia Aklli :)

  10. akvll-naja Shkruaji mesazh privat thotë:

    17 May 2008 @ 10:42 am

    fiks, fiks!

    falemnderit djemani!

Burim RSS për komentet

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.