Përjetësisht të mahnitur

Mahnitja e medias shqiptare me ëndrrën amerikane nuk paska të sosur. Fenomeni i pati filizat e para që në fillim të të 90-ave, por ka arritur një kulm të ri këto ditët e fundit, si rezultat i konventave dritëmëdha që organizojnë para zgjedhjeve dy partitë kryesore amerikane.

Të dyja konventat e këtyre ditëve erdhën përpara syve tanë si organizime të hareshme, ku shihje njerëz që qeshnin, që prekeshin e qanin prej gëzimit, që përqafoheshin, që këndonin, që hidhnin valle, që bërtisnin në kor, që valëvisnin flamuj e poster-a. Ishte një hare që nuk mbetej aty në sallë apo në stadium.

Kështu shkruan tek Shqip-i, Mustafa Nano. Dhe vazhdon të argumentojë sesi shqiptarët mund të mësojnë shumë nga “leksioni amerikan i demokracisë”. Nano s’është i vetëm në këtë ballafaqim të Shqipërisë me idhullin. Po sot, tek Panorama, Adrian Civici fliste edhe ai per leksionet qe na japin faktet dhe vlerat e fushatës amerikane, përballë premtimeve boshe dhe përgjithësuese të asaj shqiptare. Para disa ditësh, po tek Panorama, Endri Fuga vlerësonte “fair play”n e Hillary Clinton duke argumentuar se mbështetja që ajo i dha Obamës pas humbjes së saj personale nuk do të ndodhte kurrë në Shqipëri. Para afërsisht një muaji, Mentor Kikia, po tek Shqip-i, fliste për nevojën e një modeli Obama në mjedisin politik shqiptar. Ka dhe artikuj të tjerë, por besoj se katër shembuj mjaftojnë për të vërtetuar se gazetat e Tiranës janë krejtësisht të dashuruara me Amerikën.

Fakti është që kjo gjëja që nëpër gazeta quhet Amerikë është një iluzion. Pa e njohur nga afër politikën amerikane, pa i jetuar vetë të mirat e të metat e sistemit, analistët e gazetave tona nxjerrin leksione nga show-të e CNN-it. Pa lexuar asnjë gazetë apo revistë amerikanë (përjashto mbase New York Times-n), asnjë libër mbi historinë politike të këtij vendi të madh e të komplikuar, asnjë opinion qoftë të majtë apo të djathtë amerikan. Madje, edhe importin mediatik e kanë të kufizuar tek CNN dhe tek soap opera-t e përkthyera si këmbët e pulës. Pa Jon Stewart apo Bill O’Reilly. Pa Pat Robertson apo Ted Kennedy.

Doemos, që rezultatet e analizave janë larg realitetit politik amerikan.

Hareja e shprehur në konventë e në bare e sheshe që ndiqnin konventën është dëshmi që SHBA-të kanë një angazhim të shëndetshëm politik e civik, thotë Nano. “E në gjithë këtë histori nuk të zinte syri asnjë grimë fanatizmi,” shton ai. Ndërsa pretendimi i parë mund të jetë i pranueshëm (megjithëse pjesëmarrja në një konventë nuk është automatikisht e barazueshme me shëndet civik), është fjalia e dytë ajo që të tregon se autori nuk e kupton politikën amerikane bashkëkohore. Se, ndryshe, do kishte evituar termin “fanatizëm” kur të përshkruante një vend ku ekstremizmi fetar i djathtë ka patur sukses të jashtëzakonshëm politik në 10-20 vitet e fundit.

Më tej, Nano thotë, pa fakte apo statistika, se “qytetarët amerikanë besojnë tek liderët e tyre”. Pak rëndësi ka që presidenti aktual amerikan ka mbështetjen më të ulët nga publiku gjatë 28 vjetëve të fundit. Vetëm 28% e amerikanëve kanë besim tek George W. Bush, rekord për Gallup-in e statistikave.

