Përsiatje për një kohë të papërsëritëshme, që nuk kthehet kurrë më
Broduej i Tiranës, BROADWAY OF TIRANA
Kush e thirri i pari me këtë emër? Askush nuk e di. Ndoshta ishit ju që e bëtë i pari këtë, ndoshta ti, ndoshta unë, ndoshta një tjetër, apo dikush që nuk e njohim as unë e as ti. Kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm është fakti që dikush nga ne e bëri i pari këtë, dhe kjo është kryesorja.
Ajo ishte një rrugë disi e ngushtë, e shkurtër madje jo më e gjatë se 100 metra, mu në qendër të Tiranës, që përballonte gjatë gjithë ditës një fluks të dendur kalimtarësh. U shpreha në kohën e shkuar vetëm sepse ndërtesat e njërit krah të saj nuk ekzistojnë më (me përjashtim të ish hotel “Vjosës” sot hotel “Miniri”), dhe përderisa kemi të bëjmë me një krijesë, në fund të fundit edhe ajo rrugë është krijim i mendjes dhe i duarve të njeriut, që tashmë prej kohësh gjendet e gjymtuar, me një varr gjigand të hapur ndanë saj (gropa e Sheratonit të Hajdin Sejdisë, që për fatin e mirë këto ditë ka nisur të mbushet), mua nuk më pëlqen të them është, përderisa ajo nuk është më ashtu siç qe.
Dhe tek e përfytyroj siç ka qenë, ndiej diçka të më thyhet në thellësi të zemrës dhe vetvetiu më lind pyetja tronditëse; mos vallë edhe rrugën tonë të dashur regjimi diktatorial e kishte dënuar me vdekje? E pse jo, në atë natë të gjatë të territ komunist‑enverian një gjë e tillë ishte mëse normale, përderisa jetët e njerëzve nëpër burgje e kampe internimesh nuk llogariteshin fare.
E si të mos e dënonte me vdekje këtë rrugë, të cilën disa “çunakë” kishin guxuar ta pagëzonin me emrin BRODUEJ (BROADWAY). Emri i njërës prej rrugëve më të famshme e më të dëgjuara të Nju Jorkut. Po cilët ishin këta çunakë dhe nga e kishin dëgjuar këtë emër, përkimin e të cilit ata e kishin gjetur aq të përshtatshëm për rrugën e tyre?
Ne ishim që të gjithë bij e bija familjesh të thjeshta e të nderuara qytetare tiranase, të nëpërkëmbura e të persekutuara nga regjimi komunist, të etur shumë për kulturë e dije, nxënës të gjimnazit “10 korriku” (sot gjimnazi “Sinan Tafaj”), që e përfunduam maturën në gjimnazin “Sami Frashëri”. Në pushimet midis orëve apo kur mungonte ndonjë mësues, shetisnim zakonisht në këtë rrugë, e nëse do të na ndodhej ndonjë lek do të qerasnim njëri tjetrin. Edhe mbasditeve po aty na binte të kalonim kur shkonim tek shoku‑shoku, apo në shkollë për konsultime. Ajo rrugë qe bërë vërtet pjesë e pandarë e jetës sonë. Atë pak kohë të lirë që na mbetej në mbrëmje, aty na pëlqente ta kalonim. Mbështetur në parvazet e mermerta të farmacisë Nr.3 (sot hotel “Miniri”), ose tek dyqani i luleve (sot lulishtja para hotel “Tirana Internacional”), ose tek rrugica pranë karrikes së Pac Llustraxhiut, ku mblidheshin futbollistët e Tironës, tek bomboneria “Odeon” (përballë nënkatëshit ku gjendet dyqani “Contoir de Paris”). Në periudhën e dimrit rrinim brënda në MAPO (nga e cila tani ka mbetur vetëm bodrumi ku gjendet disko “Albania”), aty pranë ariut polar prej alabastre gjithnjë stoik mbi banakun e repartit të bizhuterive. Kur gjendeshim me lekë shkonim e pinim nga një krikëll birrë tek “Tymi” I xha Andonit dhe perifrazonim Majakovskin me vargjet e tij: “Ju shkoni ku të doni, unë do të shkoj në arkën e kursimit”, kurse ne thonim: “Ju shkoni ku të doni, ne do të shkojmë tek xha Andoni”. Na pëlqente të hanim ndonjë zupë, pastë apo shampite në pastiçerinë e vogël të Ismet Fetishit te llustraxhinjtë afër MApo-s. Kështu kalonin ato mbrëmje të paharruara, në atë këmbim të dhjetëvjeçarëve ‘50‑’60‑të, në biseda për muzikën, sportin, shkencën, letërsinë, këngëtarët e artistët. Dhe pikërisht në atë kohë nëpër libraritë e Tiranës, u pa kopertina tërheqëse punuar bukur me ngjyra ku mbizotëronte e verdha me kafen, e një libri me titull “Një natë në Broduej” (tregime amerikane).
Për ne dalja e këtij libri, qe vërtet në eveniment ose më saktë në atë kohë do të thonim qe një meteor, që na ndriçoi sado pak imazhin e asaj bote të magjishme të përtej oqeanit, e botës së lirë, që diktatura përpiqej të na e përçudnonte e sfumonte nëpërmjet një propagande të shfrenuar.
Suksesin e atij libri e tregon fakti i shitjes së tij në kohë rekord. Çka flet për etjen e madhe që kishim ne të rinjtë e asaj kohe, për të mësuar diçka më shumë për atdheun e Elvis Prezlit, Frenk Sinatrës, Merilin Monros, Marlon Brandos, Bill Halejt, Odis Redit, Çobi Çikerit etj, për të cilët ne arrinim të mësonim paksa vetëm nëpërmjet radios. Në bisedat tona ky libër qe i pranishëm çdo natë, derisa një mbrëmje tek po shëtisnim nëpër trotuaret e rrugës tonë të dashur, dikush nga ne tha: “Na mbytën këto emrat rusë, ngado që të ecësh, e ngado që të kthesh kokën vetëm ato ndesh; pastiçeri “Moska”, bar “Krimea”, hotel restorant “Odesa”, pastiçeri “Vollga‑Don”, hotel restorant “Vollga” etj. Do të ishte vërtet bukur sikur rruga jonë, që vërtet nuk është rrugë teatrosh, por ama me këtë ngushtësinë e saj karakteristike, dendurinë e dyqaneve, me kalimtarët e shumtë, me pijetoret aq tërheqëse, ta kishte emrin Broduej”.
