Plagjiatura nga interneti, endemike në vendin tonë
Arbër Boriçi
gazeta Panorama
Zhvillimi i internetit, librarisë më të madhe të globit, ka sjellë një rritje eksponenciale të disponueshmërisë së informacionit apo të të dhënave në formë elektronike. Përhapja e internetit në pothuaj çdo cep të globit, përfshirë edhe vendin tonë, ka lehtësuar punën e përdoruesit për të filtruar e për të marrë, brenda një kohe relativisht të shkurtër, informacionin e dëshiruar. Megjithatë, një nga efektet negative të këtij zhvillimi të vrullshëm teknologjik është pikërisht thjeshtëzimi i plagjiaturës (ose plagjiarizmit), që përkufizohet si veprimi i paraqitjes së punimeve ose ideve të dikujt tjetër si të tuat, qoftë me paramendim, qoftë thjesht pa vetëdije. Në çdo rast, plagjiatura konsiderohet si një akt vjedhjeje e t’i cilësohesh plagjiator dhe, për këtë arsye, (duhet ose pritet të) dënohesh Në rastin kur autori i origjinalit ka rezervuar të drejtat e punimit, plagjiatura konsiderohet e jashtëligjshme dhe, rrjedhimisht, dënimi bazohet në ligj. Falë internetit, plagjiatorët tanimë mund të gjejnë, kopjojnë, shfrytëzojnë, riprodhojnë një sërë burimesh të dhënash brenda pak minutave. Teksa luftohet botërisht për t’u minimizuar, ky fenomen është kthyer në endemik dhe shqetësues në vendin tonë duke prekur të paktën sferat akademike dhe mediatike shqiptare.
Plagjiatura në sferën akademike
Plagjiatura në sferën akademike konsiderohet si një nga çështjet më shqetësuese në të gjithë botën e zhvilluar. Sipas Qendrës amerikane për Integritet Akademik, përqindja e studentëve plagjiatorë ka pësuar rritje të vazhdueshme dekadën e fundit. Në kampuset universitare, rreth 70 për qind e studentëve pranojnë të kenë kryer të paktën një herë plagjiaturë. Këto statistika mund të shpjegohen, ndër të tjera, me anë të aksesimit të shpejtë të informacionit falë uebfaqeve të panumërta në internet. Megjithatë, institucionet akademike perëndimore janë të pajisura me një tërësi rregullash, të cilave iu referohen me emërtimin Kodi i Sjelljes Akademike. Në këtë kod, plagjiatura konsiderohet shkelje e ndershmërisë akademike dhe dënohet me përjashtimin e studentit nga kursi përkatës, ose me pezullimin e përkohshëm apo të përhershëm të tij nga institucioni akademik. Për më tepër, këto institucione janë të pajisur me sisteme elektronike të lidhura me internetin, të cilët mundësojnë kontrollimin e një punimi për plagjiarizëm.
Në mjediset akademike të vendit tonë, nga ana tjetër, plagjiatura bëhet më shqetësuese. Në universitetet publike dhe në një pjesë të mirë të universiteteve private mungon një kod i zgjeruar i sjelljes akademike. Për pasojë, ndër rregulla të tjera të integritetit akademik, mungon edhe një përkufizim e cilësim i plagjiaturës në lidhje me punime të ndryshme që kryhen nga studentët. Rrjedhimisht, çdo student mund të dorëzojë një punim (detyrë, ese, raport kërkimi shkencor, etj.), që mund të përmbajë punë të plagjiarizuara të çfarëdo niveli (disa fjalë, disa fjali, disa paragrafë, ose të gjitha), dhe t’ia atribuojë suksesin tërësisht vetes. Për shembull, kam hasur jo pak punime nga studentë të ndryshëm dhe, me anë të një kërkimi të thjeshtë në internet, kam zbuluar pjesët e plagjiarizuara dhe autorët e tyre origjinalë. Ky rast përbën një plagjiaturë të dukshme që, siç mund të verifikohet fare thjeshtë, raste të tilla janë të përhapura nëpër institucionet akademike në Shqipëri.
Veç kësaj, mosspecifikimi i (të gjitha) referencave ku bazohet një punim nënkupton t’i atribuosh vetes pjesët e pareferencuara; kjo do të thotë të plagjiarizosh. Teksa kopjimi është njëra anë e medaljes, mosnjehsimi i burimeve si dhe perifrazimi, duke plagjiarizuar thjesht idenë, përbëjnë dy anë të tjera të shpeshta të plagjiaturës në sferën akademike. Në punime të ndryshme, si tema diplome, që kam rastisur të lexoj nga studentë, kam vënë re se jo vetëm mungon një stil akademik i aprovuar i paraqitjes së referencave, por një pjesë e mirë e bibliografisë gjendet e shpërndarë në internet, e shfrytëzueshme nga të gjithë pa kufizim.
Në këtë pikë, mund të kryhet një studim në çdo institucion akademik në vend për të konkluduar rreth përqindjes së rasteve të zbuluara si plagjiatura nga interneti, përqindje që mendoj se është tepër e lartë për shkak të mungesës de facto të një kodi integriteti akademik. Nëse në botën perëndimore, ku ekziston një kod i tillë, është raportuar se rreth 70 për qind e studentëve plagjiarizojnë, atëherë është pothuaj e sigurt se në sferën akademike shqiptare kjo përqindje është më e lartë. Eshtë e qartë se, pas një studimi të përmasave të tilla, duhet të ndërmerren hapat e domosdoshme për të kufizuar plagjiaturën në institucionet akademike vendase.