Një tjetër argument, i ndarë ky mes Civicit dhe Nanos, është supozimi se fushata elektorale në SHBA bëhet kryesisht mbi ide dhe programe. E vërteta është pak më ndryshe. Një nga elementët më të rëndësishëm të fushatës elektorale në SHBA është mobilizimi i segmenteve të caktuara të shoqërisë amerikane si e djathta kristiane, veteranët, hispanoamerikanët, grupet e interesit, etj. Gjithashtu, çështje specifike si aborti, imigracioni, e martesat mes homoseksualëve janë shumë të rëndësishme. Mbi secilën nga këto, një fjalë e thënë gabim pas 2 vjetësh fushatë mund të të kushtojë zgjedhjet.

E thënë ndryshe, po, si demokratët ashtu edhe republikanët kanë programe të detajuara politike. Por kur vjen puna për të fituar vota, premtimet dhe devijimet janë të paevitueshme.

Ndërkohë, Mentor Kikia krahason Obamën e ndershëm me Don Korleonet e politikës shqiptare. Endri Fuga flet për fisnikërinë e Hillary Clinton, dhe për dritëshkurtësinë e ekuivalentëve shqiptarë. Amerikanët tolerantë e demokraci-dashës në njërin krah, shqiptarët, të korruptuar e të pabesë në krahun tjetër. Si e bardha me të zezën. Polarizim jo pak i tepruar.

********************

Dashuria pa kufi e shqiptarëve për Amerikën nuk është zbehur që nga dita kur sekretari i atëhershëm i shtetit, James Baker, u adhurua në sheshin Skënderbej në qershor të 1991-shit. Vizita e Bushit së fundi, ishte thjesht një rikonfirmim. Në fakt, të kritikosh këtë dashuri tonën për Amerikën në faqet e shtypit është njësoj si të kritikosh Papën në Vatikan. Për politikanët, është vetëvrasje. Analistët, s’duken të jenë shumë ndryshe.

Fatkeqësia është se Amerika lartësohet e idealizohet, por nuk kuptohet. Ndryshe nga Alexis de Tocqueville, filozofi francez që 100 e kusur vjet më parë mbeti i mahnitur nga eksperienca e tij në terren, duke parë sesi demokracia amerikane funksiononte qytezë më qytezë e shtet më shtet, analistët tanë mahniten nga fishekzjarret, tullumbacet, e fjalimet emocionuese. Duke njohur nga afër politikën vendase, ata imagjinojnë një politikë tjetër që duke qënë e madhe, dritëshumë e në distancë, doemos do jetë edhe virtuoze, fisnike e madhështore.

Nga afër, askush nuk është normal, thotë një poster diku në Tiranë. Vath në vesh, analistë.

Dergoje artikullin me email Printoje artikullin

20 Komente

  1. Cheney thotë:

    9 September 2008 @ 6:03 am

    Bukur Penar,

    ke qartesuar edhe nje aspekt tjeter te analizberjes gazetareske ne Shqiperi..

    Pa lidhje me temen, duket se me apo pa shkume sapuni, prap se prap do ta hame sic e meritojme persa i perket zgjidhjes se problemit te sigurimit mjeksor.. fitofshin demot ose repot..

  2. Arbeni thotë:

    9 September 2008 @ 6:46 am

    Faleminderit Penar…
    N.q.s do te donin pronaret & etj, etj-ret e medias pse ka rene interesi per gazetat ne Shqiperi duhet ta botonin shkrimin tend ne faqet e para te gazetave te tyre.
    Por ata nuk e bejne se i perkasin te gjithe brezit kur ai qe dinte nje gjuhe te huaj, apo ishte ne kontakt me kulturen e huaj, ishte si ai njeriu me nje sy ne mes te qorrave.
    Edhe nje here faleminderit…

  3. Arbeni thotë:

    9 September 2008 @ 6:54 am

    te lexohet “N.q.s do te donin ta kuptonin pronaret & …”
    P.S.
    Nuk e di nga na doli ky flamur allosoje se ketej e kemi me vija dhe yje “red, white and blue,”

