Persekutimi i pasardhësve të themeluesve të Ersekës, miqve familjarë të Ismail Qemalit e Fan S. Nolit

Vepror Hasani
Metropol

Qyteti i Ersekës ndahet në disa lagje, por njëra prej tyre është më e vjetra. Aty kanë jetuar themeluesit e qytetit të Ersekës, fisi Maluka, të cilët ishin miq të Ismail Qemalit dhe Fan S. Nolit. Normalisht duhej të quhej “Lagja e Vjetër”, por në të vërtetë nuk ka ndodhur kështu. Nuk do të ishte e tepërt edhe sikur të quhej “Lagja Maluka”, por për këtë emërtim nuk është menduar asnjëherë, ashtu siç nuk është menduar kurrë për ndonjë përmendore përkushtuar këtij fisi. Sot e kësaj dite, kjo lagje quhet “Lagja e Bujqve”.

Nuk dihet kush e thirri këtë lagje me këtë emër. Pagëzimi u poll fill pas ardhjes në pushtet të komunistëve, ndoshta për të treguar se tashmë e tutje po lindte një qytet industrial, por e vërtetë është krejt ndryshe.

Nëse zhbiron se cilët kanë qenë banorët e kësaj lagjeje, atëherë kupton se gjithë qëllimi ka qenë përbuzja e themeluesve, jo vetëm të lagjes, por të gjithë këtij qyteti dhe trajtimi i tyre si njerëz mediokër, pa dije dhe kulturë, thjesht si bujq apo blegtorë dhe e gjitha kjo vetëm pse kanë qenë të pasur, madje shumë të pasur. Kërkohej me çdo kusht shpërfillja dhe mohimi i tyre.

Malukat nuk kishin vetëm bagëti dhe toka të shumta, por edhe dyqane dhe vila me gurë të gdhendur, pyje dhe kullota, tregtarë të zot të këtij qyteti. Ata ishin borgjezët e Ersekës, por mbi të gjitha ishin patriotë të vërtetë, zotërues të mjaft gjuhëve të huaja, që nga arabishtja, turqishtja, frëngjishtja dhe deri tek gjuhët e shteteve fqinj.

Duke qenë të pasur kishin qëndruar gjithnjë në mbështetje të Ismail Qemalit dhe Fan S. Nolit. Njëri prej fisit Maluka, Hysen Maluka, me rastin e 50 vjetorit të Pavarësisë ka marrë në Vlorë shiritin e patriotit, por vdekja e tij ka bënë nga më tragjiket, u nda nga jeta i braktisur nga të gjithë. Qazim Maluka u pushkatua për fajin pse kishte qenë i pasur, Muharrem Maluka u dënua me 12 vjet burg, sepse nuk pranonte sekuestrimin. Njerëz të tjerë që mbanin këtë mbiemër përjetuan tmerr dhe vuajte pa pafund. Ky tmerr ka ndjekur jo vetëm fisin Maluka, por edhe pasardhësit e tyre. Një prej familjeve të tilla është ajo e Skënder Koçiut (Haxho), gruaja e të cilat ka qenë motra e Qazim Malukës. Tashmë nipi i Qazim dhe Muharrem Malukës, Pirro Koçiu (Haxho) tregon për gazetën “Metropol” se sa e padëshiruar kishte qenë familja e tyre nga regjimi i Enver Hoxhës.

Dëshpërimi i nënës

“Në familjen time, nis të tregojë Arti (Pirro) Koçiu, flitej shumë për fisin Maluka, sepse nëna ime Alija, kishte dalë nga ajo derë, por unë në atë kohë isha tepër i vogël për të kuptuar se cilët kishin qenë në të vërtetë dajallarët e mi. Dija vetëm që kishin qenë shumë të pasur, me prona, shtëpi dhe dyqane, por ende nuk dija se çfarë kishte ndodhur me ata”, fillon rrëfimin e tij, Arti (Pirro) Koçiu, nipi i Malukallarëve.

