Pika e hidhur

E kam gjet vetveten time shpesh herë duke më pyetur mua se cfarë ka pas Zoti në mendje kur na ka krijuar. Dmth cfarë e ka shqetësuar me të vërtetë që ne kemi dalë ashtu… si ta them më butë… habitshëm në variacionet e difekteve njerëzore.

Me siguri nuk ka pas në mendje ndonjë model apo shembull sepse e dimë që as Ai s’kishte kushedi se cfarë eksperience në këto punë .E gjithë historia mendoj se ka qenë që në provën e parë, si i erdhi Atij per momentin… dhe ja rezultati. Bëhuni të ndershëm dhe ma pranoni, nuk ju duket se mes krijimeve të Tij, jane më shume se c duhet krijesa?

I kam dhënë shumë fre të lirë mendimeve të mia ditëve të fundit. Kam pas dhe kohë në të vërtetë. Orë të tëra. Kohë. Me autobus. Në mes të intimitetit traumatizues të grupeve turistike all-inclusive. Dhe as që e mendoja se tiparet e Sharlatanit mund të jenë të shpërndara në aq shumë degëzime, secila me një rrënjë të vecantë. Por gjithcka mund ta përmbledhësh në tre shembuj (grupime, familje, quajini si të doni) të mëdhenj të kesaj specieje të vecantë: Specia Sharlatanus turisticus.

Ja, më i vogli nga ata. Sharlatanus infantis. Vjen nën petkun e nje minidykëmbëshi të trashë, i pasuruar me një dorë telash vokale të keqpërdoruar dhe me shumë volum, njësoj si BRITMA e rrethit të 11 të ferrit te Dantes (do habitej dhe ky i ziu sa ka ecur zhvillimi në këtë fushë pas kryeveprës së tij) Zakonisht kjo specie i ka shprehitë e veta, vetëm nëpremjet ulërimave, psherëtimave dhe të qarave të mbytura apo të forta, me volumin në maksimum për të ngrit të vdekurit e lashtë nga varri. Ka tiparet e një rakete tokë – ajër dhe ka lartesinë e duhur për të të shkulur- më falni për fjalorin- k…oqet nga vendi nëse të ngatërron me babin e tij duke kërkuar në cdo moment orë të tëra perkujdesje speciale. Duke qënë se jam në një paketë turisitike all-inclusive, kjo specie është e përkrahur nga mami dhe babi të leshoje frenat , e të pije 90 hektolitra lëng portokalli dhe të hedhë pertokë shumicën e ushqimit që s’ka ku ta fusë, dmth 99 % të tij. Natyrisht mostretja e kësaj performance gastronomike, është per faj të “pritësve tanë mizerje dhe turq” , ndërsa doktori është natyrisht një idiot sepse s’mund ta shërojë këtë monstër në 5 minutat e ardhshme.

Sharlatania e Megamakiazhuar është, shpesh herë fajtorja kryesore për daljen në skenë të sharlatanit infantis (shkelje ligjore kjo e kujtuar me shumë dhembsuri dhe dashuri nga bashkeshorti i saj, kryesisht në sy të njerëzve të tjerë: e deshe? Tani piji lëngun atij e rriji pas bythe). Sic ka edhe emrin sharlatania e megamakiazhuar preferon ngjyrat e ndezura të frymëzuara nga bishti i palloit, ngyra këto të cilat ja shef kudo dhe kurdo. Më së shumti nga ky egzemplar shef në formën e një obeziteti të paketuar në një kostum sportiv të ngushtë pas trupit, zakonisht i bardhe me shkrim të florinjtë në gjoks ose shpatulla (pikërisht të një sentence qe s ka piken e lidhjes me qënien e saj). Supeve ka kryesisht për mbrëmjet e freskëta ndonjë triko ciklamin ndërsa në kembë i shef sandale ngjyre argjendi, nga ato te lirat turke, të mira vetëm për të cingëritur nervat sa herë që ti bën gabimin e ecën dikun aty në afërsi. Fytyrën e ka të ngjyer me substanca multikolor, ndërsa në cep të buzëve apo mjekër, ka ndonjë tjetër mbetje të ngyrosur, tip sherbeti. Floku është zakonisht i vdekur që në rrënjë, nga lyerja e perjavshme. Ndërsa aroma… ah aroma e kësaj gruaje… do ta njohësh patjetër kur ta takosh, do ta njohësh nëperjmet kombinimit të përdhunë mes një parfumi të lire nga ai i hapuri dhe djersës që kullon.

Por mbreti ..mbreti i kesaj bote të shfaqur papritur në sytë e mi delikatë dhe të mbrojtur nga xhama ekstra (pasja e syzeve më bën vëzhgues më te hollë, apo thjesht më bën delikat????????) është ai Sharlatani i Madh e i Heshtur i cili mbizotëron pushimet e mia njësoj si Tyranosaurus Rex bashkësinë e tij përpara shiut të meteorëve. Mbreti Sharlatan, jeton sipas rregullave të tij, të betonuara në një shtresë të trashë indiference, rregulla që i nxjerrin në pah pikërisht karakterin e tij të madh e të heshtur. Psh asnjë nga zinxhirët e floririt që ai ka të varur në qafë nuk është më i shkurtër se sa zinxhiri i shkarkueses së ujit në WC alla turke. Dhe jo me pak i lehtë se sa pesha e të dyja m…ollaqeve të bashkëshortes së tij. Floku i tij nuk është asnjëherë i shkatërruar, perkunder i krehur me kujdes o nga ndonjë pomade kineze për flokun, o nga djersa, në varësi të funskionit që ai kryen në ato momente. Shumllojshmëria e qimeve të shpatullës, është patjeter në raporte të barabarta ose pak më e madhe me ato të gjoksit. Barku natyrisht dhe domosdoshmërisht duhet të shërbejëdhe si tavoline në ulje për pëlqimet e tij gastronomike, ndërsa rrumbullkësia tregon shkallën ë mirëqënies së tij. Pantallonat e shkurtra janë aq të ngushta sa duket sikur ka lindur me to dhe janë dhe trecerekshe… lart e kam fjalën në bel.Ndërsa goja.. ah goja… Ajo përdoret vetëm per 4 funksionet jetike të mëposhtme: ha, pi, gromësi dhe pështy në të majtë, radha e ketyre funskioneve është e c’rregullt. Duart në kembim nuk kanë vec dy funskione, hapje tapash dhe kruajtjet në mes të këmbëve, plot delikatese në publik.