Kaq tha ai dhe më vonë pasi dëgjuam Çobi Çikerin te LLAKSI (siç i thonim ne stacionit radiofonik RADIO LUXEMBOURG, LONDON W1) me një radio-dore aty tek kioska e gazetave ngjitur me dyqanin e mishit të Lik Demnerit, kur u ndamë se kush tha: “Nesër po prap këtu te Broduej”.
Dhe sot e kësaj dite askush nuk e mban mend se cili qe ai, por kjo pak rëndësi ka. I rëndësishëm qe fakti, që kjo ishte një lloj sfide, që i bënim diktaturës komuniste, në kushtet e një terrori të egër. Ndaj edhe kënaqësia jonë qe e tejskajshme. Dhe këtë e bënim ne këtu e mbi katër dekada më parë. Ne brezi i viteve gjashtëdhjetë, i dhjetëvjeçarit më të bukur të shekullit të kaluar, që ka mbetur i paharruar dhe nostalgjik në kujtesën e të gjithë atyre që e përjetuan.
Qe një fat i madh për ne vërtet, që qemë bashkëmoshatarë të asaj periudhe, kur njerëzimi pushtoi hapësirat kozmike, ku shkenca dhe teknika pati zhvillime gjigande, ku muzika ngjiti në piedestal Bitëllsat e magjishëm, ku kinemaja, teatri, televizioni arritën nivele kulmore dhe mbarë njerëzimi u vu në rrugën e një zhvillimi e përparimi, që shumë shpejt do ia ndryshonte imazhin gjithë botës.
Pak histori
Emërtimi i një rruge
Sheshi “Skënderbej” ishte piketa e parë, nga ku niste përzgjatimin e saj drejt malit të Dajtit rruga e “Dibrës” dhe pikërisht tek kjo piketë niste edhe emërtimi i ri “Broduej”, që i kishim dhënë ne, fillesës së saj, teksa emërtimi “Rruga e Dibrës” sigurisht vinte që nga thellësitë e shekujve, në kohën e udhëtimeve me karvane. Madje, nga ky shesh-piketë nisnin edhe përzgjatimet e rrugëve të “Durrësit”, “Kavajës”, “Elbasanit”, “Shkodrës”, “Shengjergjit” etj, të cilave menjëherë pas vitit 1944 komunistët e ardhur në pushtet shpejtuan t’u jepnin emërtime të reja. Rruga e “Durrësit” u quajt “Kongresi i Përmetit” (seç lidhje kishte ajo rrugë me atë kongres një Zot e di, aq më tepër që ajo nuk të çonte drejt Permetit!), rruga e “Kavajës” mori emrin “Konferenca e Pezës”, e “Elbasanit” u pagëzua “Labinoti”(e pabesueshme i hiqej emri i një qyteti me tradita e kulturë të lashtë dhe i vihej emri i një fshati të humbur), e “Shkodrës” u emërtua “Mine Peza” dhe e “Shëngjergjit” mori emrin e heroit të popullit, Ali Demi. Por edhe në kohën e mbretërimit të Zogut rrugët e Tiranës kishin pësuar po këtë fat me emërtimet e tyre. Kështu rruga e “Kavajës” mbante në atë kohë emrin “Bulevardi Benitto Musolini”. Rrugës së “Durrësit”, mbreti i pati dhënë emrin “Nana Mbretneshë” në kujtim të së jëmës Sadijes, dalë nga dera e Toptanasve. Rruga e “Barikadave” ndërtuar nga vetë ai u quajt “Rruga mbretnore”, rruga “Qemal Stafa” kishte emrin e kryeministrit të atëhershëm “Koço Kotta” etj. Ndërkohë e vetmja rrugë. që nuk ka pësuar tjetërsime në emërtimin e saj që nga dita e përurimit e deri më sot është rruga “28 Nandori”, e cila nis nga kulla e sahatit e deri tek varri i Kapllan Pashës. Pas vitit 1944 edhe rruga e “Dibrës” mori emërtim të ri, madje pati fatin të mbante emrin e një atdhetari të nderuar si Bajram Curri. Po gjatë periudhës së mbretit Zog, ç’emërtim kishte pasur ajo?
Nëpërmjet monografisë së orientalistit të shquar profesor Osman Myderrizit titulluar “Tirana 1604‑1937″ botuar prej bashkisë me rastin e 25‑vjetorit të pavarësisë (që na ra në dorë pasi rruga jonë ishte emërtuar), mësojmë që fill pas zgjerimit, asfaltimit dhe rregullimit të trotuarit në një gjatësi 2200 m dhe gjërësi 15 m, nga viti 1925 deri më 1934, mbreti Zog e kishte pas emërtuar me emrin e të atit Xhemal Pashë Zogolli.
Vërtet përkimi kishte qëlluar i rastësishëm, po ndërkohë ai ishte edhe tejet domethënës, nuk kishte gjë më të bukur, teksa emri “Broduej” i rrugës tonë të dashur tashmë përpos pështjellës së misterit njujorkez do të kishte dhe atë të një dinastije mbretërore. E madje, sepse qe i tillë, nëpër trotuaret e kësaj rruge lëvizën heronjtë e romaneve të Kadaresë, teksa Dritëroi i thuri vargje nëpër poezitë e tij (të mos harrojmë që të dy këta korifej të letrave shqipe preferuan të banojnë pikërisht në të vetmen godinë të ngritur në të për banim). Në festivalin XI të këngës Sherif Merdani, me muzikën e Alfons Balliçit, (kitarist i famshëm e virtuoz, që luante në orkestrën e “Vollgës”, të cilin enkas për ta dëgjuar ne braktisnim “Broduejn” shpesh herë), këndoi këngën “Rruga e Dibrës” (nuk guxonte kush në atë kohë ta quante “Broduej i Tiranës”), ndërkohë që një shoku jonë kishte vite që kishte thurur këto vargje të thjeshtë për të:
Dritë pamë ne në sytë e shoku‑shokut
Broduej, ky emër që nuk do vdesë kurrë.