  4. J. thotë:

    9 September 2008 @ 7:39 am

    Bukur, bukur. :)
    Së pari më duhet të them se përgëzoj iniciativën e analistëve të marrin përsipër të përshkruajnë një sistem tjetër jashtë pellgut politik shqiptar. Kjo është shumë e rëndësishme për mendimin tim, pavarësisht rezultateve të analizave.
    Gjithashtu, përveç dashurisë së shprehur ndaj Amerikës dhe amerikanëve, kemi marrë përsipër të bëjmë një budallëk më shumë këto vite: kam përshtypjen se disi po e kopjojmë politikën tepër të djathtë për shijet e mia amerikane. Kjo mund të rezultojë fatale në të ardhmen. Më kujtohet ajo tema mbi mungesën e së majtës. Një arsye e mungesës ndoshta është modeli amerikan i marrë shumë në konsideratë sigurisht pa vetëdije politike edhe atëherë kur nuk duhet.
    Nuk mund të mos vërej gjithashtu rendjen historike të shqiptarëve ndaj “të madhit”, qoftë ky turk, rus apo edhe tani amerikan. Think for urself analista dhe jo vetëm, është shumë e rëndësishme të ndërgjegjësohemi se jetojmë brenda kufijsh të përcaktuar dhe me detyrimet përkatëse ndaj tyre.
    E së fundi, ka edhe vende të tjera bota që mund të merren shembull, mos harroni të shprehni erudicionin tuaj mbi to të nderuar analista. Shkrijeni talentin dhe mbi Francën, Gjermaninë, vendet nordike, Zvicrën etj, si gjithnjë me ato shkronjat tuaja si rruaza…tha.

  5. Cheney thotë:

    9 September 2008 @ 8:26 am

    Tha tha, po kujt ja tha..

    Persa i perket mungeses se te majtes ne kohe tranzicioni, ki parasysh se nuk ndertohet pa skllever!!! Kjo eshte ne te vertete Amerika, nje Rome moderne, ku shumica e njerzve punojne ore pafund hane mjaftueshem dhe shijojne lojra gladiatoreske ne koloseume te shumte..

  6. J. thotë:

    9 September 2008 @ 8:42 am

    Chen where je mer lal? Si je ça ke bo, si je ça ke bo?
    Aty nga 97′ sikur u bindëm që “me ne ndërtojnë të gjithë” pa punuar fare!! Kur në 90′ shkatarruam ça kishte mbet se do jepej çeku i bardhë. E majta presupozon ndër të tjera edukimin për kulturën e punës.
    Përveç kësaj, e quajmë veten të bindur se një lloj skllevërish u kthyem këtej ku jemi sot të shpërndarë si zogjtë e korbit. Po me qënë skllav në shpinë tate është shumë mer Chen.
    Sistemi që po vendoset aty, bashkë me aspiratën për të hyrë në Evropë e sjell direkt në pozita konkurruese me sistemet e tjera të popujve fqinjë.
    Me fjalë të tjera, mungesa e së majtës është shkombëtarizim. Veç nëse pretendojnë se te shqiptari gjendet i fshehur mbinjeriu i Niçes. Ose ose injoranti historik kryeneç.

  7. Cheney thotë:

    9 September 2008 @ 9:00 am

    Aty afer kom qen, tu honger fiq dukati, kallamar dhermiu(te kap vet), tu pi birre greke (pivia a qivia, se maj men) ne himare, e tu shiju makaruni italiane ne Sarande..ah edhe tu shtru skllevrit ne pune!!!

    Jul,

    edhe liderat e majte e kuptuan se pa skllaveri ata nuk mund te vetdeklaroheshin klase e eperme.. Mani mire Spiropalet(jo aty ku meno ti :P ) se po ju hiken dhe ato nga duret skllaveri do kemi dhe per 40 vjete te tjera..