“Nëna më thoshte se vendi ku është ngritur ndërtesa përballë sheshit (sot bashkia e qytetit) kishte qenë pronë e Malukallarëve. ‘Te ky shesh, më tregonte ajo, çdo të mërkurë bëhej pazari’. Sa herë që niste të më fliste për Malukat, nuk e di pse i shihja një pikë loti te sytë që i ngrinte si një pikë vese mbi mollëza. Më tregonte gjithashtu se çdo vit nga data 25-28 shtator te një shesh i madh që ishte përsëri pronë e Malukallarëve organizohej panairi. Zëri i nënës befas fillonte të mallëngjehej. Pastaj ajo më tregonte për vilat që kishte ngritur ky fis, për dyqanet, hanet dhe gjithçka tjetër. Nënës i pëlqente të më thoshte se Malukat kishin qenë të parët që ishin nguluar në këtë vend rrëzë malit të Gramozit”, tregon më tej Arti (Pirro) Koçiu.

“Fal pasurisë së madhe që kishin, Malukat kishin punësuar shumë njerëz për punimin e tokave dhe kullotjen e bagëtive, për përgatitjen e djathit dhe tregtinë e mishit, për mirëmbajtjen e shtëpive dhe të dyqaneve, por në të njëjtën kohë paguanin ustallarë nga më të mirët për rregullimin e rrugëve me kalldrëm dhe ngritjen e shtëpive. Pranë banesave që ndërtonin në të njëjtën kohë hapnin edhe puse që uji të mos u mungonte kurrë. ‘Ishim mjaft të pasur’, vazhdonte tregimin e saj nëna ime, ndërsa pika e lotit mbi mollëza i mbetej i ngrirë vazhdimisht aty”, kujton e tregon bisedat me nënën e tij nipi i Malukallarëve.

Dajallarët e mi

“Vonë do të merrja vesh, se nëna kishte një vëlla të pushkatuar, Qazim Malukën, por në të njëjtën kohë kishte edhe një vëlla të dënuar nga regjimi i Enver Hoxhës, Muharrem Malukën, por këto do t’i mësoja shumë vonë, kur të isha i rritur”, vijon tregimin e tij Arti (Pirro) Koçiu.

“Ndoshta nëna ma kishte treguar gjatë e gjerë pushkatimin e të vëllait të saj, të Qazim Malukës, por ndërsa kisha ndjerë keqardhje, sepse nëna ime gjithnjë kishte lot në sy, nuk e dija se do të ndikonte edhe në fëmijërinë time, madje mund të them se nuk më kishte shkuar kurrë ndërmend. Ndoshta këtë nuk e kishte menduar asnjëri prej nesh. Ne ishim pesë fëmijë, Engjëllushja, Gëzimi, Fatmiri, unë dhe motra e vogël Alma. Vetëm kur u rritëm po ndjenim çdo ditë e më shumë se të qenit nipër dhe mbesa te një familje borgjezësh nuk ishte ndonjë gjë shumë e këndshme, madje nuk ishte aspak e këndshme, aq më shumë kur njëri nga dajat kishte qenë i pushkatuar dhe tjetri i dënuar me 12 vjet burg”, tregon Arti (Pirro) Koçiu.

“Vonë do të mësoja se dajallarët ishin përballur me njerëzit e pushtetit popullor. Fillimisht u ishin sekuestruar pasuritë e luajtshme dhe të paluajtshme, ndërsa më pas do të vendoseshin përballë tatimeve që zor se mund të kishte tregtar që mund t’i shlyente. Kërkohej edhe qindarka e fundit. Për daja Qazimin, ndjekja e një praktike të tillë kishte qenë absurditet. Ata kishin ardhur të parët në këtë vend dhe gjithçka e kishin ndërtuar me duart e tyre që nga çezmat e ujit ku shuanin etjen taksidarët e pushtetit dhe deri te kalldrëmi ku shkonin të krekosur njerëzit e sigurimit të shtetit për të bërë arrestime, të cilat nuk kishin të mbaruar në ato kohë”, vijon rrëfimin e tij, nipi i Qazim Malukës.