Atë natë e famshmja rrugë e Nju Jorkut,
Midis Tiranës sfidoi terrin diktaturë.
Te dyqani luleve takoheshim çdo mbrëmje,
Mburrnim Tironën, skuadrën tonë të fortë.
Diskutonim filmat dhe letërsinë me ëndje
Kadare, Remark, “Bibla” jonë “Tre shokë”.
Më tej biseda ndizej për artistat,
Njerëzit lumë gjallonin nëpër “Broduej”.
Vajzat qeshnin,ne këndonim Bitëllsat;
“O girl”,”Let it be” o “Yesterday”.
Shënim: Marrë nga libri në dorëshkrim “Broduej i Tiranës”, Bedri Alimehmeti
Sjelle tek Peshku nga “Plaku”


15 February 2008 @ 6:43 pm
“Kështu kalonin ato mbrëmje të paharruara, në atë këmbim të dhjetëvjeçarëve ‘50‑’60‑të, në biseda për muzikën, sportin, shkencën, letërsinë, këngëtarët e artistët”
Nje brez qe nuk perseritet me. Bisedat e te rinjeve shqiptare sot a jane valle te njejtat ? Sigurisht qe jo.
E di si eshte nje pune, prinderit tane e ky brez i vjeter, jane shume here me europiane, qytetare, “urbane“, moderne e i kultivuar se brezi i sotem. Te qenurit ne diktature nuk do te thote detyrimisht humbje vlerash sociale. Asnjehere nuk e kam ndjere veten i huaj ose me thjesht “out” ne France pikerisht fale edukates qe me kane percjelle prinderit e mi. Brodway, kush vazhdon te enderroje valle per kete rruge imagjinare sot ne Tirane ??? …
Jam i bindur qe nje pjese e mire as qe nuk e njohin fare…
Brezi që po shkon dëm
Mentor Kikia
Duke qenë pjesëtar i një brezi, i cili në rininë e tij të pasurit e një pale pantallonash xhins apo kadife e kishte luks ta madh, ndjej kënaqësi kur shikoj se si gjimnazistët dhe studentët e sotëm kanë të gjitha mundësinë dhe hapësirën për ta shijuar ndryshe këtë fazë të jetës. Por pikërisht, mënyra e të shijuarit të jetës nga rinia sot, ka ngrënë shumë herë diskutim. Është kjo një mënyrë moderne, pra normale për kohën që jetojmë, është shumë ekstravagante (jo në kuptimin e shfaqjeve të huaja të periudhës së para viteve ‘90), është e tepruar, apo edhe më keq, e degjeneruar dhe e degraduar? Për pasojë mund edhe të pyesim nëse brezi i sotëm është një rini normale, është mjaftueshëm i shkolluar e i edukuar për të qenë i gatshëm të marrë në dorëzim Shqipërinë e së nesërmes dhe i aftë për ta dërguar më përpara e për ta bërë më të begatë se etërit e tyre vendin e tyre? Këto pyetje hanë shumë diskutime dhe shumëkush mund të ndajë opinione të ndryshme e kontradiktore. Personalisht do t‘i bashkohesha grupit të njerëzve që ndjehen të shqetësuar për brezin e ri, për cilësinë e shkollimit, për nivelin kulturor, për nivelin e edukatës dhe mirësjelljes dhe për pasojë edhe për të ardhmen e tij.
Ndërsa ecnim një ditë trotuarit të bulevardit të kryeqytetit, tri vajza, në moshë të gjimnazit, bisedonin shpenguar me zë të lartë. Njërës i ra telefoni dhe u përgjigj: “Hë me kurve, ku je? Nga mutin ku ke humbur një javë?”. Pasi mbylli bisedën, shoqja e pyeti se kush ishte. “Ajo shoqja ime e Qemalit (mesa duket e shkollës së mesme “Qemal Stafa”), Lola”. “Kush me? - ndërhyri tjetra - ajo shurra që pallohet me atë mallistin, që ndau atë shoqen time nga dashnori?”. Biseda mes tyre vazhdoi në të njëjtën temë, kur një djalë i ra borisë së makinës. “Ata robt ku t‘i kesh shkërdhatë” - ia priti e treta, me sa fuqi që kishte. Shumë njerëz kthyen kokën të nxitur nga kjo shprehje, por kjo nuk ndikoi fare që vajzat të ndryshonin temën e bisedës.
I kërkojmë një mijë herë ndjesë lexuesit dhe gazetës për përdorimin e shprehjeve të mësipërme. Por e riprodhuam dialogun me korrektesë për të qenë më realë në ngritjen e një problemi vërtet serioz dhe shqetësues si dhe për të ndarë me ju një brengë që të mbetet pas, kur shikon tri vajza të bukura e të veshura hijshëm, të flisnin mes turmës së njerëzve me një gjuhë tejet ordinere. Në fakt, fillimisht rrezen e shqetësimit e pata shumë të ngushtë, kur mendova se çfarë përgjigje do të merrja, sikur njëra prej tyre të ishte nesër nusja e tim biri (i cili për fat është ende herët për kësi punës) dhe unë t‘i kërkoja, ta zëmë, të më bënte një kafe? Këtë episod e bëmë objekt diskutimi mes një grupi kolegësh, duke shprehur shqetësimin për degradimin e fjalorit në radhët e rinisë. “Je shumë i vonuar - më thanë. Vajzat kanë kohë që ua kanë marrë frenat djemve. Janë ato tashmë që përdorin si të zakonshme shprehje nga më ordineret, që të shajnë mbarë praptë, siç e themi ne meshkujt, me libër shtëpie. Në rrugë, në shkollë, në kafene, e madje edhe në familje, fjalori i tyre është një degjenerim total”.
