Poezi nga Flor Hida

Nga libri i dhimbjeve dhe i kurave pa shërim

Nënë, jam i vrazhdë

Me kokën e ulur, me kokën në grazhdë.

Kam krahë, por s’janë veç gurë mbi shpinë

I vogël, i vonë, i bardhë si thinjë

Në kopshtin e syve ka mbirë bar i keq

Ëngjëll allçie katandisë në dreq

Komunikimi, thonë, është çfarë mposht kohën

Por pak, sapak, aspak s’ndodh ndërsa flas me orën

Nënë, jam i lodhur

jam i harruar

Mos më lër të ndihem

Mos më lër të zgjuar..

Tek kjo derë

Ne të dy jemi

Fshehur nën lëkurë

Sy përgjues

Mbi jetën e gjithçkaje

Dy shkrues

Ndëshkues

të çdo devijimi

Prej historive që udhëtojnë mbi një kuptim

Krejt njerëzor

Me një pikë të dobët

Ende të pafshirë

Pas rradhëve, e rradhëve

E rradhëve me trillime.

Ne të dy jemi

Fshehur nën lëkurë

Dy roje

Me ushtat kryqëzuar

Sy më sy

Tek ky prag

dere

Të gurtë.

Hero Inn

U shpalosën gjethet

Prej gishtave elegante të magjistarit

Kodrave varret u mbuluan nga pemët

Poshtë në qytet u ndje prania e ajrit

Një nga një u çelën dritaret

Dyert e kishave u hapën rrugë

kandidatëve më të mirë për tu penduar

ende pa gabuar.

Biçiklistat fërkuan duart nën ujë

për të fshehur grason

Shitësit e frutave pushuan së ankuari

Berberët ndërruan stacionet e radiove

Sikur e djeshmja të mos kishte qënë kurrë

Sikur e sotmja të ishte vetëm një pikturë

Perfekte. Me lëndina të blerta e shtëpi të bardha

E një lumë të përjetshëm nën urën me gurë.

Magjistari zgjidhi gishtat për magjepsjen e rradhës

E gjethet ranë nën lotët dhe duartrokitjet tona.

Perde e zhubrosur

I harbuar është qielli e nuk e di shkakun

Diku, dikush e shtyn në zemërim, dikur

Sot pra qënka dita kur do të përballen

Njeriu dhe qielli, njeriu dhe qielli.

Do të ketë mbijetuar, me siguri do të ketë

Do të ketë edhe shumë plagë, mbi e nën retë

Edhe kangë të përvueme, edhe kangë mortore

Njeriu dhe qielli, e midis një poet.

E shkurtë në vjeshtë

Si krymi mas shiut

Edhe pse i damë dysh

E vazhdon jetën

Tu na u fsheh sysh

Kjo dashni vjeshtore

Marrni amshore

Jeton ndër na

E na, luhena prej saj

E na, ruhena prej saj

Si prej nji fatkeqsie, si prej nji mallkimi

Që pakkush si na e ka t’shkruem sysh

Me vazhdue jetët tu u fsheh si krymi

Të damë dysh.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. losttext thotë:

    23 June 2008 @ 3:36 pm

    Per admin: - a ka ndonje menyre me i nda vjershat nga njera tjetra? Kur i vura ke vendi i postimit dolen mire, me hapesire mes njera tjetres dhe titujve… flm

  2. losttext thotë:

    23 June 2008 @ 8:26 pm

    E treta dhe e katerta per mua jane perla.

  3. Vemendje thotë:

    23 June 2008 @ 10:30 pm

    “Perde e zhubrosur”, me imponon suksesin e nje forme pothuaj ‘kukamcefti qe luan autorja per te prodhuar poezi. Jan pershkruese, dhe e lene subjektin lend te pare (pa e perpunuar) Me fjale te tjera, fjala i vjen rrotull lendes, qe mund te jet poetike (lenda), por se dime se c’poetik eshte nen te. Kam rezerva per rimen, me pelqen figuracioni, metafora.

  4. losttext thotë:

    24 June 2008 @ 12:01 am

    *Autori, Vemendje, dhe jo autorja…

    Rima, sic mund te verehet kollaj, nuk eshte paresore ke poezia e Florit (ne kete rast, te pakten). Ajo qe cmoj une eshte me shume nje loje qe behet me pershkrimin e nje gjendjeje te caktuar dhe befasia me te cilet perpunohet imazhi. Befasia eshte e tille qe mbetet, megjithate e mrekullisht, e paqte.

    U shpalosën gjethet

    Prej gishtave elegante të magjistarit

    Kodrave varret u mbuluan nga pemët

    Poshtë në qytet u ndje prania e ajrit

  5. Vemendje thotë:

    24 June 2008 @ 12:50 am

    Te me falesh autor, per ngaterrim ne emer (gjini).

    flm. LostT, per korrektimin!

    LostT, eshte poetike lenda, nenkuptoj, jo pa shembuj, edhe te tjera si ajo qe merr per shembull ti, por jo te gjitha kapen me vemendje, se poezia shihet prej mendjes, keshtu qe ajo distance e krijuar nga mendja dhe ndjenja zhduk nga faqja e fjales(dheut) vemendjen, duke e zevendesuar me poezi, kur funksionon, por jo ne rastin e meposhtem

    “Nënë, jam i vrazhdë

    Me kokën e ulur, me kokën në grazhdë.

