Përllogaritjet teorike për eksperimentin në Zvicër vijnë nga Shqipëria

Gazeta Shqip

Boriçi: Jetojmë në një univers me 11 përmasa hapësinore-kohore

Pakkush e di, por eksperimenti më i përfolur në të gjithë botën i ka “rrënjët” në Shqipëri. Llogaritjet për Large Hadon Collider, ose ndryshe Goditësi i Madh i Hadroneve, bëhen në Shqipëri nga profesor Artan Boriçi, i cili raporton në bashkëpunim me fizikanët e tjerë në botë informacionet në mënyrë periodike. Kur e pyesim se përse u duhet qytetarëve të thjeshtë të jenë në dijeni të këtij eksperimenti kaq të rëndësishëm për fizikanët, ai na përgjigjet: “Ky eksperiment është i rëndësishëm për të gjithë individët, sepse pas përfundimit të tij do të jepen shumë përgjigje. Mund të zbulohet se ne jetojmë në një multiunivers si dhe mund të eksperimentohen burime të pastra energjie nëpërmjet fizikës bërthamore”. Në një intervistë për gazetën “Shqip”, fizikani Artan Boriçi tregon për eksperimentin, dobinë e tij, qëllimin e këtij projekti e mbi të gjitha përgjigjet për spekulimin e rrezikut të vrimave të zeza. Askujt nuk do t‘i kishte shkuar në mendje se në një nga departamentet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës, një fizikan i njohur shqiptar bën llogaritjet e algoritmeve në “adresë” të eksperimentit LHC, projekti më i përfolur në të gjithë botën, në media, në diskutime mes besimtarëve dhe shkencëtarëve. Disa e quajnë “fundin e botës”, të tjerë “rrezik”, si pasojë e krijimit të vrimave të zeza. Të vetmit që e shohin me optimizëm janë fizikanët. Edhe ata shqiptarë. “Asnjëherë nuk dihen përfundimet e një eksperimenti. Ajo që mund të themi është se në rast se krijohen vrimat e zeza, ato do të jenë mikroskopike. Jemi në ankth të përfundimit”, thotë profesor Artan Boriçi. Ndërsa shqiptarët që sot e tutje do të fusin në “repertorin” e tyre një tjetër bashkëkombës shumë të rëndësishëm, i cili po ndihmon me emrin e Shqipërisë një nga eksperimentet më të përfolura në të gjithë botën.

Përse është i rëndësishëm ky eksperiment, çfarë qëllimi ka dhe përse do të shërbejë?

Eksperimenti është i rëndësishëm sepse do të testojë teoritë fizike mbi ndërtimin e lëndës dhe forcat në natyrë në përgjithësi, si edhe përllogaritjet e kryera me anë të këtyre teorive. Një nga këto teori është teoria kuantike e kuarkeve dhe gluoneve, ose kromodinamika kuantike. Nëse do ta përfytyronim protonin si një top të rrumbullakët, teoria përshkruan brendësinë e këtij topi me anë të kuarkeve dhe gluoneve. Eksperimenti do të testojë për herë të parë ekzistencën e kuarkeve dhe gluoneve në gjendjen plazmore të temperaturës së lartë. Kjo gjendje është parashikuar tashmë me anë të simulimeve të teorisë në superkompjuter të tipit Blue Gene, në bashkëpunime të ndryshme në Perëndim.

Dimë që ju jeni pjesë e grupit të punës që kryejnë këto llogaritje. Me çfarë do të kontribuojë Shqipëria?

Kontributi i fakultetit tonë është zhvillimi i algoritmeve që u shërbejnë këtyre llogaritjeve. Ne kemi ndërtuar një software, QCDLAB (www.phys.fshn.edu.al/qcdlab.html) dhe një PC-CLUSTER për të ndërtuar prototipin e këtyre llogaritjeve, të cilat më pas zhvillohen në superkompjuter. QCDLAB PC-CLUSTER është një lloj serveri dedikuar vetëm llogaritjeve. Së bashku me pedagogun e Universitetit Politeknik të Tiranës, Alban Allokoçi, kemi ndërtuar këtë server, i përbërë nga 10 PC të lidhura në switch dhe të futura në një rack me 42 njësi. Algoritmet e idetë e zhvilluara në FSHN janë tashmë pjesë e software-ve që ekzekutohen në gjithë superkompjuterët që përdoren për këtë qëllim.