“Qazim Malukën nuk e falën. Në vitet e para të pushtetit popullor atë e pushkatuan. Por nuk u pushkatua vetëm ai. Në krah të djathtë të Ersekës gjenden rreth 30 varre. Atje ndodhen varret e të pushkatuarve. Nëna ime shkonte gjithnjë te varri i të vëllait dhe gjithnjë do të ulej atje për të vajtuar. Nuk i harroi dot njerëzit e saj deri ditën që u nda nga jeta, rreth 5 vjet më parë, por asnjëherë nuk munda ta shoh pa lotin te syri dhe brengën që nuk arriti ta fshihte dot kurrë”, kujton e tregon me dhimbje Arti (Pirro) Koçiu.

Rinia jonë…

“Kisha përfunduar gjimnazin, por nuk mund të shkoja në universitet. Kështu kishte ndodhur me motrën e madhe Engjëllushen, me vëllezërit Gëzim dhe Fatmir, por kështu do të ndodhte edhe me motrën e vogël, Almën. E ardhmja jonë do të ndërpritej në mes, ose do të ishte më mirë të thosha se ne ishim paradënuar për të qenë pa të ardhme. Nuk kishte aspak rëndësi që Hysen Maluka kishte luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë, nuk kishte asnjë rëndësi që vëllezërit Muharrem dhe Qazim Maluka kishin qenë miq të Ismail Qemalit dhe të Fan S. Nolit, madje nuk kujtohej kush të thoshte se fisi Maluka i kishte mbështetur fuqishëm këto dy figura. Jo, ne ishim pasardhës të një njeriu që ishte pushkatuar nga partia dhe kjo mjaftonte. Ndërkohë nuk mund të thuhej kurrë dhe nga askush që Malukat kishin qenë themeluesit e këtij qytetit të vogël. Jo, sepse sipas logjikës së asaj kohe, qytet i themelonte vetëm partia. Ndoshta kjo ka qenë arsyeja që lagjen më të vjetër të Ersekës nisën ta thërrisnin me emrin ‘Lagja e Bujqve’. Ne ishim pasardhës të asaj lagjeje”, tregon Arti (Pirro) Koçiu.

“Gjithsesi mungesën e së ardhmes më shumë nga ne të gjithë nisi ta ndjente Fatmiri. Unë ende nuk kisha filluar të ndihesha i dëshpëruar, ngaqë kur isha 17 vjeç u aktivizova me klubin e futbollit të qytetit tim, ‘Gramozi’. Isha një nga lojtarët më të mirë të skuadrës, por edhe më shumë se kaq. Në atë kohë pata kërkesa nga klubi i futbollit ‘Skënderbeu’ i Korçës, nga ‘Partizani’, ‘Dinamo’ dhe klube të tjera, por fill pas mbërritjes së kërkesës në Komitetin e Partisë në rreth, gjithçka merrte fund. Unë nuk mund të luaja me skuadrat e mëdha. E drejta për të luajtur në skuadra të tilla nuk m’u dha as kur fitova ‘Topin e Artë’. Për të gjithë këto im vëlla, Fatmiri mërzitej, por jo vetëm për mua e vëllezërit dhe motrat, por edhe për mungesën e të ardhmes së tij. Atëherë nisa të kuptoja përse loti tek sytë e nënës nuk shteri ndonjëherë. Me sa duket ajo e dinte që ne kishim përpara një jetë të mundimshme”, kujton me nostalgji Arti (Pirro) Koçiu.