Konstatimi i vonuar na u kujtua sërish këto ditë kur Elsa Ballauri, ngrinte në një artikull një shqetësim vërtet serioz: fatin e rinisë “bllokiste”. Asaj rinie që braktis shkollën dhe dergjet tërë ditën kafeneve, rinisë që diskuton për çdo gjë, veç për një libër, për një film apo një teatër jo. Të asaj rinie, ku individi që lexon është një humbameno, ai që shkon rregullisht në shkollë është një debil, ai që krahas shkollës bën edhe një punë është fakir. Duhet të jemi seriozisht të shqetësuar për fatin e individëve që do të përbëjnë shoqërinë produktive të së nesërmes, të cilët nuk dinë ku bien dyert e bibliotekave, por dinë adresat e të gjitha pabeve, klubeve të natës dhe moteleve. Koha është duke prodhuar vërtet një kategori të rinjsh shumë të aftë, që po formohen bindshëm edhe në universitete të famshëm në botë. Por ata janë fare pak të për ndikuar në përqindjen e lartë të injorancës që do të mbushë shoqërinë e së nesërmes, pa llogaritur që një përqindje e konsiderueshme e tyre nuk kthehen më në Shqipëri.
Produkte të një shoqërie ku edukimi ishte çështje e partisë dhe ku mirësjellja dhe të nxënit imponoheshin, prindërit e rinisë së sotme mjaftohen me shpenzimet për të mos u munguar gjë fëmijëve të tyre dhe përgjithësisht nuk kanë në axhendë edukimin e tyre. Shumë syresh që kanë mundur të krijojnë komoditete financiare mjaftohen të paguajnë shtrenjtë në shkollat private dhe nuk e dinë se sa efektivisht notat e tyre janë ekuivalente me njohuritë. Shumë syresh mjaftohen me regjistrimin në universitete private dhe presin fundin e katër viteve për të marrë diplomën e blerë me para. Shumë syresh krenohen që u bëjnë surpriza me BMË ditën e lindjes së fëmijëve të tyre gjimnazistë, të cilët megjithatë nuk kanë një libër në shtëpi. Rinia e sotme nuk ka simbole, nuk ka idhuj për të ndjekur dhe është e prirur të rrëshqasë lehtësisht drejt degjenerimit. Për më shumë se një muaj, idhulli i rinisë dhe adoleshentëve të Tiranës ishte videoja e një artisteje që ishte filmuar nudo ndërsa merrte drogë, të cilën të rinjtë e qarkullonin në telefonat e tyre celularë.
Me këtë brez nuk bëhet fjalë të flasësh për parime, si p.sh., vullnetarizmi, pasi ata po edukohen me frymën e trotuareve. Media nga ana e saj nuk ofron asgjë edukative. Ekranet televizive kanë në qendër edicionet e lajmeve dhe debatin politik, ndërsa pjesa tjetër e kohës mbushet me telenovela, të cilat kanë të gjitha të njëjtën fabul: një mjedis ku gëlon thashethemi, intriga dhe tradhtia seksuale, ku nëna ngatërrohet me djalin, vajza me babanë e ku si nëna, ashtu edhe vajza, kanë të njëjtin të dashur. Përtej fatalitetit me të cilët po ngrejmë këtë shqetësim, realiteti duhet të na bëjë të mendojmë seriozisht për ta ndryshuar atë. Dhe në radhë të parë sytë duhet t‘i drejtojmë nga shkolla.
Gjithkush që ka pasur përvojën e pjesëmarrjes apo të asistimit në një institucion arsimor në vendet e qytetëruara, ka parë që të paktën në orën e mësimit nxënësit, studentët dhe mësuesit e kanë të ndaluar rreptësisht të përdorin telefonin celular e aq më shumë të ndezin cigaren. Gjithkush që ka pasur këtë përvojë ka parë që askund nuk ka vajza në shkollë me mini e mikrofunde si në shkollat tona. Shkolla duhet të rrisë shkallën e disiplinimit dhe shkallën e bashkëpunimit me prindërit. Ajo nuk është një institucion argëtimi, ku vajzat shkojnë për të zënë të dashur e djemtë të dashura, por një vatër të nxënit dhe detyrimisht edhe edukimit. Duhet të ndjejmë frikë seriozisht për të ardhmen e shoqërisë sonë.
15 February 2008 @ 6:48 pm
Nuk mund te them asgje tjeter vec “Fantastike”. Sado qe kam pare dhe perjetuar jo pak ne perendim, ajo Tirane e atyre viteve mbetet per mua e paharruar. Faleminderit atij qe e ka shkruar.
15 February 2008 @ 7:16 pm
I ka hyp menia me u marrë të gjithë me histori tani… kish harruar vetëm të thoshte se pse ishte ndërruar emri i shkollës nga “10Korriku” me atë emrin tjetër, dhe do ta kishte kompletuar etimologjinë e emërtimeve urbane.
15 February 2008 @ 8:04 pm
Libri i Prof. Fuges Rrota e Mundimit e kap shume bukur kohen qe nuk kthehet me. Ishte kohe qe nuk kthehet me
15 February 2008 @ 8:15 pm
…kete rrugen “broadway” e mbaj mend pak fare,…por vedi kam qene i “antaresuar” tek grupi i kafe “flores” dhe bordures perballe hotel “dajtit”…sigurisht me te njejten permbajtje, pervec se aty mblidheshin me shume tifozat e partizonit, juves, milanit e lives…beatles, stones, purples, batistit e celentanos etj etj….
15 February 2008 @ 8:31 pm
I nerum Blendi!
Bjere dhe ate pergjigjen e zbehur ketu te Lutem.Ndoshta eshte pjese e kesaj prurje .
Dhe pas kesaj na lind e drejta e barabarte per fshirje ,zbehje apo argumente per Tiranen qe sic po lexon ,mba vetem nje grimce -grimase nga ato vite VERTETE si LINDJE nje forme e permbajtje te ngritjes se
nje QYTETI te RI Modern,me emrin e sotem TIRANE!
15 February 2008 @ 8:40 pm
Edhe sikur mos ta biesh, me urtesi do vesh re nje prurje SHARLATANE qe injorancen e tij kerkon ta mbushe me mendime ne “HENE me YJE”.