Çfarë është LHC?

Large Hadon Collider, ose Goditësi i Madh i Hadroneve. Pak ditë më parë është kryer testimi i rrethit të LHC-së në të cilin janë lëshuar dy tufave protonike, njëra në sensin orar dhe më pas një tjetër në sensin antiorar. Deri në mesin e vitit tjetër pritet që energjia e tufave të rritet gradualisht, në mënyrë që të fillojnë eksperimentet me goditjen e protoneve në katër vende të caktuara të rrethit të LHC-së, ku janë vendosur detektorët. Një detektor nuk është gjë tjetër veçse një kamera dixhitale gjigande, që kryen qindra miliona fotografi në sekondë të pjesëzave që emetohen si rezultat i përplasjes së protoneve me energji 17 teraelektronvolt.

Çfarë mund të thoni për riskun prej vrimave të zeza?

Këto janë gjepura. Edhe nëse ka një probabilitet të krijimit të tyre, ato do të jenë mikroskopike dhe të paqëndrueshme.

Përse duhet t‘u interesojë ky eksperiment qytetarëve të thjeshtë? Çfarë ndryshimesh do të sjellë ky projekt?

E rëndësishme është të dihet se 99.9 për qind e trupit tonë përbëhet nga hadrone, ose protone, neutrone e bërthama atomike. A nuk është i rëndësishëm për ju trupi juaj? Në fakt, unë do ta përkufizoja LHC-në si një makinë të forcave bërthamore. Ajo që mund të pohoj me siguri është se eksperimenti do të bëjë të mundur njohjen në detaje të forcave bërthamore dhe kjo do të ndihmonte në realizimin e një gjenerate të re reaktorësh bërthamorë me të vegjël, ndoshta të lëvizshëm. Këtu nuk është fjala për design, por për bazën fizike mbi të cilën do të kemi këtë design të ri. A e imagjinoni se çfarë do të thotë të prodhojmë energji të pastër dhe të lirë në 20-30 vitet e ardhshme?

Në fakt, fizikanët janë nisur nga të tjera qëllime dhe jo nga ato që thoni ju?

Është e vërtetë. Eksperimenti ka për qëllim të kapë pjesëzën Higgs, ose bozonin Higgs, grimca e magjishme që i jep kuptim masës si të tillë. Gjithashtu do të testohet teoria e superkordave, e cila na jep dy skenarë: në rast se kapen pjesëzat supersimetrike, ky do të ishte një triumf i vërtetë i kësaj teorie dhe në këtë mënyrë, papritur do të konfirmohej ideja që jetojmë në një botë me 11 përmasa. Më e keqja e mundshme, si përfundim i eksperimentit mund të rezultojë se jetojmë në një univers i cili është përzgjedhur në mënyrë të magjishme prej multiversit, ose sasisë së pafundme të universeve të ndryshme. Në këtë rast do të kishim rrëzimin e parimit të Kopernikut, i cili nuk e vë ekzistencën tonë në një vend të privilegjuar në univers.

A mendoni se ky eksperiment ka shkaktuar polemika mes besimtarëve dhe shkencëtarëve?

Duke u nisur nga sa thamë më sipër, njerëzit mund të spekulojnë. Ekzistenca e shumë universeve sjell spekulime. Këtu bie poshtë parimi i Koperikut, i cili thotë se jemi një qoshe si gjithë qoshet e tjera të universit. Nëse nuk kapet supersimetria dhe teoria e kordave presupozohet e vërtetë, atëherë parimi i tij bie poshtë. Fizikanët në IAS të Princeton janë të mendimit se në këtë rast fizika do të ishte në krizë të njëjtë me atë që ka jetuar 100-150 vjet më parë. Siç e thashë, ky përfundim presupozon diçka që mund të jetë e gabuar: teoria e kordave. Fizikanët, sidomos në SHBA, kanë investuar gjithë karrierën e tyre në këtë teori, aq sa është e pamundur për të menduar gjë tjetër.