Kalvari i vuajtjeve të familjes Koçiu (Haxho), krushqve të familjes Maluka

Arratisja e Fatmir Koçiut dhe internimi familjar më pas

“Im vëlla, Fatmiri nuk e përballoi më dëshpërimin e tij. Në 27 mars të vitit 1977 ai mundi të arratisej. Fillimisht ishte ndalur në Greqi dhe më pas kishte përfunduar në SHBA. Pas kësaj mbi shtëpinë tonë plasi gjëma. Njerëzit e sigurimi na morën të gjithëve në pyetje. Donin të dinin se si i kishte lindur një mendim i tillë vëllait tonë, Fatmirit, për t’u arratisur, por ne nuk dinim asgjë. Unë atë kohë isha ushtar”, tregon Arti (Pirro) Koçiu.

“Megjithatë edhe pse ndihesha i dëshpëruar për ato që na ndodhën pas këtij veprimi të vëllait, vetë unë nuk e mendova kurrë arratisjen, ndërsa veprimin e tim vëllai e admiroja. Ai kishte të drejtë që kishte braktisur një regjim të tillë antinjerëzor”, shton Arti (Pirro) Koçiu.

Internimi

“Nuk kaloi shumë dhe një makinë ushtarake qëndroi te porta jonë. Na hipën në makinë dhe u nisën drejt një udhe të gjatë. Po na çonin në një fshat të largët me emrin Shijan. Nuk kisha qenë kurrë ndonjëherë në atë vend që ndodhej mes dy rretheve, Kolonjë dhe Përmet”, tregon Arti (Pirro) Koçiu për persekutimin që filli nga regjimi.

“Ishte një vend i izoluar. Na lanë atje dhe ikën. Dikush tjetër na bëri me dije se shtëpia jonë do të ishte aty ku kishin fjetur mushkat e kooperativës. Ishte një stallë kuajsh dhe asgjë më shumë. Mbaj mend që nëna, Alija dhe motrat e mia, nisën të pastronin gjithçka. Për të zëvendësuar dyshemenë e shtruan me truall (baltë). Për rregullimin e tavanit as që bëhej fjalë. Era dhe bora që vërshëllenin jashtë, ishin njëkohësisht edhe mysafirët tanë të përhershëm. Me shumë përpjekje arritëm të izolonim hapësirat nga hynte era dhe shiu. Gjithçka ishte e vështirë, sepse askush nuk na ndihmonte”, sjell ndër mend kushtet dhe tregon Arti (Pirro) Koçiu.

‘Njerëzit e fshatit kishin frikë të na thoshin edhe mirëmëngjesi. Askush nuk kishte dëshirë të na afrohej. Ne ishim të internuar dhe kërkohej që të ishim të vetmuar nga të gjithë e gjithçka. Këtë nuk kam për ta harrur kurrë. Nuk mund ta harroj që edhe Bashkim Zhurma (banor i këtij fshati), ndërsa shkonte çdo ditë me mushkat e kooperativës për të marrë furnizime në qytet, nuk denjonte të më merrte asnjëherë çantën, kur rastiste të shkoja edhe unë në Ersekë. Nëse do të më bësh nder, mos ri pa e cituar këtë personazh. Të them të vërtetën nga sjellje të tilla ndihesh i fyer dhe i poshtëruar”, tregon më pas për qëndrimin dhe sjelljen e banorëve të fshatit ku familja Koçiu u internua.

“Në atë fshat, aty te stalla e mushkave të kooperativës qëndruam për 5 vjet me radhë. Më në fund na kthyen përsëri në Ersekë, por nëse edhe më parë kishim qenë të padëshiruar për pushtetin popullor, tashmë një gjë e tillë ishte e deklaruar haptas. Vetëm ai që ka përjetuar dhunën e regjimit enverian e di se çdo të thotë të jesh i padëshiruar. Tashmë nuk kishte çast që të mos ishim të survejuar. Gjithsesi më aktivizuan përsëri me ekipin e ‘Gramozit’. Ndoshta nuk kishin çfarë të bënin. U duhesha patjetër në skuadrën e ‘Gramozit’ të kishin mundësi të krenoheshin edhe ata që na kishin internuar. Përsëri pata kërkesa nga klubet e tjera, por tashmë as që bëhej më fjalë për ndonjë mundësi të tillë”, tregon i emocionuar Arti (Pirro) Koçiu.