Ka shume te teorise “undergraund “qe jo vetem s’kane qene dhe nuk mund te ishin te tille ,por nga te gjithe njerzit qe mernin nje fare kulture mesatare ,ne fazen e ngritjes masive te shkollave te mesme, edhe ky Alimehmeti vjershat ne gazeten e murit te shkolles 10 korriku po na i bije te nje shoku me BITLEAS ,kur ata akoma nuk kishin filluar te njiheshin ne vitin 63 ne Europe e le me ne …….oh c’kohe mashtrusish!
Xhixhile moj xhixhile!….Tironse……jo e perpunuar…
Nejse,kushdo mund te kenaqet me fantazime por me argumentin dhe faktet eshte veshtire te ballafaqohesh!
Edhe nje here Falemnderit .
15 February 2008 @ 9:48 pm
Pavaresisht talentit te padiskutuieshem te autorit (losttext), ja cfare eshte e afte te frymezoje TIRANA:
C’m’u faneps ne kujtese
Tirana e mbushur cip me cip me diell
Me pluhurin e rrugicave,-
Musht I dehjes verore-
Me hijet e perthyera
Pitagorike
Te mureve,
Te qosheve
Te frrujtura nga ferkimi
I ktheses dhe nga elipsi
I papritshmerise!
15 February 2008 @ 11:33 pm
Tironen e perjeton secili sipas menyres se vet,por sigurisht jovetem plaku ,patjeter behet nostalgjik, se jeta shkoi per”lesh” e nuk mund te rosh perjetsisht,si tek “Ruga e Dibres”shancet iken,ne fakt koha sfidon cdo brez,dhe “kur bari rritet,i vjen koha te korret” hipokrizia eshte qe bari i vjeter,kerkon te duket dhe shpesh shprehet”kur isha nje here ne Dardanele..pashe nje …e bera kete,dhe ate eh ishin kohe te arta,kupton? Bitellasa, Rolling stons Abba, ah Diktatura ,,ndingjonim Xhani Morandin,Adrianon,ishim nje brez …por atehere nuk na linte Diktaura ..porse dihet qe shijet me te mira te pijeve ndjehen me shume kur ka “Thatsire”e keqja eshte se meret nepergoje, shija e etjes,ne kohen e “thatsires”qe tashme shkoi,dhe sot kur “thatsira” mungon dhe ti provon te gjitha pijet qe ekzistojne ,e as njera nuk te shijon,,, C`te besh? I kthehesh kohes mbrapa,”eh kur isha nje here ne Dardanele.. por ahhhh Diktatura…. ne keshtu e ashtu ..kur ni gjojshim atehere,, xhani morandin,domeniko madunjin,nirvanen, iva xaninin,rafaela kara, konge angleze..ahh diktatura ..” Ne fakt kur vjen mosha,njerzit behen nostalgjik..por sidoqofte brezit te ri as i rruhet dhe as i ve ne puulle ,..bemat e tua…..sepse tashme jeta shkoi e ste kupton njeri..por te pakten o njeres “pleq” mos e hidhni poshte kohen, sepse “edhe ne pyll,edhe ne shkretetire .ka jete”
Edhe ne komunizem jeta kaqene e bukur,e ndjeshme,ka pas jete..e sotmja…do te jete me e bukur se e nesermja ..por do te thone ..ka qene nje hajvan ..kryeminister .por nejse jeta megjitheate ishte e bukur megjithe mizerjen,dhe skamjen e shpirtit!1
16 February 2008 @ 12:16 am
E kuptoj vonesen dhe fshirjen por nuk kam deshire ta besoj.
Per te mos u turullosur!
Per Emigrantin!
Fjala “Brodway” eshte e prure nga nje liberth i I.Kadare qe mua me ra ne dore ne vitin 63..Libri titullohej “Djemt e Bulevardeve” qe me vone u integrua ne librin “Dimri vetmise madhe” i ripunuar e i prure me titullin “Dimri i Madh” d.k
Per te mos i besuar pallavrave “me familje te thjeshta e te mira” si pruresi qe “nuk e di se kush e tha i pari” po qe e perdornin te gjithe si “pik takimi”, ne nje vend ku sipas Alimemetit diktatura kontrollonte dhe raste ne burg per hicgje rinine….???? ….Pallavraxhi per Rastin….
Ka shume te paverteta ,mbi te gjitha shikimin e Tiranes ne kend “ballisti”
por ka edhe shume te verteta qe si i thone nuk futet “minarja ne thes”.
Dua ta perseris se sot NUK ka me TIRANE !
Sot ka nje Metropol qe sa me shpejt i duhet gjetur nje sinonim,me nje lagje ne mes te tij qe Quhej —-Tirane—– qe vjen si truall e si objekte qe nga Lashtesia e njejta me popujt fqinje e kulturen e tyre.
Tirana per mua karakterizohet nga disa epoka
- E lashta nenkuptoj njekohesisht me Athinen para helene, e sulmuar e pushtuar ,djegur e plackitur,vrare e prere per njemije e nje arsye te kohes …e humbur…. por jam i bindur qe do zbulohet sepse duhet te kete qene nje nyje nderlidhese per vete pozicionin dhe konfiguracionin e kushtet klimatike te saj.
-Shperberjen si qender dhe copezimin ne pjese te saj gje qe vertetohet nga shumatorja e Kalave qe rrethojne kete Qender qe nga Preza ne Petrele.
-Ringjallja nga koha e pas pushtimit otoman.
-Ngritja ne simbol nga kushtet Politike te kohes e shpallja e saj si K/Qytet me 1920.
-Investimet masive e me kulture te Italaneve nga viti 1925 deri ne vitin 36 dhe me pas shfrytezimi i saj prej tyre per qellime ushtarake.
-Ringritja masive ne shkalle te larta qyteterimi te kohes deri ne vitin 90 kur ju dorezua me IVENTAR Mixhisteve..
-Nderhyrje barbare ,shkaterime e prishje,coroditje totale prej viteve 1991 deri ne vitin 2000.
-Pas vitit 2000 e sot nje perpjekje titanike per ti dhene nje fizionomi te kohes por tashme ne kushte kur si ka mbetur ASGJE si TIRANE,pervec nonje nostalgjie me pershkrime e vjersha…..