  8. lulekuqe thotë:

    9 September 2008 @ 12:46 pm

    E së fundi, ka edhe vende të tjera bota që mund të merren shembull, mos harroni të shprehni erudicionin tuaj mbi to të nderuar analista. Shkrijeni talentin dhe mbi Francën, Gjermaninë, vendet nordike, Zvicrën etj,

    Jam dakort,shume dakort.Evropa plake ka shume per te na mesuar.Vijani veshin te vjetrit se di me shume dhe i ka thyer shume here turijt deri sa mesoi.Amerika thjesht i pershtat pas vetes.Eshte si puna e modes,vesh ca te shkon per shtat e ndjehesh rehat.

  9. Dori thotë:

    9 September 2008 @ 1:37 pm

    Penar është e vërtetë çfarë ke shkruar por më duket problemi më i vogël që kanë mediat shqiptare. Po adhurojnë një Amerikë të fantazuar dhe po kërkojnë që Shqipëria të jetë si ajo. S’kanë për të arritur diçka të tillë, por aim high, hit low. Nëse shqiptarët besojnë në këtë përshkrim të Amerikës vetëm mund t’i bëjë të kërkojnë më shumë nga politikanët shqiptarë. Kjo s’më duket e keqe.

  10. mushka thotë:

    9 September 2008 @ 3:17 pm

    po endrra amerikane eshte ajo enderr qe frymezon shume ne bote, e s’ka pse te mos na frymezoje dhe neve. Asaj qe i duhet meshuar me shume, eshte fakti qe 8 vjetet e bushit jane nje devijim nga endrra amerikane.

    nderkohe autori dhe mund te shpjegoje qe jeton ne kanada dhe qe eshte dhe vete ndoshta i pa-azhornuar me situaten ne terren ne amerike ;)

  11. Luçi thotë:

    9 September 2008 @ 3:19 pm

    Si ka thone Carlin ?
    Quhet endrra amerikane, sepse eshte e vertete vetem kur je ne gjume :P

  12. Toko thotë:

    9 September 2008 @ 6:22 pm

    Penar,

    Cdo nanalize ka nje mase. Ne kritike kalimi nga nje ekstrem tek tjeteri nuk sjell ndonje perfitim me shume se ekstremi qe kritikon.
    Do te me duheshe shume kohe te komentoja cdo rjesht te komentit tuaj
    Por disa besoj se ja vlen

    Të dyja konventat e këtyre ditëve erdhën përpara syve tanë si organizime të hareshme, ku shihje njerëz që qeshnin, që prekeshin e qanin prej gëzimit, që përqafoheshin, që këndonin, që hidhnin valle, që bërtisnin në kor, që valëvisnin flamuj e poster-a. Ishte një hare që nuk mbetej aty në sallë apo në stadium

    Te kujtojne Kongreset e Partise qemoti. Sic duket ne apaencen propaganda e komunizmit nuk paska shume ndryshim nga ajo e Demokracine.

    Se, ndryshe, do kishte evituar termin “fanatizëm” kur të përshkruante një vend ku ekstremizmi fetar i djathtë ka patur sukses të jashtëzakonshëm politik në 10-20 vitet e fundit

    .

    Varet se cfare kupotn me ternim “Fanatizem”
    Nese kupton kariget e thyera ne parlamentin tone eshte ndryshe nga fanatizmi fetar i djathte. Nese kupton ngajrjet e 97 jane ndryshe nga ndonje individ fanatik qe ve ndonje bombe ne qendrat e abortit. Nese kupton fjalorin banal te K/ministrit eshte ndryshe nga shprehejt e Obames se McCain eshte nje patriot, por programi i tij eshte me mire se ai I MCCain. Nese kupton thirjet per lincim te 50% te popullsise qe kryetarja e parlamentit ben nga foltrorja e tij eshte ndryshe nga urimi qe McCain I ben demokrateve per konveten e tyre te sukseshme. Nese kupton akuzat per opoziten si tradhetare apo poziten si armike te popullit me shprehejt e Klinton se McCain eshte miku im dhe ai eshte nuk eshte me pak patriot se une vec se une (Klinton) kam ide me te mira se si mund te coj Ameriken perpara Aterhere arin ne konkluzionin se “Fanatizmi” ka disa forma dhe masa. Percaktim I drejte I ketyre formave dhe masave ka rendesi.