Pa më thuaj tani o ZOT… ku dreqin të arratisesh nga këta sharlatanë “prishëspushimeshaqtëdëshëruara”në një autobus?

Antalya 10 /21 gusht

P.S Mendime të mbledhura në kokë, gjatë pushimeve të fundit në Turqi. Cdo ngjashmëri me persona reale është e rastësishme.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

9 Komente

  1. Ll thotë:

    15 January 2008 @ 11:08 pm

    Apapapa, shume e shpifur ajo pjesa e “kombinimit të përdhunë mes një parfumi të lire nga ai i hapuri dhe djersës që kullon.” :)
    Gjithsesi, mire te te behet. C’doje qe vajte per pushime deri ne Antalya kur fare lehte mund te kishe shijuar Shqiperine! :)

  2. Liri thotë:

    16 January 2008 @ 12:10 am

    Keto kategorite do i gjeje tek cadra ngjitur, duke folur vetem per ty, dhe ne vend te eres se parfumit mund te ndieje eren e plehrave rreze cadres tende.
    Heren tjeter beji pushimet ne Hene

  3. emigrant thotë:

    16 January 2008 @ 12:20 am

    O Don, po kshu per qef tat, pa paketa all-inclusive, si osht Turqia per me e vizitu?

  4. Odysseus thotë:

    16 January 2008 @ 11:09 am

    Eh Don :)
    Tek lexoja me kujtove edhe mua shqiptaret qe kam pare ne Turqi. Mos merr asnjehere paketa all-inclusive qe te cojne neper ghetto turistesh, me ata animatoret nervagerrices e me idiotlliqet e tjera. Per Turqine zgjidhja me e mire: nje hotel sado te vogel diku ne qender te qytetit, mjafton mengjesin (ose edhe darken) ta kesh aty. Pjesen tjeter te kohes do besh qejf sa te duash.

  5. Idris thotë:

    16 January 2008 @ 7:47 pm

    Ti qeke peshtjelluar ne Turki…
    Po te kishe bere pushime ne Memedhembje ku si padashje ,ne nje nga ato funksionet e GOJES qe pershkruan ,te kishte fluturuar nje cope e lengesht nga e djathta (apo dhe e majta)mbi surrat ? :( :(
    Ke pat fat ne Turki se ketu tek “mbesa” e saj…..do kishe pershkruar njerez real pa u bere HIC pishman per ngjasimet… :D :D :D

  6. don archer thotë:

    16 January 2008 @ 10:27 pm

    ne fakt jam dhe mbetem partizan i pushimeve brenda ujerave territoriale shqiptare dhe kam nje pasion te vecante per vloren. por kisha nje oferte qe s i rezistova dot ndaj e kreva udhetimin,por pishman nuk u bera nga kushtete atjeshme, por nga njerezit(bashkatdhetare) qe kishin zgjedhur pikerisht ate 11 ditesh pushime si une ne te njejtin vend si une fatkeqesisht ngjitur me dhomen time ne te njetin hotel.Thua qe ai qe me dha paketen e vete turistike all incusive te dinte dicka? :)

  7. Dajoshi thotë:

    16 January 2008 @ 10:55 pm

    don,
    E besoj historine tende por me vjen keq te te them qe ja ke bere vetes. Vetem plonci osht i lire, vllajo. Une, nga ata qe njoh qe frekuentojne Turqine degjoj vetem fjale te mira, ndoshta kjo prej faktit se nuk gjuajne paketat e lira qe megjithese tingellojne te shtrenjta per shqiptaret nuk jane ndonje hata kushedi krahasuar me Caribbean etj. Pershkrimi ishte fantastik. :)

  8. lule thotë:

    18 January 2008 @ 6:32 pm

    Oh, kam qesh me lot me keto pershkrimet…jashtezkonisht e arritur.
    Pushimet duhet te perfshijne edhe bukurine natyrore edhe ate njerezore, ti me duket ke kap vetem njeren……Shko ne Karaibe dhe kapi te dyja, qe te jesh ne paqe me kenaqesine e pushimeve.

  9. don archer thotë:

    18 January 2008 @ 10:02 pm

    Shko ne Karaibe dhe kapi te dyja, qe te jesh ne paqe me kenaqesine e pushimeve.

    ne fakt nuk eshte se s me kane pelqyer bukurite e Antalias apo kudo qe kam qene…kam gjet bukuri dhe ne Afganistan, por mendimet e kesaj rradhe kishin te benin me transforiminin e njeriut, sapo del jashte korrnizave te perditshme.Familjen qe kam pershkruar e kam njohur dhe ne Tirane.Por ne Turqi mu shfaq totalisht e shperfytyruar, ne tendence te plote negativiteti ndaj cdo gjeje dhe gjithckaje qe ata e kishin paguar me leke.Pak leke.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com