16 February 2008 @ 12:22 am
Plako, na kenoqe. Po s’ka pas vetem emra rus te rrugeve, por edhe plot te tjere qe kishin “ngel” si puna e Broadway si psh: Polici me dore, Trekonshi, Xhomlliku, Tymi, Mushka, Zogu i zi, Pika, Berryli, Fusha Zeze, Brraka, Kisha Katolike, Reklamat etj qe s’me vine ndermend. Une per vete kam qene i abonum tek Bordura perballe Dajtit. Duhet me u ul e me i shkrujt liber gjithe gallatat e batutat qe u kane pas thone aty.
16 February 2008 @ 12:43 am
Z. Idris, ja tek e ke prurjen nga ajo tema tjeter. per vonesen kam ndjesen, por per fshirjet nuk di gje. S’jam i prere per ate zanat or taj!!! Fshesa ime eshte e vockel, me qime te shkurtra. E meqe e perdor per te pastruar gojet e pista ka te ngjare te mos jete fshese por furce dhembesh.
Idris thotë:
15 Shkurt 2008 @ 3:57 pm
Plaku!
ke dhene nje informacion te vleresueshem ku vertetesine me te madhe me kete metode paraqitjeje…”ai thote ky ka thene”….e fiton varianti me bindes i KONICES…
Desha me i kujtu nje gje te vogel prurjes tuaj se qe te quhesh tirans i vjeter duhet te kesh edhe nje CARAC dhe nje ….per dere.
Ka te ardhur ne Tirane ne kohen e diktatures qe me vertete prune
” koke qepet” po pati dhe te tjere qe i msun se nuk eshte vetem BATHA per ushqim, hahet edhe mishi etj .Te ardhurit e pertrine Tiranen me kryqzime kromozonesh me produkte edhe per “17″ edhe me Kadare…….
Vetem nje gje qe e QARTE ne ate kohe ….BATHORJA nuk quhej Tirane,
as Bregu Lumit as Kodra e Priftit.Kombinati quhej Kombinat e Lapraka
quhej Laprake. E vetmja shtese ne ate kohe qe ju bashkangjit Tiranes nga ajo KOHE eshte lagjja ALLIAS.
Sot i nerum Emi NUK KA TIRANE.Tirane eshte nje emer simbolik si pune atavizmi prandaj eshte tamam ne kohe gjetja e nje emri te pershtatshem
16 February 2008 @ 12:52 am
Si u zhdukën vendet e takimeve në kryeqytet
Para viteve ‘90 Broadway, në pluralizëm Disko Albania
Rezarta Delisula
Kanë qenë objekte që u përkisnin personave të ndryshëm, emra të njohur publikisht, apo kafene dhe hotele të famshme, orientimet që identifikonin dikur Tiranën e para ’90-s.
“Parku i Xha Tomit”, “furri i Mol Priskës”, “Vollga”, “përroi i Pal Poçes”, Broadway, pastiçeri “Krimea”… Nëse lije një takim, apo doje të tregoje vendndodhjen e një objekti, përdorje pikërisht këto emra me të cilët orientoheshin lehtësisht të gjithë. Zgjerimi i kryeqytetit dhe zhvillimi në periudha të ndryshme zhduku këto pika reference, të cilat gjejnë përdorim vetëm të tironasit e hershëm. Shumica e tyre janë zëvendësuar me objekte të tjera më shpejt të dallueshme e të njohura për shumicën e banorëve të ardhur në kryeqytet. Të vetmet shenja dalluese të pandryshueshme kanë mbetur pak, përfshi xhaminë, Skënderbeun, universitetin, Stacionin e Trenit e Selvinë. Nëse pyet në rrugë se ku është “parku i Xha Tomit”, rrallë mund të përgjigjen saktësisht, por nëse i pyet se ku ndodhet Kisha Ortodokse, shumica ta tregon. Ne do të kthehemi në kohë, në disa faza që ka kaluar kryeqyteti, në zona që dikur kishin një emër, ndërsa tani janë “pagëzuar” ndryshe, apo edhe më keq, janë zhdukur tërësisht, duke mbetur vetëm si emërtime në kujtesë.
Humbja
Në vitet 1950 e duke vijuar deri në vitet 1970, disa pika takimesh, apo shenja orientuese janë zhdukur plotësisht. “Pazari i Vjetër” është plaga e të gjithë tironasve të hershëm, por edhe të shumë arkitektëve, të cilët e kanë quajtur krim urbanistik shembjen e një prej pazareve të famshme dhe karakteristike. Ai ka qenë një nga pikat e orientimit në Tiranën e atyre viteve. Më 1960, ish-pazari u zëvendësua me një shenjë tjetër identifikimi me Pallatin e Kulturës dhe në sipërfaqen e madhe një tjetër objekt, “Mapo e Madhe” dhe një park lojërash. Deri në vitet 1990 takimet liheshin jo më te “Pazari i Vjetër”, por te këto objekte të reja, prej të cilave tashmë ekziston vetëm Pallati i Kulturës. Në vend të “Mapos së Madhe” dhe këndit të lojërave është “gropa e Hajdin Sejdisë”. Dashuria për Bashkimin Sovjetik ndikoi edhe në emërtimet e lokaleve, që si gjithmonë janë vende takimi. Pastiçeri “Moska” ndodhej mes Pallatit të Kacelëve dhe Varrit të Kapllan Pashës, apo pranë stacionit të Porcelanit, te xhamia. Përballë saj në lulishten para Bibliotekës Kombëtare ndodhej Pastiçeri “Krimea”. Tiranasit e vjetër tregojnë se ky lokal ishte pranë shtëpisë së Hobdarëve, apo Librit Universitar, që në ato vite ishte aty. “Te lulet”. Kjo ka qenë një tjetër pikë orientuese në kryeqytet, një dyqan simpatik ku në vend të së cilit u ndërtua më pas 15-katëshi. Kafe “Kursali” është një tjetër pikë referuese e Tiranës së atyre viteve, e cila u prish kur në vend të bashkisë së vjetër do të ndërtohej Muzeu Kombëtar. Kafe “Kursal” ndodhej në këndin ku bashkohej rruga e “Kavajës” me rrugën e “Durrësit”. Pas shembjes së kafes së famshme, aty ekspozoheshin reklamat e kinemave dhe vendi nisi të quhej “Te reklamat”. Në post vitet ’90, shumica e njerëzve e përcaktojnë si gropa e malajzianit, ose aty ku nisen autobusët e Kamzës në qendër dhe, më shumë si vendi pas bustit të Enver Hoxhës.