    Kam krahë, por s’janë veç gurë mbi shpinë

    I vogël, i vonë, i bardhë si thinjë

    Në kopshtin e syve ka mbirë bar i keq

    Ëngjëll allçie katandisë në dreq”
    …..
    nje dialog redaktues me ben te them:

    “Me kokën e ulur, me kokën në grazhdë.”
    sikur ti hiqet fjala ‘ne garazh’
    mendimi pastron edhe vargun nga nje rime e jashtme.

    po ashtu edhe ne vargun:

    “Kam krahë, por s’janë veç gurë mbi shpinë”
    sikur te mos ish mohues, por pohues si varg, si psh;

    ‘Kam krah, jane gure mbi shpine.’

    dhe vargu;
    “Ëngjëll allçie katandisë në dreq”

    mund te fliste pa rimen ne fjale, duke adoptuar ne;

    ‘Katandis engjellin ne allci’

  6. losttext thotë:

    24 June 2008 @ 1:04 am

    Vemendje, autori nuk eshte i pranishem ketu dhe keto poezi i solla me koken time ke Peshku, pasi i kisha marre me pare leje per t`i postuar ke blogu im.

    Per verejtjet e tjera qe ke:

    1. - garazh dhe grazhde nuk jane e njejta gje, dhe mendoj se, me shume se per funksion rime, perkimi i fjaleve qe perdor poeti, vrazhde/grazhde, eshte me shume ne sherbim te ritmit te poezise - ka nje lloj vaji(vajtimi) brenda vete atij ritmi.

    2. - “Kam krahe, jane gure mbi shpine,” edhe pse shkon si varg dhe imazh, nuk me duket aq dramatik sa “Kam krahe, por s`jane vec gure mbi shpine,” sepse ne rastin e dyte ka keshtu edhe nje fatalitet, fjala vjen, krahat mund te jene vetem gure mbi shpine…

    3. - Duhet kuptuar se “dreq” nuk i sherben vetem rimes, por me shume antagonizmit me figuren e engjellit - dreq = djall, shejtan…

    Flm, Vemendje, per komentet e kohen.

  7. Vemendje thotë:

    24 June 2008 @ 1:08 am

    sipas meje, version #2 per vargun;
    “Engjell allcie katandise ne dreq”

    ‘Engjellin katandis ne allci’

  8. Vemendje thotë:

    24 June 2008 @ 1:21 am

    “Flm, Vemendje, per komentet e kohen.”

    LosT,
    urtesia jote eshte mire kur vjen ne peshk, kenaqesia eshte imja.

  9. Peshku Fluturues thotë:

    24 June 2008 @ 1:57 am

    Shume bukur, shume bukur!
    Faleminderit Lost. Do ti lexoj prap se eshte pak e lodhshme faqosja.

  10. Perparim Hysi thotë:

    24 June 2008 @ 3:22 am

    Poezite!Njera me e bukur se tjetra.Dhe cdo nderhyrje,sic propozohet nga dikushi,vec e prish bukurine.Si te heqesh syte e te lesh vetullat.Lost ndoshta ke bere punen me te bukur me kete prurje kaq interesante.Sikur te kete dhe te tjera.

  11. losttext thotë:

    24 June 2008 @ 2:44 pm

    PF, vertet radhitja e faqes eshte e lodhshme; nuk e paramendova qe do dilnin kaq te puthitura. Nejse, bukuria gjendet edhe keshtu.

    I dashur Papi, flm per fjalet e mira. Vec duhet te sqaroj qe poezite jane te Florian Hides, dhe prurja ketu te Peshku eshte e imja, dhe une pajtohem me ty, qe eshte nga prurjet me te bukura prej meje ketu. Nese Flori do me dergoje te tjera, sigurisht qe do i percjell ketu.

    T`uroj shendet!

  12. belle_fleur thotë:

    24 June 2008 @ 5:09 pm

    Dy poezite e fundit jane vertet unike, sidomos ajo poezia “E shkurte ne vjeshte” me dialektin verior e bente kete poezi me te dashur dhe tingellon shume amel.

    Flm Losttext per prurjen. Thuaji Florit qe te mos e ndali penen sepse shkruan vertet bukur.

  13. emigrant thotë:

    24 June 2008 @ 5:16 pm

    LostT, mqse autor nuk eshte i pranishem, thuaji qe e pershendes me kete vjershen me poshte per “E shkurte ne vjeshte”

    Përpëlitje

    Përpëlitem si peshku në zallishte,
    Ngecur në një grep meraku zeher
    Që hyri aq lehtë,
    Por që lehtë nuk del,
    Për pa shqyer inde
    Dhe enë gjaku pa çjerrë.

    Përpëlitem si trupi i shpendit
    Që sapo u ther.
    Që kokën kërkon
    Me zgjatimin shumëfijësh,
    Vazhdimin natyral
    Me përdhunë ndër-prerë.

    Jam bishti i hardhucës
    Që duar fëmijësh
    E ndanë nga trupi,
    Me ekstazën
    E krimit të parë
    Ordiner.

    Përpëlitem se nuk kam tru,
    Se thjesht ka mbetur vetëm pak nerv!

  14. blete thotë:

    25 June 2008 @ 3:09 pm

    une nuk marr vesh shume nga poezia, por me pelqeu shume muzikaliteti dhe thjeshtesia e ketyre. nuk te vrasin koken me figura te nderlikuara por te vrasin shpirtin me ndjenja te fuqishme. pene te mbare.

    flm lost.

  15. losttext thotë:

    25 June 2008 @ 3:38 pm

    E vertete, belle, shumica e poezive qe Flori i shkruan ne gegnisht dhe qe une kam patur fatin t`i lexoj, krijojne nje atmosfere me vete, mendoj, jo vetem prej perdorimit te gegnishtes, po sikur tharmi poetik i Florit ne ate rast hyn ne nje dimension krejt tjeter.

    Emo, pershendetjet po ja coj, po mire do ishte sikur t`ishte vete i pranishem ketu ke Peshku…t`shof si do pergjigjet. :)
    I ke rene ne te, blete…m :)

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com