Fizikani shqiptar, që llogarit

për LHC me “serverin” e krijuar prej tij

Dr. Artan Boriçi është profesor i asociuar në Universitetin e Tiranës që prej vitit 2003. Më parë ai ka punuar si kërkues shkencor në Universitetin e Edinburgut, në atë Politeknik Federal të Zyrihut dhe në institutin “Paul Scherrer”. Pasi diplomohet si fizikan në Shqipëri, ai largohet nga Shqipëria në vitin 1991 për në Zvicër. Atje merr gradën Doktor i Shkencave Matematike në Politeknikun Federal të Zyrihut në vitin 1996. Aktiviteti i tij shkencor shtrihet prej teorive bazë të pjesëzave elementare, te hapësirat e Krylovit në matematikë dhe tek inxhinieria financiare. Ai ka botuar më shumë se 40 libra dhe artikuj shkencorë në revistat më në zë të fizikës dhe matematikës. Artani ka qenë konsulent i Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës për ligjin e Arsimit të Lartë dhe konsulent i rregullt i institucioneve financiare të huaja dhe të vendit.

Dr. Boriçi aktualisht është kontribuues në zhvillimin e algoritmeve për testimin e teorive më të fundit të grimcave elementare. URL: http://phys.fshn.edu.al/borici.html

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

15 Komente

  1. duka thotë:

    13 September 2008 @ 4:29 pm

    ky eshte lajm i madh per shqiperine

  2. Grupi thotë:

    13 September 2008 @ 4:38 pm

    Po jo dhe aq i madh per Peshkun pa Uje…

  3. Dori thotë:

    13 September 2008 @ 4:50 pm

    Bravo Dr. Boriçi që po merret me këtë eksperiment. Por ai titulli i artikullit është paksa i fryrë, duhej të ishte “Përllogaritjet teorike për eksperimentin në Zvicër vijnë [edhe] nga Shqipëria” se na del sikur po japim përllogaritjet e vetme. Kur të vihet në punë LHC do të prodhojë 18 PB të dhëna në vit (1,000,000,000,000,000 bytes). Këto s’mund t’i përpunojë dot vetëm një (super)kompjuter, sidomos jo një modest si ai Dr. Boriçit.

  4. arb thotë:

    13 September 2008 @ 5:07 pm

    ooooo mè nè fund….faleminderit pèr shpjegimin e qartè dhe suksese!!!

  5. Peshku Fluturues thotë:

    13 September 2008 @ 5:20 pm

    Bravo Dr. Borici. Une po e ndjek me shume interes kete eksperiment, dhe fakti qe nje fizikant shqiptar punon per kete grup pune me jep shume kenaqesi. (Gati sa po thoja qe “me ben te ndihem shume krenar”, por pasi e mendova edhe njehere nuk e thashe :) ). Jane njerez si Dr.Borici ata qe i bejne sherbimet me te medha Shqiperise e shqiptareve duke i futur ato ne networks (bashkesite?) e shkences dhe teknologjise dhe jo ato qe kthehen per t’u bere stare te ndonje tv lokal apo zyrtare administrate me rroga te vogla por me “qare” te medhaja.
    Edhe njehere i uroj suksese Dr. Boricit dhe me pune te tjera te ketij kalibri!

  6. driniibashkuar thotë:

    13 September 2008 @ 11:35 pm

    Kjo na duhet:afirmimi pertej kufijve.

  7. olti thotë:

    14 September 2008 @ 12:17 am

    Ja kane futur i cik keta te gazetes. Ne te vertete per kete projekt punojne me mijera shkencetare nga i gjithe globi dhe perllogaritjet do te behen nga nje rrjet gjigand qe eshte ndertuar nga qendra kompjuterike ne vende te ndryshme. Ky i yne ofroka vetem dhjete kompjutera ne nje kohe kur i gjithe sistemi ( i quajtur GRID) perbehet nga qindra mijera kompjutera te cilet po te bashkohen bashke do duhet te ndertojne nje pallat pesekatesh. Imagjinoni tani dhjete kompjutera brenda nje ndertese dhjetekateshe.
    Ok, krenar qe ndihmojme dhe ne, por jo te themi se burimi i perllogaritjeve jemi ne :)

  8. Rob-terneti thotë:

    14 September 2008 @ 6:47 am

    Do te duhej nje goxha vere e zeze per te gelltitur mjerimin e shtypit shqiptar, me nder ne thene.