Para e pas viteve ‘90
Në regjistrimin më të fundit të bërë para viteve të pluralizmit mbetet ai i 1989-ës, ku popullsia e Tiranës shënonte rreth 250 mijë banorë. Pas vitit 1991, nisi lëvizja e pakontrolluar e qytetarëve nga rrethe të ndryshme të vendit e paralel me ta, “zhvillimi” i pakontrolluar i qytetit. Shumë objekte të reja e emra të rinj zëvendësuan orientimet e dikurshme. Transformimi po kapte të gjitha hallkat, edhe pse në mënyrë jo shumë të dukshme. Furri i Mol Priskës është ende ndër të rrallat vende ku piqen tava të ndryshme. Ai ndodhet në këndin e rrugës së “Tafajve” me rrugën e “Dibrës”. Për shumë vite aty punoi usta Bimi dhe tironasit e vjetër e përdorin ende si pikë referimi. Por për shumicën më gjerësisht përdoret “Selvia”, e cila ka qenë edhe më parë pikë referimi dhe për një pakicë vendi në mes të rrugës që të çon te spitalet. Shihemi te “Vollga”… Këtë e dëgjojmë shumë rrallë, madje disa e lexojnë për herë të parë, sepse për shumicën “Vollga” është kthyer te “Drini” apo te Partia Demokratike. Broadway. Bulevardi i rinisë deri në fillim të viteve ’80 fillonte te 15-katëshi e përfundonte pak më poshtë se mapo e madhe. Në fillim të viteve ’80, por edhe më vonë,Broadway u zëvendësua me një tjetër shenjë identifikuese, me Pallatin e Shkrimtarëve apo Pallatin e Kadaresë. Pas viteve ’90, e famshmja disko “Albania” u kthye në pikën e orientimit për këtë zonë. Edhe lokali i famshëm “Postiqja” në fillim të viteve ’90 u zëvendësua me “Pjacën”. Institucionet janë një tjetër pikë referimi për të gjithë. Dikur zona rreth Drejtorisë së Policisë identifikohej si “Mensa Kineze”, ndërsa tani ka marrë emërtimin e ri, duke u nisur nga institucioni i rendit. Nostalgji zgjojnë vendtakimet e harruara dhe emrat, që tashmë janë zëvendësuar nga të tjera pika referimi.
Të harruara
E kam shtëpinë te “Përroi i Pal Poçes”, ose afër “Përroit të Pal Poçes” e të tjera orientime si këto përdoreshin gjerësisht para viteve ’80 dhe më vonë, ndërsa tani në bisedat e përditshme ky emërtim thuajse ka dalë nga fjalori. “Përroi i Pal Poçes” është zëvendësuar me “Tregun Elektrik”. Po kështu “Uzinës Enver” i është mbivendosur “Gabi te parku”. Mapot me kolona një tjetër pikë referimi në kryeqytet janë zëvendësuar me “Kafe Evropën”, ku qytetarët e rinj orientohen më shpejt. Ndërkohë për periudha të caktuara është harruar emërtimi i Tajvanit, ndërkohë që rinia orientohej me fjalën Parku dhe dhjetëra emra lokalesh të rinj që sfumuan lokalin luksoz të Tiranës së paraviteve ’90. Ndërsa sot Tajvani përdoret gjerësisht madje dhe si pikë orientimi për të treguar “Shallvaret”. Edhe ish-kafe “Rinia” pranë ish-kinema “Republikës” është harruar me kohë. Ajo u zëvendësua nga “Gudeni”, ndërsa tani të gjithë identifikojnë klinikën “Ufo”, ose afër tregut çam. Edhe vetë kinema “Republika” humbi ndër vite. E zëvendësuar me kinema “Millenium 1”, tashmë ka mbetur thjesht një konvencion. Ish-Komiteti Qendror është zëvendësuar me Kullat Binjake, Pallati i Pionierëve me “Milenium 2”, kinema “Ali Demi”, apo “Ullini” nuk përdoren më, ose mjaft rrallë për t’u zëvendësuar me fjalinë; sapo ngjitesh për në “Ali Dem”, ose te shkolla “1 Maji”, spitali nr.5 me fushën e zezë të gabit… Burgu i vjetër me komisariatin nr.4, Estrada me “Chaplinin” e shumë si këto.
Zhdukja
E ndërsa në shumicën e rasteve që përmendëm kanë ndryshuar pikat e referencës, disa të tjera janë zhdukur tërësisht. Kinema “17 Nëntori” nuk ekziston më, edhe pse ky emër lidhet me shumë prej kujtimeve të njerëzve. Po kështu në vitet e socializmit një tjetër emër i përdorur shpesh ka qenë “Shpia e Cenit të Lakut”, ortopedit popullor që ka pasur mbi 5 mijë pacientë. Vendin e tij e kanë zënë djemtë, ndërsa në shtëpinë përdhese të ortopedit, që ka qenë pikë orientimi, janë ndërtuar pallate të larta. E po të njëjtin fat pati edhe kinema “Republika” apo “Milenium 1”, tek i cili po ndërtohet një tjetër pallat, ku thuhet se një kat do të bëhet sërish kinema. Edhe punishtja e pastave që ka qenë në mesin e rrugës “Siri Kodra” është zhdukur bashkë me funksionin e saj para shumë vitesh. Po kështu, nëse dikujt i thua te “Librari Flora”, përveç qytetarëve të hershëm të Tiranës rrallë e dinë se ku bie. Mes kësaj parade emrash që kanë qenë shenja orientuese në kryeqytet, treguam se si zhvillimi apo zgjerimi i Tiranës ka zhdukur dhe eliminuar objektet që dikur kanë pasur një histori. E bashkë me objektet, ngatërresa të tilla kanë pasur edhe rrugët që kanë ndryshuar disa herë emërtime.