Prindërit

“Arratisja e vëllait ishte një dhimbje që la gjurmë të thella në jetën e prindërve të mi. Nuk di nëse mundën të flenë të qetë ndonjë natë. Vazhdimisht flisnin për vëllanë e arratisur. Pyesnin njëri-tjetrin në se ishte gjallë apo kishte vdekur. Nuk ishin edhe aq të sigurt nëse kishte mundur ta kalonte kufirin ose jo. Megjithatë në degën e Punëve të Brendshme u kishin konfirmuar faktin se Fatmir Koçiu ishte arratisur. Nëna gjithnjë priste t’i vinte ndonjë letër ku të shkruhej. ‘Nënë jam mirë, mos u bëj merak, ndodhem në filan vend’. Por kjo letër nuk mund të vinte, nuk mund të vinte më as djali i saj. Ai do të mbetej andej, në një vend të largët, ndërsa prindërit e tij këtej”, kujton e tregon më tej Arti (Pirro) Koçiu, për brengën dhe merakun e prindërve të tij pas arratisjes së vëllait.

“Gjithë meraku i prindërve kishte qenë a do të ishte e mundur ta shihnin edhe njëherë sa ishin gjallë, megjithëse këtë gjë nuk e besonin. Kur ngriheshin në mëngjes tregonin se Fatmiri u ishte shfaqur në ëndërr. Nëna thoshte se kishte folur me të, por nuk ishte çmallur Gjithnjë priste që një natë tjetër ai t’i shfaqej sërish dhe t’i tregonte se si ia kalonte andej nga kishte shkuar. Kishte raste që e shihja duke qarë. Isha i bindur se atë natë në ëndrrat e saj, Fatmiri ose kishte qenë i sëmurë ose kishte pasur një hall që nuk kishte mundur t’ia thoshte qartë. Në këtë mënyrë rridhnin vitet e jetës së prindërve të mi, por edhe jeta e vëllezërve dhe motrave të mia”, tregon Arti (Pirro) Koçiu.

Postvitet ‘90

Kthimi i Fatmirit pas 12 vjet arratisje

“Atëherë kur kishin nisur të frynin erërat e Demokracisë, në shtëpinë tonë mbërriti një letër nga SHBA. E dërgonte Fatmiri, vijon më tej tregimin e tij Arti (Pirro) Koçiu. Na thoshte se shumë shpejt do të vinte në Ersekë. Më të gëzuar se atë ditë nuk i kam parë kurrë prindërit e mi. Nuk më kujtohet mirë se kur, por një ditë të vitit 1990 në portën tonë trokiti Fatmiri”, tregon Arti (Pirro) Koçiu.

“Pas asaj vizite ai do të vinte dhe herë të tjera, por ardhja e tij e parë nuk pati as natë as gjumë. Dy prindërit e mi e shihnin në sy dhe nuk ngopeshin së pari. E pyesnin për gjithçka, si kishte mundur të arratisej, si kishte mbërritur në Amerikë, si nuk ishte pikasur nga ushtarët e kufirit. ‘Po sikur të të vrisnin morë bir?’, ishte pyetja e nënës, etj, etj. Pastaj babai i tregoi për vitet e internimit, por edhe që nuk i kishin dhënë të drejtën e pensionit. Megjithatë ishte mjaft i rezervuar në ato që i thoshte sepse nuk donte ta dëshpëronte djalin e tij që nuk e kishte parë gati 12 vjet me radhë. Më vonë do t’i shkruante se Partia Demokratike i kishte njohur të drejtën e pensionit të pleqërisë, por në të njëjtën kohe po u kthente edhe pronat. ‘Tashmë kemi filluar të bëhemi të pasur i shkruante babai ashtu si dajallarët e tu Qazim dhe Muharrem Maluka”, kujton e tregon Arti, për bisedat që prindërit bënin me vëllanë e arratisur Fatmirin.