  9. ftjkt thotë:

    14 September 2008 @ 11:45 am

    Pergezime Dr. Boricit, dhe pafshim sa me shume shqipe ne fusha te tilla.
    -
    Por pertej entuziazmit se llogaritjet i paskemi bere ne, une do ti keshilloja Boricit me shoke, qe para se te bejne llogaritjet te pastrojne serverat nga viruset. E provova linkun e mesiperm dhe McAfee-ja in kapi menjehere nje Trojan qe deshte me hy pa leje!!!! :( !!! KUJDES!!! Mos e provo pa qene i sigurt se ke antivirus te besueshem!!!
    -
    Tani, pyetja ime eshte: Cere lesh kalkulimesh do t’i bekan keta shkencetaret tane, kur nuk jane ne gjendje te mbrojne rrjetin e tyre!!??? Larg qofte po i leshojne ndonje virus LHC dhe te na shpien te gjitheve per lesh !!! So much for nothing….

  10. thelbi thotë:

    14 September 2008 @ 3:18 pm

    Great Borici

  11. Luçi thotë:

    14 September 2008 @ 3:38 pm

    Po bereqavers mer.
    Une gezohem qe mundemi me kontribu me dicka sado e vogel qofte. Vetem nderohet universiteti dhe Shqiperia. Ne leke skena me dhene per kete pune, por kemi 2-3 profesioniste qe mund te pakten te marrin pjese. Dhe besoj se dhe strategjia e ndjekur per te siguruar burimet e eksperimentit ka qene gjitheperfshirese duke afruar cdo vend dhe cdo seli universitare, duke i dhene ekperimentit jehone ne gjithe boten. Keshtu dhe Shqiperia mundet me e shenu emrin e vet ne fleten e lavderimit :-)
    Ndersa debillleqet e gazetares qe shkrun se “rrenjet” e eksperimentit apo perllogaritjet teorike kryhen ne Shqiperi me Superkompjuterin e Boricit , 10 PC-te e Allokocit te futme ke nje rack 42U :P sigurisht qe jane per te prish syrin e keq :P
    CERN ka webcaste Live dhe Jo Live ku mund tju hedhesh nje sy qendrave te procesimit, ku mund te knaqesh fantazine duke pare superkompjuterat e vertete dhe dhomat e hatashme ku qendrojne ata dhe raqet (racks dmth) :P

  12. Pjer Thomas thotë:

    14 September 2008 @ 4:36 pm

    Ah, nuk do te deshiroja qe Kopernikun ta hidhnin poshte si nje lecke :-)

  13. jakova thotë:

    14 September 2008 @ 7:14 pm

    Hakerat grek sulmuan “web server” ne te cilen ndodhet faqja e CERN e
    jo sistemin e LHC-se.Keta te mjere po te ishin me te vertete eksperte do te duhej te kishin ne dijeni se CERN eshte djepi i “world wide web”-it.
    Po cfare mund te pres njeriu tjeter nga primitivizmi i “Hell-ass”-it?!

    Perndryshe Dr.Boricin e uroj nga zemra per punen qe bene.Pervec Dr.Boricit jane s’paku edhe 4 eksperte tjere shqiptar qe ne menyre direkte apo indirekte jane te inkuadruar ne kete eksperiment.Suksese te gjitheve, e shpresoj te na zbardhin f’tyren.

  14. odin m. thotë:

    15 September 2008 @ 8:11 am

    Qe antivirusi jep alarm eshte e vertete por eshte vetem nje trojan i parendesishem per te kontrolluar nga klikohet kjo site.

    Si Dr. Borici ka shume qe na nderojne. Shume prej tyre jane kthyer ne Shqiperi me gjithe mundesite qe kane te punojne ne institucionet me te njohura nderkombetare. E kam njohur personalisht dhe pata frike kur vendosi te kthehej se do i hynte politikes si shume te tjere qe e shohin kualifikimin e tyre jashte si mjet per te siguruar nje post ne qeveri. Puna e tij tregon edhe nje here se aftesite e njerit apo tjetrit nuk varen nga superkompjuterat.
    Fatkeqesisht qeverisemi nga pseudo-Prof, Dr. me tituj te fituar gjate diktatures…

  15. Luçi thotë:

    25 September 2008 @ 3:48 pm

    Per ata qe duan ta degjojne dhe shikojne fizikantin shqiptar ndersa shpjegon kontributin shqiptar ne eksperiment, ndiqni fillimin e kesaj videos :
    “http://www.top-channel.tv/new/video.php?id=543″

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com