    Një tjetër argument, i ndarë ky mes Civicit dhe Nanos, është supozimi se fushata elektorale në SHBA bëhet kryesisht mbi ide dhe programe. E vërteta është pak më ndryshe. Një nga elementët më të rëndësishëm të fushatës elektorale në SHBA është mobilizimi i segmenteve të caktuara të shoqërisë amerikane si e djathta kristiane, veteranët, hispanoamerikanët, grupet e interesit, etj. Gjithashtu, çështje specifike si aborti, imigracioni, e martesat mes homoseksualëve janë shumë të rëndësishme. Mbi secilën nga këto, një fjalë e thënë gabim pas 2 vjetësh fushatë mund të të kushtojë zgjedhjet.

    Ajo qe i mobilizon segmente e caktuara të shoqërisë amerikane si e djathta kristiane, veteranët, hispanoamerikanët, grupet e interesit, etj. jane idete dhe porgramet apo jo?
    Aborti, imigracioni, e martesat mes homoseksualëve jane ide apo jo?
    Krejt ndryshe nga idete se jemi te majte apo te djathte ne shqiperi kur programi dhe ideja e vertete nuk eshte krahu politik por paraja dhe te zhvaturit sa me shume

    Por kur vjen puna për të fituar vota, premtimet dhe devijimet janë të paevitueshme

    .

    Perseri teoria e mases, se varet sa eshte devijimi. Ka devimin 5% ka devijim 10% ka devijim 30% ka dhe devijim 90% apo 100% Mund te krahason keto masa me shqiperine?

    Ndërkohë, Mentor Kikia krahason Obamën e ndershëm me Don Korleonet e politikës shqiptare. Endri Fuga flet për fisnikërinë e Hillary Clinton, dhe për dritëshkurtësinë e ekuivalentëve shqiptarë. Amerikanët tolerantë e demokraci-dashës në njërin krah, shqiptarët, të korruptuar e të pabesë në krahun tjetër. Si e bardha me të zezën. Polarizim jo pak i tepruar

    Penar,
    Vertet te duket kjo tepruar kur flitet se 70% e popullsise vjedh energjine elektrike? Ku 90% e popullsise investoj ne firmat piramidale kur opinioni ishte se ato mereshin me veprime te paligjshme? Krahsohet kjo me Gerdecin, Lazaratin, vjedhjet konstante e massive ne tendera e invesitmet publike? Krahasohet me korupsion ne shendetei, arsim ushtri, polici etj? Krahasohet vjedhja e korupsioni ne gjykate e prokurori me veprimet e gjykatesve kushtetuse amerikane dhe general attorney-it. Perseri masa mer rendesi

    Fatkeqësia është se Amerika lartësohet e idealizohet, por nuk kuptohet. ……Duke njohur nga afër politikën vendase, ata imagjinojnë një politikë tjetër që duke qënë e madhe, dritëshumë e në distancë, doemos do jetë edhe virtuoze, fisnike e madhështore.

    E drejte propaganda i ben gjerat te shkelqejne me shume se sa jane vec ama nuk mund te bej gjera qe nuk shkelqejne fare te duken verbuse si dielli.
    “Cenet” qe politka amerika ka nuk mund te justitfikojme krimet e politikes sone. Shprehja “Se jemi mire se keshtu ben edhe Amerika “ eshte nje shprehje qe ka qellim te genjesh veten.Dhe njerezit perpiqen te genjejne veten ose se kerkojne te ndjehen mire ose kerkojne te mbulojne paudhesite e tyre.

    Nga afër, askush nuk është normal

    E drejte por ama nuk duhet te kete shume ndryshim midis asaj qe shikon nga larg dhe asaj qe shikon nga afer vec ne ke vene gabimisht syze qe nuk jane per permiresim shikimi nga larg por nga afer.