“Gjithsesi pas çmalljes së parë, vëllai u largua sërish. Në vitin 1992 nëna ime u nda nga jeta, 2 vjet më vonë mbylli sytë edhe babai ynë, Skënderi, por patën fatin ta shohin djalin e tyre sa ishin gjallë. Tashmë për familjen tonë po lindnin shpresa më të mëdha. Në pushtet kishte ardhur Partia Demokratike”, tregon Arti (Pirro) Koçiu.

“Mbaj mend që më thirrën në polici dhe që nga ajo ditë vazhdoj të jem punonjës i saj. Nuk e kisha menduar kurrë jetën time kështu. Gjithnjë kisha punuar në NSHN dhe ndërmarrje të tjera, por që do të vinte një ditë që të isha polic nuk e kisha mendua. Atëherë të ishe polic duhej të kishe biografi të mirë. Unë nuk i plotësoja kriteret. Isha nipi i Qazim dhe Muharrem Malukës, themeluesve te qytetit të Ersekës, të cilët kishin qenë miq të Ismail Qemalit, Fan S. Nolit dhe të patriotëve të tjerë të mëdhenj. Nuk i plotësoja kriteret sepse Malukallarët kishin luftuar për Pavarësinë e Shqipërisë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

8 Komente

  1. Lumja thotë:

    18 July 2007 @ 1:58 pm

    “Kisha përfunduar gjimnazin, por nuk mund të shkoja në universitet. Kështu kishte ndodhur me motrën e madhe Engjëllushen, me vëllezërit Gëzim dhe Fatmir, por kështu do të ndodhte edhe me motrën e vogël, Almën. E ardhmja jonë do të ndërpritej në mes, ose do të ishte më mirë të thosha se ne ishim paradënuar për të qenë pa të ardhme.
    ————————————————————————
    Therese kjo fjali. Ja pse them perhere se jane po kelyshet e komunisteve qe kane frenat e gjithckaje. Kur femijet e gjore te “armiqve te pushtetit” as shkolloheshin, as merrnin zanat, ca do ti priste ?
    Ca do benin ata kur erdhi demokracia te rrenuar e te pashkolluar?
    Cdo ndodhte? Do benin nje mekanik minister financash, apo nje rrobaqepese ministre kulture.
    Epo normal qe jo.
    Keshtu qe pasardhesit e themeluesve te ersekes por dhe shume themeluesve te shume gjerave te tjera ne shqiperi, do hapnin krahun per bijte e te tjereve, atyre me partishmeri te larte

  2. Kotherja thotë:

    18 July 2007 @ 2:04 pm

    Ashtu u be verte.

    Bene nje Vrion Minister Finacash, ing.mek. Guvernator te BSH mandej me duket.

    Po ku c`ne me kete background kaq anti-komunist dhe pronar i madh tokash si perfundoi me arsim te larte dhe punote ne mes te Tiranes?

    Pa he na e thuj lume, se kollaj eshte te gjesh kesisoj rastesh shume ne Shqiperi.

  3. Leon thotë:

    18 July 2007 @ 2:12 pm

    E bene polic ne Erseke…Pse s’thua ja hodhi b…. tani!!

