Pishtarët e ndezur të Shqipërisë
Pishtarët e ndezur të Shqipërisë
Alba Cela (Gazeta Shqip; Shekulli)
Minatorët që ndodhen në grevën e urisë ndërmorën dje një akt të fuqishëm simbolik duke djegur dekoratën e akorduar nga Presidenti i dikurshëm dhe kryeministri i sotshëm, Sali Berisha, “Pishtar i demokracisë.” Kjo dekoratë e marrë për të nderuar kontributin e tyre në grevat masive të viteve 90 që ndryshuan rrjedhën e fatit politik të vendit ishte bërë tashmë për këta minatorë një dëshmi e premtimeve të pambajtura, e zhgënjimit të thellë për një sakrificë që ka ngelur pa përgjigje, për një dinjitet të nëpërkëmbur.
“Kjo është e vetmja gjë që më ka dhënë ky kryeministër, kjo qeveri, asgjë tjetër, një copë letër pa vlerë,” thëriste një ndër minatorët teksa ndizte me duar që dridheshin fletën nën një kapak blu. “Në fakt më vjen keq që po e bëj këtë, nuk e kam të lehtë,” thoshte një tjetër i përhumbur në kujtimet e 1995 atëherë kur ndihej krenar që merte këtë medalje. Në deklaratën që shpjegonte këtë akt ata gjithashtu rrëfenin se e bënin këtë edhe me një ndjenjë turpi, kërkonin ndjesë dhe ndiheshin në faj që kishin sakrifikuar aq shumë për të vënë forcën vendim-marrëse në duart e atyre që me vonë do ju merrnin nga duart gjithcka. Minatorët ndiheshin në faj që i kishin dhënë pushtet presdientit të dikurshëm nga i cili kishin marrë ato medlaje që digjnin!
Në Shqipërinë e tejmbushur me paradokse dhe absurditete, me ironi të thella dhe të dhimbshme, me fakte therrëse dhe të vërteta qesharake, me pishtarë fizikë dhe metafizikë që digjen dhe që rrezikojnë të shpërthejnë nga casti në cast, djegia në mënyrë protestuese e një medalje demokracie nga disa minatorë në grevë ka mundësi të anashkalohet me lehtësi nga vetë ne populli i rraskapitur dhe tashmë imun ndaj dhimbjes, protestës dhe rezistencës. Dhe kjo është për të ardhur keq. Greva e viteve 90 ku u ngujuan për herë të parë këta minatorë - për të cilët realiteti duhet të jetë vërtet i papërballueshëm përderisa i rihyjnë të njëjtës formë proteste ekstreme, - ishin vite kur greva e tyre përcillej si mos më keq në median e vetme të asaj kohe. E megjithatë reagimi i qytetarëve duke e njohur kauzën e drejtë bëri që kjo grevë të ishte një ndër mekanizmat vepruese të sukseshme që përmbysën një ndër sistemet totalitare më të frikshme në kontinetin tonë. Në fund të dekadës së parë të mijëvjecarit të ri, e njëjta popullatë megjithëse e bombarduar me lajme nga media pa fund dhe në kohë reale ndihet e mpirë politikisht dhe nuk mund të bëjë asgjë vecse të numerojë ditët e mbetura nga autoritarizmi tragjik dhe i mbarsur me ironi fatale i atij që duhet të ishtë bashkë-udhëtari i luftëtarëve të lirisë.
Medalja ‘Pishtar i Demokracisë’ do të thotë shumë për punëtorët që e ngrysin jetën në errësirën e frikshme të galerive të nëndheut dhe ku shpresa-dritë në fund të tunelit nuk është metafora e rradhës. Kurrë nuk do ta kishin menduar që një ditë, qeveria demokratike të cilën sollën në jetë, ata dhe bashkëqytetarët e tyre me protestat, grevat dhe thirjet për liri-demokraci, një ditë do të vendoste të ishte qëllimisht e shurdhër dhe e verbër ndaj halleve të tyre, do të përcillte me një indiferencë dhe arrogancë të turpshme vdekjet që rreshtoheshin në ekrane nga gropat e ferrit në Bulqizë, do të vazhdonte të firmoste kontrata dhe koncesione vdekjeprurëse për ta dhe për sivëllezërit e tyre në Gërdec dhe në të gjithë Shqipërinë. Pikërisht për këtë arsye heqja dorë nga kjo medalje në mënyrë demonstrative është një akt i hidhur për ta.
Por e djeshmja mbi të gjitha është një ditë me simbolikë të hidhur për Kryeministrin e këtij vendi. Refuzimi me përbuzje i flamurit të një beteje për të cilën ai me kohë është hequr si komandant, atë të demokracisë, është caku deri ku kanë arritur bëmat e tij, deri ku shkon dhimbja e atyre që dikur ishin bashkëluftëtarët e një kauze fisnike dhe sot shohin te ai shkakun e vuajtjes, skamjes dhe dëshpërimit. Sot ai pishtar i demokracisë ndizet për të shuar pikërisht cfarëdolloj aureole të figurës së Berishës si një ndër personazhet më të rëndësishme të ndërrimit të sistemit komunist. Sot pishtari i demokracisë digjet për të shkrumbuar kotësinë e bëmave të tij pa lidership, pa vizion dhe pa asnjë gjurmë humaniteti.
Ndezja e pishtarëve të demokracisë sot nuk është asgjë tjetër përvec fundit jo shumë spektakolar të legjitimitetit historik që ka figura e Kryeministrit shqiptar të sotshëm. Kamerat që filmuan sot dokumentuan një moment historik si ata të viteve 90 por që sigurisht dhe fatkeqësisht ndryshe nga atëherë do të provokojë më shumë heshtje.

1 July 2008 @ 5:21 pm
mesimi me te keqen eshte e keqja me e madhe!