  13. Pjer Thomas thotë:

    9 September 2008 @ 6:59 pm

    Lum si Penari i lexoka te gjitha analizat shqiptare, kot s’e kam quajtur une ate; fytyr e tru japonezi :-)

  14. Qafir Arnaut thotë:

    9 September 2008 @ 7:08 pm

    Një tjetër argument, i ndarë ky mes Civicit dhe Nanos, është supozimi se fushata elektorale në SHBA bëhet kryesisht mbi ide dhe programe. E vërteta është pak më ndryshe.

    Kjo eshte me se e vertete. E djathta dhe e majta ne Amerike nuk eshte si ne Shqiperi ku ato duhen cilesuar jo si ‘majtas/djathtas’ por si ‘lart/poshte’.

    Republikanet i permbahen ideve te qarta neo-liberale ku tregu eshte sovran i pacenueshem, ku qeveria duhet te kete rol minimal. Demokratet jane ata qe kerkojne te vejne fre disa tendencave negative te tregut, dhe e shohin qeverine si arbiter i paanshem qe transferon pasurine prej te kamurve drejt te skamurve.

    Kuptohet edhe brenda partive ka nje spektrum ideologjish. Ron Paul beri nje kunder-konvente republikane ne Minnesota ku mbushi nje stadium me 18,000 vete te cilet i bene elozhe figures te Friedrich Hayek dhe Milton Friedman. Por ky grupim cilesohet si margjinal brenda Republikaneve te cilet kane nje fryme me centriste.

    Shkurt, kjo analize e Lanes nuk ishte e gabuar.

  15. J. thotë:

    9 September 2008 @ 10:18 pm

    Mani mire Spiropalet(jo aty ku meno ti :P ) se po ju hiken dhe ato nga duret skllaveri do kemi dhe per 40 vjete te tjera..

    Është rrit çmimi i trurit të kthyer mer për shkak të konkurencës, se është kthyer dhe Blendi. :)
    Spiropali është pak.

  16. Cheney thotë:

    9 September 2008 @ 10:37 pm

    Eshte kthyer perfundimisht? fantastike nese po!!!

    po ti mer? njele mrapa!! :)

  17. J. thotë:

    9 September 2008 @ 10:43 pm

    Më kujtove tim atë që më thoshte një histori me një ushtar… Merrte leje ky dhe vinte me vonesë në repart. E aty i thoshin:
    Ushtar Llazar Qirici, pse me kaq vonesë?
    - Smë lanë gratë… :D

  18. toko thotë:

    10 September 2008 @ 1:01 am

    Eshte kthyer Blendi ????? …..
    I uroj mbaresi dhe shendet dhe me nje keshille qe jam kam dhene dhe kolegut te tij Llukanit
    Mos u ndot. Perpiqu te rish i paster. Jo per ty por per te tjeret, qe kthimi tend te kete vlere.
    Nga e moret vesh kthimin e tij?

  19. Dori thotë:

    10 September 2008 @ 1:32 am

    Cheney, toko: urdhëro

  20. jon thotë:

    10 September 2008 @ 8:25 am

    Koment shume i gjetur. Ne pergjithesi media shqiptare leviz ne te njejtat ujera: ato te perkthimit, kur behet fjale per komentimin e politikes se jashtme apo zgjedhjeve dhe ngjarjeve te tjera politike te nje vendi jashte Shqiperise.
    Per te mos harruar, qe edhe ne komentimin e ngjarjeve brenda vendit, … “kopjojne” shtypin e dites dhe TV… me larg se kaq, nuk shkohet, asnje investigim, asnje analize me fakte te panjohura qe t’i serviren publikut perpara se te perdoren nga ndonje force politike…

Komentet per kete teme jane te mbyllura.
Per t'u mbrojtur nga spam-i, Peshku pa uje i mbyll komentet e cdo teme pas 60 ditesh.

  • Po shikoni nje artikull ne faqen e arkivit te Peshkut pa Uje. Per te pare faqen aktive, shkoni tek peshkupauje.com