  4. Lumja thotë:

    18 July 2007 @ 2:14 pm

    Mbiemri Vrioni ka devijime te shumta dhe ti e di.
    Kush tha qe ka qene antikomunsit???
    Pronar tokash kane qene psh dhe verlacet por i cuan ne bodrum te jetojne dhe sbesoj se ke degju ndonje prej tyre te beje ndonje shkolle apo te beje ndonje pune ne ndonje ministri ?
    E pra prit. Se rasti me siper nuk eshte rasti i Vrionit.
    Rastet si i mesipermi, pak i dime, e pak i kemi degju se ste lene ato te pseudo te persekutuarit. I bien ato daulleve, dhe te persekutuarit e vertete i gjen maksimumi ne ndonje shtepi te rrenuar po tjua kene kthyer (si i bir i qazim mulletit) qe presin tu vije vdekja pa kokerr leku, here here pa familje, pa pune, pa shkolle , dhe absolutisht pa ndonje banke apo ministri per te drejtuar.
    Ti do me thuash mua se po te jap shembuj fashistesh ? Verlacerat e Mulletet ? Po sme kujtohet tjeter nga ato qe kane emer te madh. Ja kete qe lexova me lart se dija psh. Dhe ka shume e shume te tjere.
    Kam familjet e te afermeve te mi nga Shkodra dhe Durresi, njerez me pasuri e me shkolle qe i pushkatuan, i cuan te thajne keneta, ngelen pa shkolle femijet e per pasoje edhe niperit e tyre e ju ka humb nami e nishani. Se kane ngrit me koken. Ja me e mira qe presin jane leket e burgut te baballareve burra zotnij qe perfunduan ne litar

  5. tomi korca thotë:

    18 July 2007 @ 2:46 pm

    Me poshte eshte nje shkrim qe botova ne nje teme tjeter mbreme qe per fat te keq u hoq nga faqja kryesore se ksihte tema te tjera Mendij seperseri nuk eshte jashte teme ne kete teme FIllimi mbaset duhet ndryshuar me fjalet e Lumes:
    ….Keshtu qe pasardhesit e themeluesve te ersekes por dhe shume themeluesve te shume gjerave te tjera ne shqiperi, do hapnin krahun per bijte e te tjereve, atyre me partishmeri te larte”….

    —————–
    ….Pjesa më e madhe e tyre, të arsimuar jashtë u dënuan me akuzën si antikomunistë….
    A ka bere njeri bilanicn sa te shkolluar jashte jane denuar nga Berisha “antikomnist” si komuniste dhe larguar nga administrata e ne keto 16 vjet? Sa prej tyre qe vertet nuk u pushkatuan si ne komunizem por i detyruan te degdisen me nje thes me placka neper bote si muhaxhire. Sa prej tyre jane ketu tek peshku.?
    E di do te thoni ama cfare krahason Vdekjen e tyre me largimin nga puna.
    Ashtu eshte fizikisht eshte krejt ndryshe. por moralisht eshte me keq Ata qe vdiqen vdiqen nuk ndjejne gje atje 2 metra nen dhe por keta te “persekutuarit” e sotem jane gjalle dhe vuajne.
    Edhe nje gje Kush i zevendesoj keta 43 nenpunesit qeveritare qe kishin mbaruar shkollat jashte dhe ishin te edukuar?. I zevendsuan mekaniket dhe mjeleset e lopeve nga kllasa punetore dhe fshatarsia kooperatiste, besnike te partise. Kush i zevendesoj keta qe hoqi sistemi “antikomunist” ? Barinjte e bjeshkeve dhe minatore e Bulqises.besniket e partise
    Nuk e di por nje paralelizem sikur historia vertitet e perserit vetveten. Vec gjithmon per keq. Hiqen apo dhe pushkatohen te edukuarit dhe vihen ne fuqi nga kllasa punetore.
    Kur keta te mjere u denuan apo pushkatuan populli theriste “borgjezet ne litar”, pak a shume si e njeta thirje qe degjojme nganjeher edhe ketu tek peshku kur thuhet se komunistet akoma nuk jane denuar, qe shpesh me ngjan me thirjen e atyre fshaterave dhe brekegrisurve te dikurshem. Duket sikur theresin “komunistet ne litar. ”
    Se di po i njejti paralelizem. perseri sikur historia perserit vetveten
    Familjen time e transferuan/internuan nga tirana ne maliq/korce. ndersa mjelsa e lopes qe zevedesoj babane theriste “ne burg burokrat kapitalist borgjes”.
    Kur me hoqen mua nga puna ish mekaniku i SMT theriste ne burg komunist/mocionist/orthodoks.
    Mbase prandaj me duket se historia perserit vetveten se i kam ne kuriz te dy epokat dhe me ngjajne shume te njejta.
    Me falni ju qe nuk i keni jetuar te dy epokat dhe pare me kete sy qe i kam pare une, mbase nuk do ti kuptoni dot kurre keshtu si une, qe e them me sinqeritet nuk eshte nje shikim i asnjanes, eshte nje shikim i njeanshem si shikimi i nje njeriu qe ka pare vetem te keqiat