Si kane ndryshuar vendtakimet ne kryeqytet
* “Parku i Xha Tomit” me Kishën Ortodokse
* “Mapot me Kolona’ = Kafe “Evropa”
* Kafe “Rinia” pranë ish-kinema “Republikës” u zëvendësua nga “Gudeni”, ndërsa tani të gjithë identifikojnë klinikën “Ufo”.
* Kinema “Republika” u zëvendësua me kinema “Millenium 1”
* Ish-Komiteti Qendror është zëvendësuar me Kullat Binjake
* Pallati i Pionierëve me “Milenium 2”
* Kinema “Ali Demi”, apo “Ullini” me shkollën “1 Maji”
* Spitali nr.5 apo Oxhaku me fushën e zezë të gabit…
* Burgu i vjetër me komisariatin nr.4
* Estrada me “Chaplinin”
* Mapo e Madhe me “Gropën e Sejdisë”
* Vollga me Drinin, ose selinë e PD-së
* Kursali me vendin ku ekspozoheshin reklamat e kinemave, ndërsa tani me gropën e malajzianit
* Uzina “Enver” me “Gabin te Parku”
* Broadway me Pallatin e Shkrimtarëve dhe më pas me disko “Albanian”
* “Mensa Kineze” me Drejtorinë e Policisë
* “Përroi i Pal Poçes” me “Tregun Elektrik”
* “Furri i Mol Priskës” me “Selvinë”
* “Pazari i vjetër” me Pallatin e Kulturës
* “Te Lulet” tani te “15-katëshi”
* Polikumi në Harry Fultz
* “Zogu i Zi” me mbikalimin
16 February 2008 @ 2:20 am
Personalisht dhe nje gje me cudit. Qe akoma te ky artikulli i fundit, shqiptaret orientohen me pika “referimi” te tipit takohemi te poliklinika ufo apo te tregu cam. Kjo tregon qe do te duhet dhe ca kohe qe bashkia ta marri seriozisht ceshtjen e adresave te qytetit. Asnje turisti nuk ja uroj te humbi ne kryeqytetin tone
16 February 2008 @ 2:54 am
Eshte shume interesant te perdoresh kete menyre orientimi “Gjeografik” me objekte ne qytete te medha…shpesh humbet nqs le takim “tek karburanti”…
Gradualisht u mesuam qe kete lloj orientimi ta shndronim dhe ta perdornim si vendasit “Ku kryqezohet 42 me avenjune 5″
Kisha deshire te shtoja edhe disa pika takimi qe i kane rezistuar kohes
-per te gjithe ata qe nuk e njihnin Tiranen pik takimi kyc ishte
tek “Skenderbeu”,….kishte pika si “tek kafe gjirokastra”rreth rrotullimi tek lulishtja e qendres,”tek pishat” stacioni autobusit te Tir Re ne Qender,ose lulishtja para Min Ekonomise,”Tek Taivani”Ose te parku”,Ish parku Rinia qe eshte zevendesuar nga KAZINO, “ne sullacio” ose “tek xhirua” qe nenkuptonte shetitjen klasike para Hotel Dajtit ,”te Liqeni etj etj ndersa ne lagje kishte plot pika sipas lagjeve ose rrugeve ,psh “Te kinema Agimi”,”Tek Qemoli “(klubi Qemol Avdis,)ishte karakteristik se mund te pije ne vendin me te preferuar nje kembe brenda lokalit dhe tjetren ne trotuar duke e kaluar nga penxherja…..
16 February 2008 @ 12:37 pm
Plako,mesiguri qe je buke e vjeter qe i mbake men,e te peshendes per sjellejen e emrave te vjeter te tirones …. kjo puna e emrave,mendoj se eshte nje mentalitet i banorve te vjeter qe percillet tek banoret e rinje,dhe kjo s`ka per te ndryshuar edhe me “kartat e identitetit”ose edhe me adresat elektronike ,”data base” qe do te vendosen ne te ardhmen…pikat e orientimit me “objekte” ose emra te “vecante” do te mbetet.. eshte nje gje shume e bukur qe keto emra te mos harrohen,dhe te kene historine e tyre …do te kete njeres si plaku,qe ti kujtojne keto// une psh mbaj men ,parkun e xha tomit qe ka pas qene nje qender shume modeste dhe shume e frekuentume ,nga femijte dhe te rinjte ,pasi atje luhej edhe basketboll,edhe futboll,edhe volej bolle ne te njeten kohe.,po permend disa zona te tjera,si pallatet Moskate,(shkolla 11 janari)fusha ku luhej futboll,fusha e aviacionit,(mbrapa pallatiti sportit partizanai)NSHRAK,Puntoria,Fusha e sportit tek VasilShanto,fusha tek teknollogjiku,perball fabrikes se bukes,fusha e shkolles se rezervave,fusha tek teknikumi i ndertimit,perball kombinatit ushqimor, fusha tek Shallvaret,Pallatet agimi.. interesant sa fusha te gjera ka pas tirona …tani jane perpire nga pallatet ///Ura tabakeve,selvia ,… Tirona keshtu e njohem ..dhe po keshtu do te njihet por vecse me emra te rinje !
16 February 2008 @ 6:14 pm
Natyrisht qe me ndertimet e reja dhe shkaterimet e objekteve te vjetra , do te ndryshonin dhe emrat e vend-takimeve.
30 July 2008 @ 8:08 pm
Shkrimi i Rezarta Delisules eshte shume i percipte. Dhe duke qene i tille sigurisht qe ai nuk eshte aspak bindes ne gjithcka ka dashur te thote. Autorja, faktikisht eshte vajza e nje mikut tim. Dhe nese do te kishte dashur qe shkrimi ne fjale t’i dilte sa me terheqes e natyrisht me i sakte, po te kishte biseduar te pakten me te atin, padyshim qe ajo cka dashur te thote do te qe arritur.
Bedri Alimehmeti, autor i librit “Broduej i Tiranes”
30 July 2008 @ 8:12 pm
Te gjithe te ardhurit duhet te kene me teper respekt per Tiranen dhe tiransit, dhe duhet t’ia dine per faleminderit Tiranes fale se ciles e quajne veten kryeqytetas.