Plagjiatura në sferën mediatike
Më shqetësuese është përgjigjja e pyetjes: “Sa e përhapur është plagjiatura nga interneti nëpër mediat (kryesisht të shkruara) shqiptare?”. Sipas vrojtimeve të mia, nga një shqyrtim i 10-12 gazetave të shtypit tonë të përditshëm të javës së fundit, rezulton se asnjë nga gazetat nuk paraqet burimet origjinale të lajmeve të përkthyera e të perifrazuara nga shtypi i huaj (kryesisht, të marra nëpërmjet internetit). Këto lajme mund të gjenden tek rubrikat e të rejave teknologjike, shkencore, etj., dhe plagjiarizohen, nëpërmjet internetit, nga shtypi italian, britanik, amerikan. Prandaj, përgjigjja që unë mund t’i jap pyetjes së mësipërme është “më se e përhapur”. Karakteristika, që një lexues i rregullt i shtypit të përditshëm shqiptar (në formë elektronike ose jo) mund të vërejë, është mungesa e specifikimit të referencave, pra, të burimeve të informacionit, në ato raste kur informacioni është marrë nga ndonjë media tjetër, kryesisht e huaj. Për shembull, një uebsajt i famshëm shqiptar i lajmeve ka një rubrikë fotografish, ku publikon foto të ndryshme në lidhje me një lajm të caktuar, por pa paraqitur burimin e atij lajmi e të atyre fotove. Qëllimisht kontrollova për burimin origjinal të një lajmi (të përkthyer) të datës 31 janar 2008 dhe të fotove përkatëse, dhe zbulova lajmin origjinal në uebfaqen e një të përditshme të famshme italiane. Këto forma plagjiature nuk përbëjnë vetëm një shkelje të kodit të nderit, por konsistojnë në një shkelje ligjore (pasi lajmet dhe fotot janë shfrytëzuar pa lejen e autorit duke u kopjuar direkt nga interneti) e, natyrisht, mund të ketë pasoja të rënda.
Për më tepër, i njëjti fenomen haset në disa gazeta shqiptare, të cilat u kushtojnë një ose dy faqe të tëra rubrikave si lajme nga bota, të rejat mjekësore, teknologjike, etj. Në këto faqe, lajmet janë përgjithësisht kopje ekzakte ose perifrazime të origjinalit apo të një burimi që bazohet tek origjinali dhe të përkthyera në gjuhën shqipe, por pa specifikuar burimin e informacionit, i cili mund të zbulohet me një kërkim të shpejtë online. Sa për një shembull, një gazetë tjetër vendase përkthen dhe përmbledh, mekanikisht, lajme nga uebsajtet e gazetave e revistave të huaja, por nuk citon asnjëherë burimin në rubrikën e saj. Shqetësuese është edhe mënyra e paraqitjes së fotografive të mbrojtura nga ligji ndërkombëtar i së drejtës së autorit. Fotove u mungojnë, përgjithësisht, diçiturat, ku pritet të ekspozohet burimi i tyre. Për kontrastim, mund të shqyrtojmë mënyrën e transmetimit të lajmit nga mediat e huaja, kryesisht mediat perëndimore, të cilat janë rigoroze në lidhje me plagjiaturat. Në rastet kur raportimi i një lajmi nuk është kryer nga reporterët e vetë gazetave apo revistave, ato paraqesin emrin e burimit origjinal të informacionit dhe datën. Rasti “Jayson Blair”, për shembull, identifikon reporterin me të njëjtin emër të gazetës New York Times, i cili u pezullua për shkak të zbulimit të plagjiaturës që ai kishte kryer nëpër disa artikuj të publikuar më parë.
Si përfundim, zgjerimi i vazhdueshëm i të dhënave dhe informacionit në internet, si dhe shfrytëzimi i lirë i tij, kanë bërë që, gjatë dekadës së fundit, interneti të konsiderohet një shkak kryesor i rritjes së plagjiaturës, të paktën në sferat akademike dhe mediatike. Mungesa e një kodi integriteti akademik të zgjeruar e të specifikuar nuk arrin të kufizojë shfrytëzimin e dendur të internetit nga studentët (por edhe pedagogët) dhe është, në vetvete, një shkak tjetër kryesor i plagjiaturës në sferën akademike. Kjo ka të paktën dy zgjidhje. Së pari, udhëzimi i studentëve, që nga shkolla e mesme e në vazhdim, është një element i domosdoshëm për uljen e përqindjes së plagjiaturës. Së dyti, mbikëqyrja e vazhdueshme e punimeve akademike (duke përdorur metoda tradicionale ose metoda moderne, si sistemet informatike) ndikon pozitivisht në uljen e plagjiaturës dhe kopjimit.
Për sa i përket plagjiaturës nga interneti (e nga çdo burim tjetër) në sferën mediatike, neni 11 i ligjit nr. 7564 të datës 19.05.1992, “Për të drejtën e autorit”, autorizon përdorimin e lirë (dhe riprodhimin) e lajmeve, artikujve, fotove, për sa kohë që përmendet burimi dhe emri i autorit të origjinalit. Siç mund të konstatohet, ky ligj rrallëherë gjen zbatim nga media e shkruar shqiptare. Përveç shfrytëzimit të internetit, një shkak tjetër i këtij fenomeni është mungesa e integritetit dhe e kulturës së një pjese të reporterëve/gazetarëve shqiptarë, veçori të cilat mund të fitohen gjatë arsimimit. Por, duke qenë se plagjiatura në sferën tonë akademike ka qenë dhe është e lartë, krijohet rrjedhimisht një efekt domino edhe mbi fushat mediatike, artistike, ose politike shqiptare.


15 Shkurt 2008 @ 2:04 pm
-Bukur. Ora ka ardhur te merren seriozisht disa ceshtje ne rangun akademik shqiptar. Rastet e copy/paste, duhen denuar ne cdo universitet. Interesant do te ishte nje kjo ceshtje te mediatizohej. X-