  6. OSKEOLA thotë:

    18 July 2007 @ 5:33 pm

    BRAVO I QOFTE KETI GAZETARIT TE METROPOLIT, ME FAMILJET DHE TRADITAT E KOLONJES KA SHUME PER TE TREGUAR, NUK E DI SA I NJEH KY GAZETARI KOLONJARET POR I THEM QE TE HULUMTOJE PAK ME SHUME SE ERSEKA KY DJEP KULTURE ESHTE LENE SHUME PAS DORE VITET E FUNDIT.

  7. Vlonjati thotë:

    18 July 2007 @ 9:40 pm

    Fati i shume te pasurve ne ate kohe ka qene shume tragjik.
    Por nga ana tjeter s’eshte ndonje fatkeqsi e madhe pse nuk kane shkuar ne shkolle te larte ky apo ai, tragjike ka qene fati i atyre qe jane pushkatuar.
    Pasuria si atij qe pati shume dhe atij qe pati pak (kur dihet qe 90% e popullates kishte), u’a muaren.
    Shikoni sot qe jemi ne demokraci dhe 70 vj me vone dhe shikon raste te tilla qe kush del kundra, gjenden njemij e nje menyra per ta shkaterruar ekonomikisht (shikoni rastin e TCH).
    Pastaj shume nga ta pasurit e c’do kohe jane patriota vetem te xhepit te vete, ndaj bejne dhe mekate te medha ndaj popullit dhe kombit.
    Nje rast nga ditet e sotme;
    Tregtaret e barnave farmaceotike, sjellin dhe tregtojne barna te skaduara, qe vrasin njerez perdite!!!
    A duhet te kihet meshire per ta???

  8. adriatik thotë:

    19 July 2007 @ 1:30 am

    Me te vertete qe jane disa njerz qe me gjithe se ne mes te drites dhe te zhvillimit, jane krejtesisht te paafte te formatojne trurin e tyre. Nje gje ka qene dhe do te mbetet gjithemone: Fisniku, fisnik do te mbetet dhe harbuti kurre nuk behet dot fisnik.

    Sipas llogarive te mija, me kollaj eshte te rritesh shpejtesine e drites prej 300 mije km/sek ne 400 mije se sa te levizesh nje injorant nga shtufi i karakterit te vet. Qindra here do ta shumezoja respektin per te presekutuaret e regjimit komunist, por 1000 here do ta rrisja respektin per te presekutuarit e rregjimit anarkist.

    Ne se ne ate rregjim te thuhej mos bej kete apo ate se te rras plumbin apo burgun, ne kete rregjim nuk ka asnje lloj rregulli, ketu u zbatua politika “kush eshte me i forte ta vrase tjetrin, qofte me arme, qofte me pushim nga puna, qofte me mashtrime, vjedhje dhe sidomos me fjale. Fjala shqipe eshte renduar tej mase me ngarkesa urrejtje te pashoqe. Une nuk di si ndihen te tjeret perballe fjales persekutim, por vete ndihem i ofenduar kur togfjaleshi “jam i presekutuar” ka psuar nje inflacion te tmerrshem.

    O zot! Sa te persekutuar ka Shqiperia? Sa duhet te paguajme? Mos duhet te paguajme deri atje sa te na vije turp po te mos themi “jam i persekutuar” O zot, ne se egziston vertet, sill ne peshk nje postim te shkruar nga ndonje i persekutuar i rregjimit komunist.

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com